Wednesday, May 16, 2018

Historia dhe miti në poetikën e Moikom Zeqos



(Pjesë nga një studim i gjatë)

Tema e vetmisë në kulturën botërore është pothuajse biblike. Ajo fillon që me mërzitjen e Adamit në mbretërinë e tij të vetmuar në Eden. Vetminë e prek tek elegjitë e tij poeti i lashtë pindarik Mimnermi, e prekin dhe poetë të kulturave ekzotike si Tagora1, i cili në Perëndim konsiderohej si “zëri i trashëgimisë shpirtërore të Indisë”2. Për Tagorën thuhet se ai “shpesh herë e linte shtëpinë dhe shkonte në vetmi për të gjetur frymëzim.”3 Ky proces fizik dhe metafizik ka ndodhur me shumë personalitete të artit dhe të dijes në të gjitha epokat e njerëzimit. 

1.    Zanafilla e centaurëve dhe Cantauri si mit në legjenda e në letërsi



Prania e centaurëve në legjendat e lashta shfaqet të paktën që para 3000 vitesh p.e.s në fillim në Indi dhe më pas rreth viteve 2000 p.e.s edhe në Asiri.1 Në këto kultura të lashta ata kishin emra të tjerë, por përfytyrimi i njeriut të bashkuar herë me kalin, apo herë me demin është pothuaj i njëjtë me atë që u zhillua për centaurët gjerësisht në epokën e lulëzimit të kulturës së lashtë greke. Një hyjni interesante asiriane, e ngjashme me centaurin ishte Hea Bani, emri i të cilës, sipas asiriologut të famshëm William St Chad Boscawen (1854-1913) do të thotë Hea bën.2 qoftëse ky pohim është i vërtetë, mund të shërbejë si një e dhënë interesante edhe për studimet e mëtejshme historike të origjinës së shqipes si gjuhë e lashtë indoevropiane.
Në mitologjinë e lashtë asiriane Hea Bani përfytyrohej në formë pjesërisht njerëzore dhe pjesërisht kafshërore, krijesë e shthurur, me trupin të njeriut, me brirë dhe me këmbë si të dhisë ose të demit. Në fakt në Greqinë e lashtë, më shumë sesa Centauri, kësaj hyjnie i përgjigjej Pani, edhe ky hyjni baritore dhe e botës së kafshëve me karakteristika të njeriut dhe të kafshës.3 Të gjitha këto mite të çojnë në përfundimin se ato e kanë zanafillën në kohën kur njeriu luftonte të distancohej nga kafsha parahistorike, ndoshta Naendertali, dhe ndaj ato në të gjitha kulturat e lashta shpërfaqnin element antropomorf-zoomorf, duke variuar nga një qytetërim tek tjetri, nga një traditë tek tjetra deri sa u zhytën në errësirën e Mesjetës. Emrat, struktura trupore e tyre dhe karakteri - të gjitha të dyzuara midis njeriut dhe kafshës - edhe në rrafshin e ars signata, përbëjnë një tërësi elementesh që i përgjigjen njëri-tjetrit. Është koha kur forca dhe dhuna janë predominante në marrëdhëniet njerëzore. Centaurët përbëjnë një aspekt interesant në tërësinë e këtij mozaiku fantastik. Ata ishin një tribu e egër qeniesh mitologjike me një pamje të çuditshme prej gjysëm njeriu dhe gjysëm kali. Sipas miteve të lashta greke ata ishin një specie primitive që banonin në shpellat malore të Magnezisë4, ose ndryshe në malin Pelion të Thesalisë5; ushqeheshin me kafshë të egra të cilat i vrisnin duke i gjuajtur me gurë dhe me degë drurësh dhe u sillnin mjaft probleme njerëzve në habitatet përreth tyre, ngase vinin rrotull të dehur, shkretonin të mbjellat dhe dhunonin femrat seksualisht. Për shkak të gjithë këtyre paudhësive që bënin ata ishin gjithmonë në armiqësi dhe në grindje të vazhdueshme me racën njerëzore, madje autorët e lashtë grekë i përmendin centaurët pothuaj përherë vetëm për bëma e prapësi anticivilizuese dhe antihumane. Në botën e lashtë greke ata janë njohur përherë si simbol i dhunës dhe i epshit të dhunshëm, i [1]pabesisë, brutalitetit dhe primitivizmit të papajtueshëm me normat e jetës njerëzore. Në një kontekst më psiko-social ata përfaqësojnë dhe luftën e brendshme të çdo individi, papajtueshmërinë midis të mirës dhe të keqes, parakes dhe modernes, faljes dhe hakmarrjes, besimit dhe pabesisë, humanes dhe kafshërores etj.6 Si subjekte mitologjike të tillë centaurët ishin të pranishëm shpesh në artin antik dhe ndoshta pikërisht kjo prani e dendur e tyre si subjekte të artit, solli dhe zhvillimin e përfytyrimit mbi format e tyre7, gjë që solli shpesh dhe transformimin e mitit duke i përshkruar ndonjëherë edhe si njerëz me kokë luani dhe me gjysmën e trupit prej kali me katër këmbë dhe me bisht.8 Pas rënies së Greqisë së lashtë nën patronatin e perandorisë romake, kujtimi i tyre nuk u shua, mbeti i gjallë dhe centaurët tashmë vazhduan të shfaqen gjerësisht në format letrare të mitologjisë romake.9 Në periudhën e Rilindjes, duke qenë se arti i Rilindjes Europiane i kushtoi vëmendje të veçantë mitologjisë antike greke dhe artit antik grek, centaurët kthehen përsëri në botën e artit nga piktorët e famshëm si Pjer Paul Rubensi (1577-1640) dhe Françesko Solimena (1657-1747)10 dhe që atëherë e deri në ditët e sotme ata kanë qenë përherë të pranishëm në forma të ndryshme pothuajse në të gjitha format e artit botëror. Centaurët janë shfaqur shumë herë dhe në shumë vende në letërsinë gojore dhe në letërsinë e shkruar.11 Në letërsinë e shekullit XX centaurët fillojnë të shfaqen përsëri në shumë vende të botës. Sikurse është i larmishëm miti i tyre në vlerësimin e karakterit dhe të rolit të tyre në lashtësi, ashtu dhe në letërsinë botërore moderne këto krijesa mitike bartin simbolika dhe trajta të larmishme, herë negative e herë pozitive. Gjithësesi në letërsinë moderne prirja e përgjithshme letrare i karakterizon tashmë ata si pjesë vitale e qytetërimit, si mbështetës të së vërtetës dhe mirësisë.12 Disa autorë të njohur të shekullit XX, që e kanë përfshirë fuqishëm mitin e këtyre krijesave gjysëm njerëzore, gjysëm shtazore në letërsinë moderne, janë emra si; C. S. Lewis,13 M. Ende,14 R. A. Salvatore,15 E. Cofler,16 M. Swenson,17 J. Updike18 etj. Në vazhdën e këtyre miteve të lashta e të reja, të fantazuara dhe të vërteta vjen dhe “Centauri i Ri” (Hegla’s Secrets, 2013) i Moikom Zeqos, i cili në rrafshin horizontal është një artes poetriae dhe në rrafshin vertikal është thellë-thellë një artes dictandi, me harta e sinopse të një gjeografie dhe kulture të gjerë të akumuluar nga autori në harkun kohor të shumë viteve, përgjatë punës së tij studimore dhe marrëdhënieve jetësore të drejtpërdrejta me tekstin, njerëzit dhe realitetin. Para se të thellohem në analizën e centaurit moikomian, me qëllim për ta qartësuar sadopak sfondin e mitit në funksion të kontekstit ideor, i hyra një përshkrimi historik të shfaqjes dhe evoluimit të mitit mbi centaurët, duke u munduar t’i bie sa më shkurt dhe të jem sa më lakonik në përshkrimin e trajektores së këtij evoluimi. Në fakt ajo që i përgjigjet materialisht titullit është vetëm një poezi e vetme19, por semantika e këtij titulli varion ku më shumë dhe ku më pak pothuaj në tërësinë ideore të librit. Centauri i poezisë së Moikomit nuk vjen më nga shpellat e Thesalisë, por nga Bjeshkët e Namuna dhe nga deti e muzgu, nga bota konkrete dhe abstrakte; sodoqoftë njëra pamje e tij supozohet se mund të jetë miti i lashtësisë shqiptare, i qëndresës dhe i vijimësisë, e po aq në dyzimin e tij prej algjebre enigmash të kohëve moderne, mund të faktohet se ai bart të panjohurën e dyshimtë të së ardhmes, të parë nga konteksti dehuman i së sotmes. Nëse e marrim në këtë kontekst ideor, Centauri i ri i Moikom Zeqos është një ringjallje e mitit, ai është përsëri një qenie demoniake që mbjell vetëm fatkeqësi. Ngjizja e tij vjen nga thellësia e maleve dhe thellësia e deteve, që janë vlerat dhe traditat e bjerra e të lëna në harresë në emër të pragmatizmit të modernes, është mizëria e popullit dhe e popujve (rasti i detit mund të lexohet edhe si një shumësi apo matricë e ndryshimit), që evoluon në kahje të panjohura, për rastin konkret në kahjen e dehumanizmit dhe demonizimit. Kjo, jo se poeti nuk është bashkëkohor dhe nuk e njeh sfondin e kulturës perëndimore të kontinentit, por përkundrazi, pikërisht ndoshta ngase ai e njeh më mirë vetë origjinën e mitit të centaurit dhe burimin e kësaj kulture e cila nuk i ka prodhuar mitet e Ballkanit, por i ka përshtatur si ka dashur dhe është frymëzuar prej sish. Ndaj miti i centaurit, nëse për një perëndimor është drejt zbutjes dhe humanizimit, në Ballkanin prej nga ka dalë (apo ka ardhur të banojë) ai mbetet ende kafshëror, armiqësor dhe në papajtueshmëri të plotë me njeriun. Në fund të fundit ai ka lindur nga kontradikta e njeriut me barbarinë dhe si i tillë ai është i predestinuar për ta bartur këtë kontradiktë nëpër shekuj. Ai mishëron një kontradiktë të dukshme midis zhvillimit dhe regresit, apo regresit në emër të zhvillimit. Centauri i ri tashmë mishërohet në jetën e përditshme përmes protagonistëve të krimit, grabitjeve, mashtrimit, ryshfetit, padrejtësive njerëzore e shoqërore, keqqeverisjes nga pushteti dhe legjitimimit të së keqes si normë mbijetese në kushtet e pamundësisë. Ky sfond, në fakt është dhe hapësira ku gjendet e shpërndarë materia e këtij centauri. Po ta mbledhësh këtë materie, Centauri i ri beh përpara lexuesit me përmasat e tij të frikshme të një demoni kontradiktor që po përvijohet në konturet e shekullit që po jetojmë dhe diku thellë brenda qenies sonë. Për ta luftuar atë duhet më parë ta njohësh atë; anatominë e tij dhe mentalitetin e tij prej krijese plot epsh të pafrenuar, shkatërruese, dinake dhe gjithësesi e pandreqshme.
_____________________________
1Mythological monstrs-monstrous: http://monsters.monstrous.com/centaurs.htm
2 Notes on the Religion and Mythology of the Assyrian: http://www.masseiana.org/boscawen2.htm
3Po aty.
5Centaurs in ancient Greek mythology: http://www.greek-gods.info/monsters/centaurs/
6 Mythological monstrs- monstrous: http://monsters.monstrous.com/centaurs.htm
8Po aty.
9Dommermuth-Gudrich, Gerold; 50 të pashmangshmit; mitet më të famshme të lashtësisë, botimet Max&Spektër, Tiranë 2006, fq. 293
12Po aty
13 Clive Staples Lewis (1898-1963), personalitet i njohur i kultures irlandeze, i realizuar kryesisht në fushën e letërsisë. Në romanin e tij “Kronika nga Narnia” centaurët shfaqen të portretizuar pozitivisht.
14 Michael Ende (1929-1995) shkrimtar gjerman i njohur për romanet e tij fantastiko-shkencorë dhe letërsinë për fëmijë.
15 Robert Anthony Salvatore (1950), shkrimtar bashkëkohor amerikan, autor romanesh shkencore dhe fantastiko shkencore.
16 Eoin Cofler (1965), shkrimtar bashkëkohor irlandez i njohur kryesisht për romane fantastiko- shkencore. Në një nga veprat e tij fiction ai e portretizon centaurin si qenie shumë inteligjente.
17 May Swenson (1913-1989), poete e njohur amerikane, në vitin 1958 botoi poemën epike “Centauri”, në qendër të së cilës vihet një vajzë 10 vjeçare e cila dëshiron të kalërojë mbi një centaur të imagjinuar.
18 John Updike (1932-2009), tregimtar amerikan, romancier dhe kritik letrar i njohur. Në vitin 1963 botoi romanin “Centauri”, ngjarjet e të cilit vihen në rrethinat e Pensilvanisë.
19Shiko: Zeqo, Moikom; Centauri i ri, (poezi 1993-2013), Hegla’s Secrets, Tiranë 2013, fq. 29





Urbem mortem - mortuus civilitatem*



Tek “Centauri i ri”, individi dhe qytetërimi ndodhen përpara një rreziku të ri; “Shpura alienësh nisin florudhat,/ njerëzimi nuk e njeh vetveten./ Në terr Fati ka zbathur këpucët,/ fshehtas vjen të na vjedhi jetën.” (Hani i botës së çudirave fq. 8.) A mos shfaqja e alienëve është një rrezik demoniak si ai në epokën e centaurëve? A mos alienët janë mitet moderne të botëve të panjohura që rrinë akoma të pazbuluara nga mendja njerëzore? A mos vetë alienët janë centaurët e rinj? Për këto pyetje në rastin konkret nuk mund të spekullohet duke dhënë përgjigje hipotetike, veçse mund të thuhet me bindje se shfaqja e prezencës së tyre, përbën një pjesë të enigmës kozmike për njerëzimin sot kudo në botë. Interpretimet janë të ndryshme. Po ashtu varion dhe besimi i njerëzve në ekzistencën e tyre. Gjithashtu mund të thuhet me bindje se për autorin ata janë një shqetësim kalimtar, i parëndësishëm në krahasim me atë proces vetëshkatërrues që po ndodh brenda vetë qenies njerëzore dhe njerëzimit në epokën moderne. Fundja alienët nuk kanë prishur asgjë që ka ndërtuar njeriu. Është vetë njeriu ai që ndërton dhe shkatërron në tokë. Në fillim të poezisë alienët shfaqen më shumë si soditës që vijnë për të bërë sehir me qytetin që po vdes dalngadalë nga vdekja e vetë qytetërimit dhe zëvendësimi i tij me beton e me grataçiela të mëdha. “O, grataçielat e larta betonojnë dhe hënën,/ epoka e robotëve në humbëtira kohore, /dhe parqet me statuja idiote më çmendin-/ rezervate mërzie dhe trullosje.” (Hani i botës së çudirave fq. 8.) Alienët në këto kondita vetëm sa bëhen dëshmitarë të shuarjes së Homo Sapiensit nga robotët ose Homo Kibernetika. Nga zhvillimi i teknologjisë moderne sot mlijona njerëz në botë vuajnë për vende pune. Kompjuteri, makina dhe roboti e kanë zëvendësuar punën njerëzore. Ata punojnë pa u lodhur dhe për hesap të poseduesve të tyre duke anashkaluar njeriun, duke e lënë pa punë, pa të ardhme dhe duke e zilepsur me perfeksionin dhe shkëlqimin e tyre pa jetë. Gjithësesi homokibernetika nuk ka ndjenjë për asgjë. Është veçse një programim perfekt dhe nuk i intereson, as njeriu, as historia e tij e lashtë dhe tragjike. “Metafizikat shprishen në agun e zi/ e idetë kanë lëvozhga akulli./ Njerëz me sy qelqi, s’keni ndjeshmëri,/ aty ku lindin drurë me botanikë metali! (Katrahura, fq. 22.) Në universin modern ka dhe ithtarë të këtij ndryshimi. Simpatia e tyre, të paktën në dukje, konsiston në shpresën se kjo erë kibernetike do të sjellë një botë më të mirë, por unë jam ende i mendimit se kjo është më tepër një alegori e stilit postmodern në poezinë botërore. Dhe alegoria për poetin mbetet arma e fundit në konditat e pamundësisë. Richard Brautigan (1935-1984) tregimtar, romancier dhe poet postmodern amerikan, në vitin 1968 botoi në 1500 kopje një përmbledhje poetike, e cila u shpërnda falas për lexuesit. Poezia që i përgjigjet titullit evokon prognozën e një bote ku kibernetika ka avancuar në një fazë ku vihet në balancë me vetë natyrën dhe eleminon nevojën e përjetshme të njeriut për të punuar. Më pëlqen të mendoj/ (dhe sa më shpejt aq më mirë!)/ nga lëndinat e kibernetikës/ ku gjitarë dhe kompjuterë/ jetojnë së bashku në mënyrë reciproke.”1 Dhe më poshtë poeti shprehet duke e zgjeruar imazhin e një flore të pasur kibernetike paqësore me vargjet; “Më pëlqen të mendoj/ (tani për tani veç lutem!)/ një pyll kibernetik/ mbushur me pisha dhe aparatura elektronike.”Duket gati e pabesueshme sesi Homo Sapiensi i dalë dikur diku nga Afrika aty nga fundi i erës paleolitike me destin për të zëvendësuar në trojet e Europës nanendertalët3, të arrijë të zëvendësohet tashmë nga krijesat homokibernetike të krijuara prej vetë atij. “Shpirti im po vdes tani në çdo germë/ dhe Zarathustra i Niçes ka vdekur i gjori!” (Sizifi i gurëzuar, fq. 23) – shprehet poeti tek “Centauri i ri”, duke aluduar vdekjen e shpirtit të individit në epokën moderne. Kështu dalngadalë shuhet individi, qyteti dhe qytetërimi nga bashkimi pasionant me makinat kibernetike të informacionit dhe të veprimtarisë njerëzore në epokën dominimit të teknologjisë elektronike. Interaksioni i njeriut tashmë nga biblioteka është zhvendosur tek kiberkafetë. “Biblioteka të braktisura! O, librat s’lexohen!/ Dantja dhe Servantesi të balsamosur si mumje!/ Dhe lexuesit shenjtorë pa mëshirë torturohen,/ në Ferrin Virtual të face-book-ëve!” (Ferri virtual, fq. 46.) Ergonomia konjitive nuk e llogarit dot këtë kolaps. Ne qoftëse ergonomia konjitive e ka për tagër t’i përcaktojë mjetet e përpunimit dhe të ruajtjes së informacionit si objekte konjitive4, a është në gjendje vallë kjo disiplinë të parashikojë me llogaritjet e saj se këto objekte konjitive sot po projektojnë gradualisht ftohtësinë dhe cektësinë e tyre në trurin e vetë qenieve konjitive përdoruese? Këtë e thotë vetë poeti në vargjet e tij; “Interneti s’e ka as gjeografinë, as mbërritjen,/ lëvizje në vend, kuturu, pa rrebesh,/ trupin tim e braktis si detari anijen/ e bëhem Robinson në një ishull idesh!” ( Arti në ajër, fq. 75), ose: “Të jesh a të mos jesh është sa një klik!/ Si kompjuteri që ndizet dhe fiket kjo botë!/ Nga sarkofagu bosh i Lazarit biblik/ si alibi e Njeriut del një robot!” (Requiem, fq. 92.) Mbret është virtualiteti. Në këto kushte ngjarjet ikin shpejt dhe e kaluara harrohet po aq shpejt, ngase njeriut tashmë i intereson vetëm efektiviteti e së sotmes dhe nuk ka kohë të mendojë për afektivitetin e së djeshmes. “Në përmasat e ditës realiteti ikën/ e vendoset befas një tjetër realitet!” (Një realitet tjetër, fq. 101) dhe “Zoti njerëzimin handikapat e sheh,/ në karrocën prej invalidi të planetit!” (Njerëzimi, fq. 86.) Në këtë lloj skepticizmi ndaj gjithë kësaj performance kibernetike përherë e më tepër në evoluim, Moikom Zeqo nuk është i vetëm. Duke e vënë re fenomenin dhe prirjen dominante të tij kohë më parë edhe filozofi i shquar J. F. Lyotard5 vëren jo pa shqetësim se kibernetika pas Luftës së Dytë Botërore ka ardhur gjithnjë e më tepër duke e dominuar shoqërinë, madje pretendon se kjo ka sjellë dhe humbjen e aftësisë për të besuar tek letërsia.6 “TV-të e planetit, kibernetika e krimeve/ e bëjnë kaq virtuale dhe fantazmë epokën!/ Na kërcënon, na tmerron plogështia e ditëve/ si pushtimet barbare Konstandinopojën!” (Përjetësia së prapthi, fq. 30.) Fjala “plogështi” në këtë rast konvergon me pritjen e unit lirik për një realitet tjetër që nuk vjen, ndoshta një realitet që në këto kushte mbetet utopik. Gjthësesi referentët e këtij miti kibernetik, shpesh në caqet e fantastikes, janë pjesërisht të saktë dhe një pjesë e qenies së tyre ekziston vetëm në realitetin e imagjinatës së njerëzve të thjeshtë, të keqinformuar nga mjetet e papërgjegjshme dhe të pakontrollueshme të fluksit të informacionit.7 Ky është krimi i ekraneve, të cilit pak kush sot i vë emër. Si figurat në një ekran të madh, çdo gjë në këtë realitet shfaqet dhe zhduket me një dinamikë të përshpejtuar (siç e pohojnë vargjet nga “Një realitet tjetër”), përveçse e pritshmja, e cila vazhdon të mbetet pritshmëri, soditje, mërzi, zhgënjim, nervozizëm dhe bohemi.  Ndërsa koha ikën dhe pritshmëria mbetet po ashtu një ëndërr utopike. “Rrjedh dhe ikën koha tek lavamani me vrimë,/ katarsin s’e ka asnjë apokalips.” (Koha, fq. 100) - thotë poeti në vargjet e një poezie tjetër duke zbuluar ndoshta njërin prej komponentëve utilitar të pritshmërisë - katarsin, si shpresë për të vënë pak rregull në këtë kaos material, social dhe ideologjik të njerëzimit. Apokalisi i poezisë është vetë kaosi, porse ky “apokalips” parsheh vetëm shkatërrimin dhe jo katarsin. Hakmarrja apokaliptike e shkaktuar nga vetë njerëzimi bie mbi të gjithë. E gjithë kjo situatë e shpërndarë në vargje të poezive të ndryshme të këtij libri bart kuintesencën e një prologu vdekësor - në fillim të ndjeshmërive tona njerëzore, për të çuar më pas në atë që mund ta quajmë vdekja e përgjithshme e qytetërimit, kthimi i njeriut thjeshtë në një konsumator me ndjesi vetëm shqisore. “Dielli dhe hëna si kopje dixhitale,/ qeniet si mund t’i kthehen të vërtetës?/ Tiktaku i orës – çekani i një farke/ kalit armët shpaguese të Vdekjes!” (Arti tjetërlloj, fq. 93) E shkuara nuk ekziston më. Historia zhduket. E shkuara dhe e ardhmja janë tani. Ky proçes metamorfik shënon fundin e historisë dhe zanafillën e një epoke të frikshme dixhitale, të kalkuluar për ta zëvendësuar qenien njerëzore me kulturën e ftohtë algjebrike të makinave. Këto makina dhe mjete elektronike personifikohen natyrshëm si konsumatorë energjie, natyrisht siç janë dhe në realitetin faktik. Edhe ato ushqehen. “Abazhuri i kuq si Drakula në dhomë/ Thith gjakun elektrik të freskët!” (Simfonitë e ngjyrave, fq. 110) Në këtë situatë ku mbisundojnë botën vetëm relacionet e bazuara tek reciprociteti thjesht konsumator, uni lirik parasheh edhe prognozën e fundit të vetvetes. “I padukshëm jam në mediat e VIP-ave-sekt/ në kitch-kulturën, mashtrimin hibrid./ Hiqni aureolat o shenjtorë asketë/ si kapelet me respekt në funeralin tim!” (Hiqni aureolat o shenjtorë, fq. 110) Këto janë disa shenja të shfaqjes së centaurit të ri, të atij centauri postmodern, i cili prapë e prapë vjen në mendjen njerëzore, si gjithmonë, për të qenë në armiqësi me të, por kësaj radhe në një mënyrë të re, shumë më dinake dhe të rafinuar.Askush nuk mund ta parashikojë se kur do të lulëzojë kufoma e mbjellë në kopshtin e modernitetit të vonë dhe çfarë bimësh mund të mugullojnë nga shkëmbi i fortë.”8 - thotë antropologu Roger Bartra9. Epoka moderne ia ofron njeriut fundin e tij, duke ia shitur madje me para; me njërin ilaç i ofron sëmundjen, me tjetrin i ofron shumë shtrenjtë shërimin dhe në kundërshtoftë i ofron vetëm vdekjen duke e bërë të tkurret e spërdridhet nga dhimbjet si një gjarpër. Kush mund të shpëtojë nga ky lloj i centaurit të ri, me fytyrë simpatike që të ngjall besim, me flokët e lyera me brilantinë dhe me bluzën e bardhë të shërbimit shëndetësor? Si mund të shpëtohet njerëzimi i epokës sonë nga bio-gjenetika, nga etja e superprodhimit, nga etja e klonimit, nga etja për pengimin e riprodhimit dhe vrasja e ngadaltë me kafshatën e bukës së helmuar? Si mund të jetë ndryshe armiku më i rrezikshëm i njerëzimit, veçse si ky armik kaq dinak dhe i rafinuar bio-teknologjik, kibernetik, bakterial dhe atomik? Armiku i njerëzimit s’mund të jetë ndryshe, por është vështirë të dëgjohen poetët. Poetët dëgjohen vetëm në kohën e gjëmave të mëdha. Vetëm pasi të jetë bërë fakt i kryer katastrofa. Në kohën pa kohë kur koha duket se është në rrjedhën e saj normale, asnjeri s’kujtohet për Eliot-in, Williams-in, Pound-in, Whitman-in, aq më pak për poetë e dijetarë të gjuhëve të vogla si shqipja në të cilën shkruan poeti erudit Moikom Zeqo.

_______________
*urbem mortem-mortuus civilitatem (lat.)- vdekja e qytetit-qytetërimi i vdekur
2Po aty.
3Martin, Thomas R.; Ancient Greece from Prehistoric to Hellenistic Times, Yale University Press, 1996
4Rizzo, Antonio; L'ergonomia cognitive; In P.G. Gabassi (A cura di) Psicologia, Lavoro Organizzazione. Milano: Franco Angeli. 1995, pp. 206-223. (p. 206)
5 Jean François Lyotard; filozof francez, sociolog dhe teoricien letrar, i njohur për artikulimin e tij të postmodernizmit pas viteve 1970. Lyotard u lind, më 10 gusht, 1924 në Versaje të Francës. Vdiq nga leuçemia në moshën 73 vjeçare, më 21 prill 1998, në Paris.
7Bartra, Roger; Kulturat likuide në “Tokën e Djerrë” (12), Kolana “Dialog”, ISHM & IDK (Instituti Shqiptar i Medias dhe Instituti i Dialogut & Komunikimit), përkthyer nga Bashkim Shehu, 2006, fq. 17
8Po aty, fq. 8
9Roger Bartra (1942), antropolog dhe sociolog i njohur meksikan. Studiues pranë Institutit të Studimeve Sociale në Universitetin Autonom Kombëtar të Meksikës.




Vetmia dhe pritja në poezi, binom i papranisë dhe pamundësisë


Tema e vetmisë në kulturën botërore është pothuajse biblike. Ajo fillon që me mërzitjen e Adamit në mbretërinë e tij të vetmuar në Eden. Vetminë e prek tek elegjitë e tij poeti i lashtë pindarik Mimnermi, e prekin dhe poetë të kulturave ekzotike si Tagora1, i cili në Perëndim konsiderohej si “zëri i trashëgimisë shpirtërore të Indisë”2. Për Tagorën thuhet se ai “shpesh herë e linte shtëpinë dhe shkonte në vetmi për të gjetur frymëzim.”3 Ky proces fizik dhe metafizik ka ndodhur me shumë personalitete të artit dhe të dijes në të gjitha epokat e njerëzimit. Në periudhën e romantizmit temat e vetmisë dhe të zhgënjimit ishin një binom i pandarë pothuaj tek të gjithë poetët romantikë që nuk u përfshinë në udhëtime të largëta shmang vendlindjes, apo në revolucionet çlirimtare të popujve. Gjithësesi kësaj teme nuk i shpëton dot as poezia moderne e shekullit XX. Poeti amerikan William Carlos Williams4, një nga përfaqësuesit e denjë të imazhinizmit botëror5, tek poezia “Danse Russe”6 shkruan këngën e unit ku vetmia prezantohet si gjendje pa shpëtim. “Unë jam i vetmuar, i vetmuar,/ dhe kam lindur për të qenë i vetmuar ...7 Kjo vetmi është e pashmangshme për poetët dhe mendimtarët, herë nga imponimi prej faktorësh të karakterit social, herë nga vetëdijësimi mbi diferencimin botëkuptimor midis vetvetes dhe vulgut. Shprehjen e vetmisë në veprat poetike, një pjesë e analizës letrare botërore shpesh e ka përcaktuar si pasivizëm romantik, por nuk është gjithmonë i vërtetë ky përcaktim. Kësisoj shpesh kritikët dhe teoricienët tregohen të pamatur në vlerësimin e romantizmit me përcaktimin e tij si prapambetje nostalgjike karshi modernitetit kapitalist, ngase kështu “kemi humbur ndjeshmërinë për ta njohur rëndësinë e madhe të delirit të unit romantik në konsolidimin e kujtesës moderne.”8 Williams nuk ishte poet romantik, as me prirje të tilla, përkundrazi vepra e tij moderniste ndikoi më vonë si model edhe tek poetët postmodernë amerikanë, si Alen Ginsberg9, por ai ishte i vetëdijshëm për vendin e poetit në këtë kaos material të botës në epokën industrialiste, arritja e së cilës realizohej në papajtueshmëri me vlerat e humanizmit. Një vetmi e tillë shfaqet dhe në poezitë e Moikom Zeqos.”Trenat ikin drejt stacionit Askund,/ në të gjitha pikat gjeografia lëviz,/ marr kapelen e shqyer të dordolecit në fushë,/ për rolin tim në teatrin beketian të vetmisë.” (Kapelja e Dordolecit, fq. 25.) Në këtë realitet ku të gjithë nxitojnë për në askund, poeti është jashtë vëmendjes së të gjithëve. Vetmia e tij është reale dhe diogjeniane. Ja si e shpreh T. Eliot10 këtë ndjesi të vetmisë dhe të askundit në djerrinat me mbeturina industrialiste tek “Toka e djerrë”: “Në këtë birë të kalbur në mes malesh/ nën dritën e mekur të hënës, bari është duke kënduar/ mbi varrezën e rrënuar, rrotull kishëzës-/ kësaj kishëze të boshatisur, strehëz veç e erës.”11 Me gjithë këtë përshkrim metaforik të shkatërrimit, ngjan sikur uni vetmitar ndodhet përballë peisazhit të hyrjes në ferrin dantesk. Aty është vetmia mes malesh, aty janë varrezat e rrënuara, kapela12 e braktisur, kalbësia dhe era që bredh në shkreti. Ferri paralajmërohet. Ferri është pak më tej. Tragjikën e tij e ndjejnë të parët ata që kanë shqisën e të ndjerit në mendje dhe jo në stomak. Të mjerët ndjejnë uri, poetët ndjejnë dhimbjen kozmike të parajsës së humbur.”Gjeratore ujërash si zemrekë në ngecje,/ do gjithçka të shohësh e në fakt s’di ç’të shohësh!/ Dhe përplasesh në terr me kujtesën tënde/ si me pelikanin e balsamosur prej kohësh.” (Përjetësitë, fq. 97.) Në këto kushte poeti përpiqet ta rilindë nga kujtesa historinë. Çdo gjë e humbur kthehet në kujtesë. Të vdekurit shkojnë, kujtesa mbetet. “Se të vdekurit lënë jashtë kujtesat e tyre/ të papërzier me tokën inerte ...” (Skulpturë memoriali, fq. 38.) Ajo çfarë ka shpëtuar nga humbja duhet të mbrohet duke u rilidhur me traditën e bashkëjetesës me natyrën. “E përherë jam kurioz të di ç’ka përtej/ dhe gjethet i lexoj si fjalë Ungjilli/ erinitë e Hakmarrjes befas i kthej/ në flutura delikate prilli!” (Vetëm e tashme, fq. 83.) Që ta ndjesh sa më larg fundin, duhet ta ndjesh sa më afër fillimin. Dhe në fillim ishin njerëzimi dhe natyra, Adami dhe Edeni. Nga kjo bashkëjetesë e vështirë, por e shëndetshme dolën mitet. Fuqitë e natyrës janë të pakontrollueshme, ndërsa njeriu përherë ka dashur t’i kontrollojë dhe t’i nënshtrojë ato. Tek proza e Kutelit “Lumi i madh”, njerëzit, kur lumi ishte i qetë, filluan ta kufizonin shtratin e tij me mure e me sinore, me qymezë pulash e me kotecë derrash, madje zunë dhe ta ngacmojnë e ta tallin, derisa lumi e sosi durimin dhe i shkundi mirë gjithë ç’kishin tepruar njerëzit tek pjesa e tij. Që natyra të mos kthehet në erini, ose në “tokë të djerrë”, siç e quan Elioti, njeriu duhet ta lexojë natyrën si fletët e Ungjillit, me nderimin dhe me përkushtimin që i takon, për të gjetur kështu bashkë me të, ose tek ajo, “ekuilibrin etik të bashkekzistencës”13. Të “vetmuarit” e njohin mirë artin e leximit të natyrës. Dhe universin mësojnë ta lexojnë përmes saj. Ata e ndjejnë të parët rrezikun e saj, dhe rrezikun që i vjen vetë njerëzimit pas kësaj. Pikërisht për të shmangur këtë rrezik ata nuk pajtohen me realitetin. Nga dashuria për njeriun dhe për natyrën. Që njeriu dhe natyra të mos e shkatërrojnë njëri-tjetrin, por të bashkëjetojnë në harmoni. E kur kjo s’ndodh, ata, poetët vihen në pritje. Kjo nuk është një vetmi e unit lirik anti-social, përkundrazi është vetmia sociale e unit lirik plural. Me, apo pa dashje ky realitet i kriminalizuar shfaq tendencën për t’i kthyer, apo për t’i mbajtur krijuesit e vërtetë në anonimat, i bën klandestinë.14 Kronotopia e prekjes nga fenomeni sigurisht është e lëvizshme, por thelbi mbetet po ai. Që andej dalin kuptime derivate. Duke analizuar poezinë “Ex Oriente” të Brodskit, studiuesja italiane Stefania Pavan, përpiqet të gjejë pika lidhjeje midis historisë së Tit Livit dhe unit lirik, pra eksperiencave autobiografike të vetë poetit në këtë poezi. “Materia autobiografike bëhet meterie poetike, që autorizon zhvendosjet dhe ngadalësimet hapësirë-kohë në mënyra të ndryshme.”15 Ajo çfarë ndjen brenda si përvojë psikologjike uni referues, gjendet si e tillë edhe jashtë tek uni tjetër i referuar. Duke shpallur përjetimin përmes “tjetrit”, çështja universalizohet. Mbi këtë teori identifikimesh të njësisë me tërësinë dhe anasjelltas, do ndalem pak më tej. Qëllimi ishte këtu për të identifikuar trajektoren që përshkon yjësia poetike e Moikom Zeqos, përmes yjësisë së madhe poetike në qiellin metaforik të vetmisë. E tillë është vetmia e poetëve modernë dhe postmodernë sot në botë. Moikom Zeqo është padyshim një i tillë dhe si i tillë, mban qëndrim të tillë ndaj jetës dhe fenomeneve të saj në epokën kibernetike që po jetojmë me intensitet, pa e përfillur pritshmërinë pozitive. “O, Pritja e Thinjur i bën fresk vehtes/ në ventilatorin e akrepave të orës”. (Mbi metropolet e mëdha, fq. 26.) Përveç vetmisë sociale, që vjen si shenjë e mospajtimit të personalitetit krijues me realitetin e padurueshëm ku jeton, mund të flitet edhe për një lloj tjetër vetmie që i karakterizon krijuesit seriozë; vetmia estetike. Sipas nobelistit Anatol Frans16, të cituar nga esteti Dewitt H. Parker17, heroizmi i poetit është të insistojë dhe të punojë në vetmi mbi veprën e tij dhe të mos jetë i prirur të nxitojë për ta nxjerrë sa më shpejt në dritë punën e tij siç bëjnë improvizuesit e thjeshtë apo delirantët18. Së fundi ndonjëherë vetmia merr përmasa biblike. Çdo gjë priret të fillojë nga e para, por nuk ekziston më fillimi, as pika e mbështetjes. Kjo lloj vetmie e rrethuar nga paprania dhe pamundësia bëhet e rrezikshme edhe për unin e poetit. “Tek Noeja mes ujërash nuk vjen asnjë pëllumb/ dhe Ararat s’quhet më asnjë majë mali!/ Meduzë symbyllur! Shihmë më në fund!/ të shndërrohem në një skulpturë memoriali!” (Skulpturë memoriali, fq. 38) Ararati i shpëtimit të Noahut, vërtetë përmendet në Bibël, por gjeografia e tij është aq e diskutueshme sa ngjan aq mistike si vetë Arka e Noahut, gjurmët e së cilës gjithashtu zhvendosen pambarimisht në këtë gjeografi.19 Në rastin e unit poetik mali Ararat tashmë simbolikisht është inekzistent, ngase edhe pritja nuk konkretizohet kurrë. Edhe vetë Noahu, edhe Moisiu, të dy sipas Shkrimeve të Shenjta, njerëz të zgjedhur nga vetë Zoti për ta udhëhequr njerëzimin, ranë në pesimizëm. Po poeti si ndihet përballë pritjes? Pritja e tij sa do zgjasë në pritje? Gjasat nuk janë shumë optimiste për pritjen e poetëve. Si e tillë pritja poetike pritet të presë gjatë dhe vetmia të jetë fenomen i pashmangshëm për poetët, në jetë dhe në artin e tyre.

____________

1Rabindranath Tagore (7 maj 1861 - 7 gusht 1941), ishte poet, dramaturg, eseist, shkrimtar dhe filozof i shquar indian. Përveç këtyre fushave Tagora u mor edhe me kompozime këngësh dhe me pikturë. Në repertorin e krijimtarisë së tij muzikore llogariten 2230 këngë të kompozuara prej tij. Tagora u bë gjithashtu udhëheqësi shpirtëror i sektit fetar hindu Brahmo Samaj. Në vitin 1913 laureohet me çmimin Nobel për letërsi, duke u bërë i pari personalitet jo europian që i gëzohej këtij çmimi.
4William Carlos Williams (1883-1963) eseist, shkrimtar, dramaturg dhe poet amerikan, i njohur kryesisht si eksperimentues, novator dhe figurë revulocionare në poezinë amerikane. Profesioni i tij ishte mjek, por ai ishte një nga personalitetet amerikane të shekullit të kaluar më të lidhur me letërsinë. Përmbledhjen e parë poetike “Poezi” e botoi në vitin 1909, duke i paraprirë influencës imazhiniste. Pati një aktivitet të gjerë kulturor dhe ishte bashkëpunues me penat më të famshme të kohës si Whitman, Pound, Eliot, Ginsberg, Wallace Stevens etj. Sikurse Elioti, Williams mbajti një qëndrim skeptik ndaj një bote që po vetasgjësohej nga industrializimi i skajshëm. Krijimtaria e tij pati ndikim në brezin e postmodernistëve amerikanë të viteve 50, duke përfshirë edhe poetin Alen Ginsberg.
5Imazhinizmi ishte një lëvizje letrare e poetëve anglo-amerikanë në fillim të shekullit XX, më saktësisht publikimet e mirfillta imazhiniste i përkasin viteve 1914-1917. Estetika imazhiniste synonte qartësi të imazhit dhe ekonomizim gjuhësor si dhe shfaqi prirje eksperimentuese në drejtim të eksplorimit të fjalës dhe të vargut poetik. Qendra më e madhe e imazhinizmit u bë Londra. Themelues i imazhinizmit mbahet poeti anglez Thomas Ernest Hulme (1883-1917) me dy poezitë e publikuara në vitin 1909, “Vjeshtë” dhe “Muzgu i qytetit”, botuar nga Klubi i Poetëve në Londër, në broshurën “Krishtlindje MDCCCCVIII”. Përfaqësues të njohur të kësaj lëvizjeje ishin poetët Amy Lowell, Ezra Pound, William Carlos Williams etj.
6Danse Russe (fr.) - valle ruse
8Bartra, Roger; Kulturat likuide në “Tokën e Djerrë” (12), Kolana “Dialog”, ISHM & IDK (Instituti Shqiptar i Medias dhe Instituti i Dialogut & Komunikimit), përkthyer nga Bashkim Shehu, 2006, fq. 22
9Allen Ginsberg (1926-1997), poet dhe shkrimtar amerikan, një nga figurat kryesore të grupimit letrar Beat Generation, i cili u formua pas Luftës së Dytë Botërore në Amerikë. Ai i bën opozitë të fuqishme militarizmit, materializmit të egër ekonomik, fenomeneve destruktive të kapitalizmit amerikan dhe ndrydhjes së seksualitetit. Ginsberg është një nga përfaqësuesit më të shquar të avangardave të postmodernizmit në zhanrin e poezisë. Me krijimtarinë e tij poetike Ginsberg influencoi tek shumë poetë e artistë me famë botërore ndër të cilët dhe tek Bob Dylan, Robert Lowell, Patti Smith etj.
10Thomas  Stearns Eliot (1888-1965), një nga poetët postmodernë më imponues të shekullit XX. Ai ishte kundër funksionit social të poezisë, dhe i mëshon anës gjuhësore si objeksion për eksplorimin, njohjen dhe zgjerimin e aftësive të pashtershme të gjuhës. Gjithësesi poemat e tij meditative “Toka e shkretë” dhe “Katër kuartetet” aludojnë mbi kaosin social njerëzor të epokës moderne dhe përshkruajnë procesin ciklik të lëvizjes njerëzore në një rreth të mbyllur.
11Eliot, T.; The Waste Land; (V. What the Thunder Said): http://www.poetryfoundation.org/poem/176735
12Kapela - kishë e vogël brenda territorit të varrezave. Në versionin e origjinalit të poezisë në anglisht, Eliot përdor fjalën - kapela.
13Tufa, Agron; Harmonia që kushtëzon rendin e organizimit të botës, (në)Fenomeni i Avanguardës në letërsinë shqiptare (Aspektet e Seminarit Shkencor); Arbëria, Tiranë, 2005 (fq. 138)
14Zeqo, Miokom; Vetullat hyjnore (proza nga kalendari i imazheve), Bota Shqiptare, Tiranë 2012, fq. 6
15Pavan, Stefania; Lezioni di poesia; Iosif Brodskij e la cultura classica; il mito, la letteratura, la filosofia; Collana Studi di Filologia Moderna , Firenze University Press,  2006, pp. 51-54 (p. 51)
16Anatol France (1844-1924), gazetar, estet, shkrimtar dhe poet i shquar francez. Në vitin 1921 është nderuar me çmimin Nobel në letërsi.
17Dewitt H. Parker (1885–1949), personalitet amerikan i njohur në fushën e dijes si estet e filozof në gjysmën e parë të shekullit XX. Parker ishte profesor në Universitetin e Miçiganit. Veprat e tij konsistojnë kryesisht mbi konceptimet e metafizikës.
18Parker, Dewitt H.; The Principles of Aesthetics; http://www.authorama.com/principles-of-aesthetics-10.html
19Mali Ararat përmendet në Bibël (Zanafilla 8:4) si vendi ku u ndal Arka e Noes, pas përmbytjes së madhe. Ky mal gjendet sot gjeografikisht në territoret dikur armene në Turqinë lindore, në afërsi të Iranit dhe të Armenisë. Përbëhet nga dy maja të larta, të ndara nga një luginë e thellë dhe e gjerë, Ararati i Madh (5122 m) dhe Ararati i Vogël (3896 m) dhe besohet akoma se ka gjurmë të Arkës së Noes, madje për këtë janë bërë ekspedita të shumta dhe janë shkruar shumë shkrime kontradiktore, pa e zbardhur dot shkencërisht enigmën.






Historia dhe miti si vizion dhe kujtesë poetike në poezinë e Moikom Zeqos



Jo vetëm tek “Centauri i ri”, vepër për të cilën po flasim në mënyrë të veçantë në këto radhë të studimit tonë, por pothuaj në të gjithë sinopsin e veprave të Moikom Zeqos, dija historike dhe mitologjike ndërfuten në tesktin letrar, qoftë të poezisë, esesë apo prozës, zhanre këto të eksploruara me sukses nga ky autor. Vetë autori në parathënien autoriale, tek njëri prej librave të tij, e pranon se “historia është farsa që e luajmë të gjithë pa përjashtim.”1 Duke qenë se tek historia shtresëzohet përvoja njerëzore dhe si rrjedhojë edhe cilësia e kësaj përvoje; e vërteta apo gënjeshtra, nderi apo turpi, civilizimi apo barbaria, apo, apo të gjitha bashkë të përziera në një, atëherë farsa dhe manipulimi janë të pashmangshëm. Gjithësesi arti e rikrijon artistikisht një kontekst të caktuar historik, duke u nisur qoftë dhe nga një sekuencë e vetme e kësaj historie; nga një toponim, nga një ngjarje, nga një personalitet, apo mit me potencialin e mjaftueshëm për t’u risjellë, e ndoshta për t’u ridimensionuar në kujtesën njerëzore. Poetika e historisë për Moikomin është kudo ku ka kaluar qenia njerëzore në përgjithësi, ndërsa paksa më e theksuar bëhet tek qenia shqiptare në veçanti, me mbresa të paharrueshme që ringjallen kur e kur përgjatë shtegtimeve fizike apo metafizike të poetit. Historia për Moikomin është memoria kolektive e shekujve, dhe si e tillë ajo duhet të ruhet mirë në kujtesë, qoftë edhe përmes formave të estetikës së shprehjes poetike. Historia për Moikomin është tek pyjet dhe tek deti, tek mali dhe tek uji, madje tek çdo gjallesë që popullon pyjet dhe detin, malet dhe ujin. Në aspektin e ngushtë etnik, kjo është dhe gjeografia e ashpër ku lëviz qenia shqiptare prej shekujsh: Alpet “ku mbijnë drithërat e argjendtë të shirave” (Centauri, fq.49); Akrokeraunet (male në jug) ku vërtitet “e miteve shtjellë” (fq.15) dhe “zotat kanë zbritur” (fq.39); malet e Himarës “si një epos në gur” (fq.18); Bjeshkët e Namuna me humnerat e tyre (fq.29); Tomori ku uni poetik thotë se gjen“... mes kacafytjeje, debatesh në erë,/ Sizifin e gurëzuar në një shpat Tomori” (fq.23), pastaj vijnë hidronomet e lumenjëve e të deteve që lidhen me jetën shqiptare, ballkanase dhe me tej, si materie aktuale dhe njëkohësisht dëshmitare të heshtura të ngjarjeve historike ku është bartur në shekuj me stërmundim vetë qenia e kombit. Poeti përmes artit shtegton në kohë dhe në hapësirë në të kaluarën e largët të qenies shqiptare dhe vendos piketat domethënëse të frymimit të dikurshëm të kësaj qenieje po në ato vende. Dhe përveç kësaj ai gjakon ta rindërtojë të kaluarën e largët si në një mirazh. Tek prozat eseistike në “Vetullat hyjnore”, pothuajse në tërë hapësirën tekstore të narracionit eseistik inkuadrohen historia dhe miti me realitetin aktual. Tek çdo gjetje e gjurmëve të kulturës së lashtë, për poetin qëndron i fshehur në harresën e shekujve një realitet njerëzor historik, me ngjarje reale dhe me persona realë. “Urna të zgavruara në gur me hi eshtrash,/ vdekje të lashta të shekujve të hershëm./ si mund të ribësh prej hirit zërat,/ fytyrat intime, mendimet, gjestet?2 - shkruan Moikomi në një poezi të vitit 1969. Dhe kjo zbulesë, ku bashkekzistojnë historia dhe miti, shkon deri tek manipulimi artistik në favor të vlerësimit edhe të gjërave të qenësishme që ne në jetën tonë të përditshme, mbase nuk i kemi në konsideratë fare. “Zoti, Zoti,/ amebën e bëri/ ambasador të Gjenezës”3, ose “Zeusi lind në molekulë/ e jo më në Kretë.”4 Në të dyja rastet rrugët të çojnë vetëm në zanafillë. Gjithësesi raporti midis të tashmes dhe historikes mbetet një raport imagjinar dhe imagjinata historike rindërtohet vetëm përmes ideve dhe informacionit historik. “Rrjetat e Historisë i çliroj në çdo nyje/ me paturpësinë rebele të horit!/ Te dhomat e ideve mishi im s’do hyjë/ dhe rri në shurdhëri si mungesa e Zotit!” (Centauri i ri, “Mungesa”, fq.24.) Udhëtimi në histori është një udhëtim transhendental në kërkim të origjinave, në kërkim të miteve dhe substratit të kulturës njerëzore.”Se përmasat ndërthuren në ngjizje konceptesh,/ se “lart” është dhe “poshtë” dhe “poshtë” është dhe “lart”/ do t’i kristalizoj gjithë shekujt njëherësh/ në kripë argjenti të rrallë e të paktë!” (Çlirimi nga trupi, fq. 36)  Por për poetin-arkeolog ndodh që edhe në udhëtimet reale të ndeshet me sekuencat e rralla të miteve, që vijnë ende deri në epokën tonë postmoderne, si për të dëshmuar me çdo mënyrë për ekzistencën e tyre dhe domethëniet e pavdekshme, aq të vlefshme edhe për kohën tonë.5 Sidoqoftë, mitet dhe historitë e lashta mbeten pyetje me enigma të mëdha. Materia e tyre është më së shumti provokuese për pikëpyetje dhe përfytyrime të pafundme, e po aq edhe për interpretime. Koha bën të veten. “Si të mbledh, si të mbledh kujtesën e erës?/ Mbretëria e thneglave na i pastron skeletet!/ Mermerizohet lumi i Heraklitit të Efesit,/ të gjitha përgjigjet divorcohen nga pyetjet!”6 Përgjigjet mbeten shepsh herë enigmë, madje “arratisen” nga pyetjet, ngase e vërteta historike e informacionit mbi vetë ngjarjet apo botëkuptimet dhe jetën e miteve është e padeshifrueshme, ose e shpërdoruar deri në tjetërsim. Në këto kushte uni poetik, i cili e ka shumë të zhvilluar intelektin konjitiv të historikes, e hedh fajin mbi kohën dhe kërkon të shkrihet vetë brenda kohës për të shkuar me thellë drejt njohjes së të kaluarës njerëzore. “O kohë,/ me rërë klepsidrash në dej,/ do të arratisem e do të zhbëhem në limitet e mitit!”7 Është një mori e madhe krijimesh nga ky autor, e shpërndarë tek “Centauri i ri” dhe pothuaj në të gjithë krijimtarinë e tij ku historikja dhe mitikja, rizbulohen pareshtur; herë si mahni e herë të tjera si kundërvënie ndaj realitetit të epokës. Përveç këtyre, Moikomi është nga ata krijues që historizon edhe vetë. “Luli i Vocërr i miqësuar me Gavroshin/ luajnë në video game/ formulat poetike...”8 Luli i Vocërr dhe Gavroshi hyjnë nga anonimati i një jete të mjerueshme në letërsi, respektivisht nga Migjeni dhe Hygoi. Dhe pasi udhëtojnë gjatë në letërsitë e botës, këto dy personazhe materializohen përsëri historikisht, tashmë me identitetin që u kanë dhënë shkrimtarët përkatës kur i zgjodhën si modele protagonistësh. Kultura poetike dhe kultura historike tek Moikomi janë në kuota konkuruese dhe jo dominuese ndaj njëra – tjetrës. Ato janë të dyja të shëndetshme, dhe e gjithë materia letrare e Moikomit është më së shumti cerebrale, por që të nxit drejt ndjenjës. “Çdo pikë në gjithësi është qendra e rrethit,/ krejt e perceptueshme për idetë dhe mendjet!/ Por ky zog në qiell është pika e Arkimedit/ për të lëvizur me levë tërë universet!”9 Duke u shkëputur nga fuqitë jolëndore; mbresat e ngjarjeve, historitë, mitet, shestimet e brendshme të unit, poeti gjen referentë të tillë si “zogu”, të cilët i përkasin lëndës së lirë dhe të qenësishme në koordinatat e hapësirave të panjohura të jetës. Këtu fillon vetëdija e aktuales, e aktuales reale dhe poetike njëkohësisht. Duke filluar me poezinë e parë “Zogjtë sozie” tek “Centauri i ri” dhe pothuaj në një pjesë të konsiderueshme të librit ndihet prania e tyre, një prani me trajta të lëvizshme nga mitikja e deri tek kubizmi. Aty ka aq shumë zogj sa për të formuar një Zimurg.10 Për më tepër që ata janë “zogj sozie”, pra të ngjashëm midis tyre, si tek miti. Duke u rikthyer përsëri tek bota e miteve, tek ngjarjet e lashta, dija e lashtë dhe religjionet e botës, të cilat janë pjesë e pandarë e kulturës erudite të Moikom Zeqos, sapo lexon poezinë e parë të librit “Centauri i ri”, është e pamundur të mos kujtohet Zimurgu dhe “Konferenca e zogjve” e Attarit të Nishapurit.11 Duke qenë se uni poetik në katër strofat e poezisë “Zogjtë sozie”, shtron vetëm pyetje për prezencën e zogjve të ngjashëm, lind ideja e këtij zogu të pazakontë legjendash, ku pleksen në një identitet të vetëm shumë identite. (Në fund të fundit edhe vetë centauri është një identitet ambig midis njeriut dhe kalit.) Tek “Konferenca e zogjve” poeti persian Attari i Nishapurit, Zimurgut, këtij zogu përfaqësues i zogjve, i kushton një poemë me rreth 1400 rreshta ku e poetizon krejt legjendën mitike.12 Vetëm njerëzit e lashtë që i njihnin raportet mistike midis njeriut dhe natyrës dhe poetët mund ta njohin fuqinë e zogjve. Nuk dihet nëse Attari i Nishapurit i kishte lexuar sofistët grekë dhe Plotinin13, por midis filozofisë së tyre dhe teologjisë përkatëse të tij, del në pah panenteizmi14. Përveçëse del në pah dhe vetë përmes analizës, Moikom Zeqo e përmend shpesh në krijimtarinë e tij anima mundin, ose shpirtin e botës, sipas Plotinit. Në fakt ajo që i përbashkon Plotinin dhe poetin persian është pikërisht kjo teori. Sufistët dhe në përgjithësi religjioni i lashtë i shumë vendeve të botës, që nga Azia e deri tek actekët dhe fisi i njohur Maja në Amerikën Latine, e njihnin dhe praktikonin shkrirjen e një shumësie të identiteteve në një identitet të vetëm, - tek anima mundi, ose nous15, siç e quan ekzakt Plotini, ngase teologjia e tyre ishte panenteiste. Zogjtë e Attarit vihen në kërkim të Zimurgut dhe për këtë duhet të përballojnë sakrifica të mëdha, duke u sakrifikuar përmes shtatë luginave të sprovës së tyre. Dhe në fund, tek bashkimi me Zimurgun, ose tek shndërrimi në Zimurg, arrijnë vetëm tridhjetë prej tyre, vetëm ata që kanë arritur ta përballojnë sakrificën. Nga ana e tij edhe Plotini “e përshkruan ngjitjen e shpirtit për t’u bashkuar me Zotin, si një detyrë të vështirë dhe plot dhimbje.”16 Historikja, mitikja, dhe poetikja këtu i kanë shkrirë kufijtë e tyre duke hyrë aq thellë tek njëra-tjetra, aq sa mund të thuhet se janë shkrirë të gjitha në një. Mitikja e ekzagjeron përfytyrimin, historikja ndërton filozofikisht sistemin jetësor të njeriut dhe materies, dhe poetikja i vesh dy të parat me ndjesi, por tek secila prej tyre është secila sish e ndërfutur mjeshtërisht. Si tridhjetë zogjtë tek Zimurgu. Attari i Nishapurit, përveçese ishte poet i shquar e filozof i mesjetës persiane, ishte ndërkohë edhe teolog i madh i sufizmit. Vetë sufizmi, sipas një dijetari tjetër persian, El Birunit17, supozohet se e ka origjinën nga fjala greke sofia (σοφία), që do të thotë urtësi. Një poet si Moikom Zeqo, njohës i historive të largëta, i miteve dhe i shkrimeve të shenjta të popujve të ndryshëm, këtë kulturë të lashtë bazike të qytetërimit modern e shpërndan në vargjet e tij poetike, përmes reve apokaliptike prej smogu të epokës moderne. Ai nuk e përmend Zimurgun, por ky shpend i pazakontë legjendar del vetë nga konteksti, dhe ai në njëfarë mënyre është vëlla e bashkëmoshatar me krijesën tjetër të pazakontë të legjendave të lashta, Centaurin. Përfaqësimet e secilit prej tyre janë të ndryshme, por bota që i ka pjellë është pothuaj po ajo. Centauri i ri, sikurse Zimurgu persian, është një krijesë vigane e përbërë nga shumë njësi, të cilat janë pjesët përbërëse të bashkëkohësisë sonë. Centauri i ri është vetë planeti ynë kibernetik i kohëve postmoderne dhe populli i tij postmodern homo cybernetikus. Vetëmse tek Zimurgu bashkohet ajo që i mbijeton apokalipsit, ajo që arrin të mbijetojë në kushtet ekstreme, dhe pikërisht nga ky eksterimitet të pastrohet falë sakrificit. Një mit i tretë legjendar që vjen nga letërsia orale e indianëve të Amerikës, shfaqet befas tek poezia e Moikomit, madje për herë të parë në letërsinë shqipe. “Ajri mëngjesor është trans edhe paqe,/ gjestet e Hajvathës i përsëritin rrufetë.” (Makina e vjetër e shkrimit, fq. 90) Hajvatha, është miti i bashkejetesës së njeriut në mënyrë paqësore me gjësendet, dhe natyrën. Sipas Scholscraft18, Hajvatha  vjen i veshur me të gjitha atributet e njerëzimit, si dhe me fuqinë e kryerjes së veprave të mrekullueshme.19 Autori thotë se Hajvatha, përveçëse u bë model i një bashkëjetese në harmoni të njerëzve me njerëzit dhe të njerëzve me kafshët, ai mundej të vetëtranformohej në çdo lloj kafshe si dhe ishte në gjendje të bisedonte me të gjitha kafshët, zogjtë, peshqit dhe me zvarranikët, sipas nevojës.20 Sipas një autori tjetër që merret me qëmtimin e legjendave të indianëve të kontinentit amerikan, hapësira ku ishte përhapur legjenda e Hajvathës ishin pyjet e popullatës indiane të Pesë Kombeve, e cila përkon me territorin e Nju Jorkut të sotëm.21 Siç shihet, me Hajvathën, e cila ndryshe nga Zimurgu i metaforizuar, del me emër të përveçëm tek poezia e Moikom Zeqos, gjeografia e mitit zgjerohet deri në botë krejt të largëta edhe me vetë kulturën indo-europiane, e cila mbahet si kultura e miteve më inspiruese në historinë e qytetërimit. Ky është një tregues i qartë i interesit të thellë të poetit-arkeolog, për zanafillat e mendimit njerëzor mbi misteret dhe domethëniet e mëdha të ekzistencës njerëzore, konceptuar nga njerëzit e lashtë, në kohën kur homo sapiensi hidhte gjithë mundim hapat e parë drejt dijes vetëshkatërruese të racës së tij. 


__________

1Zeqo, Moikom; Vetullat hyjnore (proza nga kalendari i imazheve), Bota Shqiptare, Tiranë, 2012, fq. 5
2Zeqo, Moikom; Miscellanea 7, Tiranë, 2011, fq 30
3Zeqo, Moikom; Nostradami në 3 qershor, (antiprofecitë), Medaur, Tiranë 1999, fq. 103
4Po aty, fq. 120
5Zeqo, Moikom; “Sileni i Kurjanit”, (në)Vetullat hyjnore (proza nga kalendari i imazheve), Bota Shqiptare, Tiranë, 2012, fq. 16
6Zeqo, Moikom; Kujtesa e erës, (në ciklin poetik) Letra pas vdekjes, Nacional (gazetë javore, kulturore, letrare, politike), e diel, 14 prill 2013, fq. 5
7Zeqo, Moikom; Nostradami në 3 qershor, (antiprofecitë), Medaur, Tiranë 1999, fq. 119
8Po aty, fq. 180
9 Zeqo, Moikom; Për të lëvizur universet, (në ciklin poetik) Letra pas vdekjes, Nacional (gazetë javore, kulturore, letrare, politike), e diel, 14 prill 2013, fq. 5
10Zimurgu është krijesë mitike në mitologjinë persiane, i cili shpesh vihet në kondita krahasuese me Feniksin. Gjurmët e tij gjenden pothuaj në të gjitha periudhat e artit iranian dhe në disa prej vendeve të rajonit ku shtrihet influenca e kulturës persiane. Prejardhja e emrit, shpjegohet sipas etimologjisë popullore persiane; si-tridhjetë dhe murg-zog. Simurg, ose Zimurg, pra, tridhjetë zogj në një. Mendohej sipas legjendave se ishte shumë i lashtë dhe i madh pothuaj sa tridhjetë zogj bashkë. Këtij shpendi mitologjik poeti Persian Farid ud-Din Atari, i njohur ndryshe dhe si Atari i Nishapurit, i kushton një poemë epike me rreth 4500 rreshta, “Konferenca e zogjve”, ku përshkruhet legjenda interesante e Zimurgut.
11Farid ud-Din Atari (1145-1220), u lind në Nishapur, qytet në krahinën e Khorasan Razavit, në verilindje të Iranit. Ishte poet mistik, teolog sufist dhe autor i disa biografive të shenjtorëve sufistë. Nga vepra e tij ndikohen shumë poetë të mëvonshëm persianë si Xhelal ad-Din Muhamed Rumiu, Ali-Shir Navai, Muhamet Hafizi i Shirazit etj.
12Legjenda tregon sesi një grup i madh zogjsh të mbledhur në Kinë duan të gjejnë Zimurgun. Ky interesim ngjallet tek zogjtë, pasi mbreti i tyre Zimurgu ka lëshuar në qendër të Kinës një pupël magjike dhe tani ata vihen në kërkim të tij. Por për ta gjetur atyre u duhet të kalojnë përmes shtatë luginash e detesh, (si Dantja përmes nëntë rrathëve të Ferrit për të gjetur Parajsën ku është Beatriçja.) Gjatë rrugës pjesa më e madhe e zogjve ndahen nga tufa; ca ngordhin, ca humbasin rrugën, ca të tjerë kthehen nga rruga dhe tek Zimurgu në malin Kaf arrijnë vetëm tridhjetë prej sish. Këta tridhjetë zogj që arrijnë të futen në malin e Zimurgut, nuk e gjejnë Zimurgun, por tashmë të kalitur dhe të pastruar  përmes sacrificës janë vetë të denjë për të qenë secili prej tyre Zimurg. Më në fund ata e kuptojnë se secili prej tyre është Zimurgu dhe se Zimurgu vetë është secili nga ata.
13Plotini (204-270), filozof i madh i botës së lashtë, i cili i përkiste shkollës së neoplatonizmit. Ai ka lindur në Egjipt, por kombësia e tij ka qenë vazhdimisht e diskutueshme midis të qenit me prejardhje të pastër greke, romane, apo nga pakicat greke të Egjiptit. Plotini e zgjeroi dijen e lashtë filozofike duke u mbështetur në idetë e filozofëve të mëparshëm si Pitagora, Platoni, Aristoteli, Epikuri dhe në përgjithësi krejt shkolla e stoikëve. Vepra e tij kryesore ishte “Enneads”, për të cilën punoi shmë vite me radhë, dhe thuhet se ishte një përmbledhje e leksioneve dhe debateve të tij mbi çështjet e filozofisë, e cila i mbeti e parishikuar për shkak të shikimit të dobët.
14Panenteizëm (gr. pan[πν] - të gjithë + en[ν] - në + theos[θεός] – Zot; bart kuptimin etimologjik: gjithçka në Zotin, ose, ose gjithçka në Një. Kjo doktrinë teo-filozofike (le të kujtojmë neoplatonizmin e Plotinit, i cili mendon se shpirti njerëzor e ka burimin tek shpirti botëror, Anima Mundi) dallon nga panteizmi për faktin se panenteizmi e koncepton gjithçka në Zotin, ndërsa panteizmi e sheh Zotin si prani hyjnore në gjithçka. Për panenteizmin kozmosi nuk mund të identifikohet me Zotin, por mund të konsiderohet si diçka që ekziston në Zotin, ndërsa vetë Zoti është përtej kozmosit dhe gjithçkaje. Krijuesi është më shumë se krijesa e tij. Ky lloj konceptimi religjioz është i përhapur në shumë vende të botës; në të dy Amerikat, në fisin Maja dhe tek aztekët e lashtë, tek inkasit si dhe në kulturat e hershme afrikane, persiane dhe pothuaj tek të gjithë popujt e Azisë Lindore.
15Stumpf, Samuel Enoch; Filozofia, historia dhe problemet, Botimet Toena, fq. 122
16Po aty, fq. 124
17Ebu el-Rajan Muhamed ibn Ahmed el-Biruni (973-1048), i përmendur në gjuhën latine si Alberonius dhe në anglisht si El Biruni, ishte studiues i njohur persian dhe dijetar i shekullit XI.
18Schoolcraft, Henry Rowe.:The myth of Hiawatha, and other oral legends, mythologic and allegoric, of the North American Indians, Philadelphia; J.B. Lippincott; London; Trubner, 1856, p. 11
19Henry Rowe Schoolcraft (1793-1861) librin e tij me legjenda dhe gojëdhëna mbi indianët e Amerikës së Veriut ia dedikon Henry Wadsworth Longfellow-t (1807-1882), poet i njohur amerikan, i cili një vit më parë kishte botuar poemën “Kënga e Haivathës” (1855), një poemë epike e shkruar në tetrametër trokaik, si epi finlandez “Kalevala”. Longfellow është një ndër personalitet  më të shquara të shekullit XIX në Amerikë në fushën e krijimtarisë, të edukimit dhe të studimeve letrare. Në Shqipëri emri i tij njihet të paktën që nga viti 1916, kur Fan Stlian Noli përktheu në shqip poemën “Scanderbeg”, të shkruar nga Longfellow në vitin 1863.
20Schoolcraft, Henry Rowe.:The myth of Hiawatha, and other oral legends, mythologic and allegoric, of the North American Indians, Philadelphia; J.B. Lippincott; London; Trubner, 1856, p. 12
21Greene, Nelson; History of the Mohawk Valley: Gateway to the West 1614-1925 Vol. I, The S. J. Clarke Publishing Company, Chicago, 1925 (Chapter 9: Dekanawida and Hiawatha, pp. 167-186)



Historia dhe enciklopedia – poeti eksplorues


Në udhëtimet e tij virtuale me librat Zeqo gjen edhe vende edenike, madje ndoshta etnitete parakombëtare të arritura mrekullisht deri në epokën tonë, edhe atje ku nuk imagjinohen, në veri të Pakistanit, midis maleve në lartësitë 3000 m mbi nivelin e detit, siç janë hundëzakët.1 Ky entitet i mbyllur ishte i vendosur, sipas gojëdhënës së fshatit, në malet e Pakistanit aty rreth vitit 310 para Krishtit, kur pesë oficerë ilirë të ushtrisë së Aleksandrit të Madh, u ndanë nga ushtria që marshonte për në Persi (Indi2) dhe bashkë me gratë e tyre persiane kërkuan një vendstrehim.3 Sipas gojëdhënës ata u izoluan nga bota tjetër në kufirin ndarës midis Pakistanit dhe Kinës dhe ky entitet prej rreth dhjetë mijë banorësh, jeton akoma në luginën e lumit Huns duke u konsideruar si entiteti më jetëgjatë në botë, mosha mesatare e të cilit shkon nga 120-140 vjeç4. Në Fjalorin e Enciklopedik të Shekullit, një botim i jashtëzakonshëm, i bërë diku aty nga viti 19145, flitet diçka mbi hundëzakët, por duket se origjina e tyre ngatërrohet me hunët dhe popujt e Azisë Qendrore.6 Aty supozohet se ata i përkasin një race të degës turke uralo-altaike7, ndërsa një supozim tjetër i bashkon ata me racën fino-ugrike8, më konkretisht me finlandezët ose hungarezët e lashtë. Duket se akoma origjina e tyre nuk ka qenë e qartë në përcaktimin shkencor të prejardhjes së këtij identiteti, ose, ose siç ka më shumë të ngjarë, ata nuk konsiderohen fare nga autorët dhe vëmendja është përqendruar në popuj të tjerë si hunët, bartës të këtij antroponimi. Duke gjykuar mbi karakteristikat e tyre të pangjashme me pjesën tjetër të popullsisë fqinje, mbi jetëgjatësinë e pazakontë si në kohërat adamike dhe rezistencën ndaj agjërimit të gjatë pothuaj dy mujor në stinën e dimrit, ngase të ardhurat e prodhuara në tokat e tyre malore janë të pamjaftueshme, studiuesit e ndryshëm nga bota japin lloj-lloj versionesh mbi hunsët, ose hundëzorët, siç mund të quhen ndryshe sipas shqipes, ku sipas gojëdhënës së tyre rrjedh origjina e largët. Sipas të dhënave që i përmend edhe Moikom Zeqo pjesërisht tek etydi i tij i cituar tashmë, hundëzorët i ruajnë me efikasitet të mahnitshëm aftësitë shqisore të dëgjimit, shikimit dhe dhëmbët deri në moshën 70 vjeçare, madje janë në gjendje në këtë moshë ende të lindin fëmijë.9 Ata janë në gjendje të ecin në hapësirat e luginave të Himalajeve deri në 230 km në ditë pa u ndaluar.10 Dhe, po sipas këtij burimi, çka është më interesante tek këta njerëz janë bujaria, mikpritja, respekti dhe prirja e natyrshme për të qenë në humor dhe për të buzëqeshur.11 Duke u marrë përsëri me këtë komunitet të pazakontë, gjithmonë në kuadrin e zgjerimit të studimit, sipas piketave që vë poeti-arkeolog, mund të themi se sipas një alkimisti të shquar, Dr. Patrick Flanagan12, i cili në vitin 1997 u nderua si “Shkencëtari i Vitit” nga International Association for New Science13, sekreti i jetëgjatësisë së këtyre njerëzve qëndron tek fakti se ata konsumojnë vetëm ushqime bio, jetojnë në natyrë të pastër midis malesh përrallore me kuota lartësie deri në 7000 m, pijnë ujë akullnajash me përmbajtje mineralesh dhe silikati.14 Fituesi rumun i Çmimit Nobel mbi dinamikën e fluideve, Dr. Henri Coanda15, i cili i kishte kushtuar gjashtëdhjetë vjet studimit të ujit të Hunzës,16 del në përfundimin se ujërat akullnajore të kreshtave malore Hunza (Hundoz ose Hundëza), kishin tension të ulët sipërfaqësor, përmbajtje të lartë me pH alkalin dhe nivele të larta të hidrogjenit aktiv, si dhe një përmbajtje të lartë të mineralit koloidal,17 pothuaj të gjithë elementë të favorshm për rigjenerimin e qelizave.

Hundëzakët, kjo racë e vendosur në kufirin midis racës mongolide dhe europide, pavarësisht thënieve kontradiktore, mbetet një enigmë, gjasat më të mëdha të të cilës e çojnë origjinën e tyre në drejtim të popullit të lashtë ilir. Sikurse shqiptarët e sotëm, pasardhësit ballkanas të drejtpërdrejtë të ilirëve, të cilët sipas studiuesve europianë kanë ruajur mrekullisht shumëçka nga pasuria e lashtë kulturore18, të cilët, qoftë  nga cilësitë fizike, qoftë nga cilësitë morale, janë një ndër racat më të bukura e më të pastra të Orientit dhe të vetë Europës19, edhe hundëzakët duket se nuk bëjnë përjashtim nga kjo origjinë. Vallja e tyre ngjan jashtëzkonisht me vallet shqiptare. Edhe nga aspekti antropologjik hundëzakët nuk ngjajnë aspak me popujt e Azisë qendrore, as me popujt mongoloid. Në aspektin historik qasja e Zeqos ndaj këtij aspekti të diskutueshëm të qenësisë ilire të ketij etniteti, pavarësisht vërtetësisë së tezës, tregon lidhjen e fortë të vetëdijes poetike me vetëdijen historike tek formimi intelektual i tij. Kjo vetëdije, vjen si një vetëdije e natyrshme e poetit për marrëdhëniet e lexuesit me botën dhe me historinë.20 Në materien letrare historia e kthjellon dijen e lexuesit mbi evoluimin e historisë dhe natyrisht e zgjeron gjeografinë konjitive të saj. Në aspektin e fenomenit të jashtëzakonshëm të jetëgjatësisë dhe shëndetit të kësaj popullate, Moikomi tek hundëzakët, shikon të vërtetohen tezat e ij dhe të letërsisë moderne që industrializimi i botës po sjell dhe shkatërrimin e natyrës dhe të njeriut. Në Hunza nuk ka arritur ende Centauri i ri i postmodernes, e kjo është një nga arsyet e forta që banorët e atjeshëm rrojnë ende me jetëgjatësinë e pabesueshme dhe me shëndetin e kohërave biblike. Këtu bashkohen dija historike dhe poetike, e besueshmja dhe e pabesueshmja, të cilat transformohen në materien e tekstit, dhe nga materia e tekstit në dijen e receptuesit, i cili është subjekti i vendosur drejtpërdrejt në raport me botën dhe me historinë.






____________

1Zeqo, Moikom; Adami i fshehur, (tregime, rrëfime onirike dhe etyde), Bota Shqiptare, Tiranë, 2009, fq. 181-184
3Zeqo, Moikom; Adami i fshehur, (tregime, rrëfime onirike dhe etyde), Bota Shqiptare, Tiranë, 2009, fq. 182
5The Century Dictionary (An Encyclopedic Lexicon of the English Language), ©The Century CO., 1889...-1914; Printed by: R. R. Donnelley & Sons Company, Chicago, p. 2919
6Azia Qendrore përfshin popujt e Kazakistanit, Kirgizistanit, Turkmenistanit, Uzbekistanit, Mongolinë, Afganistanin, si dhe disa pjesë nga Irani, Rusia dhe Xinjangu, ose e njohur ndryshe si popullsia e ujgurëve.
7Raca uralo-altaike, në antropologjinë e shekullit XX, konsiderohen popujt e Azisë Qendrore dhe Kazakistanit, si vende në kufij të ndarjes së racave europide dhe mongoloide.
8Fino-Ugrik konsiderohen disa prej popujve të Euroazisë që flasin gjuhë të familjes ugro-fine, si; finlandezët, estonezët, hungarezët, mordvinsët, udmurtsët etj.
11Po aty.
12Dr. Patrick Flanagan, u lind në Oklahoma më 11 tetor 1944 dhe mbahet si një nga autorët dhe shpikësit e shquar amerikanë të epokës së re. Këtij shkencëtari i njihen patentat e mbi 300 shpikjeve.
13Dr. Patrick Flanagan; Towards a New Alchemy-Healthrays: www.healthrays.com/dr-patrick-flanagan
14Hunza Water ~ the Secret of Longevity; http://www.flantechasia.com/page86.html
15Dr. Henry Conada (1886-1972), shkencëtar rumun, inxhinier, pionier i aviacionit dhe shpikës i avionëve reaktivë modern. Emrit të tij i atribuohen mbi 600 patenta shpikjesh. Një ndër zbulimet e tij ishte dhe dinamika e lëngjeve, ku merret në një analizë studimore të gjatë uji i Hunzës, si një ndër ujërat më të veçanta në botë, i cili besohet se ndikon në jetëgjatësinë e banorëve të këtij rajoni në kufirin midis Kinës dhe Pakistanit.
17Po aty.
18Ugolini, Luigi M.; Albania Antica, volume I, Ricerche Acheologiche, Societa Editrice D’Arte Illustrata, Roma-Milano, MCMXXVII, p. 4
19Po aty.


Petrit NIKA

2013



No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat