Monday, May 21, 2018

Letërsia, në librari, mediume dhe facebook



 Njëzet vjet letërsi. Analistët dhe studiuesit nga e gjithë kjo periudhë përmendin vetëm 4-5 emra autorësh, të cilët arritën të ndërtojnë klanin e tyre gjithësesi. Siç kishin vepruar më parë në njëfarë mënyre edhe brezat e viteve “70 dhe “80. Pjesa tjetër i përket harresës, atyre pak faqeve të zverdhura të periodikëve ku botuan krijimet e tyre oportune në vitet e shkuar. Tashmë jeta kulturore shqiptare janë pikërisht këta 4-5 autorë, të mirëpritur në rubrikat kulturore të medias së përditshme janë vetëm këta; në antologji e përfaqësojnë brezin vetëm këta; çmimet dhe bursat ndahen vetëm midis këtyre; në panaire dhe promovime vetëm këta. Kjo është letërsia shqipe.




1.
Po e fillojmë këtë shkrim me rrjetin social Facebook, i cili nga ana teorike është bërë aq shumë popullor tashmë sa s’na ngelet më asgjë për të thënë mbi tabiatet e tij dhe mënyrën sesi funksionon. Që nga fëmijët e kopshtit e deri tek meraklinjtë e skajshmërisë së moshave të treta ia dinë vetë me kut tabiatet; ata janë sot përdorues të facebook-ut, kanë një ose disa profile, me identitet real apo fals, me foto reale apo të personave të tjerë që gjenden bujarisht me bollëk midis leshterikëve të detit të internetit. Në një botë të tillë si kjo e facebook-ut mblidhen pothuaj që të gjithë; çiliminjtë, adoleshentët, studentët, profesorët, politikanët, drogaxhinjtë, kontrabandistët, hajdutët, kriminelët, kumarxhinjtë, homoseksualët, të gjithë, të gjithë, pa harruar të përmendim edhe shkrimtarët bashkë me nënkategorinë e tyre - medemekshkrimtarët.
Sa për vete unë kam qenë dhe jam pjesë e këtij rrjeti, herë si frekuentues i përkohshëm dhe kureshtar spontan dhe herë të tjera kalojnë muaj pa ia hedhur sytë. Kam publikuar dhe publikoj në këtë web herë pas here për miqtë apo personat e tjerë që të kenë mundësi të më lexojnë, nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë, pa ndonjë pretendim konkret apo entuziazëm për suksesin e pritshëm. Në fund të fundit, duke qenë të privuar nga lexuesi dhe mundësitë e tjera për t’iu qasur atij (lexuesit), në pamje të parë facebook duket se krijon paksa akses më shumë. Sado hileqar dhe oportun, përsëri facebook është një pasqyrë virtuale e mendësisë shqiptare, (po them për pjesën shqiptare të gjërave); aty midis atyre “miqve” që të janë qasur apo që i ke kërkuar, vë re orientimet klanore, interesat imediate, shkërmoqjen e idealeve, masën e qëndrueshmërisë në ato çka thonë për publikun në mediume serioze dhe shkarjen në banalizëm kur shprehen shkujdesur pikërisht për këto tema. Në facebook njihesh me sukseset e tyre dhe me personat që entuziazmohen për suksesin tënd apo të tjetrit, në facebook të ndodh që të ndihesh i vetmuar midis gjithë atyre “miqve” që ke dhe nuk gjenden, dhe ndërkohë i shikon që janë mbledhur rreth qyfyreve popullore te Lek Plepit.
A nuk është pra facebook pikërisht një pasqyrë e interesave të shqiptarëve në hapësirën virtuale online? A nuk është facebook një mënyrë për të testuar vulgaritetin, megallomaninë, vipomaninë, etjen për të qenë në qendër të vëmendjes qoftë dhe duke i treguar miletit kokrrën e marres, cinizmin, shtijaninë, eklektizmin idiotesk e të tjera dokrra kësodore që ta përforcojnë akoma më shumë në kokë atë pohimin e lashtë unum scio quod nihil scio (lat. një gjë di, që s’di asgjë)? Megjithatë nuk do ndalemi në këtë shkrim vetëm tek logocentrizmi i pamjes së përgjithshme. Pamja paksa më thellësore e një aspekti konkret, siç është prezantimi i njerëzve të letrave në facebook do të bëhet objekt trajtimi edhe pak më poshtë. Pasi të flasim pak dhe për format e tjera të ekzistimit dhe zhvillimit të letërsisë në këta njëzet vjet.


2.
Përgjatë viteve “90, nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar dhe nëpër linjat e autobusëve urbanë të tij, të bënte përshtypje vërshimi i shkrimtarëve dhe i pseudoshkrimtarëve (këta të fundit kryesisht poetë), të cilët me libra nëpër çanta e nëpër duar, demonstrativisht iu drejtoheshin librarive dhe kioskave të panumërta, ku ndër të tjera shiteshin edhe libra (!), kurse lexuesi demonstrativisht i ktheu shpinën edhe krijimeve të këtyre kreatyrave edhe librarive. Të tromaksur nga kjo lloj përvoje e largët dhe e paharrueshme, në ditët tona, tashmë pas më se një dekade, librashitësit i bëjnë hesapet me shtëpitë botuese dhe s’qasin më asnjë njeri me çantë, qoftë ky dhe lexues i thjeshtë që futet në librari vetëm sa për të blerë vetë një libër. Siç edhe e thamë, në fakt realiteti në fillim ishte krejtësisht ndryshe.
Hapësira e librarive në fillim u bë mikpritëse për çdo gjë që botohej, aty shikoje lloj-lloj botimesh të përçudshme dhe pa pikë vlere, të cilat jo vetëm kaq, por zinin pjesën dërmuese të kësaj hapësire. Ndryshimi i raporteve ndodhi më pas kur lexuesi ia bëri naftën librit. Atëherë libraritë ranë në ujdi me shtëpitë botuese se shqipja nuk shkruhet dot nga shkrimtarët shqiptarë, ndaj ia vunë syrin autorëve të huaj. Në mediume dhe në panaire, kudo flitej vetëm për suksesin e letërsisë së huaj. Ndërkohë përgjatë pesëvjeçarit të parë të “90-ës vazhdonin të botoheshin ende disa periodikë dhe suplemente letrare si “Drita”, “Aks” etj., të cilat botonin autorë të rinj e të vjetër, reçensione me stilin e vjetër prej lexuesish turni dhe opinione për kopertinat, ama, mos t’i hyjmë në hak njeriu, fatmirësisht nganjëherë ndodhte që botohej edhe letërsi cilësore.
Si një i ri i lidhur besnikërisht me letërsinë, të paktën që nga viti i largët i “94 -ës e kam pasë ruajtur çdo numër të “Dritës”, “Aksit” dhe të disa prej suplementeve të njohura që botonin në kohë të ndryshme të përditshmet si, “Rilindja e Kosovës”, “Republika”, “Albania”, “55”, “Koha jonë”, “Tema” etj., duke krijuar një koleksion të vërtetë, derisa këto i humba aksidentalisht në Pukë, kur m’u dogj banesa në janar të vitit 2001. Pas kësaj kam ruajtur përsëri pothuaj gjithçka që dilte në shtyp për letërsinë, deri sot që tashmë s’ka më asnjë organ promovues dhe që të shërbejë si tribunë mendimi.
Është vërtetë interesante t’i shfletosh tashmë pas kaq dekadash këto faqe të publicistikës letrare shqiptare dhe të vjen të habitesh me rrjedhën që ka marrë jeta. Disa prej këtyre autorëve sot janë emigrantë dhe s’dihet më asgjë për ta, disa kanë reshtur së shkruari, disa të tjerë kanë vdekur, disa kanë arritur të çajnë përpara drejt kryeqytetit shqiptar dhe janë tashmë njerëz të njohur në opinionin e gjerë, disa i janë kushtuar jetës akademike, politike etj., duke i ngushtuar interesat nga shoqërore dhe utilitare dikur, në personale dhe ngushtësisht vetëm personale tani. Njëzet vjet letërsi. Analistët dhe studiuesit nga e gjithë kjo periudhë përmendin vetëm 4-5 emra autorësh, të cilët arritën të ndërtojnë klanin e tyre gjithësesi. Siç kishin vepruar më parë në njëfarë mënyre edhe brezat e viteve “70 dhe “80. Pjesa tjetër i përket harresës, atyre pak faqeve të zverdhura të periodikëve ku botuan krijimet e tyre oportune në vitet e shkuar. Tashmë jeta kulturore shqiptare janë pikërisht këta 4-5 autorë, të mirëpritur në rubrikat kulturore të medias së përditshme janë vetëm këta; në antologji e përfaqësojnë brezin vetëm këta; çmimet dhe bursat ndahen vetëm midis këtyre; në panaire dhe promovime vetëm këta. Kjo është letërsia shqipe. Pjesa tjetër s’janë veçse bezdi. Ata nuk duhet të mbështeten. Nuk duhet të ekzistojnë. Për shtëpitë botuese ata s’janë gjë tjetër veçse ca qyrykë që luten për çmime të arsyeshme botimesh. Për mediat e përditshme ata s’janë gjë tjetër veçse ca vulëhumbur që mezi presin të shohin emrin e tyre në gazetë; për libraritë ata s’janë gjë tjetër veçse ca vizitorë të bezdisshëm, të cilët i nxjerr nga dera dhe të hyjnë nga dritarja. Situata është jo vetëm e dehumanizuar, por dhe depersonalizuese për krijuesit, jashtë klani në përgjithësi dhe për jometropolitanët shqiptarë në veçanti.
Sa i përket pozicionit tim, duke filluar që nga viti i largët “94 tashmë pothuaj kanë kaluar plot 17 vjet që herë pas here gjendem pjesë e tribunës së mendimit në shtypin shqiptar, megjithatë nuk jam pjesë e asnjë klani, nuk jam pjesë e asnjë antologjie dhe asnjë privilegji. Edhe persona që më njohin mirë, madje edhe personalisht, nganjëherë mundohen ta anashkalojnë emrin tim në publik. Madje një analist i njohur kur botonte pak kohë më parë një shkrim timin tek mediumi i tij online, deklaronte se nuk më njihte, ndërkohë që kishim pirë edhe kafe bashkë vite më parë pranë zyrave të një të përditshmeje, ishim takuar edhe në promovime librash, madje kishte informacion të mjaftueshëm për mua edhe nga të tjerët. Po të duash t’i njohësh punëtorët e vërtetë të letërsisë sot nuk është dhe aq e vështirë. Por kur s’do vetë, atëherë ndryshon puna.
Më e keqe se mosnjohja është kinse mosnjohja; më e keqe se mosnjohja është dashakeqësia e fshehtë apo injorimi ku bëhen orvatje për ta rrethuar autorin me qefinin e harresës, duke e lënë atë si një vetje në paprani, krijues pa letërsi, anonim në periferi. Letërsia gjykohet në opinionin e katër-pesëve. Shkrimtarët dhe poetët janë tre-katër, e shumta pesë. Falë këtyre letërsia ende ekziston! Të tjerët ose s’janë gjëkundi, ose janë pesë me hiç! Ose, ose thjeshtë shkrimtarë facebooku. Kuptohet, bëhet fjalë për njëfarëlloj përfaqësimi social-kulturor online.




3.
Që në fillim, shtysë për të hapur një facebook për mua u bë njëri nga miqtë e mi vërtetë të çmuar, i cili, njëlloj si unë edhe ai aspiron këmbëngulës, ndonëse në pozita jo fort komode në fushën e letrave. Njëri në Fier, tjetri në Tiranë, - facebook ishte një mundësi më tepër për komunikim online. Më pas fillova të bëj pjesë të profilit tim të afërm, shokët e fëmijërisë dhe të universitetit dhe kështu dalëngadalë, ndërsa numri i personave shtohej me të njohur, dalëngadalë listës i shtoheshin edhe emra të tjerë pa ndonjë rol në jetën time, ca duke i rrëmuar, ngase duke qenë emra të njohur në fusha të caktuara ruaja nga larg një ndjesi respekti ndaj tyre dhe doja t’i njihja më tepër, ndërsa pjesa më e madhe më gjenin vetë. Kjo lloj pranie filloi të bëhej edhe më e madhe pasi kisha hapur disa forume letrare që administrohen përmes facebook-ut dhe pasi kisha filluar të publikoja shkrime atje. Nuk jam kundër kësaj pranie dhe rrallëherë mund të ketë qëlluar që i kam refuzuar, vetëm në raste kur profilet e tyre prezantoheshin me emra komplet ordinerë. Asnjëherë nuk më ka shqetësuar kjo masë me praninë e saj, as me qasjen, as me largimin - kur bëhet fjalë për njerëz “kalimtarë”, dmth., tipa që trokasin, i lejon të vijnë, shohin çdo skutë dhe kur e kuptojnë se s’je i tyri, mbyllin derën dhe ikin.

Ajo që më ka lënë një shije bajate zhgënjimi ka qenë pikërisht edhe raporti online me njerëzit e letrave. Edhe këtu ku liria e marrëdhënieve dhe e publikimit është pa kufi, shkrimtarët ose vetmohen dhe bëhen të pandjeshëm, ose socializohen në grupe që ngjajnë më tepër si forume shkollarësh gjimnazistë. Pastaj në facebook nuk i shpëton dot edhe një fenomeni që në njëfarë mënyre nuk mund të mos lihet pa u marrë seriozisht. Nëse të dërgojnë krijime dhe nuk ndihesh ngase nuk t’u ka bërë prej sish qejfi, atyre që t’i dërgojnë u ngelet qejfi, dhe nëse u thua se nuk t’u ka bërë qejfi, prapë ata ofendohen dhe u ngelet qejfi. Sille nga të duash, je në telash. Emri në monitor, sado oportunist apo obskurant ta përfaqësojë veten me krijimet e tij, prapë shenjëzon një vetje që në rastin më të parë do të sulet për hakmarrje, me shoqërinë e tij mediokre, ose s’është çudi, bashkë me atë katër-pesëshen e famshme, duke u përkujdesur kohë më parë deri në imtësi që goditja jote të jetë fatale. Jemi në Shqipëri, ku çdo gjë është normale!

2011

No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat