Në
epokën tonë duket emcionuese nëse një aksesor i teknologjisë i mbijeton kohës
së përdorimit për të paktën një dekadë. Kjo është shenjë e një evoluimi të
vazhdueshëm, si shkak i globalizimit të tregjeve dhe kulturave botërore, ku një
faktor determinant tashmë është edhe superteknologjia e informacionit. Diku
para dy dekadave në internet kishin akses vetëm disa institucione të
rëndësishme dhe biznese, ndërsa tani, mjafton të bësh një ofertë në një nga kompanitë
e shërbimeve celulare dhe disa giga bite do t’ju ofrohen nga kompania bashkë me
minutat për bisedë telefonike. Në vitin 2008, shumë pak veta kishin një llogari
në facebook, apo në rrjete të tjera sociale, kurse tani edhe fëmijët 6 e 7 vjeçarë
rezulton të kenë një llogari të hapur nga prindërit e tyre, kurse përdorues
aktiv të fb mund të llogariten nga shumica e personave nga mosha 10 vjeç deri
në 80 vjeç miliarda njerëz në gjithë botën.
Gjithësesi
teknologjia jonë moderne është më tëpër “soft” sesa “hard”, dhe si rrjedhojë
është shumë e paqëndrueshme dhe e përkohshme. Të gjesh sot një kompjuter
Pentium I, krahasuar me markat e fundit të kompjuterave, do të duket si diçka
antike. Ndoshta do të shkaktonte po atë habi, sa një papirus egjiptian i
shekullit III p.K.
Të
përfshirë nga trysnia e pazakontë e përditshmërisë sonë me tam-tame e alarme,
ne edhe mëngjesin na ndodh ta hamë duke shkuar në punë, ku në njërën dorë
mbajmë një croissant dhe në dorën tjetër celularin, duke klikuar portalet për
të rejat e përditësuara gjatë natës. Në pushimin e drekës nëse kërkojmë ndonjë
lajm të mëngjesit që na ka ngelur pa e lexuar disa orë më parë, do ta kemi të
vështirë ta rigjejmë, sepse vendin e tij e kanë zënë dhjetra lajme të tjera, që
nga aktiviteti i partive politike e deri tek bota e show bizz-it.
Në
një situatë të tillë, lajmi i mëngjesit ngjan i largët, ndofta po aq sa ngjan e
largët epoka e qytetërimit greko-romak, me epokën e qytetërimit të lashtë egjiptian.
Por
po ta lëmë për një moment menjanë presionin e madh të përditshmërisë sonë dhe
të mendojmë sesi arriti puna që në kohën tonë të bashkekzistojnë artefaktet e
pesë mijëvjeçarëve, me artefaktet industriale që janë pjesë e përkohshme e
jetës sonë, është e pamundur të mos ndjejmë admirim për veprën e përjetshme që
lanë mbrapa njërzit e lashtë, e cila e përjetësoi kujtimin e tyre. Atëherë e
kuptojmë se qytetërimet tona janë përgjithësisht të reja dhe të paqëndrueshme.
Krahasojeni p.sh., moshën e qytetërimit të SHBA-ve me kohëzgjatjen prej më se
3000 viteve të qytetërimit të lashtë egjiptian. Sikur ky qytetërim të kishte
qenë “soft” si ky yni, nuk do të kishim sot piramidat, obelisqet, varret,
mauzelumet, tempujt, muret e qyteteve që ishin krenaria e njerëzimit dikur. Në
shkretëtira, në pyje, në brigje lumenjsh e detesh, njeriu i lashtë la gjurmën e
tij të ekzistencës në shekujt e largët. Stabiliteti i kësaj bote është i
mahnitshëm, pothuaj në të gjitha vendet ku qytetërimi i lashtë kishte lindur,
shfaqej njëkohësisht pothuaj i njëjti fenomen modern për ato kohë; labirinti,
tempulli, obelisku, piramida, fortifikimi, sistemi i ujësjellësit, mjetet e
lundrimit, piktografet në shkëmbinj e shpella. Por, mendoj se stabiliteti i
Egjiptit ishte dominues më i gjatë në kohë nga të gjithë, më mahnitës nga të
gjithë, më frymëzues nga të gjithë, madje edhe me vendet fqinje në Lindjen e
Afërt.
Egjipti
është një vend i kontrastteve dhe cikleve, si në gjeografi, ashtu edhe në
historinë e vet kulturore. Toka e këtij vendi është pothuajse tërësisht
shkretëtirë, përveç një oazi përjetësisht të gjelbër që shtrihet në të dy anët
e deltës së Nilit. Lumi i fashëm që i jep jetë Egjiptit buron larg në jug në
thellësi të Afrikës dhe e përfundon shtegtimin e tij në pjesën veriore të
kontinentit duke u derdhur në detin Mesdhe. Nuk ka dyshim se pa këtë lumë,
Egjipti nuk do të ekzistonte, sikurse nuk ka dyshim se ndikimi i këtij lumi në
kulturën dhe zhvillimin e këtij vendi nuk mund të anashkalohet.
Ky lumë, në formë ciklike, çdo vit ofronte të njëjtën panorama të cilën egjiptianët e lashtë, sipas vëzhgimeve të tyre, e ndanë në tre sezone që ishin “akhet”, të cilat shënonin periudhën e përmbytjes së tokave, ”peret”, të cilat shënonin periudhën e rishfaqjes së tokës dhe mbjelljeve, si dhe “shemet”, që shënonin kohën e të korrave dhe përgatitjet për t’ua lënë tokën të lirë përsëri ujërave të lumit, të cilat e pasuronin çdo vit me mineralet jetëdhënëse të sjella nga thellësia e kontinentit afrikan. Këto cikle ishin aq të qëndrueshme, të pagabueshme në kohën e vet dhe të matshme, sa kjo rregullsi, pranuar edhe sipas disa studiusve, qe fenomeni që i nxiti egjitianët e lashtë të formonin konceptin e rrjedhës së kohës e falë kësaj të bënin edhe kalendarin e parë. Kalendari që përdorim ne sot është bazuar pikërisht në konceptimin e kalendarit të lashtë egjiptian. Secili nga tre sezonet që lidheshin me ciklet e lumit Nil, ndahej në katër muaj me nga 30 ditë. Viti egjiptian kishte 3 sezone, 12 muaj dhe 360 ditë. Konceptimi i ciklit linear diellor ishte ndoshta ndodhi pak më vonë, por shkonte në përputhje të plotë me ciklin që kishte diktuar Nili. Kështu egjiptianët të dy ciklet që lëviznin ditët e netët në Egjipt i lidhën me emrat e dy hyjnive: me hyjninë Osiris që ishte hyjnia e bujqësisë dhe e blerimit, por edhe e të vdekurve (përmbytjet – kuptohet se shkaktonin edhe të vdekur, mjerim e sëmundje), si dhe me hyjninë Ra që ishte perëndia e diellit dhe e dritës. Ky dualitet ishte i mirëmenduar nga dijetarët e këtij vendi dhe bazohej në vëzhgimet e tyre të tokës e të qiellit.
Janar
2022
No comments:
Post a Comment