Monday, May 7, 2018

Kriza morale qeveris edhe ekzistencën tonë letrare

Intervistë për gazetën “ZËRI”
(4 mars 2017)



Kriza morale qeveris edhe ekzistencën tonë letrare


                                                               Zëri: Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?


Ne jemi në një dialog të përhershëm me unin, ose vetveten, siç e thoni ju. Ky dialog ka lindur shumë herët në parahistori, bashkë me njeriun. Sigurisht dialogu me vetveten zhvillohet kryesisht përmes pyetjeve, ku ne e pyesim veten mbi domethënie të mëdha dhe mbi enigma që na mundojnë pareshtur. Njëra nga pyetjet që bëj tani shepesh e më shepsh është: Vallë a do të kem fatin të mos vuaj nga humbja e kujtesës kur të më trokasë mosha e pleqërisë? Im atë i kaloi vitet e tij të fundit me sëmundjen e alzheimerit. Nga ana tjetër përpiqem të mos e mendoj shpesh këtë, por sa herë e mendoj, tronditem. Kujtesa është investimi më i madh që ka arritur njeriu të krijojë në jetën e tij. Janë përvojat e pafundme, rrugëtimi i gjatë në jetë, urtësia që e përbëjnë atë. Nëse i humbet, është më keq se vdekja.


Zëri: Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Unë jam pothuaj përherë në lëvizje. Në hapësirë unë përshkoj të paktën rreth pesëdhjetë - gjashtëdhjetë kilometra pothuajse çdo ditë. Ky është raporti i qenies sime fizike me hapësirën. Përveç këtij udhëtimi të zakonshëm, mund të flas për udhëtimet e tjera që mjet udhëtimi kanë jo autoveturën, por Pegasin mitologjik. Këto udhëtime më çojnë brenda një dite në hapësira të pamata në trinomin e kohës deri në kufijtë e Apeironit. Vetë qenia njerëzore është në udhëtim të përhershëm. Qoftë në kohë, qoftë në histori. Udhëtimi është njohje. Realisht mua më pëlqejnë udhëtimet dhe jam përpjekur që sa herë udhëtoj diku, të shoh sa më shumë, të dëgjoj sa më shumë, të zbuloj sa më shumë dhe të memorizoj çdo përvojë të përftuar prej udhëtimeve të mia. Nganjëherë në këto kohët e fundit më ndodh shpesh të ndjehem i rraskapitur dhe me një dëshirë të ethshme për të mos i kapërcyer as metrat katrore të oborrit të shtëpisë sime. Kjo rraskapitje nuk ka të bëjë me lodhjen fizike nga udhëtimet, por më shumë me rutinën dhe me atë që shoh çdo ditë. Ne këto momente ndjej se Itaka ua kalon të gjitha mbretërive të tjera. Ajo është më e shtrenjta. Vetëm ajo të prêt me padurim të kthehesh ashtu siç je nga të gjitha kuturisjet e tua në vende të largëta. Kimia jote mendore bart karakteristikat e materies së saj.

Zëri: Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Mendoj se çdokush që ju mund të zgjidhni nga audienca juaj për t’ia bërë këtë pyetje do të hepohej pak para se të zgjidhte një titull për t’iu përgjigjur. Nga përvoja ime me leximet, përgjigjia e kësaj pyetje merr pohime vlerash relative. Po të më bënit këtë pyetje kur isha vetëm 12 vjeç, do të thoja se më vjen pareshtur në mendje romani “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit me patat e egra” të Selma Lagerlëf, apo “Xhim Kopsa dhe Lukas makinisti” të Mihael Ende. Këtu e njëzet e ca vjet më parë, mbase do të thoja me plot gojën për romanin “Ismaeli” të shkrimtarit argjentinas Eduardo Asevedo Diaz, një roman historik ky, por me elementë të theksuar të romantizmit. Aty nga pragu i vitit dymijë do të theksoja “Emrin e trëndafilit” të Umberto Ekos, “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” të Markezit, por edhe dhjetëra libra të letërsisë së mirë e të paharrueshme do të më vinin njëherësh në mendje. Sot lista e tyre është shumë e gjatë, vitrina është plot me vitrina dhe çdo vitrinë është plot me libra në vitrina. E dua çdo libër të mirë dhe dua ta kem edhe në bibliotekën time në shtëpi, përveç atyre që kam dhe nuk janë pak. Librat e mirë, artet e mira dhe natyra janë të vetmet asete të domosdoshme që e ushqejnë ende shpresën e mostjetërsimit të njeriut nga presioni dehumanist i modernizmit. Mjerisht, në kohën tonë, kur vizitoj panairet apo libraritë, janë fare pak libra që më tërheqin ende. Koha dhe shija e leximit tani nuk më japin luksin e leximit të çdo gjëje qe botohet. Përvoja dhe intuita më orientojnë pagabueshëm drejt atij teksti për të cilin leximi nuk është kurrë kohë e humbur. Nga ana tjetër dhjetëra autorë më grishin për të bërë të kundërtën dhe për t’u marrë me leximin e librave të tyre. Vetëm fakti i grishjes është një arsye sociologjike për të mos i lexuar. Arsyet estetike janë madhore. Autorët e letërsisë së mirë vetëm heshtin. Ata nuk grishin asnjeri. Letërsia e tyre grish vetë, madje edhe shekuj pasi ata kanë pushuar së ekzistuari fizikisht në këtë botë. Në vitrinën e kujtesës së një poeti nuk mund të vijë kurrë vetëm një libër. Përvoja e tij leximore kalon nëpër fazat e veta. Dhe nga çdo fazë del në këtë vitrinë një mori librash. Mandej do t’i klasifikojë dhe do të zbulojë se në mendje i vijnë edhe libra të këqinj në kuptimin e plotë të fjalës.



Zëri: Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Nuk ndihem pothuajse fare. Domethënë më duket sikur nuk jam. Të paktën për sa i takon qenies sime që lidhet me artin e të shkruarit. Kriza morale qeveris edhe ekzistencën tonë letrare. Është një krizë e akumuluar në vite, por tani ka marrë përpjestime vrastare. Kapitalizmi është tërësisht kalkulativ në sferën e përfitimeve dhe nga letërsia del se përfitimet në kapital të konvertueshëm janë zero. Marksizmi ishte dhe ngeli utopi, ndërsa doktrinat politike që u modifikuan pas ideve të tij letërsinë e shikonin si pjesë të tyre integrale, ose si një gjendër malinje që duhej asgjësuar. Me të dyja rastet letërsia është në opozitë të plotë. Por gjithmonë janë gjendur shkrimtarë vullnetarë për t’iu ofruar shërbimin e vet këtyre klasave dominuese dhe këta, pasi janë imunizuar me status, kanë persekutuar për kohë të gjatë kolegët e tyre refuzues. Me një fjalë letërsia kundër letërsisë. Kjo është një krizë morale në llojin tonë, e cila fatkeqësisht po ndodh edhe sot, por tashmë e modifikuar aq shumë sa ngjan si krejt e pafajshme. Siç e thotë dhe Oktavio Paz, që në kohën e romantizmit u dhanë shenjat e para të kundërshtisë së letërsisë ndaj modernizmit. Letërsia moderne në thelb është e tëra në kërkim të parajsës së humbur. Ndërsa modernizmi, nuk ka ndaluar për asnjë çast, përkundrazi, letërsia është ajo që sot konsiderohet mall i pavlerë. Po të vini re, në tregun e rrobave të vjetra dynden një mori njerëzish, ndërsa në një librari, hyjnë a s’hyjnë pesë vetë gjatë gjithë ditës. Po ashtu në lokalet e basteve, nëpër pijetore dhe supermarkete gjithmonë do të gjesh plot njerëz në çdo orë. Në televizione do të shohësh çdo gjë, që nga krekosja e protagonistëve të jetës politike e deri tek perversitetet më të rëndomta e më banale. Por jo shkrimtarët. Jo poetët. Në televizione promovohen dhuna, seksizmi, pornografia, degradimi i plotë moral, përmes filmave, përmes muzikës, përmes debateve në produksionet e kompanive mediatike ku mungon elementi kriticist, bartësit e të cilit i druhen daljes së tyre nga trendi i përgjithshëm social që kanë ngritur industritë e mëdha të cilat kontrollojnë pamëshirshëm çdo gjë.

Zëri: Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kultura është ajo që na mungon më së shumti. Bumi industrial e ka atrofizuar habitatin e zhvillimit të saj. Në këtë habitat shpirtëror të mbetur djerrë lind dhe zhvillohet çdo gjë, por jo kultura. Dhe këto kinse-kultura merren si kultura dhe eklipsojnë atë të vërtetën. Si ato motrat e shëmtuara dhe budallaqe që i ofrohen princit në vend të Hirushes. Sot është vështirë të promovosh një identitet kulturor. Mund ta formosh, mund ta frenosh, por jo ta promovosh. Të paktën jo pa u bërë pjesë e ingranazheve të mekanizmit të sofistikuar të ekonomisë së tregut dhe politikave që favorizojnë dominimin e tij.

Zëri: Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

E djeshmja uroj të mos përsëritet kurrë dhe të kujtohet si një model të cilit nuk duhet t’i ngjajë e sotmja. E sotmja është një tymnajë e madhe ku baret njeriu i epokës kibernetike në kërkim të identitetit të tij. E nesërmja? Sido që të jetë, do të vuaj nga pasojat që lë e sotmja.

Zëri: Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Si pikturë që flet me gjuhën e së djeshmes dhe të sotmes do të përmendja “Refugjatët” të Abdurrahim Buzës. Është një pikturë me portrete tronditëse. Nga poezitë do të përmendja poezinë “Udha e kryqit” të Pol Klodelit, jo për sensin e religjionit, por për madhështinë e besimit në aktin madhështor të sakrifikimit për të tjerët. Nga muzika do të zgjidhja Hendelin. Por unë dëgjoj me ëndje edhe muzikën e vendeve të orientit e cila më nxit në meditim. Nga filmat e fundit që kam pëlqyer do të përmendja “The fllowers of War”, një film me regji të Zhang Yimou, i cili është përshtatur sipas romanit “13 lulet e Nanjingut” të shkrimtares kineze Yan Geling. Filmi sjell një sekuencë nga drama e pakufishme njerëzore nën tmerrin e krimeve të luftës që Japonia kreu mbi popullsinë e qytetit kinez Ninjang në fundin e viteve “30 të shekullit të kaluar.

No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat