Saturday, May 19, 2018

Gazeta “E për7shme”, avanguarda dhe letërsia e paekspozuar*




Ajo ishte krejt ndryshe në çdo aspekt. Nuk shpaloste asnjë projekt politik, asnjë mesazh inkurajues për të ardhmen e vendit, asnjë elozhe për asnjë, asnjë lajm, asnjë thashethem, asnjë mllef, asnjë fyerje, asnjë kërcënim, ishte thjeshtë ndryshe edhe pse ishte pagëzuar si E për7shme. Në fakt, në paradoks dhe oksimoron të plotë me të gjitha, ajo nuk përshtatej me asnjë. 




Në fillim të viteve “90, respektivisht në vitin 1992, në atë stinë të dekadës kur rrugët e qyteteve shqiptare filluan të boshatiseshin nga amballazhet e cigareve Arda që zëvendësoheshin me amballazhet e cigareve Cooper dhe pas pak do iu shtoheshin me bujari edhe amballazhet e çokollateve Hilal; kur anijet trembeshin të afroheshin në molin e Durrësit e të Vlorës dhe trenat shkataraqë vejevinin nën breshërin e gurëve nëpër hekurudhat shqiptare; kur pantallonat blue jeans dhe modeli i flokëve bishtpëllumb rrekeshin të shkërbenin si diferencim social në mesin e rinisë shqiptare të asaj kohe në sensin e një statusi supermacie të padiskutueshme; kur partitë e reja politike po lindnin njëra pas tjetrës bashkë me gazetat përkatëse, fenomen pjellorie që s’ka reshtur ende edhe sot pas 24 vjetësh, shfaqet në katër numra gazeta më e çuditshme që kishte parë ndonjëherë publiku shqiptar, - gazeta E për7shme.
Shumë kush dhe midis tyre edhe unë, aso kohe u befasuan nga prania e saj krejt ndryshe në mesin e gazetave të tjera të shtypit të asaj kohe.
Ajo ishte krejt ndryshe në çdo aspekt. Nuk shpaloste asnjë projekt politik, asnjë mesazh inkurajues për të ardhmen e vendit, asnjë elozhe për asnjë, asnjë lajm, asnjë thashethem, asnjë mllef, asnjë fyerje, asnjë kërcënim, ishte thjeshtë ndryshe edhe pse ishte pagëzuar si E për7shme. Në fakt, në paradoks dhe oksimoron të plotë me të gjitha, ajo nuk përshtatej me asnjë. Kjo ka qenë e para gazetë pluraliste letrare e post diktaturës që iu bënte karshillëk gazetave e revistave letrare serioze si Drita dhe Nëntori, për të cilën tashmë pak kush kujtohet dhe pak kush e mban mend, por jo ne, brezi jonë që afër dhe larg, kudo në trojet shqiptare që i ndjenim me të njëjtën gjatësi vale ngarkesat emocionale të kohës dhe ishim mbledhur rreth letërsisë si elektronet e të njëjtit atom.
Ajo ishte ndryshe sepse eksperimentonte krejt natyrshëm për herë të parë në letërsinë shqipe avanguardën e niveleve europiane. Elementë të avanguardës i gjejmë edhe më të hershme në letërsinë tonë që me De Radën, Mitrush Kutelin, në veçanti me Migjenin, i cili është i pangjashëm me asnjë etj., por në fakt thyerja e plotë avanguardiste u shfaq më e plotë për herë të parë vetëm tek kjo gazetë.
Në maj të vitit 2004 në Universitetin e Tiranës Departamenti i Letërsisë organizoi një seminar shkencor me temën: “Fenomeni i avanguardës në letërsinë shqiptare”, ku shumë studiues shpalosën pikëpamjet e tyre mbi fenomenin e avanguardës dhe shfaqjen e saj në letërsinë tonë. Unë nuk kam qenë në atë seminar, por punimet e atij seminari i kam lexuar në përmbledhjen që doli më vonë. Duke ndjekur me radhë studimet e publikuara vë re se autorët më të shumtë e kalojnë përciptazi “92-shin dhe vitet që pasuan më pas dhe rreken ta zbulojnë avanguardën atje ku është më pak, madje ku mund të mos merret shkencërisht si e tillë. Autorët që e kishin themeluar, grupoheshin asokohe tek kjo gazetë, apo në largësi, pavarësisht pjesëmarrjes, e ndjenin veten tek ky grupim, atëherë ishin 16 deri 22 vjeçarë, ndërsa tani edhe më i riu prej tyre i ka kaluar të dyzet vjetët. Disa shkruajnë ende dhe kanë krijuar një profil të qartë publik si njerëz të letrave, disa të tjerë kanë reshtur që atëherë së shkruari dhe nuk ndjehen më, disa botuan vetëm një apo dy libra më vonë, disa s’botuan dot asnjë libër, ndonjëri prej tyre, siç është rasti i Ilir Belliut, fatkeqësisht nuk jeton më. Mund të përmend ndër këta të rinj që botonin aso kohe tek E për7shme: Ervin Hatibin, Agron Tufën, Mark Markun, Virion Graçin, Dritan Xhelon, Ilir Belliun, Rudi Erebarën, Rudian Zekthin, Ilirjana Stringën, Eneida Topin, Lindita Aliun etj. Nga këta, të mbijetuarit më të sukseshëm të kësaj letërsie janë Agroni, Virioni dhe Ervini. Por në rrethana të tjera në kontekstin e kësaj letërsie, me frymë dhe fizionomi letrare specifike dhe solide, pavarësisht jo përfshirjes në këtë rreth letrar, ishin edhe Arjan Leka, Gentian Çoçoli, Luljeta Lleshanaku, Parid Teferiçi, Olimbi Velaj, Luljeta Dano dhe ca më vonë edhe Granit Zela, Flurans Ilia, Ermir Nika dhe vetë autori i këtyre radhëve.  Në fakt ajo që shpërfaq E për7shme në gjithë këtë panoramë letrare të viteve “90, është shumë specifike dhe unë ua kam zili atyre që përmenda më lart dhe që patën fatin ta lënë aq shkujdesur gjurmën e tyre rinore (të papërsëritshme) në këtë gazetë. Ata botuan vetëm katër numra të gazetës së tyre dhe i shpërndanë bashkë me shtypin politik të kohës në gjithë Shqipërinë e vitit 1992, thyen tabunë, bënë shaka me gjithçka, sollën në letërsi zhargonin e gjeneratës së cigareve Arda që ishte në perëndim e sipër dhe zhargonin e atij brezi rinor që po e përjetonte plot shpresë dhe entuziazëm lirinë, madje botuan edhe një antologji krejt provokuese të përbashkët të titulluar: “O moj Shqypni dhe poema të tjera”, më pas për ca kohë heshtën për t’u shfaqur tashmë vetëm, ose të grupuar tek gazeta “Fjala”, e themeluar dhe e drejtuar nga Agron Tufa, i cili ishte njëri nga përfaqësuesit kryesorë të këtij brezi, gazetë e cila u botua nga fillimi i viteve “00 e deri nga fundi i vitit 2005 si gazetë dhe nga viti 2006 deri në vitin 2007 si revistë periodike. Më pas heshti edhe ajo.
Kjo është panorama më e paekspozuar e letërsisë sonë, madje do të thosha edhe më e paekspozuar sesa letërsia e bejtexhinjëve të shek. XVII, e paekspozuar sepse ende nuk është parë në tërësi në një këndvështrim historiko-letrar specifik nga studiuesit e katedrave tona universitare, të cilët ende përpiqen ta gjejnë avanguardën, apo erotizmin, në letërsinë tonë të Rilindjes me të cilën kanë një jetë që merren dhe s’ia kanë dalë mbanë ende; është e paekspozuar sepse është mbytur në oqeanin e madh të mediokritetit dhe trivialitetit të pafund që i karakterizon botimet e pafundme shqiptare të kësaj periudhe, ku protagonistë janë të gjithë, që shkruajnë për të gjithë dhe lexuesi i ka braktisur tashmë pothuaj që të gjithë. Ndoshta për këtë gazetë dhe për këtë letërsi do të flitet më hollësisht më vonë, ndoshta asnjëherë, por kurrë nuk duhet të harrojmë që ka ekzistuar.

*Kumtesë e mbajtur në Bibliotekën e Beratit, më 22 prill 2016, me rastin e përurimit të romanit “Stina e hijeve” të Virion Graçit.



No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat