Nga Petraq Zariu
Para pak kohësh, doli nga botimi libri i parë publicistik i poetit dhe publicistit të ri Petrit Nika, me titull “Nostalgji apo ankth ekzistencial?”. I ngacmuar nga fakti se një pjesë të atyre shkrimeve i kisha ndjekur herë pas here në faqet e shtypit shqiptar, iu futa menjëherë leximit të tij dhe ndonëse libri përmban më shumë se 170 faqe, e mbarova në një kohë relativisht të shkurtër. Përmes një thellësie befasuese mendimi, përmes një zhhdërvjelltësie brilante, dhënies së fakteve dhe argumentimit të tyre, herë me nota solemne e herë të tjera me nota ironike, e pse jo dhe sarkastike, nëpërmjet hipërbolës, antitezave dhe groteskut apo paradoksit, me anë të një stili do të thosha Konician, autori godet njëri pas tjetrit fenomene të aktualitetit të sotëm shqiptar, dukuri të jetës tonë sociale, politike, ekonomike, shoqërore, dhe mediatike. Libri përmban një gamë artikujt të përzgjedhur të cilët jo vetem fokusojnë dhe kritikojnë fenomene, por kanë edhe vlera estetike e mediatike për të sotmen dhe të ardhmen. Nostalgjia është kryefjala e librit të nikës, por joaq një nostalgji vetiake sesa sociale, shkagimet e së cilës ai i fakton vetë në shkrimet e tij. Nga çdo plan jam shumë dakort me autorin, kur thotë në një nga esetë e tij më të mira, Pikërisht tek eseja “nostalgji apo ankth ekzistencial”, - nga e cila e merr dhe titullin kjo vepër) se “Progresi, duke qënë se e hedh vështrimin sall vetem drejt së ardhmes, ka gjasa që ajo sakrifikon dhe mohon të tashmen në emër të sajë, kurse nostalgjia..., e sakrifikon të tashmen për të shkuarën, si rrjedhojë mospajtimi me realitetin ekzistues”, (fq 11). Dhe më tej autori i këtij libri, zhbirues fin në realitetin tonë të përditshëm, vjen nën një konkluzion, sa realist, aq dhe absurd në këtë epokë kua ajo çka është perverse dhe antihumane sa vjen dhe dominon më tepër mbi njeriun, kur nënvizon se: “E tashmja nuk ekziston askund, ajo është ose e tashmja e së ardhmes, ose e tashmja e së shkuarës, veç kurrsesi s’mund të jetë dhe e tashmja e së tashmes, pra e tashmja e jetueshme, e tashmja ku njeriu e ndjen lumturinë e të qenit, në mendjen dhe në momentin e tij të papërsëritshëm”. Pothuajse nëpër të gjithë rreshtat e librit, Nika i bën një analizë shumë të thellë simptomës sociale të shkaguar nga dehumanizmi, asajë që ai e quan “ankthi ekzistencial” dhe që është i pranishëm tek çdo njeri në këtë botë, ku s’ka të sosur kokëkrisja kompjuterike e dixhitale. Tek njëra nga shkrimet e tij të thella publicistike, e cila në fakti i qaset më tepër një studimi të mirfilltë shkencor, “Globalizmi, realitet dhe dilemë” ironizohet fuqishëm epoka përemes kufizimit të Oscar Ëillde: “Ne po jetojmë në një epokë ku ka shumë punë dhe pak edukim, në epokën ku njerëzia është kaq ë zënë me punë sa është budallallepsur fare”. Pa pretenduar të jem një studiues përfekt, për të zbërrthyer me kompetensë dhe korrektësi matematikore ambiguitetin e plotë të mesazheve që Nika përcjell përmes librit të tij, dua të ndalem pak dhe në një vlerë tjetër që më bëri përshtypje tek ky botim. E kam fjalën për pasurinë gjuhësore, e cila është vëështirë të anashkalohet pa u vënë re nga cilido lexues i çdo niveli qoftë. Gjuha që përdor Nika është një karrem tjeter estetik të cilën ai tregon se di të jetë i zoti t’a përdorë me mjeshtrinë e duhur, që lexuesin t’a mbajë “të mbërrthyer” në lexim, madje siç duket, pa u sforcuar aspak.
Gjuha tekstore e tij, vjen plot larmi dhe efekte kuptimore e stilistike, ajo është përdorur në funksion të analizave, argumenteve, konkluzioneve, duke shpalosur fuqishëm si atë anën shënjuse të sajë, ose thënë ndryshe anën semiotike, ashtu dhe guximin për të luajtur me disiplinat përkatëse të shqipes; sintaksore, morfologjike, leksikore, me fjalëformim etj., sikur enkas kërkon të vëjë në dukje atë plasticitetin karakteristik të sajë, kur ajo ka shansin fatlum të jetë gjithpërfshirëse. Përdorimi bujar dhe njëherësh mjeshtëror i sinomimeve, antonimeve, antitezave, dialektalizmave, kompozitave etj, i japin anës tekstore një kolorit të fuqishëm dhe patjeter mjaft mbreslënës. Petrit Nika falë talentit të tij krijues, kulturës filologjike dhe dashurisë për gjuhën, i jep lexuesit përmes këtij libri shansin të gjejë shumë forma të vjetra gjuhësore (të bukura, por deri diku të papërfillura më parë), si dhe mjaft forma gjuhësore të krijuara enkas si; kompozita, shprehje frazeologjike, formime sintaksore e morfologjike, të cilat bëhen për syrin e lexuesit promovuese të padyshimta të një stili estetik dhe eseistik në lartësinë e një niveli bashkëkohor. Përshtypje të veçantë të bëjnë fjalët kompozita me përdorim tepër të rrallë në kohën tonë, konotacioni i të cilavei vjen ën ndihmë autorit, ose për të ironizuar ose për të satirizuar fenomene e dukuri të jetë sonë të përditshme, si: shkrola (shkronja), humbashpresë (humbja e shpresës), rish (sërish), kësobotshme (të kësaj bote), përshkëndritje (dritë e fortë), leshrakërlëshur (që i mbajnë flokët si iriq), buçkamane (të fryra), shalëpaveshur (që mbajnë minifunde të shkurtra), flalëmirët (lajkatarët), shformimkujtesa (indiferentizmi), leximpërtacia (dembelizmi), biznesinteresi (vënia kohë e këmbë pas fitimit përsonal), mëndjeshplarëse, të huajsimi, teperfortmirnjohura (kompozitë me kontekst ironie dhe nervozismi njëkohësisht), gjithëkohësia (përjetësia), çdocilin (ndajfolje me përdorim tepër të rrallë), deliranto-estetiko-patriarkalo-virutual (enumeracion i pazakontë), letranxirës, vlerabjerrës, realsocist, jashtësi, bjerraditë, bjerratraditësish krahthatë e barkjasht, prapanicëlëpirës, heredokurë (ndajfolje e gegërishtes), krimkultura, ase (ose), të fatbragtisurit, uni loacak, dalëkohe, poli(e)tik, insistimi marrok, bollfort, jetëciflosëse etj etj.
Rradhët e kësaj liste ne mund t’i vazhdojmë shumë gjatë me formime të tilla, të cilat sipas kontekstit ku përdoren, janë jo vetem interesante nga ana estetike, por edhe me vlera të theksuara shprese në aspektin semantik. Në mbyllje, mendoj se libri i sapobotuar, me ese dhe publicistike e radhit pa dyshim Petrit Niken në rradhen e penave më mjeshtrore të viteve të fundit. Si përsa u përket thellësisë së gjykimin kritik dhe diapazonit tematik, ashtu dhe përsa i takon të jetë në planin stilistik e gjuhësor.
Burimi:
Gazeta TEMA, Nr. 2047, 7 prill, 2007, f. 20.
No comments:
Post a Comment