1. Një jetë boheme që s’e shquan asgjë për nga
rëndomtësia
Vepra e shkrimtarit
afrikanojugor, John M. Coetzee, nuk ka shumë kohë që është prezantuar tek
lexuesi shqiptar. Për herë të parë Coetzee erdhi në shqip përpara një viti, me
romanin “Turpi” nën përkthimin e Klodian Briçit dhe i botuar nga enti botues
“Skanderbeg Books”. Që nga leksema që i rri për titull romani të krijon
menjëherë bindjen se në brendësi të faqeve të tij lexuesin mund ta presin faqe
të tëra bëmash të pamoralshme. Fjala “turp” nxit imagjinatën e vrullshme, e
cila zakonisht priret kah e pamoralshmja në masën e lexuesit të thjeshtë. Pra,
leksema-titull e grish lexuesin në botën e moralit dhe ai (lexuesi) ia hyn
leximit me një mendim të tillë në kokë, bash si ai udhëtari, i cili në njëfar
mënyre e di se ku e çon rruga për ku është nisur, veçse prapë tërhiqet të
vazhdojë përpara pikërisht nga ekzotika e këtij udhëtimi. Dhe udhëtimi ynë në
hapësirat e ndodhive të këtij romani, shoqërohet nga skena e dekore, nga tipa e
karaktere, ku rri i nderur pothuajse deri në fund një tis ngjyrë gri nëpër të
cilin lëvizin personazhet dhe percipitohen situatat.
Romani “Turpi” është vlerësuar
nga kritika si, “një roman i madh i shkruar në anglishten e sotme” (Russell Celyn Jones, The Times); si
një, “mrekulli që një shkrimtar shkruan me një stil të tillë kaq të ëmbël dhe
të dlirë” (Paul Bailey, Independent);
si një vepër letrare e cila shërben, “si një kufi mes jetës dhe botës së madhe
të letërsisë” (Geoff Dyer, Sunday
Telegraph). Përveç këtyre vlerësimeve maksimale të bëra nga emra të njohur
dhe media të njohura të shtypit botëror, në vitin 2003 ky romani i siguron
shkrimtarit Coetzee çmimin “Nobel” për letërsinë.
Vepra në fjalë, për nga
fushëpamja e vet tipologjike, paraqet tabiatet e një romani realist. Veçse, një
realizëm ky që s’mund të etiketohet as si balzakian, as si zhdanovian, as si
markezian, ngase është një realizëm pothuaj i tjetërfartë nga ata të traditës
së mëparshme romanore; do të konstatoja se është një realizëm modernist ku
është kristalizuar përvoja e mëparshme shumëkohore e prozës së gjatë me
eksperiencën më të re bashkëkohore të këndvështrimit të ri të botës dhe të
mënyrave të reja shprehëse përmes artit të fjalës. Coetzee, duket se për nga
mënyra rrëfimore e nivelit sintaksor ka përafrime me prozën e Heminguejt,
ndërsa për nga parapëlqimi filozofik anon nga ekzistencialistët. Sidoqoftë ai
s’tenton të jetë as një Heminguej, as një Kafka. Coetzee është dhe mbetet një
shkrimtar origjinal, i cili zgjedh të komunikojë me lexuesin me një stil
rrëfimor modern në atë masë sa nuk të fut nëpër labirinte të lodhshme
narrative, por as si realist, në hollësira të pafundme matematikore. Ndoshta
është tipik nga ata shkrimtarë modernë për të cilët Mario Vargas Llosa
shkruante se, “kanë lëmuar, tëholluar e zbatuar mundësi të reja strukur thellë
nëpër sisteme rrëfimtarie, behur shpesh e më shpesh nga shfaqjet më të moçme
shkrimore të trillimtarisë.” (M. V.
Llosa, Letra një romancieri të ri, Drita, 13 tetor 2002, fq. 8).
E gjithë fabula e këtij romani
mund të përmblidhej në këto pika kryesore: 1) Njohja e lexuesit me personazhin
kryesor, David Luri. (Një hyrje e gjatë dhe e detajuar me realizëm, ku vihen në
dukje disa anë të karakterit të tij.) 2) Takimi i këtij të fundit me zonjushën
Melani Isaks, studenten e tij tridhjetë vjet më të re, me të cilën kryen
marrëdhënie seksuale. 3) Skandali dhe padia kundër tij. 4) Largimi i David
Lurit nga Universiteti në Kejp Taun, ku jep leksione mbi poetët romantikë. 5)
Strehimi i tij i përkohshëm tek e bija në një fermë në Kejpin Lindor. 6) Njohja
me Bev Shoun dhe me misionin e saj në klinikën e kafshëve. 7) Grabitja në fermë
dhe përdhunimi që i bëhet në sytë e tij të bijës nga disa bastardë të ndyrë e
të pamëshirshëm. 8) Andrrallat e mëpastajme në kërkim të autorëve. 9) Vizita e
Davidit në Xhorxhia ku takohet me prindërit e Melani Isaks. 10) Kthimi i tij në
shtëpinë e braktisur në Kejp Taun, pas tre muajsh mungese. 11) Udhëtimi përsëri
në Kejpin Lindor tek e bija, Lusi. 12) Ftohja përfundimtare e marrëdhënieve
midis tyre, atë - bijë. 13) Strehimi i tij tek Bev Shou në klinikën e kafshëve,
ku mesa duket ka vendosur të qëndrojë përfundimisht.
Gjithësesi, ky skicim prej
trembëdhjetë pikash ka të bëjë me motivet me të dukshme që përbëjnë dinamikën e
ngjarjeve. Brenda tyre dhe anash nga të gjitha anët e tekstit ka plot të tjera,
(gjithashtu motive dinamike), të cilat bëhen promotori i lëvizjes së ngjarjeve
në perspektivë. Romani “Turpi” nuk shquhet për digresione e labirinte
rrëfimore. Ai është një prozë e shkruar me një gjuhë të thjeshtë, në një stil
letrar të ëmbël e herë - herë me humor, ku vihet në pah psikologjia e
personazheve dhe tensioni i situatave dhënë prej një rrëfimtari, i cili qëndron
jashtë kornizës së ngjarjeve. Ai (rrëfimtari) ndjek me kujdes situatat, për të
cilat i është ngarkuar të na informojë, ndërsa rëndom jep edhe vetë ndonjë
konsideratë lidhur me to. Ky rrëfimtar në qendër të ngjarjeve ka vënë njëfarë
David Luri, pesëdhjetë e dy vjeç për të cilin, “të qenët studiues është vetë
jeta e tij”. (fq. 6) Gjatë leximit
shohim se pothuaj të gjithë personazhet e tjerë jepen në raport me të, ai
përbën epiqendrën e ngjarjeve, megjithëse nuk zotëron, kushedi, ndonjë tipar që
ta shquaj nga rëndomtësia e njerëzve të tjerë, ndonëse është edhe profesor i
Shkencave të Kumtit në Universitetin e Kejp Taunit.
Në mënyrë më të prekshme do të
cilësonim këtë varg marrëdhëniesh të Davidit me personazhet e tjerë të librit:
1) Davidi me Melaninë (marrëdhënia me Sorajën është më tepër retrospektive); 2)
Davidi me tetëmbëdhjetë vjeçaren Dauna (tepër kalimtare); 3) Davidi me kolegët
e tij “inkuizitorë”; 4) Davidi me Lusin (të bijën); 5) Davidi me Petrusin
(fqinji i së bijës në fermë); 6) Davidi me Bev Shoun (kjo e fundit pothuajse
dashurohet pas tij); 7)Davidi me përdhunuesin e të bijës (përsëri Lusi është në
plan të dytë); 8) Davidi me të atin e Melanisë etj., pra në të gjitha ngjarjet
ai është pothuaj i pranishëm në roman, ku e shohim të ekspozuar ndaj dështimeve
të shumëfishta në jetë; a) në jetën familjare si bashkëshort dhe si prind; b)
në jetën shoqërore si pedagog dhe edukator i shoqërisë, e më së fundi edhe; b)
si dashnor në marrëdhënie me studenten e tij që e ka në kujdestari.
Me jetën prej eksploratori të
vetmuar individualist që bën ai, dalëngadalë i është dorëzuar bohemisë dhe
gjendjes së absurdit, sepse, “nuk kërkon që jeta t’i falë asnjë emocion” (fq. 10); ai është shndërruar në një
qenie të rëndomtë, të paidentitet, madje të mërzitshme, “i ngjashëm me trafikun
që vë banorët e qytetit në përgjumje të thellë” (po aty). Megjithë këtë rëndomtësi zymtuese ku është kredhur qenia
e tij, “ai gëzon shëndet të mirë, mendjen e ka top (…) dhe bukën e gojës e
nxjerr me djersën e ballit, pasi karakteri i tij nuk i lejon që të presë nga
krahët e të tjerëve”. (fq. 6)
David Luri është i pa qëndrueshëm
në marrëdhënie me gratë që kanë hyrë në jetën e tij, si bashkëshorte apo si
dashnore të rastit, ai është i pa rëndësishëm para studentëve të tij në
Universitet, të cilët, “puna ka arritur deri aty sa ia kanë harruar edhe emrin”
(fq. 9), ai është një qenie që
gjallon pa ndonjë pretendim serioz për jetën; rrëfimtari atë e trajton pothuaj
si një sajesë të mërzitshme shoqërore që ekziston në caqe midis jetës reale dhe
asaj ireale (fiksionale); si i tillë ai as të mallëngjen e as të bën ta duash,
as ta urresh e as ta luftosh, as ta mëshirosh e as ta mitizosh, pra, thjeshtë
ai është sepse ekziston vetvetiu dhe për këtë gjë s’e ka pyetur njeri më parë,
nëse vërtetë do apo s’do që të jetë; është ai gjithnjë nën vartësinë e të
tjerëve dhe asnjëherë askush nën vartësinë e tij (as studentët e tij, të cilët
“s’ia dinë emrin”), madje Lusi, e bija e tij, megjithë barrën e halleve dhe
vetminë e madhe që e rrethon e konsideron barrë të tepërt praninë e tij në
çiflig.
2. Njeriu epshor me instinkte të pakontrollueshme
Për David Lurin narratori vëren se,
“ai e ka kaluar fëmijërinë në një familje që përbëhej vetëm nga gra. Ndërkohë,
që ai nuk kishte më në krah nënën, tezet dhe motrat, me kalimin e kohës, ato ua
lanë vendin dashnoreve, grave të ndryshme me të cilat kishte lidhje të
qëndrueshme dhe më pas nxori në dritë të vetmen pjellë të tij; vajzën. Shoqëria
dhe koha që kishte kaluar me seksin femër, bënë që ai të bridhte pas fustaneve
të femrave”. (fq. 11) Siç duket,
sjellja e tij ndër të tjera, ka të bëjë dhe me një kompleks të zhvilluar
edipal, i formësuar për vite me radhë, që në vegjëli, te ky njeri dhe që ka
përcaktuar edhe karakterin e tij të pakontrolluar, madje ca si tepër të
shthurur ndaj seksit. Luri është mësuar të mos i njohë kufijtë e jetës erotike,
emocionet e së cilës ai i ndjen vetëm për aq sa zgjat kënaqësia e aktit
seksual. Deri këtu, të gjitha këto, në fund të fundit, janë aludime që bëhen
mbi të shkuarën e tij retrospektive. Një gjë e tillë nënvizohet në shumë
pasazhe të romanit. Do donim të citonim këtu si fillim fjalinë e parë të librit,
i cili fillon me fjalët: “Një burrë në moshën pesëdhjetë e dy vjeçare, i
shkurorëzuar, në mendjen e tij tashmë u kishte dhënë drejtim problemeve që
kishin të bënin me seksin” (fq. 5).
Nga leximi i kësaj fjalie nuk është vështirë të merret vesh se rrëfimtari
aludon mbi një të kaluar “problematike” që e karakterizon personazhin në lidhje
me seksin. Veçse me “mendjen e tij” ai tashmë u ka dhënë “drejtim” (fund) të
gjitha atyre aventurave dhe narracioni artistik, duke nisur që këtu fillon të
ngjizë hap pas hapi situatën e re që krijohet rrotull këtij heroi në prag të
pleqërisë.
Në njëfarë mënyre, lexuesi ftohet
të mësojë se si do t’ia dalë personazhi i tij që të sillet në mënyrë të përkorë
me seksin tjetër, pas kësaj. Kësisoj, jo vetëm që merret vesh se ai s’ka hequr
dorë nga joshja e pa përballueshme femërore, por madje paudhësia e tij shkon
deri aty sa një ditë çon në shtëpi për të bërë seks një vajzë tridhjetë vjet më
të re se vetja (Melani Isaks) “dhe ç’është më e keqja, ajo është studente,
studentja që i është besuar kujdestarisë së tij” (fq. 17). Në marrëdhënie me këtë vajzë të re, që shtë studentja, e
tij ai hepohet shpesh herë midis ndjenjash të ndryshme që ia prodhon
ndërgjegjia e sëmurë dhe e pa qëndrueshme, si p.sh., në pasazhin më poshtë ku
nga njëra anë provon në vetvete pushtetin e kafshërores së tij të theksuar,
ndërsa nga ana tjetër e kujton veten prind. “Sakaq ai ulet në krevatin e saj
dhe e tërheq atë pas vetes. Ajo fillon të qajë me ngashërim e ku pa, në
kraharorin e tij. Pavarësisht nga kjo, atij i shkojnë në trup ca dridhma të
lehta për t’ia zhytur edhe njëherë. - Pse qan? - e pyet ai me zë të ulët (…). Atij gati sa nuk
i shkon goja; [Pse nuk ia tregon babit hallin që po të mundon kaq shumë?]” (fq. 33).
Ca më tutje, ndërsa ka marrë dhenë
skandali me Melaninë dhe atë (Davidin) e kanë dëbuar nga Universiteti, teksa
rrin te ferma e së bijës në një fshat të humbur në Kejpin Lindor, përsëri
ngacmohet prej përfytyrimeve erotike që kanë të bëjnë me seksin, kur shikon një
grup fëmijësh shkolle që kalojnë andej pari dhe e përshëndesin. Kësaj radhe
përfytyrimi i ndizet nga kujtimi i një vajze, “që ka të bëjë me gjoksin e saj
të vogël, por që e ka si shpirt, për thithkat e saj të mrekullueshme që i rrinë
përpjetë dhe për barkun pa pikë dhjemi” (fq.
74). Nga gjithë këto ai e ndjen veten të provokuar seksualisht përherë në
marrëdhënie me femrat, madje pikërisht për këtë shkak ai e humb edhe kontrollin
e vetvetes në përballje me to, duke u zilepsur keqas nga epshi.
Ca muaj pas ngjarjes me Melaninë,
ndërsa Davidi ka shkuar për një vizitë në shtëpinë e të atit të saj, atë e pret
e motra më e vogël, e cila bën përsëri që atij t’i rizgjohen dëshirat epshore.
Rrëfimtari vë në dukje se, “ai mendon sikur të flejë me të dyja motrat në një
shtrat; një përvojë e paharrueshme që u shkon përshtat vetëm mbretërve” (fq. 186). Si për ta degjeneruar
shthurjen e tij qenore ndaj femrave, në darkën që hanë bashkë, zoti Isaks
(babai i Melanisë) e demonstron zellshëm përpara tij familjen e tij të përkorë.
Ata tregohen njerëz të pritshëm, gruaja e zotit Isaks është e sjellshme, vajza
e tyre (Dëshira) e dëgjueshme, ndërsa para buke luten të gjithë së bashku. E
megjithëse shpesh herë Davidi hepohet midis situatash, ku provon turpin, në
njëfarë mënyre edhe keqardhjen për jetën që ka bërë, përsëri ai mbetet deri në
fund një karakter epshor i pandreqshëm. Luri, ndërsa pas darkës është duke dalë
nga shtëpia e zotit Isaks në Xhorxhia, “shikon sytë e nënës së Dëshirës, pastaj
ata të vajzës, dhe paskëtaj ia ngul sytë pengesës dhe dëshirës së zjarrtë që i
vlon në gji për t’iu vërsulur atyre” (fq.
196).
Gjatë një bisede me të bijën, ku
ajo në mënyrë të herë pas hershme i ka kërkuar që ai t’i japë sqarime lidhur me
ndodhinë e turpit që i ka ndodhur në Universitet, ai e pranon edhe vetë shthurjen
e tij të karakterit. “Çështja ime ka të bëjë me dëshirat e zjarrta të mishit. “
(fq. 102), - thotë ai.
Pra, David Luri si i tillë s’mund
të jetë asesi një bashkëshort i mirë, as një dashnor i mirë jo e jo, mbasi
objekti që e lidh atë me femrat është seksi dhe jo dashuria e vërtetë, e pastër
dhe e ndërsjelltë, që i lumturon dy njerëz të cilët jetojnë në çift. Për atë
femra është një vehtje thjeshtë joshëse dhe provokuese, e cila duhet zotëruar
me deomos, cilado qoftë. Po ta gjykojmë çështjen duke kaluar nga e veçanta tek
e përgjithshmja, kjo më duket se kërkon deri diku edhe të nënvizojë dëshirat
mistrece të botës së sotme mashkullore, tepër të batërdisur nga aparencat
tunduese seksuale që u serviren enkas nga seksi tjetër. Në kohën tonë dalldia
epshngasëse ka shkuar aq larg sa që përdhunimi tashmë është kthyer në një akt
afirmativ të identitetit “të rrezikuar” mashkullor. Duket se është ky shkaku që
Lusi, e bija e David Lurit bëhet viktimë e një bande maniakësh kriminelë. Ajo
është antipatike ndaj meshkujve. Në roman disa herë vihet në dukje nervozizmi
dhe bezdia që i shkaktojnë ata. Antipatia e saj ndaj botës mashkullore shkon
deri aty sa të atit prore fillojnë t’i lindin dyshime nëse e bija e tij ishte
vërtetë një lesbike. Përbuzja e saj ndaj seksit mashkull shkon deri atje sa një
ditë, në një moment nervozizmi, ajo ia plas të atit në sy: “Ti je burrë dhe për
këtë arsye duhet t’i njohësh më mirë se unë se ç’monedhë janë burrat” (fq. 180). Gjykuar hollë - hollë,
antipatia e vajzës e ka një shpjegim. Ajo s’ka njohur asnjëherë të mira prej
meshkujve veçse të këqia dhe zhgënjime, duke filluar që me Lurin, babain e saj,
dështak si prind dhe sharlatan të dhënë kokë e këmbë pas seksit. Tek meshkujt
ajo ka parë përherë vetëm njeriun epshor me karakter të theksuar kafshëror, të
etur për të zotëruar, përdhosur e poseduar me forcë çdo gjë të mirë që shikon.
Tek romani “Turpi”, që nga
fillimi e deri në fund nuk ndihet kurkund një çikëz dashurie që të jetë vëtetë
e fortë dhe e qëndrueshme. Ai është një roman ku evokohen disa nga cilësitë e
një shoqërie që po fluturon skëterrshëm drejt degjenerimit të vlerave morale
dhe shpirtërore.
3. Një dashuri prindërore e vonë dhe e refuzuar
Megjithë të këqiat që e
karakterizojnë dhe që e ndjekin në jetë, David Luri ka raste kur ndjehet i
dobët nga dashuria prindërore për të bijën “krijesën e vet” që po heq e vuan
gjithë ato kurthe e padrejtësi. Ai ka shkuar pranë saj, atje në një fermë të
humbur, për strehim dhe për t’u prehur më në fund pranë një njeriu që me të
vërtetë mund t’i dhuronte falas pak dashuri, porse ngjarjet që ndodhin i
shkaktojnë një tronditje akoma më të madhe dhe më shkatërruese sesa ajo e
skandalit me Melaninë. Në ditët që pasojnë pas plaçkitjes së shtëpisë së Lusit
dhe përdhunimit të saj nga banditët, David Luri tek përpiqet që të vlejë ndonjë
gjë para së bijës së tij në nevojë, mendon se, “ky nuk ishte qëllimi i ardhjes
së tij, - ta ruaj si sytë e ballit të bijën, ta mbrojë nga sulmet e djajve, t’i
japë për të ngrënë dhe të shikojë me sytë e tij sesi pjella e vet po ia bën
varrin vetes me duart e veta, ditë pas dite.” (fq. 138) Davidin, megjithë të metat e tij si prind, si edukator,
si bashkëshort e si qytetar e fundmja vlerë që e mban gjallë dhe ia përtërin
shpresat e jetës është e bija dhe jo mëkot narratori në një moment vëren; “Për
sa kohë që Lusi do të jetë gjallë, edhe ai do të vazhdojë të gjejë forca për të
jetuar” (fq. 237). Kjo regëtimë e
dashurisë prindërore, pas një kohe relativisht të gjatë shuarjeje, më së fundi
bën përpjekjet e mbrame, mbinjerëzore, për t’u kthyer në një zjarr të vërtetë,
por nuk ia arrin dot qëllimit. Midis atit dhe bijës, koha, largësia dhe
mosprania kanë vendosur e mbivendosur rrathë të padukshëm ftohtësie. “Gjithçka
po shkonte shumë mirë,” - i thotë vajza të atit, - “gjithçka ishte në vendin e
vet, por kur ia behe ti, çdo gjë mori tatëpjetën. Unë dëshiroj që gjithçka që
më rrethon të jetë e qetë.” (fq. 233) Pas
këtyre fjalëve, Davidi s’ka si mos të kuptojë njëherë e mirë se është i tepërt
në banesën e së bijës dhe se i duhet të vendosë për t’u larguar që andej, sa pa
ndodhur ndonjë “çarje” tjetër akoma më tragjike midis tyre. Midis atit dhe
bijës koha dhe largësia kanë vendosur që më parë kufij, të padukshëm, por jo
edhe aq të paperceptueshëm logjikisht.
Lusi, ndonëse është e bija, është
gjaku i tij, prapë se prapë ajo është krejt e ndryshme me natyrën e të atit.
Lusi është vajzë e lindur në qytet, është e bija e profesorit të Shkencave të
Kumtit, megjithatë, çuditërisht, ndihet e lidhur aq ngushtë me fshatin, tokën
dhe me andrrallat e tjera që e shoqërojnë jetën në fshat. Duke e prekur këtë
fakt rrëfimtari habitet dhe vë në dukje sesi ata, prindërit e saj, “qytetarë
dhe intelektualë njëherësh, të kishin sjellë në jetë një krijesë të tillë, që
nuk kishte asgjë të ngjashme me ta në këtë pikë”. ( fq. 69 - 70) Kuturisja e çmendur drejt humbëtirave të fshatit, në
fakt, për Lusin nuk ka kurrëfarë tërheqjeje romantike. Duke gjykuar rrethanat,
më tepër kjo zgjedhje vjen si një kërkesë ekzistenciale, për t’u shmangur nga
pluhurnaja çmendurake e një jete të çorganizuar që e karakterizon bashkësinë
urbane ku është rritur. I ati kërkon me forcë që t’ia kthejë mendjen së bijës,
por ajo e kundërshton me forcë e madje vjen një moment, kur ajo ia ndalon në
mënyrë të prerë të mos ia kujtojë më këtë kërkesë.
Ca muaj më vonë, kur Davidi
kthehet përsëri në Kejp Taun, vë re se gjatë atyre tre muajve që ai s’kishte
qenë në qytet, “ngulmimet e barakave kanë marrë dhenë, duke u zgjeruar nga
rruga kryesore që hyn në qytet deri në lindje të aeroportit” (fq. 198). Tashmë atij i bie të mendojë se me përafrimin
e fshatit drejt qytetit, kufijtë midis tyre po zhdukeshin. Më së fundi, dikur
ai detyrohet të bjerë në një kompromis me të bijën. Pajtohet përfundimisht të
bashkohet me mendimin e saj për t’iu adoptuar jetës së fshatit. Siç shihet në
roman, është dashuria prindërore ajo që e sjell këtë zgjidhje. Një dashuri e
vonë, por me sa duket tashmë e vërtetë.
Një ditë pranvere Davidi niset në
drejtim të fermës së të bijës, ndonëse prej kohësh ata jetojnë të ndarë,
thjeshtë si njerëz që s’kanë punë me njëri - tjetrin, por secili bën ashtu si
të mundet jetën e vet. Për të mos qenë më i mërzitshëm dhe gërnjar për vajzën
dhe fqinjin e saj hipokrit, ai ka marrë një dhomë me qera në një ndërtesë të
vjetër ku “banon edhe një mësues shkolle, tashmë i dalë në pension”. (fq. 236) Është malli për njeriun e
vetëm që i ka mbetur në botë në këto ditë të vështira pleqërie, që e tërheq të
niset në drejtim të fermës. S’ka qenë
prej kohësh dhe kur afrohet, sheh në kopësht vajzën e tij tek punon fill e
vetme për të jetuar dhe për të ushqyer foshnjën që ende s’ka lindur, e cila ka
filluar t’i ngjizet në trup që nga dita e përdhunimit. Shpirti i profesorit të
plakur këtu bëhet lirik. Për herë të parë, dhe është e vetmja skenë me ngarkesë
të madhe lirike në roman, kjo që Coetzee preferon të vizatojë këtu. “Era bie.
Gjithçka ndalon, kurse ai dëshiron që një çast i tillë të mos ketë fund kurrë;
rrezet e buta të diellit, pasditja, bletët që shkojnë sa poshtë - lart te
lëndinat me lule kurse mu në mes të tabllosë një vajzë e re das ewig weibliche, me barkun që nuk e
ka shumë të fryrë si gjithë gratë e tjera që u shkon barku te goja, ndërsa në
kokë mban një kësulë prej kashte” (fq.
242). Por në kushtet e marrëdhënieve midis tyre situata lirike s’mund të
vazhdojë gjatë. Personazhet jetojnë në kohë moderne, kur individualizmi është
përcaktues i raporteve njerëzore, dmth., - interesi.
Gjithë jetën, qoftë si qytetar,
qoftë si familjar apo si prind edhe Davidi ka qenë një individualist që ka vepruar
përherë në kokën e vet. Ai s’e ka parë kurrë, mesa duket, bashkësinë familjare
si një bërthamë të ekzistencës së individit dhe të kuptimësisë së kësaj
ekzistence në botë. Ai s’e ka menduar pleqërinë. Ndonëse ka punuar në detyra
shoqërore dhe është ushqyer me djersën e tij, ai pohon dhe reflekton sjelljet e
njeriut të dhënë pas qejfeve të pafundme të mishit. Për atë familje ka qenë çdo
femër e rastit, krejt si te kafshët.
Turpi i tij është i vjetër. Ai nuk zë fill me Melaninë, aty i vihet kapaku një
jete boheme që ka bërë ai për vite me radhë dhe tashmë është koha për të parë
gjyqin e një njeriu që s’e ka njohur moralin, i cili u ekspozohet pësimeve të
njëpasnjëshme.
Vajza e fton brenda, “sikur ai të
ishte ndonjë vizitor e jo babai i saj që i ka dhënë jetën” (fq. 243). Pastaj, po aty, autori rrëfimtar nënvizon me ftohtësi
se, “vizitorit i hapet dera, sepse vjen vetëm për të bërë vizita; një kuptim i
ri i marrëdhënies miqësore mes njerëzve të një gjaku, që s’e shikojnë më veten
si të tillë, një epokë e re me zakone të reja.” Në një bisedë të mëparshme me
Bev Shoun ai shprehet: “Me ato që bëra, e kërkova të keqen vetë me këmbët e
mia.” (fq. 167) Ndonëse vonë, Davidi më në fund i ka kuptuar edhe vetë shkaqet
e kësaj katastrofe sociale në të cilën pleqëria dhe bëmat e tij prej njeriu
individualist e kanë përplasur përfundimisht.
4. Plakja si pashmangshmëri dhe rënie e njeriut
Si për të gjithë njerëzit, edhe
për David Lurin të plakesh do të thotë të dëshirosh ende nga jeta, por të mos
kesh më fuqi për t’iu bërë ballë sfidave të saj. I dhënë me zell pas
eksplorimit të fshehtësive të jetës, dikur ai veçse vagullt mund ta kishte çuar
nëpër mend pleqërinë, miken e pashmangshme dhe të paftuar të njerëzimit. Në
moshën 52 vjeçare, kur energjitë rinore i kanë lënë lamtumirën me kohë, ai i
lejon vetes të sillet ende si i ri. Kështu, ai s’përton dhe lidh marrëdhënie të
shkurtëra dashurore me studentet e tij
tridhjetë vjet më të reja dhe pastaj i flak aq shpejt e lehtë nga vetja, sikur
ato të mos kishin ekzistuar kurrë. Sikurse të rinjve, kryesisht adoleshentë,
edhe atij i mjafton thjeshtë e sotmja, për më gjatë as që mundohet të bëjë
ndonjë plan se çdo t’i sjellë e ardhmja.
David Luri nuk është budalla.
Përkundrazi ai paraqet karakteristikat tipike të qytetarit modern të shoqërisë
së sotme, kryesisht perëndimore. Është tipi i qytetarit që s’do t’ia dijë për
moshën, është tipi i qytetarit që mendon se rinia mund të zgjasë tërë jetën.
Duke e trajtuar këtë fenomen të epokës post-moderne një mendimtar francez,
vëren se, “në ditët tona të mbetesh i ri përbën imperativin kategorik të të
gjithë brezave”. (Alain Finkielkraut,
Disfata e mendimit, Marin Barleti 1999, fq. 122) Dhe me të vërtetë mund të
themi se në këto dy dekadat e fundit, mijëra artistë, industrialistë apo politikanë
që s’ia kanë përtuar ta zgjidhin qesen, kanë bërë operacione plastike të
lëkurës bash me qëllim për ta shmangur pleqërinë; të paktën në dukje.
Edhe David Luri s’bën përjashtim
nga kjo kulturë, veçse për ta bërë këtë, ai nuk ka zgjedhur një rrugë të tillë.
Ai ka gjetur një mënyrë shumë më të thjeshtë; harresën. Por, ja që s’e ka
harruar pleqëria atë. Ajo e njeh mirë viktimën e vet. Ndoshta ende që pa
lindur. Dekada me radhë David Luri ka ndenjur në qejfin e tij, larg saj. Më pas
kur ka filluar t’i ndjejë çapet e saj të rënda, i ka përbuzur e shpërfillur,
por vjen një ditë dhe gjithçkaje i afrohet fundi. Kështu edhe atij, “pa e
lajmëruar, ia kthyen kurrizin fuqitë e tij të mistershme, për të cilat mbahej
me të madh”. (fq. 12) Këtë gjë ai
arrin ta kuptojë gjatë takimeve të herë pas hershme me dashnoren e tij Soraja,
të cilat sa vijnë e bëhen më të vagullta dhe ata sa vijnë e ftohen më shumë me
njëri - tjetrin.
Ai e di se kjo është pleqëria, por e di se do apo
s’do, “ky është fati i tij dhe ai nuk mund t’i shpëtojë asaj që është vendosur
shumë kohë më parë për të”. (fq. 13)
Megjithatë, siç shihet më pas, ai akoma s’është përgatitur mirë për ta pranuar
këtë. Ky njeri, ndonëse me shkollë, akoma nuk arrin t’i pranojë kufijtë e
pashmangshëm që vë koha midis breznive të ndryshme të racës njerëzore dhe armët
e fundit të rinisë i dorëzon vetëm përpara Komitetit të Hetimeve Universitare
teksa thotë: “Me sa shoh, ju në mendjen tuaj paskeni vënë kufij se me cilin
brez duhet të shoqëroheni e me cilin jo. Kësaj i thonë kufij brezash.” (fq. 61) Mu këtu, pasi i ka hedhur armët
duke e pranuar pleqërinë, ai ka bërë një “turp” tjetër, i cili mund të gjykohet
se i jep edhe një arsye më tepër për të mos pranuar të rrinte më në mjediset
plot me të rinj e të reja në Universitet, ashtu i lodhur e i “poshtëruar” nga
pleqëria. Por ky është vetëm fillimi i tëhuajsimit me këtë botë. Situata të
dhimbshme Davidit do t’i krijohen më pas me bollëk, kryesisht në marrëdhënie me
të bijën, ku ai s’pranon dot që ajo ta mësojë se, “ç’bluajnë në kokë gratë” (fq. 79), apo më vonë kur gjatë një
udhëtimi me makinë i bie të habitet sesi, “e bija, që ai njëherë motit e çonte
me makinë në shkollë, në kursin e baletit, në patinazhin me akull në cirk, nga
ana e saj, po e shëtit me furgon, për t’i treguar jetën që bën në atë pjesë të
botës që ai nuk e njeh asfare” (fq. 81).
Mospërputhja e tij me brezin e ri është tepër e ndjeshme, porse dhe dëshira për
rini e pakufishme deri në tragjicitet. Nga pozicioni ku është ai, ka ardhur
koha të mendojë se e ardhmja në moshën e tij vjen me shpejtësi të pazakontë.
Duke e kujtuar këtë, “ai e përfytyron veten me flokët të bardhë si dele, që ka
ndaluar te shitorja për të blerë shishen gjysmëlitërshe, ndërkohë që i heq
këmbët zvarrë për të arritur deri te shitësi”. (fq. 198)
Takimi me pleqërinë Davidin e ka
shkurajuar aq keq sa ai pas çdo mosmarrëveshjeje që ka me njerëzit fillon të
mendojë se në këtë botë, “nuk ka më vend për pleqtë.” (fq. 215) Pleqëria Davidit i ka sjellë panik dhe zhgënjim. Ai, një
ditë të bukur pranvere duke parë vajzën e tij tek punonte në oborr, filozofon
mbi kuptimësinë e ekzistencës dhe përfundimi e çon në absurd. “Njëherë e një
kohë, ajo nuk ishte tjetër veçse një bishtfultere në barkun e s’ëmës, ndërsa
tani shih sa është rritur; ajo mund ta çajë vetë rrugën e jetës, e sigurtë si asnjëherë më parë. Fati do ta
ndihë duke e bërë që ajo të ecë shumë më përpara tij, duke e lënë kësisoj atë
në bisht. Kur ai ta ketë spërdredhur qafën, ajo do të jetë duke u përkujdesur
për lulet. Gjithashtu, ajo do të nxjerrë në dritë një qenie tjetër njerëzore,
që fati do t’i prijë për ta bërë më të fortë dhe t’i falë jetë të gjatë. Kështu
do të vazhdojë të mbijetojë rrjedha e tij breznore, derisa brezat pasardhës do
ta harrojnë se kush ishte i pari i tyre, në këtë mënyrë edhe kujtimi i tij do
të shuhet përgjithmonë.” (fq. 242)
Në fund, duket se më shumë sesa
ndonjë zili, ai ndjen një keqardhje të vërtetë për destinimin e përjetshëm të
qenies drejt hiçit. Për vete, mësëfundi ai ka reshtur së shtiruri njeriun
moskokëqarës. Asnjë mënyrë sjelljeje apo ilaç nuk mund ta shmangë në kufij të
tejkohës pleqërinë. Ndonëse vonë, ai tashmë ka arritur ta kuptojë bindshëm se
pleqëria vjen për të gjithë, se është e pashmangshme dhe se ajo është faza
vendimtare gjatë së cilës përgatitet qenia për largimin e përjetshëm.
Romani “Turpi” i John Coetzee-s,
me dramën e moralit dhe të ekzistencës,
e cila është zhvilluar ndër vite pak e pak tek heroi, trajton një temë sa
klasike aq edhe moderne, sa të hershme aq dhe bashkëkohore. Është kjo tema
gjithëkohore e krizës ekzistenciale të unit, shkaguar nga krisja e moralit të
individit, intelektualit, qytetarit, në raport me vetveten e tij dhe me
sociumin ku gjallon. Ky roman s’ka asnjë personazh të poetizuar, aq më tepër se
mund të bëhet fjalë për tipa të idealizuar. Të gjithë këta heronj janë
konkretë, më se të besueshëm për lexuesin, mbasi ata zbulojnë pak e pak në
marrëdhënie me njëri - tjetrin të gjitha dhelpëritë, inatet, pasionet,
neverinë, ndjenjën e fajit, pafuqinë për t’u korigjuar dhe tendencën e vetmimit
të përhershëm.
Por mbi të gjitha them se si ide
madhore në këtë roman, universalizohet domosdoshmëria e njohjes së moralit, si
princip, si disiplinë sociale, si virtyt i lartë i njeriut, që ia shton dhe
kuptimëson vlerat jetës.
Fjala, 13 mars 2005
Isha një njeri shumë i vetmuar ... Në janar, Dr. Obodo hodhi një magji për të gjetur një zonjë Austriake për mua. E diela e parë në mars takova një grua të mrekullueshme vietnameze. Ishim të angazhuar për gjashtë javë dhe u martuam vitin e ardhshëm. Dr.Obodo më ka dhënë zonjën e ëndrrave të mia.visit Dr. Libero Via:
ReplyDelete(templeofanswer@hotmail.co.uk)
(whatsapp +2348155425481) Bloomington, MN