Postmodernizmi dhe post-postmodernizmi në letërsi*
Nga
Petrit Nika
Postmodernizmi
është një term i përdorur gjatë gjithë gjysmës së dytë të shek. XX, dhe
përfshin një mori fushash të jetës kulturore në qytetërimin e vendeve me ritmet
më të larta të zhvillimit kapitalist. Ky term shpërfaqet kryesisht në fusha të
tilla si: letërsia (proza dhe poezia), në teoritë letrare dhe kritike, në filozofi,
në arkitekturë, në artet figurative, në muzikë, etj. Që në zanafillë,
postmodernizmi erdhi si pasojë e krizës sociale të krijuar nga zhvillimet e
shpejta të industrive moderne, gjë të cilën në fakt e identifikuan edhe “izma” të tjerë të rrymave të mendimit. Që
në vitet “20, poeti imazhinist rus Sergei Esenin, pas vizitës së tij në Amerikë,
sapo u kthye në Rusi pati botuar një ese ku shprehte mospranimin e ndaj tij
industrializimit, duke e quajtur Amerikën “gjiganti
i madh i hekurt”. Enciklopedia Italiane
e përcakton shfaqjen për herë të parë të termit “postmodernizëm” në esenë e spanjollit Federico de Onis, në “Antologjia
e poezisë spanjolle dhe latinoamerikane”, botuar në vitin 1934. Ndërsa
Enciklopedia Britanike e shtyn edhe më tepër në kohë duke e vendosur në
dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XIX. Ndërsa shfaqjen konkrete me vepra të
shkruara e vendosin tek “Tridhjetë
policët” e shkrimtarit irlandez Flann
O’Brien botuar në vitin 1939, si dhe gjatë viteve “40, në veprat e James Joyce-it dhe Virginia Woolf-it. Të gjithë studiuesit e letërsisë, teoricienët dhe
filozofët e pranojnë formësimin e postmodernizmit si lëvizje dhe shfaqjen e tij
të plotë diku në dhjetëvjeçarin e parë pas Luftës së Dytë Botërore dhe kulmimin
e tij aty nga vitet “60-të të shek. XX, me poetët e Beat Generation. Në
kundërshtim me ideologjinë moderniste dhe utopinë iluministe, postmodernizmi
deklaron fundin e historisë dhe parashtron nevojën për një rinterpretim të saj
duke evokuar një epokë të re kreative, të distancuar pothuajse krejtësisht nga
stili dhe format estetike të praktikuara në të kaluarën, jo dhe aq nga një stil
i ri letrar, por edhe nga format esetetike të së kaluarës. Në kuptimin letrar
koncepti i postmodernizmit ka sens a
posteriori, në kundërshtim me modernen, jo duke u nisur nga aspekti
kronologjik, por më tepër për sa i takon parapëlqimit të një mënyrë të re të
shprehjes tekstore, duke mos e shpallur veten as anti modernes dhe as mbi
modernen në sensin e supermacisë së vlerës. Gjithësesi, bota akademike dhe
studiuesit e letërsisë e kanë konsideruar postmodernizmin letrar, një shkollë
më vete, pothuajse në kundërshtim me letërsinë moderne. Nëse autorët
modernistë u vinin rëndësi idealeve të tilla si racionaliteti, objektiviteti,
rëndësia e progresit dhe disa prej parimeve që barteshin në letërsi që nga
epoka iluministe dhe që karakterizojnë frymën për shumë “izma”, që nga realizmi kritik dhe pozitivimi i shekullit të
nëntëmbëdhjetë, postmodernizmi në
kundërshtim të plotë me këta, e vë në dyshim të plotë ekzistencën e këtyre
idealeve. Kjo lëvizje ndjen nevojën e ndryshimit të plotë të kursit, sipas
parimit: “Vera e re në kacekë të rinj,
vera e vjetër në kacekë të vjetër”. Zhgënjimi nga idealet e lirisë që u
përmbysën pas mbarimit të Luftës, tragjeditë kozmike të Hiroshimës dhe
Nagasakit, kushtet e reja ekonomike në botën e pasluftës që morën zhvillim në
mënyrë krejt të shpërpjestuar duke u bërë privilegj i një pakice të vogël në
planet, krijimi i shoqërive gjasme të decentralizuara, por realisht të
mbikqyrura rreptësisht nga bota e fuqishme e biznesit, lulëzimi i biznesit të
narkotikëve, rritja e kriminalitetit, lulëzimi i pakufishëm i medias dhe botës
së informacionit, edhe këto krejtësisht të kontrolluara, tashmë e kishte rritur
bindjen se “vera e re nuk mund të rrinte më në kacekët e vjetër”, ndaj duheshin
kërkuar forma të reja për ta pasqyruar kaosin e ri epokal. Postmodernistët
vinin re se si mediat botërore, të kontrolluara nga biznesi dhe politika, iu
bënin njerëzve “shpërlarje truri”, me
anë të reklamave dhe orientimit kulturor, sipas interesave të tyre imediate. Vinin
re fronëzimin e përjetshëm dhe të patundshëm që iu kishin bërë ato në opinionin
e lexuesve autorëve të mëparshëm, orientimin krejtësisht preferencial në
ndarjen e çmimeve dhe shpërblimeve, përzgjedhjen preferenciale për përfaqësim
përmes antologjive, duke e ngushtuar pafundësisht frymëmarrjen e brezave të
rinj dhe të gjitha këto çuan në njëfarë lloj “armiqësie” të heshtur të
postmodernistëve me modernizmin dhe izmat e mëparshme. Nga ana tjetër, globalizimi,
rritja e madhe e aksesit të komunikimit, i cili në epokën tonë ka kulmuar,
mungesa e burimeve për saktësimin e informacionit, prodhimi i tejskajshëm
industrial dhe rënia e cilësisë së tij, enkas që të ketë sa më shumë shitje në pak
kohë, mungesa e kontrollit shtetëror mbi këto shpërdorime të mëdha të raportit
të besueshmërisë midis botës së biznesit dhe asaj të konsumit, ankthi i
punësimit, jeta e mbyllur në qytete super të mëdha, rënia e interesit për artet
dhe kulturën i theksuan gjithnjë e më shumë trajtat e letërsisë postmoderne në
botë duke e kthyer atë në një fenomen vërtetë të fuqishëm, të pamundur për t’u
anashkaluar edhe nga kritikët më të mëdhenj anti-postmodernistë. Teoricienët e
postmodernizmit besojnë se një shoqëri e tillë e decentralizuar, në mënyrë të
pashmangshme ka gjeneruar këtë lloj mënyre perceptimi dhe shpërfaqjen e
konsideruar si postmoderne në letërsi,
fenomenin e refuzimit të unitetit dhe hegjemonisë së metatregimeve, gjë që
postmodernistët e konsiderojnë unitet fals; fenomenin e thyerjes së të gjitha
barrierave midis zhanreve, tejkalimin e strukturave standarde dhe stilet
tradicionale të shprehjes; fenomenin e diversifikimit substancial të formave të
logocentrizmit dhe refuzimin e formave të tjera shprehëse të imponuara
artificialisht.
Disa studiues
mendojnë se postmodernizmi është shtrirë në mënyra të ndryshme edhe në kultura
të epokave të tjera si formë rezistence e kundërshtie ndaj zhvillimeve të
padëshiruara, megjithatë formën konkrete si shkollë letrare më vete ai e ka
marrë pikërisht në periudhën e bumit të madh të zhvillimit të ekonomive
kapitaliste, si dhe të zhvillimit të madh të industrive të ndryshme
teknologjike në gjysmën e dytë të shek. XX. Këto fenomene kanë përcaktuar
stilin e ri të të menduarit dhe të shprehjes letrare, të pangjashme me epokat
pararendëse. Shpesh herë kritikët e tyre përpiqen t’i përshkruajnë, gjasme me
argumente shkencore postmodernistët, si obskurantistë, të çoroditur dhe
shantazhues ndaj historisë së zhvillimit, si dhe tekstet e tyre si të dobëta
artistikisht dhe pa mesazhe të qarta.
Në fakt
postmodernistët ishin krejtësisht të vetëdijshëm për arritjet e mëparshme në
format e të shprehurit letrar, por zgjodhën enkas pikërisht këto lloj formash
komunikuese me receptuesin, si një mënyrë të re artikulimi në kundërshtim me
çdo traditë të mëparshme, e cila shpesh here ishte ndrydhëse, artificiale dhe
me tam-tame të mërzitshme. Postmodernistët gjithësesi bënë epokën e tyre, i
dhanë fizionominë që deshën vetë produktit letrar të kohës, fenomen i cili në
fakt vazhdon të përvijohet deri në ditët tona në shumë prej letërsive të
planetit.
Postmodernizmi
në poezi
Postmodernizmi mori
fizionominë e vet të qartë në vitet “60 të shekullit të kaluar me Beat Generation në Amerikë, por në fakt
duhet theksuar se u zhvillua pothuaj paralelisht në të dyja anët e
Atlantikut. Ky postmodernizëm u shpërfaq
në formën e një avangarde që shpërfillte format e ngurtësuara të krijimtarisë
së mëparshme pararendëse, duke e çliruar gjuhën poetike nga të gjitha tabutë
dhe duke kulmuar deri në paradoks me plojën gjuhësore e stilistike Në ndryshim
nga të gjitha izmat e mëparshme
letrare, të cilat e fokusonin njeriun në raport me jashtësinë, në raportet e
individit me botën, mahnitjen, apo angazhimin në fatet historike, etj., në
fillim modernizmi dhe më pas, në mënyrë akoma më të theksuar, postmodernizmi e
fokusojnë njeriun tek vetvetja e tij, tek zhgënjimi deri në shpërfytyrim për
rrugëtimin e dhimbshëm të qenies në histori, tek tëhuajsimi prej habitatit të
tij nga padrejtësitë dhe çoroditja e përgjithshme sociale.
Disa
nga karakteristikat e postmodernizmit
1. Ikonoklastia
1. Ikonoklastia
I dekanonizon
standardet kulturore, veprat e mëparshme dhe autorët, mohon
autoritetin e autorit, zhvlerëson qëllimet e tij dhe kërkesën e tij për të
vepruar si zëdhënës i epokës tek receptuesi, zhgënjen qëllimisht pritshmëritë e
lexuesit, përmbys rendin sintaksor dhe zhanror, ndërkall në tekst parodinë,
ironinë dhe elementë të tjerë narrative, denoncon
represionin etnik, gjinor, kulturor dhe presionin social mbi individin, si dhe e zhvesh tekstin
nga konteksti etj.
2.
Mohimi i arsyes
Postmodernizmi rrafshon
sensin emotiv tekstor, luan me imazhe që
nuk kanë referencë përtej vetvetes. I konsideron
artin dhe realitetin të dy si trillime, madje nganjëherë i përzien edhe artin
edhe realitetin në një lloj realiteti fantastik. Mesazhi i
tesktit shkon tek receptuesi në mënyrë të papërcaktuar, duke preferuar të
shmangë qëllimisht një interpretim të qartë dhe solid.
3.
Mohimi i formës
Postmodernizmi
shmang, ose mohon fare preokupimin modernist për një harmoni dhe formë organike
të strukturës së veprës letrare. Kufizon
hapësirën estetike. Shprehja nuk është më as interpretuese, as vëzhguese. Teksti vjen
fragmentar, si një kolazh i montuar shkujdesur. Postmodernizmi shmang
gjithashtu format metaforike dhe tropet e tjera që e bëjnë tekstin polisemantik. Në sensin
zhanror priret të zhbëjë kufijtë midis zhanreve letrare, ndërkohë zhanret
ndërkallen në të njëjtin tekst në mënyrë parodike.
4.
Populizmi
Postmodernizmi parashtron
në vepra aspekte nga një spektër i gjerë shoqëror. Shmang zhargonet
elitare dhe gjuhën letrare. Shmang
komunikimin serioz e të përgjegjshëm, duke shpërfaqur një shprehje arbitrare
dhe lojacake. Huazon imazhe
mediatike bashkëkohore, duke i përdorur këto si lëndë ndërtimi në formësimin e
veprës.
No comments:
Post a Comment