Melsen Kafilaj
“Nëse do të mungonte fantastikja, letërsisë do
t’i mungonte kërshëria” – (J. Saramago)
Tek një
shkrimtar, përgjithësisht realist, si Petrit Nika, sigurisht nuk kishte se si
të mos na tërhiqte vëmendjen ky tregim me një stil “kaq ndryshe” i tij. Dhe e
veçanta ka një prirje të brendshme që njeriun ta tërheqë drejt saj dhe ta bëjë
për vete. Pikërisht kjo “veçantësi” më shtyu ta rilexoj tregimin në një nivel
më të thellë dhe të shkruaj sot për të. Kur lexuesi ka reshtur së lexuari
tregimin “Vizitori misterioz i natës”, pjesë e përmbledhjes me tregime
“Fyelltari”, (2014) e ka thuajse të pamundur të mos i shkojë mendja tek
realizmi magjik dhe tek emra të tillë si: Buzzat-i, Asturias-i, Cortazar-i,
Llosa, apo emblema e tij Gabriel Garcia Marquez. Kjo sepse tonaliteti dhe
hapësirat ku përzihen pazgjidhshmërisht realiteti dhe mistika janë të tilla, fryma
e magjikes dhe fantastikes e dekonturojnë realitetin në këtë narracion.
Nëse i
bëjmë një përkufizim literal shkollës së realizmit magjik, na rezulton se ai
nuk është gjë tjetër “veçse zgjerimi i realitetit me elementët e joreales”. Po
ku qëndron magjikja dhe fantastikja në këtë tregim?! – lind natyrshëm pyetja.
Në të vërtetë, në të vërtetë, letërsia në vetvete është një akt magjik.
Fantastikja dhe magjikja qëndrojnë në “të thënët e formulës” nga ana e autorit.
Diçka të cilën ka arrritur ta mishëroj mjeshtërisht.
Por le
të futemi në brendësi të krijimit letrar për ta kuptuar më mirë këtë fakt.
Subjekti i ngjarjes zhvillohet ndoshta në “Masada-n e Krishtërimit Katolik”
(Pukë), ose në ndonjë trevë tjetër veriore. Me këtë besim, pasi autori e zë
fill narracionin me një ngjarje që ndodh me datën 30 mars, buzëmbrëmjen e një
të Shtune të Shenjtë (një ditë përkushtimi fetar kjo për besimtarët katolik).
Ardhja e të huajit duket se “parashikohet” nga Nikolla, nipi riosh 27-vjeçar, i
cili i paralajmëron gjyshen dhe motrën e tij për vizitën e mundshme të këtij
njeriu.
Deri
këtu çdo gjë është e zakonshme. Pas “zënkës” së vogël familjare mes të treve në
lidhje me mikpritjen, ose jo të të huajit, situata nis të bëhet “intriguese”
sapo ai shfaqet befasisht tek porta. Një ngjarje e cila shpalos më tej
dikotomitë, zbërthimin psikologjik, kontradiktat dhe unin real të personazheve.
Autori,e
krijon situatën konfliktuale përmes një përplasjeje antinomike. Përballë
zakonit të lashtë të mikpritjes prej malësori të mirë të Nikollës, ai vë
harbutërinë dhe indiferencën e mikut misterioz, i cili jo vetëm që nuk i
begenis familjarët, por ngutet të hyjë në odën e pritjes pa folur me njeri, të
cilën e gjen menjëherë edhe pse nuk kishte qenë asnjëherë më parë aty. Ky
vizitor i çuditshëm, jo vetëm që tregohet “indeferent” ndaj mikpritjes
shqiptare dhe ceremonive të thjeshta që e karakterizojnë, por edhe “baltosës” i
pastërsisë së saj, të cilën Miss Durham e lavdëronte dikur gjer në qiell.
Dikush
tjetër nuk do ta toleronte këtë sjellje. Por ata, si shqiptarë mikpritës dhe të
krishterë të mirë që janë, nuk bëzajnë fare dhe e tolerojnë mikun. Ndoshta iu
kujtohet Loti biblik, i cili pa e ditur, mikpriti në shtëpinë e vet edhe
ëngjëj. Ndoshta duke u nisur dhe nga maksima e famshme e Kanunit: ”Shtëpia
është e mikut dhe e Zotit”. Këtë nuk mund ta dime saktësisht, vetëm na ngelet
ta marrim me mend. Ajo që dimë me siguri është që kjo familje i përmbush
njëherësh të dyja urdhërimet; tokësore dhe hyjnore.
Gjithçka
hidhet me penelata të shpejta dhe rrjedh me një gjuhë lakonike “ala
Buzzat-iane”, e shoqëruar nga triniteti i tre simboleve mistike: Uji, Buka dhe
Vera, të trija me një natyrë funksionale të caktuar brenda tregimit. Dhe
kërkesa e parë që del nga goja e të huajit që futete në shtëpi është: “Ujë!”.
Ai, sapo ulet, i paraqet mikpritësit kërkesën për t’i sjellë ujë. Dhe uji është
jeta, përtëritja e shpirtrave të tharë, burimi i së gjallës dhe më tej akoma
është pastrimi. Kjo është një sprovë dhe këta njerëz janë aq bujarë saqë ta
ofrojnë me zemër atë. Megjithëse i huaji e vazhdon sprovën duke e derdhur
gjysmën e ujit jashtë ndërsa e pi, nga goja e këtyre njerëzve të varfër, por të
urtë, të këtyre anëve, nuk del asnjë fjalë e keqe. Sepse kush fyen mikun,
vazhdon Ligji i Lashtë, fyen atë që e ka dërguar atë, – d.m.th., Zotin.
Autori e
përshkallëzon situatën me përpjekjet dhe pyetjet e shpejta të dy të rinjëve, të
cilët kërkojnë ta rrëmojnë dhe ta zhbirojnë mendërisht atë. Një përpjekje me sa
duket e kotë, pasi i huaji, ose ua kthen thatë përgjigjet, ose nuk tërhiqet nga
e vetja, duke i anashkaluar krejtësisht ata dhe pyetjet e tyre pa e hapur fare
gojën. Kjo kryeneçësi dhe mosdëshirë për komunikim nga ana e tij, bën që të
lindë në zemrën e të rinjve egjra e dyshimit. Një mendim i dyshimtë vjen
rrotull në kokat e tyre: Kush është vallë ky njeri?! Një i çmendur? Një vrasës?
Një sharlatan profesionist, apo dikush tjetër?!
“Mos
nxit në zemrën e vëllait tënd mendime të liga!”- thotë Bibla. Pikërisht në këtë
moment, me një shkathtësi verbale dhe dramacitet të lehtë, autori Petrit Nika
bën kthesën e madhe. Vizitori “i çuditshëm”misterioz, i parruar,
flokë-kërleshur dhe me petka varfërie, nis të flasë dhe t’iu predikojë me gjuhë
zjarri këtyre njerëzve të thjeshtë e të varfër, për diçka të madhe; për Paqen!
Duart e tij të ngritura si shpata drejt qiellit mallkojnë mëkatin dhe gjithë
mëkatarët e kësaj bote të prapë, të cilët kanë thyer zinxhirin e harmonisë së
njerëzve në tokë me krenarinë, egoizmin dhe lakminë e tyre. Për më tepër, duke
kumbuar me të madhe – po huazoj një frazë nga John Milton: ”Ne jemi Ferri.”
Predikimin e tij vizitori i çuditshëm e mbyll me: “U shofshin që të gjithë!”
Dhe një zjarr i fashitur, dhe një zemër e plagosur, dhe një kokë e madhe ndër
duar që dënes në heshtje. (Një përshkrim rrënqethës dhe me të vërtetë i denjë
për këtë oshënar që mëtohet të jetë i shenjtë.)
Pastaj
rënia në ekstazë dhe e folura me një “lingua Adamica”, e cila Nikollës nuk i
tingëllon si latinisht, e fut në mendime dhe zgjon në shpirt dyshimet mistike
tek i riu. Pasi lavdëron në këtë gjuhë të panjohur, asketi bie përmbys në
dysheme dhe i kredhur ashtu në atë moment paqeje, humbet brenda atij harrimi
përdëllimtar. Momenti kur ai ngrihet dhe e shikon me kthjelltësi shpirtërore
djaloshin është një moment kulminant, i përzgjedhur me finesë nga autori, pasi
përmes tij ky udhëtar i palodhur dhe endacak jep mesazhin: ”Eshtë i
pamëshirshëm fati dhe e dobët qëndresa jonë”- deklaron ai. Dhe është krejt e
kotë kjo gënjeshtër e madhe që i bëjmë vetes. A nuk është kjo e njëjta fjalë e
frymëzuar si te Kohelet “Predikuesi”: ”Të gjitha kanë të njëjtin fat” dhe
“gjithçka është kotësi e kotësive?!” Duke dhënë më pas elemente biografike nga
jeta e personazhit kryesor, autori Nika kërkon të na e qartësojë profilin e
këtij asketi, i cili ndjen keqardhje, por jo për veten e tij. Është një
keqardhje e shenjtë, e cila e ciflos frymërisht dhe e bën të ndihet fatkeq për
lidhjet e dashurisë që vetë njeriu i ka këputur me këtë botë të krijuar për
njeriun. Ai, siç na jepet edhe në tregim, tregon se i ka mposhtur dëshirat dhe
i ka prerë kryet lakmisë – dy të këqijat më të mëdha të njeriut që e kthejnë në
antagonizëm gjithçka. Dhe po të perifrazojmë Sokratin: “Sa më pak dëshira të
kesh, aq më shumë je pranë shenjtërimit!” Përmes gojës së tij, përmes sjelljes së
tij të jokësobotshme, në mënyrë të nënkuptuar ne mësojmë se ky asket e ka
fituar këtë aureolë.
Një
moment tjetër i spikatur është simboli i dytë, pra Buka (Darka). Në Bibël,
Darka e Shenjtë është simbol i dashurisë (agape) së Krishtit për dishepujt, por
edhe të dishepujve për njëri-tjetrin. Sepse vet Profeti thotë: ”Ta doni
njëri-tjetrin ashtu siç më keni dashur mua!” Buka në teologjinë e krishterë
është edhe symbol i flijimit. Jeta ushqehet me jetë! Diçka duhet të
sakrifikohet, që të ekzistojë diçka tjetër. Gjyshja, si një e krishtere e mirë
që është, përpos kundërshtimeve të rioshëve për të mos u ulur në tryezë me të,
vendos të bëjë të kundërtën që kërkojnë ata duke e shtruar darken pikërisht aty
ku dëshiron edhe miku. Sepse ç’kuptim ka që të Shtunën e Shenjtë të shtrohet
një darkë veç e veç dhe asaj t’i mungoj elementi më i rëndësishëm, d.m.th.,
mbledhja së bashku dhe dashuria?! Sepse porosia e dytë më e rëndësishme e
Krishtit është: ”Duaje të huajin porsi të afërmin tënd!” A nuk mëton
përmbushjen e kësaj porosie me veprën e vet e moshuara?!
Mbarimi
i Darkës na jep një detaj tjetër interesant të përzgjedhur me vetëdije krijuese
nga autori; shfaqjen e kërkesës së dytë dhe të simbolit të tretë nga ana e tij,
pra të Verës. Vera është symbol, jo vetëm i gjallërimit shpirtëror dhe i gjakut
të Krishtit, por edhe i jetës së re. Dhe pyetja e vizitorit misterioz tingëllon
si “Trokitja e Fatit” e Bethovenit: ”A s’ka një gotë verë në këtë shtëpi?!” Por
vera mungon. Asketi dëshiron të bëj euharistinë dhe ta bekojë kupën e verës për
të përkujtuar Krishtin e varfër në këtë shtëpi, po aq të varfër. Euharistia nuk
kryhet. Gjaku mungon, por Dashuria është ende e pranishme në këtë familje.
Një
tregim, i cili ka një mbyllje po aq fantastike. Asketi, vizitori misterioz, apo
oshënari i shenjtë, (quajeni si të doni), largohet befas nga shtëpia pas
mesnate, pa u ndjerë, pa i shqetësuar këta miq të varfër që i ngjajnë grigjës
së tij, për të mos u kthyer më, “i ndjellë mesa duket nga shiu që kish filluar
sërish të binte”. Ai ka dale nga dritarja të cilën e tund era dhe jo nga dera
siç dalin të gjithë vizitorët e zakonshëm. Nga Levi Strauss informohemi se shiu
mes popujve të lashtë ishte simbol i shpresës, ripërtëritjes dhe jetës së re. A
mos dëshironte të linte pikërisht këto pas tij në këtë familje përmes largimit
të beftë pas mesnate, nëpër shi?! “Ku është fantastikja këtu?!”, mund të pyesin
sërish me insistimata “shkarrashkruesit letrarë” dhe ata më skeptikët që i
bredhin vetëm në sipërfaqe tekstet letrare. Epo n.q.s., ju nuk e quani
“vizitën” e Shën Franceskut të Assis-it (shenjtorit të shek. XII-të),
predikimin dhe mesazhin e tij në atë kohë diçka “fantastike”, përkimi në këtë
krijim artistik është unik dhe faji nuk është i autorit Petrit Nika, as i imi
që po i shkruaj këto radhë. Faji është i vetë atij, i cili nuk e kupton me të
vërtetë se ç’do të thotë të prekesh nga zjarri i trazuar i realizmit magjik.
Shkurt
2016
Burimi: http://www.gazetadita.al/fantastikja-tek-vizitori-misterioz-i-nates/
No comments:
Post a Comment