(Mbi librin ”Qenia brenda enës” dhe
kthimin e përjetshëm të Odiseut në Itakë)
Phd. Fatmir Terziu
Hyrje
Në
fjalorin shqip-anglisht të Universitetit të Oksfordit fjala shqipe “agshol”
përkthehet “break of dawn” që në fakt po të thuhet ashtu siç kuptohet në gjuhën
shqipe duhet të jetë një fjalë e vetme, pra ajo që në anglisht thuhet “dawn” e
që në tërë këtë lidhje semantike nënkupton “agimin jo të plotë”, agimin
mëngjesor të një dite të paralajmëruar. Kjo ditë e paralajmëruar në nëntekstin
e kësaj fjale ka dykuptimshmëri filozofike. Njëra kuptimësi lidhet me thelbin
që vetë kjo fjalë dikton, përpos veçorisë së saj dhe tjetra me anën semantike
që plotëson didaktikën e lidhjes së fjalës me natyrën dhe aspektin sinjifikativ
të prodhuar nga derivati i kumtit të saj. Po të shihet e shoqëruar në
gjysëmvargun e tij të parë ajo përpos termit “mjegullor” nënkuptohet apriori si
një ditë e mjegullt, pasi luan rolin e një mbiemri në këtë fjali të paplotë.
Rregulli
sintaksor
Sipas
rregullit sintaksor këtu kemi një hapësirë adekuate, por me një aspekt tipik që
në strukturializëm konvertohet me koshiencën e prodhuar të mesazhit në kohë,
hapësirë dhe vend. Por në aspektin figurativ kjo mbishtesë e këputur, por e
domosdoshme, krijon një veçori të re poetike, që nënkupton ardhjen e ditës
jashtë aspektit mjegullor në lindjen mëngjesore si pretekst i agut, pra si një
ditë të mbarë, me diell të begatë, të ndritshëm, të plotë e me tregues mirësie
në sytë e njeriut. Jo më kot e ka zgjedhur këtë fjalë të qëmtuar të gjuhës
shqipe, Petrit Nika, në një nga poezitë e tij që mban një titull sa mitik aq
edhe filozofik: “Kthimi i Odiseut në Itakë”. Në të njëjtin varg, pas një pike
që luan rol aspektor, (aspekti është lidhja e ndjeshme e fjalëkuptimit me
vendhapësirën ku mbizotëron dhe funksionon fjala), vazhdimësia me ndriçimin e
situatës që lidhet me anijen misterioze, ku gjeografia na diktohet enkas me
hapësirën mbi det, natyrshëm plotëson kodin metafizik të krejt asaj që autori
ka krijuar në lidhje me një poezi që mbetet një arsye e plotë për t’u ndalur e
analizuar deri në detajin më të imët të saj. Duke u ndalur pikërisht në këtë
pikë, edhe pse detajet që autori na i jep nëpërmjet fjalëve janë të paprekshme,
në gjuhën e studiuesit John MacMurray (1953:109) kjo është një “perceptim i
prekjes” së detyruar që organizohet nga fuqia e mesazhit të krijuar. Sipas
këtij studiuesi kjo prekje e perceptuar vjen si pasojë e eksperiencës së
rezistencës, në një hapësirë-lidhjeje imediate të njohurisë me fuqinë që e
prodhon fjala poetike (po aty).
Struktura
e poezisë si aspekt i perceptimit
Kompleksi
i perceptimit në poezinë e Petrit Nikës është një metadiagramë inerte e lidhjes
së imagjinatës poetike me kreativitetin. Parë nën dritën e Frojdit, tek kjo
poezi, ne gjejmë se “imagjinata poetike dhe kreativiteti janë paraqitur në
mënyrë tipike në aspektin e fantazisë”, ëndërrave krevalente dhe një nate të
ëndërruar plot vegime stilistike (Frojdi, 1928:58-62). Kjo lidhet në konceptin
e hershëm të Dhimitër Paskos që për të është “prodhimi më fisnik i shpirtit të
njeriut”,..., pra, sipas Paskos “një art i bukur është një krijim që mendon”
(Pasko, 1944: 1-4). Më tej, ashtu si tek Frojdi që e lidh strukturën
metapsikologjike me strukturën shpirtërore, edhe Pasko sheh se “poezia është
një fluid shpirtëror” (Frojdi & Pasko; po aty). Petrit Nika me "Qenia
brenda enës", një vëllim i vlerësuar me poezi, flet qartë në këtë pikë.
Ndikimi
me teorinë
Në
tërë këtë vëllim ndikimi ka një themel; lidhjen e fenomeneve të lartcituara me
parimin fantazi. Është pikërisht ajo që Frojdi thotë se imagjinata poetike
është një formë e zëvendësimit dhe mund të shihet në një kornizë si një lojë e
fëmijërisë. Fantazia është produkt i mendjes, sipas Frojdit. Fantazia është në
fakt edhe potenciali që krijon poeti Nika në një “lojë” të tillë perceptuese
mes vargut, jetikes dhe oportunitetit të mesazhit. Këto koncepte të para nën
dritën e strukturave metapsikologjike të Frojdit, por edhe nën këndvështrimin e
Martin Heidegerit, parashtrojnë trajtesën e kësaj poezie në tërësinë e saj si
një vepër të krijuar nga poeti artist. Dhe si për të lënë këtë ndjesi artistike
edhe në spatulën artistike të skulptorit, poezia e skulptorit dhe poetit, Haxhi
Kalluci nga Fieri, krijuar enkas për Petrit Nikën, duket se vjen mes kësaj
metapsikologjie dhe vetë titullit artistik të saj “Përthyerje”. Ajo që Kalluci
shtron në vargun e tij dedikues është një hapësirë e domosdoshme për të lexuar
tërë mediagramën inerte të lidhjes së botës së padukshme të poetit me materien
fizike në vargun e tij: “Ti hënën e do,/ dëborën e brymërat,/ mjegullat ndër
lugina/ që u aviten kreshtëmaleve./ Ti diellin e do,/ rrezet, që u lëshohen
pemëve/ argjendin,/ floririn, shkarkuar prej reve./ Ti tokën e do/ si frymën
tënde,/ me ngrica, me avuj/ nga rava e përjetshme e një parmende./ Ti ujin e
do,/ e do si kaltërsinë e një ëndërre.” (H. Kalluci; (4 nëntor 2009). Në këtë
përkushtim poetik sërish gjejmë edhe anatemën e Paskos që vëmendëson hapur:
“Vlera e poezisë nuk peshohet as me kandarin e dyqanxhiut, as me peshën e
dijetarit të laboratorit, - ku një e një bëjnë dy” (ibid). Pra sipas Paskos,
është shpirti “tezal” (një mbiemërzim ky nga fjala “tezë”, por që shtrohet si e
vërtetë me disa argumente). Ai shpirt si mjet “vehikulimi” ose përcjelljeje të
ndjenjave.
Vehikulimi
poetik
Ky
mjet i përçimit të ndjenjave shpirtërore është paradigma më thelbësore në
vargun e Nikës. Vehikulimi shpirtëror vjen e zgjerohet tek “Qenia brenda enës”,
poezia me të cilën hapet libri, duke ndërlidhur hapësirën, nuancat, zbrazëtinë,
zullumin, materien, historinë e tërë atë metapsikologji frojdiane të
konceptimit dhe psikoanalizës për të dhënë mesazhin përmes një leksiku të pasur
dhe një fjale të bukur poetike: “Hapësira e ngarkuar me dertet e vjeshtës,/
plim me nuanca, mjegull dhe lagështi,/ me temp nostalgjik që prej fillimjetës,/
me lutje pagane - dyndet në zbrazëti./ Shiu lëpin ekualipteve myshkun e errët,/
me neps zullumqar krejt prej Poseidoni;/ mes shirash mitikë dhe erës së
mnerës,/ prapë rrjedh nëpër rrugë baltë Deukalioni./ Dhe materia e lodhur nga
prirja e rindërtimit,/ shpërlahet e amullt në ekuinoksin e çrregullt;/ tani
asgjë nuk e ndal më rrjedhën e gabimit,/ me zanafillë (ndoshta) qëllimisht të
mjegullt./ Sa të jetë hapësirës qoftë dhe një thërrime,/ nga lënda makabre
tmerrësisht e pangopur,/ rish Kronosi dhe Gjea mes mjegullash - thinjur;/ s’i
lënë historitë e dhimbshme për të sosur.” (Nika poezia “Gjithçka brenda enës”).
Në këtë poezi shihet edhe erudicioni e poetit, prirja nga gjithëkohësia. Ai nuk
vjen si një monovalent. Por si një kompleks i përshtaur mes tërë aspektit krijues,
ku spikat kualiteti dhe jo kuantiteti. Në poezi të tilla si “Dasma e
Ifigjenisë”; “Kënga sakrale”; “Mesnatë …”; “Për braktisjen dhe më...”;
“Spleen”; “Ëndërr me dëborë dhe male...” etj., por edhe në tërë kapitullin e
këtij vëllimi poetik “Skica dhe peisazhe”, ndoshta disi më ndryshe tek
kapitulli “Elegjitë e shiut”, vehikulimi poetik i poetit poetit tregon për të
tjerët konfigurimin dhe dëshirat e tij të thella në tërë ndjesinë e tij të
thellë e të fshehtë në përcjellje.
Konfigurim
me kualitet
Ky
konfigurim vjen me një kualitet. Është në fjalë, në gjuhë, në mesazh, në
pikturimin e abstraktes, në koordinimin e muzikalitetit, në hapjen e strofkave
imagjinare, në arkitekturën moderne dhe bashkëkohore me vlera poetike. Le të
ndjekim në qetësi poezinë “Mbi asimetrinë e pemës”: “Në ditët me shi të
vjeshtës/ pema ngjan më elegjiake se një aed,/ një aed endacak dhe i braktisur
/ në hapësirën krejt pa zot të askundit,/ pa dhemshurinë ngushëlluese të
strehës,/ vizitorëve, kureshtarëve, kalimtarëve të rastësishëm;/ hepohet
mendueshëm/ nën vrazhdësinë e erës/ duke vajtuar prirjen e lakuriqësisë/ në
fazën e ekuinoksit metaforik të plakjes./ Krejt vetëm, rrethuar nga uji,/ nga
era dhe dëshmitë pa jetë të një kohe tjetër,/ vëren lakuriqësinë e vet,/ që sa
vjen e bëhet më e plotë dhe solide/ me mjedisin relativisht të varfër;/ zbulon
asimetrinë e evolucionit/ dhe gjatë gjithë stinës së ardhëshme/ mundohet të
shestojë shkaqet, pasojat,/ që nga zanafilla e largët,/ zakonisht e behur në
një ditë të zakonshme prilli,/ deri tek momenti i integrimit/ në integralen e
historisë së qenësimit,/ dhe përgjatë gjithë rindërtimit historik,/ asimetria
dominon imazhet,/ thelbin, kuptimet e para dhe të fundme,/ madje deri tek
prognoza tragjike infernale”. Në këtë qetësi ndjejmë krejt instiktivisht atë që
hershëm Verlaine, e quante me të theksuar “De la musique avant toute chose”
(Para së gjithash muzikë). Në punën e tij artistike, poeti, përmes kësaj poezie
ofron një kompromis mentalo-logjik, duke zgjedhur një favor aspektual të
muzikalitetit dhe duke e ndikuar atë mbi të tjera dukuri dytësore, për ta lënë
në gjendje të lirë vargun, për të krijuar diçka të re përmes këtij tensioni
shpirtëror. Është ajo që Heideger e qartëson se “E vërteta është shpallur nga
poeti në punë të artit”. Kjo poezi sipas Hedeger do të lexohej si një konceptim
i gjallë në simbolikën e tij, ku imazhet poetike janë të ngarkuara me energji,
të grumbulluara në kohë, hapësirë dhe vend. (Heideger, 2008: 36-123). Ndoshta
pikërisht këtu nis kartvizita me emrin e poetit ...
Poeti
me të ardhme
Vlerësimi
ynë nuk vjen aspak nga volumi i botimeve të tij në këtë cilësim. As edhe nga
cmimet e studiuesve të ndryshëm që ai ka në dosjen e tij. Ndoshta larg edhe
aspektit gjeografik. Ndoshta ..., por jo ndoshta larg cilësisë së poezisë së tij
perceptuale, të lexueshme dhe tipike. Një autor i njohur i viteve "90,
pedagogu dhe studiuesi Granit Zela, shprehet për Nikën: “Ai jeton me artin e
tij dhe për artin e tij, ndërsa ky art flet me një gjuhë komunikuese, por
njëherësh dhe abstraguese, të fshehtë. Peng i Muzës së vet, ngado që shkon, si
një arratiak i pandreqshëm ai hedh vështrimin e përmallur nëpër botë dhe
prehjen e gjen vetëm në Itakë” (Zela: 2009:11). Ndërsa Ilirian Gjika, duke
cituar gazetën “Korrieri”, e vendos këtë krijues “midis emrave më të njohur të
letërsisë shqiptare të viteve "90, si Tufa, Çoçoli, Bala, Hatibi,
Leshanaku, Marku, Zekthi etj” (I. Gjika; 2009: 12). Pra, shkurt, ky është poeti
me të ardhme. Poeti shqiptar, Petrit Nika, u lind në Dardhë të rrethit të
Pukës, më 9 qershor të vitit 1975. Ka përfunduar studimet e larta në
Universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në vitin 2000. Ka punuar
mësues në vendlindje për dy vite, mandej në Fier ku jeton që prej gushtit të
vitit 2002. Është bashkëpunëtor i njohur i medias kulturore dhe medias së
përditshme, ku ka botuar periodikisht ese, polemika, kritika letrare, poezi e
tregime. Ka një përfshirje aktive në botën letrare shqiptare me krijime poetike
dhe tregime, pothuajse afërsisht njëzet vjeçare. Në vitin 1996, kur ishte
student i vitit të parë në Tiranë, fitoi konkursin poetik të gazetës “55” duke
u përfshirë dhe në antologjinë përkatëse që botoi gazeta; në vitin 2004 fitoi
çmimin e tretë në një audiencë prej 79 autorësh të njohur të poezisë së sotme
shqipe që u botua përgjatë një viti nga gazeta kulturologjike “Fjala”. Ndonëse
gjimnazist i vitit të tretë, ai nisi prezantimin me dy libra për fëmijë;
"Gjinkalla dhe milingona" dhe "Trembëdhjetë përralla
pelegrine". Atëherë ishin vitet 1993 - 1994, por këta libra do të arrinte
t’i botonte vetëm në vitet 2004 dhe 2005. Ka botuar “Mëngjes
në Alpe”, (poezi-1997); “Nostalgji apo ankth ekzistencial”, (ese &
publicistikë-2007); "Fuga Temporum", (poezi-2009); "Qenia brenda
enës" poezi etj.
Kumti
i fjalës dhe logjika si kod më vete
Në
kritikën shqiptare të viteve “40-të, Kolë Ashta kur analizon poezinë e Filip
Shirokës, të cilën e sheh “shpirtnisht të afruar mes tyre” sjell në skenën e
kritikës letrare termin e ngjashëm “shkokloj”, që nënkupton jo kuptimin e
fjalës “e shkoq” apo e “bëj kokla-kokla”, ose “shkokrroj”, por eksperiencën dhe
perceptimin e rezistencës që vjen nga fjala në poezinë e tij (Ashta, 1944:1-2).
Dhe ndërsa Ashta e shikon këtë rezistencë dhe perceptim në poezinë e Shirokës
tek “i sillet para sysh shtëpia e të parëve…”, poeti Petrit Nika, e siglon atë
me dy variantet e tij që vijnë nga njohuria e tij për kthimin e Odiseut në
Itakë, por në lidhje të ndjeshme me natyrën dhe tërë ligjësinë e saj që nga
lindja e dritës. E gjitha kjo në studimin e Ledri Kurtit, ndërsa i referohet
dimensioneve të mendimit kritiko-estetik shqiptar në kohë dhe në tipologji, që
vjen nga marrja në konsideratë e mendimit të Ashtës, nënkuptohet si një
“poetikë me vlerën e kuptimit të kënaqësisë artistike të përfituar prej saj
(poezisë) si art” (Kurti, 2009:231). Kjo kënaqësi artistike e vecon këtë poezi
dhe e prezanton këtë poet me një vlerë të ndikueshme të artit të fjalës. Poezia
e tij ka ardhje të ndjeshme në kohë dhe në hapësirë. Është e pjekur dhe aspak e
nxituar, e pangarkuar, e lidhur me natyrën dhe forcën e saj. Poeti me moshë të
re, po aq edhe poezia e tij e re, kanë një lidhje të tejdukshme mes
njëri-tjetrit. Vendqëndrimet e tij dhe edukimi edhe pse variojnë, krijojnë një
aspekt jo të diskutueshëm gjeografik, por diktojnë gjithashtu njohje, njohjen
për autorin dhe po aq edhe për krijimtarinë e tij.
____________________
Bibliografi
& Referenca:
- Ashta, K. (1944) Ngjyra e
Vendit të Filip Shiroka tek Revista Letrare, Tiranë, nr. 5, 15 Prill,
f.1,2.
- Frojd, S. (1908), "Lidhja
e poetit me ëndërr-ditën", Karakteri dhe Kultura, Neë York: Collier
Books.
- Frojd, S. (1911),
"Formulimet për funksionimin mendor...", një përzgjedhje e
Përgjithshme e Punëve të autorit me parathënie nga John Rickman dhe
shtojcë nga Charles Brenner. Garden City: Double Dita Anchor Books,
(1957)., F. 44.
- Frojd, S. (1928),
"Dostojevski dhe vrasja e të afërmit". Neë York: Collier Books.
- Gjika, I. (2009) Gazeta
“Standard”.
- Heidegger, W. R (2008)
Nëpërmjet fenomenologjisë së Mendimit, botim i dytë. Londër: Metuin.
- Kurti, L. (2009) Dimensione të
Mendimit Kritiko-Estetik në Kohë dhe Tipologji. Shkodër: ‘Camaj-Pipa’
- MacMurray, J. (1953) Vetja si
Agjent. Londër: Faber dhe Faber.
- Pasko, Dh. Revista Letrare,
Tiranë, 1944, nr 5, 15 Prill, faqet 1-4.
- Zela, G. (2009) Gazeta
“Standard”
Burimi:
http://index.fieri.com/art_kulture/letersia/4154-shpirti-%E2%80%9Ctezal%E2%80%9D-n%C3%AB-vargun-e-petrit-nik%C3%ABs.html
http://index.fieri.com/art_kulture/letersia/4154-shpirti-%E2%80%9Ctezal%E2%80%9D-n%C3%AB-vargun-e-petrit-nik%C3%ABs.html
No comments:
Post a Comment