ESTETIKË E VEÇANTË
ME NËNTEKSTE REFLEKSIVE
Petrit Nika,
“Qenia brenda enës”, poezi, Skenderbeg Books, Tiranë, 2010
Nga Dr. Faik Shkodra
Kur lexojmë poezinë e Petrit Nikës, kuptojmë kulturën, zjarrin krijues
shpirtëror, shtigjet kërkimore të temave e motiveve, historinë e gjenezës së
personazheve, kuptojmë formën artistike, stilin shprehës, kuptojmë ndjenjat dhe
kompleksitetin psikologjik të poetit dhe kuptojmë rrugën dialektike të
frymëzimit e perceptimit që poeti i bën realitetit historiko - shoqëror,
realitet mbi të cilin shkrin ide e mendime filozofike mbi trajtat e jetës dhe
botëkuptimet e njerëzve.
Në emër të një ideali dhe ëndrre të madhe të njerëzimit
Në vëllimin karakteristik “Qenia
brenda enës” Petriti ngre ideale të larta të njerëzimit dhe kudo në vargje
manifeston ndjeshmëri shpirtërore, ndjeshmëri që vjen nga jeta në vrojtim dhe,
vargjet kanë mision formimin moral, shoqëror, njerëzor dhe shkencor të njeriut
për të kuptuar jetën dhe ligjet e saj, tamam siç i shpjegon fizika. Vëllimi “Qenia brenda enës” e Nikës themi me
plot gojën se përshkohet me çështje, fenomene e dukuri filozofike, historike,
shoqërore, letrare, estetike dhe stilistike.
Petrit Nika, përmes poezive të vëllimit, kërkon pikat më të nxehta të cilat
lidhen me rolin dhe misionin e poezisë si trajta më e bukur e shprehjes artistike dhe estetike. Në
poezitë e këtij vëllimi poeti afirmon të vërtetat që i bart poezia, e cila nuk
është në shërbim të vetvetes, siç mendon Visar Zhiti, por është në rolin e
pajisjes së njeriut me virtyte e vlera të reja morale, mendore e njerëzore. Me
fjalë të tjera, poezia e Petritit mund të kuptohet drejt e me logjikë të
arsyeshme nga ata lexues që kanë përgatitje të thellë nga fusha e teorisë,
estetikës dhe stilistikës. Poezia e këtij poeti ka nëntekst të fortë refleksiv.
Për ta kuptuar, duhet kulturë e dije nga letërsia antike greko - romake e
latine dhe për këtë duhet pasur njohuri mbi zhvillimet e poezisë nëpër shekujt
e hershëm të botimeve letrare.
Poezia e Nikës flet në emër të një ideali dhe ëndrre të madhe të
njerëzimit. Idealet dhe ëndrrat e tilla, që mishërohen brenda poezive të
vëllimit, dëshmojnë mbi kulturën, horizontin, ndjenjën, përjetimin dhe
zgjerimin e rrethit të interesimeve të Nikës në kapjen e disa temave e motiveve
që lidhen me fatin e ardhshëm të shqiptarëve në Ballkan, të cilët nuk po
arrijnë të tregohen të denjë dhe në nivelin e kohës, e cila vazhdimisht po i
sfidon, duke shkaktuar dëme të mëdha në çështjet kombëtare - çështje që
vazhdimisht prodhojnë të këqija për të ardhmen e shqiptarëve. Shqiptarët, në
mënyrë figurative, e thotë poeti, nuk arritën dje, nuk po arrijnë sot dhe si
duket do të shkojnë vite e vite e nuk do të arrijnë ta kapërcejnë kohën. Sipas
vargjeve, kuptojmë se kujtesa historike e së shkuarës nuk po i vetëdijeson
shqiptarët. Nga nënteksti i pasur i poezive del se poeti, me qëndrim racional e
paravajtës, nga shqiptarët kërkon pikat më nevralgjike, që me shekuj po e
dëmtojnë çështjen kombëtare dhe të ardhmen historike të shqiptarëve. Natyrisht,
Nika poezinë nuk e kupton si trajtë ku duhet derdhur energji e ndjenja pa
efekt, por si trajtë ku duhet hedhur mendime të çiltra të realizuara me
kulturë, dije e pasion.
Poeti, me vargjet e botuara, dëshmon se poezinë e merr si diçka që duhet të
shprehë cilësi ideoartistike dhe ideoestetike. Ky qëndrim dhe tipar i Nikës flet për koncepte të drejta që
mban për rolin dhe rëndësinë e poezisë. Duke lexuar poezitë e vëllimit, shohim
një mbyllje brenda botës vetjake, botë
që shprehet me metafora, simbole, antiteza, metonimi e sidomos aliteracione. Në
përdorimin e këtyre mjeteve poetike vërehet mjeshtëri e nivelit të duhur
artistik dhe gjuhësor. Po t’i kemi parasysh këto të dhëna, atëherë mësojmë se
poezitë, jo vetëm përshkohen me një frymë e kompozicion të veçantë, por
karakterizohen me tematika të gjera dhe secila përfaqëson një problem që ka
frymëzuar poetin për të hartuar vargje me veçanti gjuhësore e vlera
ideoemocionale. Brenda poezive meditimet vijnë natyrshëm. Në këtë natyrshmëri
gërshetohen fjalë e shprehje të bukura artistike, të cilat shprehin mendime të
mençura e ndjenja të kristalta të botës shpirtërore të poetit. Këto arritje e
bëjnë poetin, sa të kulturës, aq edhe realizues të kërkesave të kohës.
Poezia e Petrit Nikës, jo vetëm e vëllimit për të cilin po bëjmë fjalë, por
e tërë poezia e tij e botuar nëpër vëllime të veçanta, me temat e motivet e
trajtuara, është në shërbim të mirë të ndriçimit të çështjeve të rëndësishme për
problemet kombëtare dhe arti i Nikës nuk vuan nga rutina, nga klishetë dhe nga
shabllonet e dëmshme. Falë cilësive të tilla - vargjet komunikojnë pa
vështirësi me lexuesit dhe në subjektet e tyre derdhen ndjenja të thella
ideoemocionale, të cilat shprehin jetën dhe realitetin e kohës. Realiteti i
riprodhuar në poezi dhe bota e brendshme e poetit, rrisin vlerat artistike të
poezive. Thuhet se një poezi, për t’u cilësuar e suksesshme, ajo para së
gjithash duhet të ketë brendi të re - brendi që ka braktisur format e vjetruara
të shprehjes e të përsëritjes së pikëpamjeve estetike. Natyrisht, lënda e re
poetike, që me vete sjell poezia, shquhet për disa tipare të rralla artistike.
Këto tipare në radhë të parë reflektojnë jetën në mënyrë specifike, duke i
shoqëruar vargjet me emocione. Në fund të fundit, poezia e kësaj natyre hedh
dritë mbi jetën e njerëzve dhe, duke ndriçuar problemet me të cilat ballafaqohen
njerëzit, poeti pohon e mohon, kërkon e shfaq pikëpamje e mendime të vlefshme
dhe përmes mendimeve e reflektimeve arrin të zbulojë aspekte të rëndësishme
poetike të vetë realitetit shoqëror e historik. Por, për t’u përmbushur këto
objektiva, që poezinë e veshin me lëndë të re, poeti duhet të ketë talent,
prirje dhe të njohë mjeshtërinë e të shkruarit në gjininë e poezisë. Në këtë
kontekst, me të drejtë është thënë: “Pa
kulturë dhe pa punë të ndërgjegjshme nuk mund të shkruhet poezia e vërtetë. Ajo
që shkruhet në mënyrë “Barbare”, edhe në qoftë se përmban poezi jetë, humbet
aftësinë komunikuese dhe vlerën e ndikimit estetik dhe edukativ”. (Razi
Brahimi, Kur flasim për poezinë,
Tiranë 1972. f. 9).
Sublimim i problemeve historike e shoqërore nëpër etapat
historike
Vargjet e Petritit rrëfejnë mbi ndjenjat e mendimet e shprehura në trajta
të gjetura poetike me afinitet, të cilat përshkohen me vlera estetike dhe me
momentet artistike më domethënëse të jetës. Brendia e pasur dhe e përsosur e
poezive i ka nxitur studiuesit e artistët e fushave të letërsisë të japin
vlerësime ndër më të ndryshmet. Në këtë problematikë kemi trashëguar thënie e
mendime me tendenca ndër më të shumëllojshmet - tendenca që nuk kanë sjellë
konstatime e teori të qëndrueshme shkencërisht për asnjë disiplinë që objekt
studimi ka poezinë.
S’ka dyshim se vlerësimet më të mira për një vëllim si “Qenia brenda enës”
të Nikës, duhet parë në sublimimin e problemeve historike e shoqërore të
njeriut nëpër etapat historike dhe këto çështje janë realizuar në mënyrë
racionale. Racionaliteti, që është i pranishëm në vargjet e poetit, shpreh
thellësinë ideore dhe fuqizon lidhjen me traditat kombëtare në distancë
historike.
Vëllimi poetik “Qenia brenda enës”,
botuar nga Skenderbeg Books, Tiranë,
2010, si përmbledhje poetike është strukturuar në këto cikle: Qenia brenda enës, Letra për Donjetën, Për
dashurinë dhe hijen, E gjatë rruga jote
Odise ..., Skica dhe peizazhe, Elegjitë e shiut dhe Mbi identitetin e Unit dhe
keqinterpretimet (ese përmbyllëse). Në këto cikle autori trajton çështje
interesante për poezinë e sotme shqipe. Duke qenë njohës i rrjedhave shoqërore
nëpër kapërcej shekujsh, ai rrok në pasqyrim tema interesante për artin letrar.
Petriti që në poezinë e parë “Qenia
brenda enës” shpreh një mospajtim me “mjegullat
e thinjura, të cilat objektivisht s’i lënë historitë e dhimbshme pa sosur”.
Gjatë leximit të cikleve lexuesi mëson për qartësinë e vargjeve, por duhet
të themi se disa poezi duhet të lexohen më shume se një herë për t’u kuptuar
ideja dhe qëllimi i poetit dhe kjo duhet të bëhet për shkak se me nëntekstin
refleksiv nuk krijojnë mundësinë e kuptimit të lehtë pa e vrarë mendjen se ç’ka
dashur të thotë poeti. Duket se për këto vështirësi është i vetëdijshëm edhe
Petriti, kur thekson: “Unë nuk kërkoj më
lexues. Rrjedhimisht, nuk kam asnjë lloj kontrate as borxhi ndaj lexuesit. Nëse
e do poezinë, atëherë lexuesi le ta gjeje vetë atë.”
Objektet e poezive përshkohen me përmbajtje e me porosi të thella dhe
pikërisht në këto përmbajtje vibrojnë emocione të fuqishme dhe përbërësit e
tjerë janë shenja të një asimilimi të fortë që bëhet midis materialit jetësor e
shoqëror në kohë dhe hapësirë. Këto vlera paraqesin unitetin ideor të poetit
dhe aftësinë intuitive për të përcjellë porosi tek lexuesi. Për poetin në
shumicën e poezive, e vërteta jetësore dhe dëshira për ta parë jetën ashtu siç
duhet të jetë, krejt ndryshe, mbetet kërkesa dhe synimi kryesor e artit të tij
dhe e vargjeve të tij. Nga brendia e poezive del se autori i ka ngjizur poezitë
me frymëzim të vetvetishëm dhe me një përjetim të lartë ideoemocional.
Gjatë leximit të poezive të cikleve vërejmë preokupimet e shqetësimet e
Petritit, i cili gjatë dhënies së gjykimeve dhe shpalosjes së mendimeve mbi
realitetin e kohës, kalon nga një çështje në një tjetër dhe në kuadër të kësaj
mënyre hedh dritë mbi ngjarjet e aspektet e shumta që i përjeton shoqëria në
ritmin e kohës. Poezitë kanë për qëllim vetëdijesimin e shqiptarëve për t’u
bërë të mençur dhe me mençuri për të kapur kohën, e cila, siç thonë filozofët
dhe njerëzit e dijes së botës së përparuar, nuk i pret të padijshmit dhe
përtacët. Nëse i duam vlerat universale dhe ato kombëtare, nëse kemi mësuar
sadopak nga veprat e rilindësve se për vatan duhet shkrirë vetvetja, se Vatani
është mbi çdo vlerë tjetër, se Vatanit duhet t’i përkasim të gjithë, pa dallim
besimi e partie, se Vatani duhet ta lëvizë shpirtin, mendjen dhe ndjenjën -
atëherë për Atdheun, thotë poeti, mos u përkund me iluzione, mos ik prej tij,
sepse çdo shqiptar që pranon këtë të keqe, pra, të ikë nga atdheu - ai duhet të
pranojë se ka ikur nga qenia, nga identiteti, nga gjaku, nga kënga e historia
kombëtare dhe në fund ka ikur nga vetvetja.
Në vetëflijimet dhe sakrificat që duhen bërë për atdheun, nuk duhet të
tregohen shenjat e subjektivizmit, nuk duhet të jenë shenja të kushtëzuara nga
ndjenjat momentale, sepse të tilla ndjenja nuk përligjin qëndrime e vetëdije
stabile. Disa nga elementet e një subjektivizmi të tillë shpërfaqin vargjet e
poezive: Ëndërr me dëborë dhe male...
ose Requiem (padashur) dyvetor. Të
tilla pikëpamje poeti i dëshmon në vargjet:
Për gjithë ç’pate e s’pate në shtegun e gjatë,
për humbjet për brengat, padrejtësitë,
në fund vetëm heshtja të mbetet dëshmitar,
t’ia tregojë botës - postum - historitë!
për humbjet për brengat, padrejtësitë,
në fund vetëm heshtja të mbetet dëshmitar,
t’ia tregojë botës - postum - historitë!
Po t’i analizojmë me kujdes këto vargje, kuptojmë se njeriu i vetmuar, i
cili bredh pa ditur se nga shkon e ku shkon - ai vërtetë mbetet i vetmuar e pa
realizim të dëshirave të kërkuara. Në poezitë: Apolonia, Udhëtari i natës, Monolog në pritje, Fëmijë në park, Mozaik,
Afrika, Requiem për kohën, Optimisti
dhe nihilisti të ciklit “Qenia brenda enës”, shpaloset individualiteti
krijues autokton i Petritit, i cili në nyjëtimin e mendimeve e shfaqjen e
ndjenjave mbi disa probleme të realitetit jo të kënaqshëm, për të mos thënë të
vrazhdë, ndaj të cilit mban qëndrim kritik, tregohet artist dhe i qartë në atë
që e thotë. Poeti përjeton dhimbje për kohën. Mbi shpirtin e tij rëndojnë
ëndrrat dhe dëshirat për një të ardhme më të mirë për çdo njeri. Në shpërfaqjen
e këtyre brengave, Petriti në vargje vjen në rolin e gjuhëtarit, të
historianit, të poetit dhe të pedagogut. Këto aspekte të poezisë i shprehin
vargjet:
I vetëm, udhëtar ndër rrugë pa cak
Kishte bredhur njëzet vjet. Një jetë!
Kishte bredhur njëzet vjet. Një jetë!
Ose:
Mbishkrime greke dhe latine skalitur mbi gurë,
dëshmi agresive të një kohe tjetër,
por rrënoja rebele s’përfill asnjë gjuhë,
pos gjuhës së lashtë të vendësve të vjetër!
dëshmi agresive të një kohe tjetër,
por rrënoja rebele s’përfill asnjë gjuhë,
pos gjuhës së lashtë të vendësve të vjetër!
(Apolonia)
Ose:
Me melosin kumbues lirik të çdo treve
ku zanafilla e tingullit nuk shpjegon asgjë
veç lashtësi, magji, jehonë e re,
nostalgji për trajtat që s’janë më.
ku zanafilla e tingullit nuk shpjegon asgjë
veç lashtësi, magji, jehonë e re,
nostalgji për trajtat që s’janë më.
(Mozaik)
Ose:
Askund në botë - si në ajrin e Afrikës,
nuk regëtin klithma e acartë e padrejtësisë,
që kur njeriu i bardhë mori rolin e bishës,
dhe shkroi me gjak kodin e skllavërisë.
...
nuk regëtin klithma e acartë e padrejtësisë,
që kur njeriu i bardhë mori rolin e bishës,
dhe shkroi me gjak kodin e skllavërisë.
...
Koha e re! Afrika e dëshpëruar.
(Afrika)
Nga vargjet e cituara shohim qëndrimin dhe natyrën e poetit, shohim poetin
me një fuqi të shquar krijuese, fuqi që kap në trajtim çështjet e kohshme të
realitetit historik e shoqëror, bashkë me to rrok botën psikike të njerëzve,
shohim thellësinë e perceptimit të trajtimit artistik të problemeve, që
ndrydhin ekzistencën e njeriut - ndaj të cilit mban qëndrim të drejtë me
mbrojtjen e vlerave të tij.
Një det ndjenjash dhe ndrydhjesh shpirtërore
Gjithandej poezive të vëllimit, poeti demonstron ide e mendime të
rëndësishme dhe në përdorimin e mjeteve stilistike tregohet i kujdesshëm dhe i
matur. Temat e motivet trajtohen në vargje me një zotësi e mjeshtëri të llojit specifik.
Kjo flet për kulturën e shkallën e intelektualizmit të Petritit. Brendia e
poezive, në përgjithësi, ruan disa ngjashmëri me poezinë e Fatos Arapit dhe të
Beqir Musliut. Për poezinë e Arapit është thënë se “Nga pikëpamja e brendisë ideoemocionale, edhe nga forma, poezia e
Arapit ka një fizionomi të përcaktuar mirë dhe, me gjithë zhvillimin nga një
kohë në tjetrën, e me ndryshimet e diktuara nga motivet e trajtuara, ajo mbetet
si një tërësi artistike unike, ku çdo anë është në harmoni me anët e tjera dhe
hollësitë në harmoni me thelbin ideoemocional të saj“ ( R. Brahimi, Po aty, f. 208).
Megjithëkëtë, poezia e Petritit ka veçoritë e saj shquese. Poeti i mbetet
konsekuent këndimit të kohës dje dhe të kohës sot. Motivet e përthithura nga
këto kohë janë atraktive dhe mbresëlënëse, sepse poeti, përmes halleve e
pakënaqësive të njerëzve dëshiron të krijojë vargje me vlera që artikulojnë
ideale të reja - jo vetëm ideale patriotike për të cilat flasim pa ndonjë
kriter, por poeti përpiqet të kultivojë vlera shumë më të gjera e më fisnike
për njeriun dhe karakterin e tij. Poezia e Petritit i këndon vetëdijes
nacionale - vetëdije kjo që, sipas nëntekstit, nuk kufizohet në probleme të
imëta, por në ato madhore. Nëse shqiptarët arrijnë ta kuptojnë dhe ta
zhvillojnë vetëdijen nacionale, ndryshe nga ajo që e kanë sot, atëherë do të
bëhet realitet vargu i Zef Skiroit, i botuar në poemën “Dheu i huaj” – “Do të fillojë koha e së drejtës”.
Në ciklin e dytë: “Letra për
Donjetën”, shkruar në gjashtë letra, poeti këndon për diçka intime dhe
temat intime zakonisht ngacmojnë krijuesin dhe shpirtin e tij për të shkruar vargje
që të rrëmbejnë me situata e momente të përjetuara, vargje që të përvetësojnë
me çastet e kujtimet që sjellin midis të dashuruarve. Në rastin e kësaj poezie,
i këndohet edhe dashurisë së bijës në raport me babanë. Cikli “Letra për Donjetën” sjell poezi më shumë
se origjinale dhe ato japin biografinë poetike të Petrit Nikës. Vargjet janë
reflekse të një respekti e një realiteti të jetuar. Me të drejtë thuhet se
poezitë me motiv intim sikur e freskojnë lexuesin dhe ia kënaqin ndjenjat
shpirtërore në shumë rrafshe. Në letrën e parë poeti sajon vargje me numrin
mitik shtatë, numër, që sipas mitologjisë, ka një fuqi magjike dhe në ëndërr
shtatë qiej pa anë, shtatë fusha me lule, shtatë male të blerta. Gëzimin më të
papërshkruar babai e ka pasur kur në këtë botë i vjen bija - mungesën e së cilës
nuk e zëvendëson asgjë. Në letrën e dytë vijnë vargje të ngrohta, në të cilat
shpërthen malli dhe dashuria që ka babai për të bijën, për të cilën bën çdo
sakrificë. Kjo shihet në vargjet:
Por, ja, ëndrrat të braktisin, bijë, ndonjëherë,
edhe vetëm me realitetin s’po jetohet;
sa për mua ti e meriton çdo sakrificë
vetëm zemra jote e vogël të gëzohet!
edhe vetëm me realitetin s’po jetohet;
sa për mua ti e meriton çdo sakrificë
vetëm zemra jote e vogël të gëzohet!
Në letrën e tretë pagjumësia e ka fjalën kryesore dhe komunikimi realizohet
me ndajfolje kohe, vendi dhe njerëzit kthehen në përemra dëftorë! Letra e
katërt është një intermexo dhe raporti Atë e Bijë është gjithnjë e më intim dhe
vargu i fundit përfundon me lutje që bija të mos bëhet pre e vetvetes. Ndërkaq,
vargjet e letrës së pestë e të gjashtë trajtojnë detaje mbi imazhin që babai ka
për të bijën dhe ikja e tremb tej mase babanë. Vargjet e këtij cikli na i
kujtojnë mendimet se: “Të jesh poet,
domethënë të jesh në gjendje të shtrosh me fjalë ura emocionale që shtrihen
prej dëshirave deri tek idealet njerëzore. Poezia është ajo që prej “gjakut
deri te shtëpia e ëndrrave urën e artë e qet”. Njerëzit kanë ndier nevojën që
brengat e jetës t’i lehtësojnë me fuqinë e fjalës së bukur, prandaj nuk e kanë
shpikur vetëm për hir të kënaqësisë këtë magji të jetës së tyre” (Rexhep
Qosja, Kritika letrare, Rilindja,
Prishtinë, 1969, f. 68).
Ciklet “Për dashurinë dhe hijen”,
“E gjatë rruga jote Odise ...”, “Skica dhe peizazhe” si dhe “Elegjitë e shiut” në tërësi përshkohen
me poezi cilësore, sidomos në planin tematik dhe artistik. Poeti me formën që u
cakton poezive, me përdorimin e mjeteve me kujdes e me invencion artistik,
arrin të shprehë një det ndjenjash dhe ndrydhjesh shpirtërore dhe çdo gjë që
trajton e artikulon me përjetim e ndjenjë të lartë shpirtërore. Gjatë
zbërthimit të subjekteve të poezive të poetit disa herë kemi theksuar se
vargjeve u ngarkon kuptim refleksiv. Vetëm vargjet me antiteza të spikatura:
Më vjen t’bërtas, por nuk kam zë
ndër flokë më kridhet vjeshta
më qahet shumë, por lot s’kam më
kujtime shkel si eshtra.
ndër flokë më kridhet vjeshta
më qahet shumë, por lot s’kam më
kujtime shkel si eshtra.
na vënë në dijeni për imagjinatën dhe intuitën e zhvilluar të poetit, i cili,
falë frymëzimit të lartë, sjell vargje me vlera ideoemocionale dhe
ideoartistike. Poezitë e këtyre cikleve, ku më shumë e ku më pak, të përvetësojnë,
të tërheqin me vargun lirik të kulluar dhe poezitë të çojnë atje ku poeti ka
shfrytëzuar motivet e jetës së personazheve për fatin e të cilëve harton vargje
lirike me freski poetike.
Tablo mbi jetën dhe vlimet shoqërore në kontekst të kohës
Poezitë e cikleve shprehin qëndrimin mendor e imagjinativ të Petritit.
Mendimet, idetë dhe preokupimet për çështjet e realitetit jetësor dhe të botës
shpirtërore në vargje realizohen me mjete të bollshme poetike. Poezitë, në
përgjithësi, mishërohen me koncepte filozofike dhe si të tilla na krijojnë
mbresa të pashlyeshme. Këto mbresa janë gërshetuar me fjalë e me vargje të
zgjedhura, të cilat flasin për artin e nivelit të përsosur të fjalës poetike,
të poezisë si trajtë e veçantë e komunikimit me realitetin jetësor të
riprodhuar në artin poetik. Kur përmendim artin, duhet të shtojmë të vërtetën
se “arti shtron problem, nxit ide dhe
prodhon mendime”. Poezia “Kthimi në
vendlindje” shpreh mallin, nostalgjinë, dashurinë e shpalos zjarrin që
poeti ka për vendlindjen. Ndonëse poeti është shkoqur nga vendlindja ai ruan
kujtimet më të shtrenjta për të, madje jeton me hallet e vuajtjet e banorëve të
saj. Jeta e filluar në vendlindje poetit ia shton dhimbjet dhe mallin edhe më
të zjarrtë për të.
Poezi më përmbajtje të rëndësishme janë: Në kujtim të dashurisë së humbur, Ik nga dhimbja! , Nëse
..., Baladë rurale etj. Këto poezi
trajtojnë motive të ndjeshme dhe brenda tyre poeti arrin që fjalës së përdorur
t’i japë kuptim tjetërfarë nga ajo që ka në të folmen e zakonshme. Në syzhetë e
veta poezitë paraqesin ndjeshmërinë e shpirtit e të zemrës së poetit dhe si të
tilla përfaqësojnë, jo vetëm një realitet artistik origjinal, por paraqesin
zërin e vetë poetit, i cili, duke qenë i sinqertë dhe i pakompleksuar, shkruan:
“Duket se vetë ajo s’donte kurrë të
ndahej nga unë. Së fundi vendosa ta kthej prapë në “jetë” duke i dhënë formën
fizike të tekstit, pavarësisht gjuhës dhe komunikimit tepër intim”.
Poezia e Petritit shquhet për shumë karakteristika, por mendojmë se dy janë
më të theksuara: Zëri i poetit origjinal dhe stili që manifeston në
kompozicionin e tyre. Edhe njëra edhe tjetra mes vete janë në lidhshmëri të
fortë. Të dy këto veçori shpalosin një botë të pasur të poetit - botë që
riprodhon realitetin jetësor. Në vargjet e Nikës mbruhen ide e mendime të
vlefshme mbi jetën dhe luftën e pandërprerë të njeriut për ta mundur të keqen. Gjerësia
e ndjenjave, detajet e bollshme me të cilat i vesh vargjet, bota refleksive e
dhënë me mjeshtëri të rrallë, i bëjnë poezitë përherë e më të këndshme.
Ndërkaq, cikli “E gjatë rruga jote
Odise...” paraqet rrugën e mundimshme të Odisesë. Gjithnjë sipas vargjeve
poetike dhe mendimeve teorike të dhëna në Poetikën e Aristotelit - pra, riprodhimi i personazheve dhe heronjve mitologjikë
“ashtu si kanë qenë, si janë në saje të
rrëfimeve e besimeve të popujve dhe, në fund, si duhet të jenë në realitet”.
Poezitë e cikleve: Skica dhe peizazhe
dhe Elegjitë e shiut, trajtojnë
motive mbi dashurinë për njeriun, jetën, prindin, fëmijën, natyrën etj. Në këto
poezi ndeshim një figuracion të pasur stilistik, një botë paksa melankolike dhe
vargje që flasin për kapjen e motivit me nerv.
Duke i analizuar vëmendshëm ciklet e sipërthëna vijmë në përfundim se
Petrit Nika në këto poezi ka dhënë disa tablo mbi jetën dhe vlimet shoqërore në
kontekst të kohës. Në këto punë ai, si me shkop magjik, ka prekur fenomenet më
të domosdoshme që përcaktojnë logjikën e zhvillimeve të proceseve të ngjarjeve.
Nga kjo del se poeti përherë është i zotuar dhe se këtë zotim e bën fshehtas
falë figurave e mjeteve artistike. Sido që të jetë - e vërteta ka një emër: “Vërtetësia e artit nuk është e rëndomta,
nuk është ajo që njeriu është i detyruar të ndeshet çdo ditë: Arti është mbi të
gjitha rikrijim shpirtëror dhe si i tillë, ai zgjon ndjenja dhe emocione. Ndaj
dhe njeriu kërkon nga arti shpirtin, atë që vë në lëvizje dhe i jep kuptim
jetës së tij” (Briseida Mema, Kritika
dhe letërsia bashkëkohore, Tiranë, 1991, f. 178-179)
Petrit Nika përmes poezisë kërkon zhvillim të pandalshëm të shoqërisë
shqiptare - jo vetëm në një drejtim a fushë të caktuar, por një zhvillim
gjithëpërfshirës, ashtu siç na mësonin Noli e Konica. Rrugën e këtij zhvillimi
poeti e këndon, kuptohet në mënyrë filozofike, duke fajësuar bukur shumë klasën
politike, e cila pa farë morali e djerse ka krijuar pasuri marramendëse - astronomike.
Në vargjet e Petritit derdhet një energji pozitive drejt përkrahjes të së
vërtetës e luftës kundër së keqes. Në poezinë e Nikës problemet me pasoja të mëdha
për të ardhmen e kombit, siç është lumi i madh i njerëzve, sidomos të rinjve,
me diploma e pa diploma, të pashpresë për të siguruar një vend pune për të
pasur një jetë modeste normale - ëndërr, synim dhe ide kanë braktisjen e
atdheut, nuk i relativizon, sepse logjika e poetit thotë: Me veprimet e këqija nuk pajtohem! Mund të themi se në poezinë e
Petritit nuk ka patetizëm, as emocione pa kontroll!
Në vend të përfundimit
Gjatë vështrimit të poezive të vëllimit “Qenia
brenda enës” të Petrit Nikës, nxjerrim këto përfundime:
E para, duhet të lidhet me
thënien e një njeriu të mençur, që ka pohuar se “jemi njerëz”, por në çështjet
madhore që përcaktojnë të ardhmen e kombit nuk duhet të jemi memecë, as të heshtim dhe as të mashtrohemi. Nëse bëhemi të
verbër, të shurdhër e memecë, atëherë duhet të pranojmë se na ka zënë gjumi.
Për të mos na ndodhur kjo, poezia e Petritit na fton që ndaj dukurive negative
e veprimeve të dëmshme, në cilëndo fushë qofshin ato, të reagojmë dhe të mos
pranojmë servilizëm se jemi të vetëkënaqur! Njerëzit që nuk pajtohen me të
pavërteta dhe me demagogjinë e klasës politike dhe të disa krijuesve shkencorë
dhe letrarë, jetën mund ta kenë të rrezikuar dhe jo të rehatshme. Njeriu duhet
të jetë shumë i lirë për t’ia shitur lirinë atij që i mungon! Mesazhet e tilla
të poezisë së Petritit i bëjnë më aktuale mendimet e Jovan Nikolidisit -
shkrimtar malazez, kur thotë: “Është
lehtë të jesh i përkëdheluri i pushtetit. Është edhe më lehtë nëse nuk ke vetëdije
dhe mendon se ky është suksesi yt më i madh. Por, është shumë vështirë të
tregohen mangësitë e popullit tuaj. E unë ndihem mirë që i shoh ato mangësi dhe
flas për to, sepse unë e dua popullin tim”. Poezia e Petritit shpreh dhe
kultivon një dashuri të veçantë për popullin, për atdheun, për historinë, për
mitologjinë dhe për njeriun, pa marrë parasysh se cilit komb a kontinent i
përket.
E dyta, poezia e Petritit
rrezaton vlera të shumta estetike e artistike. Ajo me vargun lirik e me mendime
të ngrohta të bën të vetëkënaqesh dhe të përjetosh çaste të këndshme me mënyrën
si kuvendon poeti me atdheun, me vendlindjen, me njerëzit e afërt e të largët
deri me ata të Afrikës, kuvendon me prindin, Odisenë, me vlerat kombëtare e
folklorike e me njerëzit e të gjitha moshave, të cilat i këndon deri në përjetësi!
E treta, poezitë në përgjithësi
janë pasqyrë e problemeve të kohës. Në këto probleme poeti hedh dritë duke i dhënë
ide e mendime që orientojnë drejt shtigjeve të caktuara se nga duhet të ecim
përpara në realizimin e idealeve dhe aspiratave që shkojnë në të mirë të
atdheut dhe të kombit.
E katërta, kujtojmë se e
vetmja vërejtje që mund t’i bëhet vëllimit ka të bëjë me përdorimin e fjalëve,
nocioneve dhe shprehjeve të huaja dhe të burimit mitologjik, të cilat,
objektivisht, sado që Petriti e thotë se këtë e ka bërë qëllimisht duke u
arsyetuar me mendimin se “gjuha që përdor
unë nuk është librore. Është përtej kësaj” – e rëndojnë qartësinë e mendimeve dhe porosive
që bartin poezitë. Në këtë problem të veçuar na ndihmon Klara Kodra, e cila me
të drejtë thekson se: “Terminologjia në
vetvete natyrisht është konvencionale, por ajo përbën gjuhën e kritikës. Pa
terminologji të saktë, që të pasqyrojë nocione të qarta do të ndodh si në legjendën
biblike të kullës së Babilonit, do të krijohet kaos dhe rrëmujë dhe nuk do të
mund të ndërtohet asgjë” (Klara Kodra, Nëntori,
Tiranë, nr. 6 – 1989, f. 25).
E pesta, në përgjithësi,
poezitë e vëllimit shpalosin preokupimet, shqetësimet, dëshirat dhe ëndrrat e
poetit ndaj njerëzve dhe ndaj kohës në të cilën jeton. Lexuesi i poezive do të
përjetojë çaste të këndshme dhe vargjet ngjajnë si betim për të qenë bartës i
veprave dhe punëve të mira. Petriti në poezi zbaton stilin edhe poetik edhe
përmbledhës. Poezitë, janë shkruar me frymëzim, me ndjenja të holla, me
përjetim, me gjuhë të pasur, me mjete stilistike shumë të pasura e sidomos
vendin qendror e zënë figurat tingëllore, me të cilat poeti vargjeve u siguron
eufoninë dhe harmoninë e stilit e të shprehjes poetike. Faktet, sa jetësore aq
imagjinative, të ndërlidhura në fabulat e poezive, janë tërheqëse dhe krijojnë
vlera estetike e artistike, të cilat do të mbeten të freskëta e të gjalla në
mendjen e kujtesën e lexuesit.
Kryefjalë e të gjitha poezive është dashuria e pamatshme që poeti mban për
njerëzit e të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve në kohë dhe hapësirë.
Duke i pasur parasysh këto konstatime për vëllimin poetik “Qenia brenda enës” të Petrit Nikës, atëherë le të na lejohet që
këtë trajtesë ta përmbyllim me mendimet e studiueses Briseida Mema, kur thotë: “Arti i vërtetë në çdo kohë ka vendosur me
jetën dhe njerëzit ura të fuqishme komunikimi, ka sjellë një përvojë të tërë
jetësore, që të përcjellë në mënyrë sa më të kuptueshme e të qartë, i ka bërë të afërta ngjarjet, edhe më të plotë
informacionin, edhe më të ngrohta e të forta emocionet e lexuesve dhe
admiruesve të tij”. (B. Mema , Po
aty, f. 198 – 199).
Nga kjo që u tha, lexuesi do të kuptojë se vargjet e Nikës janë apoteozë e
dashurisë për njeriun e lirinë e tij, për njeriun e barabartë në mesin e të
barabartëve, njeriun me perspektivë drejt realizimit të idealeve e ëndrrave për
çdo gjë të bukur e të mirë. Në përgjithësi, në poezinë e këtij poeti lexuesi do
të gjejë ide e mendime të rëndësishme me të cilat është pasqyruar realiteti i
kohës, do të gjejë portretin shpirtëror e ndjenjor të Petritit, do të gjejë
vargje për të cilat mendimi kritik do të jetë në shkallë të lartë, sepse në to
frymon bota e madhe poetike e poetit, do të gjejë krijuesin e dashurisë së
çiltër e të sinqertë, do të gjejë poetin e brengosur për rrjedhat e shoqërisë
shqiptare dhe këto rrjedha lexuesi do t’i shohë sipas syrit të poetit dhe
vargjeve të shkruara me frymëzim e ndjenja të holla shpirtërore!
No comments:
Post a Comment