Dy
kodet e martesës si “thembra e Akilit” për rendin patriarkal
Martesa është një ceremoni e vjetër, e cila
shoqëron bashkimin e dy individëve për të jetuar bashkë sipas disa kodeve të
përcaktuara dhe premtuara para martesës dhe gjatë martesës. T’i pyesësh njerëzit
sot në rrugët e nje qytetit se ç’është martesa, shumica do ta lidhin me disa
përgatitje e detyrime paraprake si: përzgjedhja
e të ftuarve për dasëm, zgjedhja e veshjeve, e dekorimeve të sallës së dasmës,
zgjedhja e recetave të gatimit si dhe gjetja e dy dëshmitarëve të përgjegjshëm për
kurorëzimin. Pjesa e parë e martesës edhe në ditët tona shihet më shumë si argëtim
dhe kenaqësi. Martesa zyrtarisht dhe sot vazhdon të jetë një kontratë e ritualizuar
që krijon një partneritet ligjor midis dy individëve. Kjo kontratë përcakton të
drejtat dhe detyrimet e secilit partner.
Në aspektin social, martesa merr
karakteristika etnike dhe krahinore, por edhe fetare, sipas rastit dhe
shpërndarjes gjeografike – gjithësesi ne thelb – gjithkund martesa nënkupton
bashkimin e dy partnerëve dhe përkushtimin e plotë e besnikërinë e përjetshme
midis tyre.
Nëse flasim për origjinën e martesës, mund
të themi se besohet se institucioni i martesës e ka zanafillën që në botën lashtë
si një mënyrë për ruajtjen e pushtetit, ruajtjen e aleancave, trashëgimin e
tokës dhe pasurisë si dhe sigurimin e trashëgimtarëve të ligjshëm. Pra duket se
martesa ka filluar me patriarkatin, i cili krijoi konceptin e pronës dhe
trashëgimisë. Ajo gjithashtu shihet si
një mënyrë e organizimit të familjes, dhe si shumica e institucioneve të tjera
shoqërore, tradita e saj ka evoluar gjatë shekujve. Por nga dolën rregullat e
lashta të martesës dhe cili ishte thelbi i tyre?
Provat më të hershme që dokumentojnë martesën
si një kontratë me rregulla te përcaktuara, datojnë të paktën rreth 4,000 vjet
më parë në ligjin sumerian, shkruar me kueinform në Kodin e Hamurabit. Ky kod i
lashtë ligjor përmban tridhjetë e tri urdhëresa specifike që përcaktojnë të
drejtat dhe detyrimet e çifteve të martuara. Aty ceken tema që kishin të bënin
me natyrën e martesave në shoqërinë e lashtë, si: çmimi i nuses, divorci, detyrimi
martesor, inçesti dhe shkelja e kurorës. Konceptet e mirëmenduara që
dokumentohen në këtë tekst 4000 vjeçar, tregojnë qartë se rregullat që
shoqërojnë një lidhje martesore kanë një të kaluar shumë më të lashtë se vetë
Kodi i Hamurabit. Sa më shumë të shtyhemi
në thellësitë e errëta të historisë, aq më shumë gjejmë fakte bindëse mbi
rëndësinë që i është dhënë institucionit të martesës në të gjitha kohët, në të
gjitha vendet dhe në të gjitha kulturat e botës.
Eksploruesit e hershëm, ndërsa udhëtuan
nëpër botë për të zbuluar e studiuar kulturat, që ne fillim mblodhën
informacione befasuese në lidhje me martesën. Ata zbuluan se edhe etnitë më të humbura,
në dukje primitive, me të cilat komunikuan, kishin gjithashtu sisteme të
përcaktuara mirë që rregullonin martesën.
Nëse shikojmë primatin më të afërt me
njeriun, shimpanzenë, koncepti i çiftëzimit monogam nuk ekziston te kjo specie.
Nuk ekziston sepse nuk është pjesë përbërëse e kodit të tyre gjenetik koncepti i
saj. Shimpanzetë nuk zotërojnë një shtytje të brendshme që t’i nxisë partnerët
meshkuj dhe femra të lidhen besnikërisht midis tyre. Në vend që të krijojnë një
lidhje të tillë martesore të pandarë, predispozicioni i tyre është të
çiftëzohen rastësisht dhe me shumë partnerë.
Nëse detyrimi për t'u lidhur me
bashkëshortin tonë nuk është pjesë e materies sonë gjenetike, atëherë vallë a
është koncept që e kemi krijuar vetë ne raca njerëzore, si pjesë të evolucionit
të vetëdijes shoqërore? Antropologu britanik, Ashley Montague vëren se “nuk ka
shoqëri njerëzore ku martesa nuk ekziston”. Sipas tij gjithashtu, nëse
martesa do të zhvillohej në mënyrë të rastësishme, apo evolucionare, martesa do
të ekzistonte në disa kultura, por jo në të tjerat. Sistemet e lashta të
ligjeve martesore që ai zbuloi rreth globit ishin jashtëzakonisht të
qëndrueshme, aq të qëndrueshme sa pionierët e hershëm të antropologjisë konkluduan
se kjo traditë mban vulën e një "organizimi të qëllimshëm".
Grupet e popujve nativë që u anketuan, gjatë
këtyre hulumtimeve, zbuluan një sistem të kontrollit shoqëror, për të cilin ata
besonin se ekzistonte shumë përpara ligjeve tona moderne dhe sanksioneve të
tjera të nënkuptuara nga instancat juridike e shtetërore. Ata besojnë se këto
rregulla fillestare, ose “tabu”,
evoluan nga rregulla e kode të thjeshta grupimesh shoqërore, derisa u
kodifikuan në urdhërime fetare, apo ligje laike, shumë prej të cilave kanë
mbijetuar deri më sot.
Martesa që në fillesat e veta rrethohej nga
tabutë. Fjala “tabu” rrjedh nga gjuha polineziane dhe nënkupton një gjë rreptësisht
të ndaluar. Dy nga tabutë më të lashta, më të gjata dhe më të qëndrueshme në
histori, të ndeshura në gjithë botën, të cilat sanksionojnë martesën, ndalojnë marrëdhënien
seksuale me një grua të martuar (në tradhti bashkëshortore) dhe martesën apo marrëdhënien
seksuale me persona brenda fisit (inçestin).
Shumë kultura ende sot e konsiderojnë
tradhëtinë bashkëshortore një krim shumë të rëndë. Në disa vende, madje edhe në
disa shtete të SHBA-ve ekzistojnë dhe sot ligje që parashikojnë ndëshkime të
caktuara për “thyerjen e kurorës”, të cilat variojnë nga dënimet me gjoba deri
tek privimi i lirisë me burgim.
Tradhëtia bashkëshortore ishte një vepër
shumë më e rëndë në antikitet. Në Bibël, për shembull, një nga dhjetë
urdhërimet thotë: "Mos shkel kurorën e shenjtë". Kurora martesore nga
kisha katolike ende sot konsiderohet sakrament, pra e shenjtë. Në kohë të
lashta individët e kapur në situata kompromentuese dënoheshin me vdekje. Në
Kodin e Hamurabit, nëse një grua e martuar akuzohej se shkonte me një burrë
tjetër, ajo ndiqej penalisht dhe dënimi ishte me vdekje. Ligje dhe dënime të
ngjashme janë dhe në kulturat native. Në Polinezi, dënohesh me vdekje edhe sot të
prekësh grua të martuar. Në Zimbabve, dënimi për tradhti bashkëshortore është gjithashtu
me vdekje edhe sot. Romakët e lashtë, kurorëshkelësit i dëbonin në një ishull
larg familjes dhe qytetërimit. Në kulturat indigjene të Amerikës, gruas së
pabesë i gjymtohej trupi, ndërsa aztekët për tradhëti fajtorin apo fajtorët i vrisnin
me gurë. Pothuajse në të gjitha kulturat
e botes tradhetia bashkeshortore është e denueshme. Por dënimet më të medha
parashikohen të bien mbi gruan, sepse kultura e rendit patriarkal atë e shikon
si përgjegjëse për ruajtjen e pastërtisë së kodit gjenetik.
Në të gjitha kulturat duket se ligjet,
detyrimet, sanksionet dhe tabutë që lidhen me martesën përshkruhet se vijnë gjithmonë
nga i njëjti burim - zemërimi hyjnor. Tekstet biblike nxjerrin përfundime se vetë
Zoti i ka caktuar ligjet që duhet të respektojmë në jetën tokësore. Një
referencë e ngjashme qiellore gjendet dhe në sistemin ligjor të Kodit të
Hamurabit. Në kulturat indigjene gjithashtu ekziston frika nga ndëshkimi hyjnor,
nëse thyhen rregullat e përcaktuara prej tyre.
Atëherë, nëse është gjithmonë një fuqi e epërme ajo që i solli në tokë ligjet
e martesës dhe të moralit, siç sugjerojnë tekstet dhe traditat e hershme, cili
ishte motivi thelbësor për ta bërë këtë? Për ata që i largohen pranimit të
origjinës hyjnore, vitet e fundit kanë dalë disa teori ku hidhet ideja e inxhinierisë gjenetike. Sipas kesaj
teorie disa jashtëtokësorë kanë zbritur në tokë në të kaluarën tonë shumë të
largët. Ithtarët e kësaj teorie pretendojnë se këto qenie të botës tjetër
ndërhynë në evolucionin e jetës në tokë, duke krijuarnjë specie njerëzore përmes
inxhinierisë gjenetike. Kjo linjë mendimi, edhe pse e hedhur poshtë deri tani,
ka një numër të konsiderueshëm provash për t’i mbështetur pretendimet e veta
rreth kësaj teze. Nëse pohimet e tyre janë të sakta, cilat janë implikimet e
këtij procesi të shumimit dhe vazhdimësisë? Së pari, nëse janë bërë modifikime
në përbërjen gjenetike njerëzore, kjo nënkupton që një grup njerëzish hibridë
të modifikuar gjenetikisht është futur në popujt ekzistues autoktonë. Nëse kjo
specie e sapo krijuar do të lejohej të çiftëzohej rastësisht, shanset për
përhapjen e materialit të tyre gjenetik të rinovuar mund të ishin të kufizuara.
A thua e parashikuan këta “inxhinierë” të
hershëm jashtëtokësorë një problem të tillë? A ishte kjo arsyeja pse ata krijuan
një sistem rregullash që do t’i siguronin njerëzit e tyre nga ndryshimi
gjenetik? Është fakt i njohur në gjithë botën se ligjet e lashta të martesës i
detyronin individët të martoheshin me partnerë nga grupe të ndryshme, sa më
larg farefisnisë së tyre. Kjo praktikë miratohet edhe sot nga shkenca gjenetike.
Në këtë pikë bashkohen traditat e lashta,
kodet shoqërore, teologjike dhe shkencore. Pra thelbi i dy tabuve që lidhen me
martesën që në kohë të lashta mbeten të lidhura pazgjidhshmërisht me kodin
gjenetik, së pari për ta ruajtur nga ndërhyrjet e jashtme (tradhëtia bashkëshortore)
dhe së dyti për ta ruajtur nga mutacionet e brendshme (inçesti).
Nënvelftësimi, apo shfuqizimi i këtyre dy kodeve
që lidhen pazgjidhshmërisht me martesën, nënkupton prishjen përfundimtare të këtij
rendi njerëzor që kemi sot dhe fundin e epokës së patriarkatit.