Thursday, May 17, 2018

SHEJZA SHTRESORE



(Semantika në poezinë e Petrit Nikës) 

Flurans Ilia

Na të birtë e shekullit të ri...
(sipas Migjenit)



Në ag të këtij shekulli Shqipëria sapo kishte mbushur një dekadë në kapërcyell të shkallares së shkalluar të enumeracionit (të tranzicionit). Rrëshqanthi e me zbythje, me dhimbje shpesh të dhunshme, rridhte pika mbi ujë e gjuhës sociologjike në këtë vend të vogël ku në pamje të parë, në peisazhin e fjalës, në “kthinën e letërsisë” nuk ndodh asgjë ...
Strabizëm! Sepse mu në vitet e para të demokracisë, një grup poetësh kishin dëshmuar ndryshim në “kornizën e fjalës” nëpërmjet një teknike ku ngjyra e shpalosjes, ishte më se Epër7shme.
Pamja e fjalës kishte kapërcyer kornizën e vet. Pa u kuptuar, Fjala (qëllimisht me germë të madhe!) kishte paraprirë atë çka vinte më vonë. Ishte bërë strehë për një brezni poetësh të cilët, të hallakatur në emigrim, të porsa dalë nga studimet, vetmitarë e pa mbështetje, kryesisht të etur për fjalën, kërkonin vijueshmërinë e saj.
Goglat e numëratores së enumeracionit dhe zaret e tranzicionit, vazhdonin të përthithnin ethshëm vite, ëndrra, jetë, në jerm të artit dhe së bukurës, asfiksuar nga terri.
Kjo kategori letrarësh udhëtonte kokulur përmes terrinës, me vetëdije letrare dhe prurje, në pejsazhin e fjalës.
Këta poetë, ishin pjesë përbërëse e asaj çka vazhdon të konsiderohet si një “copë kthinë kalimtare” ku (sërish) nuk ndodh asgjë...
Në këtë atmosferë si sferë qarkon shprehja migjeniane e poetit Granit Zela i cili në një nga mbrëmjet e shumta të Tiranës së atyre netëve kur, iknin dritat dhe lexohej veçse me optikën e imagjinares, konstatoi se “Ne jemi shkrimtarë të territ.”


Drita e një qiriu të vetëm sfidon gjithë terrin e botës.
(anonime)

Nuk e di se nga cili shteg i pavetëdijshëm i vetëdijes më vjen në mendje thënia e mësipërme, por, jam i vetëdijshëm se nga ky këndvështrim, nga kjo rrugicë, duhet t’i përqasemi ngrehinës së poezisë së poetit Petrit Nika. Jo thjesht si ndijim, apo koordinatë gjeografike. Më e pakta për ta kuptuar atë.
Është muzg apo ag, pranverë apo vjeshtë, klima prej ku kalëron muza e tij? Baladë apo epos? Muzë, ëndërr, apo zhgjëndërr? Baltë apo qiell? Pegasos apo Njëbrirësh? Mit apo realitet? Një muzë e veshur me pah vërtetë të çuditshëm drite! Dihatje tërësisht burimore. Burim i brendshëm. Mërmërimë në formë lutjeje. Një “Cappella” ku vokalisti performon pa shoqërues. “Adagio”, apo “Allegro”? Psalm apo polifoni? Si e porsadalë nga thellësia (e tokës).
Poezia e Petrit Nikës përngjan me vargjet e nëndheshme shekullore të karbonit, shtresime të cilat duhet t’i gjymtosh për të mbërritur aty ku gjendet diçka vërtetë e rrallë, si për shembull, diamanti. Këtë gurë të çmuar Petriti e ka gjetur te fjala dhe nëpërmjet saj. Ashtu në heshtje, kokulur, përmes galerisë së territ, poeti e ka matur me hekzametër dhe pa brohorimë. Ka vazhduar punën e vet me të duke e përpunuar dhe duke i dhënë “preçizonin” e zemrekut të një ore artizanale zvicerane. Nuk po flasim vetëm për korrektësinë klasike që mjeshtri ndjek me strofat si strukturë. Petrit Nika është një nga lëvruesit, do e dëshmonim pa ngurim, më të rreptë madje, në rregullsinë e vargut. Duke i falur shqipes vendin që i takon. Duke e formatuar brenda në poezi pa ia prishur strukturën. Çka dihet se është një disiplinë e vështirë. Bëhet fjalë për mirëvendosje (gati matematike) të çdo bashkëtingëlloreje në formacionin e vargut. Kujdes! Jo rastësisht vura në dukje bashkëtingëlloret. Automatikisht kjo na shpie tek struktura, themeli dhe muret mbajtëse të poezisë. Për ta veshur poezinë e tij më tej me një kriter tjetër të domosdoshëm. Muzikalitetin e fjalës. E kryesisht ritmin. Ky është shpirti, fryma e poezisë. Gjë të cilën poeti e kryen nëpërmjet zanoreve, kordave vokale, aq sa njëherë që je i futur brenda vargut të tij, ti si lexues fillon dhe ndijon muzikë. Po. Me pasion, me pagjumësi, me dritësi, e kryesisht në heshtje, Petrit Nika ka kompozuar, jo thjesht akorde lineare, por një “counterpoint”, që janë dy ose tre linja muzikore të luajtura në të njëjtën kohë. Pra, siç vërehet, nuk kemi të bëjmë me lojë fjalësh, por me një mësymje të gjithëkahshme. Puna e tij, sikur edhe me çdo gurë të çmuar, është tërësisht punë artizanale, nuk ka të bëjë me prodhimin në seri të sloganit: Made in Plastica! Kjo për të gjithë ata që janë të dashuruar me efektin karikues të orave me bateri.
Njëkohësisht ky është një ogur i mirë ndarës besoj, për të gjithë të tjerët që i pëlqen ende kurdisja e sahatëve antik, nëpërmjet vizionit modern poetik të poetit. Kjo për të gjithë ata që kanë mundur të vërejnë, shenjojnë, shejza leksikore nga tërësia semantike e veprës së zotit Nika.
Petriti e ka kuptuar këtë fakt dhe rrethanat të cilat e lidhin pazgjidhshmërisht me të qysh herët. E ka pranuar me vetëdije, sikur fatin i tij prej poeti.
Ka ardhur koha, nëpërmjet këtij vëllimi poetik, që Petriti të na hapë portën e ateliesë së tij. Kjo për materialistikën që konsumon vetveten dhe ditët tona, vazhdon të jetë po ajo “copë kthinë kalimtare”, ku (sërish e sërish) nuk ndodh asgjë ... Por për pjesën tjetër syçelët, ka ardhur koha të përballet me një botë të bukur, sovrane dhe të përjetshme. “Në edhe nëse nëpër ne ngadalë nanuriset netëve,/ një rrjedhë e trishtë e mendimit safi bohem,/ jehu jerm i jetës - jeratisur në jetë të jetëve,/ kthehet flauri në kafkullin e së djeshmes totem.”
Ka ardhur koha të ndihemi, qoftë edhe për pak çaste, të mbështjellë me një pah nanuritës drite të së djeshmes. Është po ajo dritë lasgushiane që mbartim si trashëgim nga atdheu i përjetshëm i poezisë.
Malli për kohën e ikur nuk është ngushtësisht qenia, si njësi dhe shestim në kohë. Kryesisht është hapësira e njësuar me atdheun, Zotin, natyrën, metafizikën, mistikën, poezinë dhe shpirtin binjak të botës.“Dhe shkrihemi pa zë në amzën e âmël të atdheut.”
Si përmasë dhe fjalë, brenda këtyre caqeve gjallon gjithashtu edhe realiteti që çapitet në klimatin tipik të poetit. Ndërmend më vjen “Njeriu që ecën” skulpturë e vitit 1960 nga ekzistencialisti Alberto Giacometti. Ky është personazhi, njeriu i sotëm i këtyre ditëve. Çasteve. Vet qenia e dalë nga balta që ecën mbi baltë për t’iu rikthyer baltës.
Ky është realiteti në poezinë e Petritit. Një tjetër hapsirë e gjerë semantike. Realiteti i librit. Realitet leksikor. Ky është realiteti i çdo lexuesi. Realiteti i poezisë. Ky është realiteti i të gjithëve ne. Me përjashtim të një njeriu të vetëm. Donjetës. Bijës së Petritit. Lexueses së ardhshme të këtij libri, lexueses që nuk do ketë nevojë për retorikën e kësaj parathënie, lexueses së veçantë, lexueses universale, lexueses së drejtpërdrejtë, e cila, e cila një ditë, vetëm ajo dhe askush tjetër, do ndijojë përmes këtyre vargjeve gjithë atë univers të pashtershëm që mbartet pezull si galaktikë e panjohur brenda atit të saj, dhe që për hir të pamundësive nuk mundi të përqafet me realitetin e fëmijërisë.



Montreal, vjeshtë 2016





No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat