Showing posts with label Auditionem. Show all posts
Showing posts with label Auditionem. Show all posts

Wednesday, April 3, 2019

Romani “Baronesha Shenteben”, ose si mund ta shohim Shqipërinë me sytë e të huajve



(Fjala në përurimin e librit “Baronesha Shenteben”, të Viktor Canosinajt, mbajtur në Bibliotekën Publike Fier, më 19 dhjetor 2014)



Viktor Canosinaj

 Romani “Baronesha Shenteben” është një histori e çuditshme, austriako-shqiptare, ku ndërthuren përmes narracionit artistik drithërimat e pasionit njerëzor, të cilat i shpërfillin ato që ne i quajmë norma të disiplinimit të jetës.
Ky pasion zbulohet pak nga pak tek Baronesha Shenteben”, derisa tejkalon nga kontrolli dhe e çon më pas protagonisten e romanit drejt mëkatit. Rrethanat e martesës së saj të pafat e kanë sjellë që Baronesha të gjendet në një luftë midis njerëzores (e përfaqësuar nga etika) dhe kafshërores (e përfaqësuar nga bindja ndaj instiktit), ku ajo herë luhatet nga e para e herë nga e dyta.
Gjithësesi, ajo që të lë një mbresë të paharrueshme në receptimin e këtij romani është fakti se kjo histori trill vjen përmes një rrëfimi të shtruar, me një stil shumë të konsoliduar në aspektin natyrës së llojit të romanit që përfaqëson.
Ngjarjet e romanit zhvillohen pjesërisht në Shkodrën e viteve pak para Luftës së Parë Botërore, gjë e cila në fakt jepet vetëm tërthorazi si topos, si dhe në malsitë e veriut të Shqipërisë apo në Vjenë, aty nga fundi i romanit, - sjellin dramën e një çifti austriak, të dekoruar, apo të ndërthurur me një mori dramash të jetës shqiptare të fillimshekullit XX.
Protagonistët e kësaj drame janë baronesha Vilma Shenteben dhe baroni Rudi fon Shenteben, të cilët janë aq të pamundur të jenë ata që duhet të jenë në jetën e tyre bashkëshortore, megjithë përpjekjet, sa në vend që të vijnë duke u afruar drejt njëri-tjetrit, vazhdojnë të largohen pafundësisht dhe përjetësisht.
Pasioni i tyre shenjon të njëjtin objekt, dhe ndodh që kur të dy i afrohen, ai largohet përjetësisht prej tyre, pavarësisht se mbyllja e romanit të lë për të dyshuar. Në këtë sens romani përbën një përmbysje, një thyerje tabuje, një bindje të pashmangshme të personazheve ndaj pasionit.
Një nga aspektet mbresëlënëse në këtë roman janë disa momente përshkrimesh të realizuara në mënyrë vërtetë mjeshtërore. Do citoj këtu vetëm momentin sesi e shikon sipas narratorit të romanit, baronesha Shenteben Shkodrën kur zbret nga anija austriake, kur vjen për të takuar të shoqin që punonte në Shqipëri.
Torturës së anijes ia kishte zënë vendin troshitja për orë me radhë në një karrocë të mbyllur, që shkonte nëpër një rrugë të pashtruar mes fushave, derisa u kishte dalë para një kështjellë e vjetër me mure të rrënuar vende-vende, rrethuar me lumenj, që nuk kuptohej nga vinin e ku shkonin, në bedenat e së cilës dalloheshin disa topa të zinj që ngjanin si pantera të përgjumura. Nga krahu i rrugës valëvitej një flamur turk i dalëboje. “Nëpër fotot e tua duket më e bukur”, i ishte drejtuar ajo të shoqit disi e zhgënjyer.

Ky peisazh e zhvendos lexuesin menjëherë dhe pa vështirësi në kontekstin kohor të qytetit shqiptar të fillimshekullit XX, nën sundimin otoman.
Me mjeshtëri dhe vetëdije historike dhe etnologjike janë dhënë edhe sekuencat e ngjarjeve shqiptare që tërheqin vëmendjen e të huajve, siç janë baronesha Shenteben. Mund të përmend rastin kur ajo bëhet dëshmitare e një skene hasmërie, apo zënka të ndryshme që ndodhin për hiç gjë në qytet.
Elementët narrativë, si përshkrimet e hollësishme të mjediseve shqiptare ku zhvillohen ngjarjet, përshkrimet e gjendjeve psikologjike të personazhit, aspekte jetësore e historike të realizuara me kujdes dhe maturi lidhur me rikrijimin artistik të kontekstit historik kur zhvillohen ngjarjet, dialogu i denduar, ku diloguesit zbulohen natyrshëm, pa rënë në monotoni përcaktimesh, monologët që shprehin mendimin e ndrydhur, të pamundurën për ta shprehur me fjalë, ëndërra, parandjenja, letërkëmbimi, shprehja në letër e asaj që nuk mund të shprehej në afërsi, falli, udhëtimi dhe aventura, si dhe ndërtimi keq i një situate në fillim, e cila përfundon keq në fund, dhe vetëm në fund merret vesh qartë se ishte ndërtuar keq që në fillim, i japin kësaj proze gjithë karakteristikat e një romani të mirëpritur për lexuesin shqiptar, qoftë për të rinjtë, qoftë për moshat më madhore që ende e duan librin.



Dhjetor 2014

Wednesday, May 23, 2018

Tregime për njerëzit e thjeshtë


(Fyelltari-prozë poetike nga Petrit Nika)

Nga Petraq Zariu

Sapo përfundon së lexuari vëllimin e ri me tregime “Fyelltari” të prozatorit, publicistit, eseistit dhe poetit Petrit Nika, është e pamundur të mos ndalesh për të shkruar pak fjalë për mbresat dhe emocionet që përfton nga leximi i tyre. E them këtë se tregimet e përmbledhura në këtë botim më të ri nga autori, jo vetem u ngjajnë me një buqetë lulesh të bukura aromëmira dhye të shumëngjyrëshe edhe pse janë plot 18 të tilla, i bashkon një personazh shumë i dashur për çdo lexues, portreti i njerëzve të thjeshtë.
Nga fillimi deri në fund të librit, parakalojnë para teje, i dashur lexues, si në një monitor të madh që nga vëllai i ndjerë (fotografitë), portreti i fyelltarit, i studentit, i malësorit apo malësores dhe deri tek ajo e emigruesit të rikthyer nga vendi i largët përtejoqeanit në vendlindjen e tij të dashur. Figura e Stakë Ukës me të birin e tij të vogël. Petriti, ky poet dhe prozator relativisht i ri, di të zgjedhë tema të thuejshta dhe shumë aktuale si për poezinë dhe për prozën. Por ajo që është karakteristike për këtë autor, është se tema qsq të zakonshme, shpesh reflektojnë të vetë jetës së tij ngjarje të thjeshta e aktuale i ngre aq bukur në art, i trego me një gjuhë aq të rrjedhshme e të bukur, me një prozë të skalitur mjershtërisht dhe ti përjeton një brenga të paimagjinueshme si tek “fyelltari”.
“Takimi i jashtëzakonshëm me një plak vetmitar...”, “Një qytetarë i kohës sonë”, “Enigma” , “Nëpër rrjedhen e lumit”, etj. Personazhet e këtyre tregimeve dhe të tjerave në libër janë skalitur me aq kujdes, dashuri e rrespekt, sa te duket sikur autori ka marrë daltën e skulptorit dhe i ka gdhendur në shkembenjtë shekullor të alpeve tona te veriut. Portretet e personazheve protagonist, sidomos ata të malësorëve, të studentëve, të shoferëve, përgjithësisht të njreëzve të thjeshtë, bëhen aq të dashura e të rrespektuara, sa ne lexuesit jetojmë me to, me shqetësimet, vuajtjet, dilemat apo lumturitë dhe gëzimet e tyre. Dhe ne duam t’i ndihmojmë, t’u gjendemi pranë, t’i shpetojmë nga e keqja që ju kanoset, t’ju japim doren, të ecin me ne, të gëzojnë e lumturohen me ne. E kush nuk donte që t’a ndihmonte “plakun vetmitar” , që edhe ai t’ë shohë pak gëzim, lumturi dhe hare? Mendoj se ky është dhe mesazhi më i fuqishëm dhe më i artë që do autori të japë me këto tregime. Besimi dhe shpresa për një jetë më të mirë, të bukur e të gëzueshme, përshkon pothuajse çdo tregim. Në tregimin “takim me një plak vetmitar”, pasi plaku i tregon djalit për jetën e tij të vetmuar dhe të mjeruar, i thotë: “...por megjithatë jeta është gjithmonë e bukur, sido që të jetë- ajo s’këmbehet me asgjë, tha ai dhe pështyu tutje, kushedi se pse.... dhe autori vazhdon... ndersa djali kësaj rradhe i hapi veshët mirë dhe s’la të ikte asnjë nga fjalët që shqiptonte plaku më i vetmuar i të gjitha kohërave...”. një vend të rëndësishëm në libër zë përshkrimi i botës së brëndëshme të personazheve si dhe përshkrimi i bukur i natyrës. Peisazhi plot kolorit i fushave e i maleve, luginave e shpateve, livadheve dhe arave të mbjella, i pemëve e luleve, - i mbush tregimet me aromën e këndëshme të natyrës së vendit tim të mrekullueshëm, të vendit të poetit. E them "të poetit" se këto përshkrime janë tepër poetike, si nga gjuha edhe nga figuracioni, jo vetem kaq por janë dhe shumë funksionale, sepse me anë të tyre autori heq paralele aq të fuqishme e domethënëse sa duket se natyra merr pjesë me pamjet e sajë mahnitëse në gjendjen psikologjike të personazheve aq të dashura të Nikës. Një meritë tjetër e autorit, të cilën nuk mund të mos e theksoj, është zgjedhja e fjalëve në funksion të idesë dhe sidomos formimi i fjalëve të reja, togfjalshëve, fjalive të përngjitura e të përbëra të tipit: përshkëndritje, çatrafilloste, fletëvalëngrohta, fletëvalcopëtues, i përdiellur, kapardaiseshin, muflenderua, ndërmendeshin, tevona, fillimkorriku, asfare, pleqtë vdekjesprapsës e shumë e shumë fjalë të tilla të cilat të vendosura me mjeshtëri në kontekste të caktuara nga autori japin frazës një shijë e bukuri të rrallë që nuk ka shoqe në përdorim. Së fundi mund të them: vëllimi me tregime “Fyelltari” i P. Nikës lexohet me një frymë për frazen e latuar, subjektet dhe temat e trajtuara, për pasurinë leksikore dhe figurative, duke i dhënë veprës vlera të mëdha njohëse, edukative dhe artistike. I uroj autorit vepra të tjera të suksesshme në të ardhmen.

Petraq Zariu 
(Mësues pensionist)


Libofshë, Fier, dhjetor 2014

Saturday, May 19, 2018

Fantastikja tek “Vizitori misterioz i natës”




 Melsen Kafilaj

“Nëse do të mungonte fantastikja, letërsisë do t’i mungonte kërshëria” – (J. Saramago)


Tek një shkrimtar, përgjithësisht realist, si Petrit Nika, sigurisht nuk kishte se si të mos na tërhiqte vëmendjen ky tregim me një stil “kaq ndryshe” i tij. Dhe e veçanta ka një prirje të brendshme që njeriun ta tërheqë drejt saj dhe ta bëjë për vete. Pikërisht kjo “veçantësi” më shtyu ta rilexoj tregimin në një nivel më të thellë dhe të shkruaj sot për të. Kur lexuesi ka reshtur së lexuari tregimin “Vizitori misterioz i natës”, pjesë e përmbledhjes me tregime “Fyelltari”, (2014) e ka thuajse të pamundur të mos i shkojë mendja tek realizmi magjik dhe tek emra të tillë si: Buzzat-i, Asturias-i, Cortazar-i, Llosa, apo emblema e tij Gabriel Garcia Marquez. Kjo sepse tonaliteti dhe hapësirat ku përzihen pazgjidhshmërisht realiteti dhe mistika janë të tilla, fryma e magjikes dhe fantastikes e dekonturojnë realitetin në këtë narracion.
Nëse i bëjmë një përkufizim literal shkollës së realizmit magjik, na rezulton se ai nuk është gjë tjetër “veçse zgjerimi i realitetit me elementët e joreales”. Po ku qëndron magjikja dhe fantastikja në këtë tregim?! – lind natyrshëm pyetja. Në të vërtetë, në të vërtetë, letërsia në vetvete është një akt magjik. Fantastikja dhe magjikja qëndrojnë në “të thënët e formulës” nga ana e autorit. Diçka të cilën ka arrritur ta mishëroj mjeshtërisht.
Por le të futemi në brendësi të krijimit letrar për ta kuptuar më mirë këtë fakt. Subjekti i ngjarjes zhvillohet ndoshta në “Masada-n e Krishtërimit Katolik” (Pukë), ose në ndonjë trevë tjetër veriore. Me këtë besim, pasi autori e zë fill narracionin me një ngjarje që ndodh me datën 30 mars, buzëmbrëmjen e një të Shtune të Shenjtë (një ditë përkushtimi fetar kjo për besimtarët katolik). Ardhja e të huajit duket se “parashikohet” nga Nikolla, nipi riosh 27-vjeçar, i cili i paralajmëron gjyshen dhe motrën e tij për vizitën e mundshme të këtij njeriu.
Deri këtu çdo gjë është e zakonshme. Pas “zënkës” së vogël familjare mes të treve në lidhje me mikpritjen, ose jo të të huajit, situata nis të bëhet “intriguese” sapo ai shfaqet befasisht tek porta. Një ngjarje e cila shpalos më tej dikotomitë, zbërthimin psikologjik, kontradiktat dhe unin real të personazheve.
Autori,e krijon situatën konfliktuale përmes një përplasjeje antinomike. Përballë zakonit të lashtë të mikpritjes prej malësori të mirë të Nikollës, ai vë harbutërinë dhe indiferencën e mikut misterioz, i cili jo vetëm që nuk i begenis familjarët, por ngutet të hyjë në odën e pritjes pa folur me njeri, të cilën e gjen menjëherë edhe pse nuk kishte qenë asnjëherë më parë aty. Ky vizitor i çuditshëm, jo vetëm që tregohet “indeferent” ndaj mikpritjes shqiptare dhe ceremonive të thjeshta që e karakterizojnë, por edhe “baltosës” i pastërsisë së saj, të cilën Miss Durham e lavdëronte dikur gjer në qiell.
Dikush tjetër nuk do ta toleronte këtë sjellje. Por ata, si shqiptarë mikpritës dhe të krishterë të mirë që janë, nuk bëzajnë fare dhe e tolerojnë mikun. Ndoshta iu kujtohet Loti biblik, i cili pa e ditur, mikpriti në shtëpinë e vet edhe ëngjëj. Ndoshta duke u nisur dhe nga maksima e famshme e Kanunit: ”Shtëpia është e mikut dhe e Zotit”. Këtë nuk mund ta dime saktësisht, vetëm na ngelet ta marrim me mend. Ajo që dimë me siguri është që kjo familje i përmbush njëherësh të dyja urdhërimet; tokësore dhe hyjnore.
Gjithçka hidhet me penelata të shpejta dhe rrjedh me një gjuhë lakonike “ala Buzzat-iane”, e shoqëruar nga triniteti i tre simboleve mistike: Uji, Buka dhe Vera, të trija me një natyrë funksionale të caktuar brenda tregimit. Dhe kërkesa e parë që del nga goja e të huajit që futete në shtëpi është: “Ujë!”. Ai, sapo ulet, i paraqet mikpritësit kërkesën për t’i sjellë ujë. Dhe uji është jeta, përtëritja e shpirtrave të tharë, burimi i së gjallës dhe më tej akoma është pastrimi. Kjo është një sprovë dhe këta njerëz janë aq bujarë saqë ta ofrojnë me zemër atë. Megjithëse i huaji e vazhdon sprovën duke e derdhur gjysmën e ujit jashtë ndërsa e pi, nga goja e këtyre njerëzve të varfër, por të urtë, të këtyre anëve, nuk del asnjë fjalë e keqe. Sepse kush fyen mikun, vazhdon Ligji i Lashtë, fyen atë që e ka dërguar atë, – d.m.th., Zotin.
Autori e përshkallëzon situatën me përpjekjet dhe pyetjet e shpejta të dy të rinjëve, të cilët kërkojnë ta rrëmojnë dhe ta zhbirojnë mendërisht atë. Një përpjekje me sa duket e kotë, pasi i huaji, ose ua kthen thatë përgjigjet, ose nuk tërhiqet nga e vetja, duke i anashkaluar krejtësisht ata dhe pyetjet e tyre pa e hapur fare gojën. Kjo kryeneçësi dhe mosdëshirë për komunikim nga ana e tij, bën që të lindë në zemrën e të rinjve egjra e dyshimit. Një mendim i dyshimtë vjen rrotull në kokat e tyre: Kush është vallë ky njeri?! Një i çmendur? Një vrasës? Një sharlatan profesionist, apo dikush tjetër?!
“Mos nxit në zemrën e vëllait tënd mendime të liga!”- thotë Bibla. Pikërisht në këtë moment, me një shkathtësi verbale dhe dramacitet të lehtë, autori Petrit Nika bën kthesën e madhe. Vizitori “i çuditshëm”misterioz, i parruar, flokë-kërleshur dhe me petka varfërie, nis të flasë dhe t’iu predikojë me gjuhë zjarri këtyre njerëzve të thjeshtë e të varfër, për diçka të madhe; për Paqen! Duart e tij të ngritura si shpata drejt qiellit mallkojnë mëkatin dhe gjithë mëkatarët e kësaj bote të prapë, të cilët kanë thyer zinxhirin e harmonisë së njerëzve në tokë me krenarinë, egoizmin dhe lakminë e tyre. Për më tepër, duke kumbuar me të madhe – po huazoj një frazë nga John Milton: ”Ne jemi Ferri.” Predikimin e tij vizitori i çuditshëm e mbyll me: “U shofshin që të gjithë!” Dhe një zjarr i fashitur, dhe një zemër e plagosur, dhe një kokë e madhe ndër duar që dënes në heshtje. (Një përshkrim rrënqethës dhe me të vërtetë i denjë për këtë oshënar që mëtohet të jetë i shenjtë.)
Pastaj rënia në ekstazë dhe e folura me një “lingua Adamica”, e cila Nikollës nuk i tingëllon si latinisht, e fut në mendime dhe zgjon në shpirt dyshimet mistike tek i riu. Pasi lavdëron në këtë gjuhë të panjohur, asketi bie përmbys në dysheme dhe i kredhur ashtu në atë moment paqeje, humbet brenda atij harrimi përdëllimtar. Momenti kur ai ngrihet dhe e shikon me kthjelltësi shpirtërore djaloshin është një moment kulminant, i përzgjedhur me finesë nga autori, pasi përmes tij ky udhëtar i palodhur dhe endacak jep mesazhin: ”Eshtë i pamëshirshëm fati dhe e dobët qëndresa jonë”- deklaron ai. Dhe është krejt e kotë kjo gënjeshtër e madhe që i bëjmë vetes. A nuk është kjo e njëjta fjalë e frymëzuar si te Kohelet “Predikuesi”: ”Të gjitha kanë të njëjtin fat” dhe “gjithçka është kotësi e kotësive?!” Duke dhënë më pas elemente biografike nga jeta e personazhit kryesor, autori Nika kërkon të na e qartësojë profilin e këtij asketi, i cili ndjen keqardhje, por jo për veten e tij. Është një keqardhje e shenjtë, e cila e ciflos frymërisht dhe e bën të ndihet fatkeq për lidhjet e dashurisë që vetë njeriu i ka këputur me këtë botë të krijuar për njeriun. Ai, siç na jepet edhe në tregim, tregon se i ka mposhtur dëshirat dhe i ka prerë kryet lakmisë – dy të këqijat më të mëdha të njeriut që e kthejnë në antagonizëm gjithçka. Dhe po të perifrazojmë Sokratin: “Sa më pak dëshira të kesh, aq më shumë je pranë shenjtërimit!” Përmes gojës së tij, përmes sjelljes së tij të jokësobotshme, në mënyrë të nënkuptuar ne mësojmë se ky asket e ka fituar këtë aureolë.
Një moment tjetër i spikatur është simboli i dytë, pra Buka (Darka). Në Bibël, Darka e Shenjtë është simbol i dashurisë (agape) së Krishtit për dishepujt, por edhe të dishepujve për njëri-tjetrin. Sepse vet Profeti thotë: ”Ta doni njëri-tjetrin ashtu siç më keni dashur mua!” Buka në teologjinë e krishterë është edhe symbol i flijimit. Jeta ushqehet me jetë! Diçka duhet të sakrifikohet, që të ekzistojë diçka tjetër. Gjyshja, si një e krishtere e mirë që është, përpos kundërshtimeve të rioshëve për të mos u ulur në tryezë me të, vendos të bëjë të kundërtën që kërkojnë ata duke e shtruar darken pikërisht aty ku dëshiron edhe miku. Sepse ç’kuptim ka që të Shtunën e Shenjtë të shtrohet një darkë veç e veç dhe asaj t’i mungoj elementi më i rëndësishëm, d.m.th., mbledhja së bashku dhe dashuria?! Sepse porosia e dytë më e rëndësishme e Krishtit është: ”Duaje të huajin porsi të afërmin tënd!” A nuk mëton përmbushjen e kësaj porosie me veprën e vet e moshuara?!
Mbarimi i Darkës na jep një detaj tjetër interesant të përzgjedhur me vetëdije krijuese nga autori; shfaqjen e kërkesës së dytë dhe të simbolit të tretë nga ana e tij, pra të Verës. Vera është symbol, jo vetëm i gjallërimit shpirtëror dhe i gjakut të Krishtit, por edhe i jetës së re. Dhe pyetja e vizitorit misterioz tingëllon si “Trokitja e Fatit” e Bethovenit: ”A s’ka një gotë verë në këtë shtëpi?!” Por vera mungon. Asketi dëshiron të bëj euharistinë dhe ta bekojë kupën e verës për të përkujtuar Krishtin e varfër në këtë shtëpi, po aq të varfër. Euharistia nuk kryhet. Gjaku mungon, por Dashuria është ende e pranishme në këtë familje.
Një tregim, i cili ka një mbyllje po aq fantastike. Asketi, vizitori misterioz, apo oshënari i shenjtë, (quajeni si të doni), largohet befas nga shtëpia pas mesnate, pa u ndjerë, pa i shqetësuar këta miq të varfër që i ngjajnë grigjës së tij, për të mos u kthyer më, “i ndjellë mesa duket nga shiu që kish filluar sërish të binte”. Ai ka dale nga dritarja të cilën e tund era dhe jo nga dera siç dalin të gjithë vizitorët e zakonshëm. Nga Levi Strauss informohemi se shiu mes popujve të lashtë ishte simbol i shpresës, ripërtëritjes dhe jetës së re. A mos dëshironte të linte pikërisht këto pas tij në këtë familje përmes largimit të beftë pas mesnate, nëpër shi?! “Ku është fantastikja këtu?!”, mund të pyesin sërish me insistimata “shkarrashkruesit letrarë” dhe ata më skeptikët që i bredhin vetëm në sipërfaqe tekstet letrare. Epo n.q.s., ju nuk e quani “vizitën” e Shën Franceskut të Assis-it (shenjtorit të shek. XII-të), predikimin dhe mesazhin e tij në atë kohë diçka “fantastike”, përkimi në këtë krijim artistik është unik dhe faji nuk është i autorit Petrit Nika, as i imi që po i shkruaj këto radhë. Faji është i vetë atij, i cili nuk e kupton me të vërtetë se ç’do të thotë të prekesh nga zjarri i trazuar i realizmit magjik.

Shkurt 2016



Burimi: http://www.gazetadita.al/fantastikja-tek-vizitori-misterioz-i-nates/

Thursday, May 17, 2018

Itaka, Arkadia dhe Përjetësia në “Fuga Temporum”



Dr. Granit Zela

Diç baladeske drithmon në thurimën e hollë të endur fije - fije përjetimesh, përsiatjesh, kumtesh, kujtimesh të mallta, te “Fuga Temporum”. Epiqendra është Koha, caku i parë dhe i fundmë, të cilin jemi të dënuar ta kalojnë të gjithë në pakthim. Çdonjëri nga ne, bashkë me të gjitha sendet dhe gjallesat e gjithësisë, humbim diçka për çdo stinë, për çdo ditë, për çdo orë, për çdo çast. Ky fakt, madhor dhe tronditës njëherit, bëhet ngasja e tik-takut të Kohës, që dëgjohet në gjithsecilin varg të këtij libri plot hir të poetit Petrit Nika.
Pas një kqyrjeje të atypëratyshme, vë re se përhitja iluzore, gazi, brenga, dhimbja, trishtimi, dhe mandej heshtja dhe humbja janë disa nga shenjat që kumtohen nëpërmjet Arkadisë “Fuga Temporum”; lumenj, pyje, dëborë, shelgje, shpezë, drerë, gjerdhe arash, zogj, stinë, lule, diell, pemë, liqene, fusha, kodra, pllaja, mali, ahishta etj., etj., që ripërsëriten dhe ripërtërihen me lëng të ri poetik, sikur ripërtëritet natyra viti pas viti me një tjetër jetë, e cila është hem vazhdimësi, hem fillim. Variacionet poetike të kësaj lënde prej së cilës përbëhet kjo kozmogoni, mbruhen me mahni të plotë. Le të shohim vetëm sa për shembullzim modelimin e rrallë të leksemës “era” në libër.



Vjeshta erdhi edhe era/gjethet derdh nëpër pemë... (Erdhi vjeshta).
Erë e vjeshtës nëpër fletë,/thurte vargje plot trishtim... (Lamtumira e vajzës).
Erë vjeshte fryjnë luginat kudo, e qiellit vrapojnë retë ... (Peisazh me vjeshtë).
Erë vjeshte fryjnë mrizet, korijet... (po aty ; Peisazh me vjeshtë).
... fryn era, pëshpërisin fletët,/bari i vdekur ndër ledhe ... (Të fundit ditë vere)
Vashë e Amazonës… me fytyrën e skuqur nga rrezet dhe era(Pleqëri e amazonës)
…pas xhameve era me shiun buçet…(Në orën e aritmetikës).
...ndërsa era t’i fryn lehtë perdet në dritare... (S’do rri pa të parë).
Kjo erë është e marrë./Gëzimi pranveror u tremb... (Erë e marrë pranvere).
Dhëmbët kërcëllon er’ e borës,/pyjeve duke zgjuar ehull ... (Intermexo me erë dëbore).
...dhëmbët er’ e borës kërcëllon,/nën hënë teksa klithmën e heq zvarrë... (po aty; Intermexo me erë dëbore).
...klith mendimi, mu si erë dimërore ... (po aty; Intermexo me erë dëbore).
...dhëmbët ngul në xham erë dëbore ...(po aty; Intermexo me erë dëbore).
Ç’ia ngre kjo era valët gjolit,/përhumbur thirrjesh të pangjyrë ... (Rigë)
...as kuaj të bardhë, madje as psherëtima ere ...(Veladon mesnate)
...mes hijesh që dridhen nga era mbi shesh, eci i menduar ... (Kujtesa)


Të ngjan se ndodhesh diku në një cep ende të panjohur të botës, ku fryn pa ia da era e amshimit. Ai (Poeti) është atje në fillesë, duket sikur bota sapo është ngjizur dhe njeriu endet mes mëdyshjesh gjithësore, ndërsa poeti-filozof do të dijë se çfarë bëhet në Qiell. Jo rastësore janë  sentencat e poetëve të moçëm dhe latiniteti i tyre. Jemi në fillim të botës, dhe ç’prej atëherë Koha vetëm rrjedh, gjërat lindin dhe shuhen, shndërrohen kurse Koha është po ajo, heraklitiane, se “të gjitha sendet rrjedhin” dhe kjo, - thotë ai filozofi, - “duke përfshirë edhe shpirin njerëzor’’.
Gjejmë te “Fuga Temporun” botë të gjallë prej dheu dhe fryme sendesh reale, ashtu sikurse botë ideshë. Bash këtu, te metafizikja, hyn urtësia e poetit; Poezia, e cila siç thoshte Aristoteli, “është diçka më e lartë, se ka qëllim të shprehë të përgjithshmen”, gjithësoren.
Askush nuk mund t’i shpëtojë ProvidencësKohës, por njeriu duke mos qenë i pajtueshëm me karakterin e saj shkatërrues, i kundërvihet shenjtërisht asaj për të pohuar qëndresën e tij të përjetshme si çlirim shpirtëror prej saj. Le të kqyrim vetëm ciklin  “Clivoso tramite vitae”(Nëpër shtegun e vështirë të jetës).
Në poezinë e parë, e cila është një kantiunikula-kredo poetike e misionarizmit të poetit, kënga është kundërvënie ndaj Kohës. Vetë misioni i këngës është për të përjetësuar. Në këngë kulmon tragjizmi i vdektarit që kërkon eliksirin e përjetësisë, por trandja bëhet tejnjerëzore, gilgameshiane, ngase edhe te lira e këngës “tenja anash rreh”.
Në poezinë e dytë Koha krijon një “nature morte”, së cilës i kundërvihet një shpend; harabeli me këngën e tij gjithë trishtim. Këtu Koha është ikje, fund i një cikli jete, mbarim i ditëve të arta, vdekje.
Në poezinë e tretë kundërvënia ndaj saj realizohet me Poezinë e krijuar në cep, në vetminë e Botës.
Në poezinë e katërt kërkohet lakonizëm, fjalët sikur janë mbaruar ngase fundi është kaq kumtues sa nuk ka kohë për shumë fjalë. “Plakja e Luleve” është kumt i beftë e i trishtë; lulet u plakën; edhe lulet plaken! Ç’lumturi e shkurtër! Ç’iluzion është jeta! Fitorja e tyre ndaj rrënimit të Kohës ishte fakti se, “dy ditë jetuan; gëzuan, qeshën” para se të “lëveshken”.

Te poezia e pestë “Jeta”: “Jeta nis me të qarat e fëmijës në djep…”, shpërfaqet një cikël i mbyllur. Njeriu lind me lotët, rritet me gjelbërimin (gëzimin), rrjedh me lumin (kohën) dhe... “dhe mbaron me të qara nën dhé”. Trishtimi është i kohëve biblike, qysh nga koha e Evës, ngase femra është dëshmitarja e parë e këtij cikli, dëshmitare e të qarës fëminore dhe grahmës së mbrame në hjekë. Kjo përsëritet së paku në qindvjetsh. Kësohere përballja me Kohën qëndron tek kuptimësimi, të folurit për të vërteta ekzistenciale dhe trishtimin.
Te poezia e gjashtë, “Heshtje e zjarrtë”, jeta kësaj radhe rrjedh në beftësi, pulsi i saj nuk ndjehet. Del në pah kundërvënia Ti-Unë në lirikën e ndjerë me dritë-hije dhe një dëshirë e zjarrtë për gëzimet e jetës. Poezi e muzgët. Është zjarri i dashurisë, i cili pranëvihet si kundërvënie me të qenit i vdekshëm, njerëzor, i dobët ndaj sëmundjeve dhe i vetëm përballë sfidave të pafundme: “një palë sy pa jetë”, “një palë sy ku ëndërrat u fikën një nga një,”; “një palë sy ku s’ndihet gaz i parë”; “dielli shket si flakë përmbi ujë, pema rri si flakë përmbi ledh”. Ndërsa në vargun përmbyllës;“dielli shket liqenit si një barkë me ar”,Kohës i kundërvihet Dashuria, ku edhe Vdekja zhvlersohet përmes vargjesh,“strukur rri në gjirin tënd e them të vdes”. Dashuria bëhet ngushëllimtarja e të gjitha humbjeve, zjarri i saj  është forca që siguron vazhdimësinë e jetës.
Te poezia e shtatë, Koha është ikje ditësh të lumtura dhe ardhje ditësh të zymta. Një ikje-ardhje ku trishtimin e ndjell, jo vetëm përmallimi i asaj që iku, por edhe terri i asaj që vjen.
Te poezia e tetë, risillet në kujtesë koha e ikur, nëpërmjet mendimit, nëpërmjet imazhit. Koha e ikur është “dritë”, koha e tashme “errësirë”. Mes tyre qëndron mendimi që risjell të kaluarën. 
Te poezia e nëntë, hapësirat mes dy njerëzve të dashuruar janë të pakalueshme, por jo për Kohën. Është vetëm ajo që mund t’i ndajë dy njerëz duke i dhënë fund lumturisë njerëzore. “Mikja” e ndjen këtë dhe trishtohet “shpesh”. Kjo hapësirë shmanget vetëm kur ajo të zëvendësohet nga Kohë e JetësKohë të Vdekjes dhe, “atëherë do zbresim një natë lehtë e fshehtë atje në ferr. Çmendurisht!” Ai dhe Ajo, simbolikisht Adami dhe Eva, të dëbuar nga Edeni i tyre, zbresin në Ferr për t’u takuar. Ata s’janë të lumtur në një botë ku gjithçka ka një mbarim, ndaj kërkojnë Përjetësinë për të qenë gjithmonë bashkë. Qoftë edhe në Ferr.
Te poezia e dhjetë, Ajo trishtohet nga Perëndimi i një dielli vjeshte, por Ai zhytet në ëndërrime, sepse “desha sot të rridhja Atje, si një krua/që malit e ngop shpirtin me liri”. Është një moment dobësie për të kaluarën, për Kohën që ka ikur dhe ditët që janë bjerrur. Te poezia e njëmbëdhjetë, Koha dhe jeta nuk kanë kuptim për “jetimët, sakatët, të mjerët”, sepse për ta ëndërrat nuk janë shpëtim. Te poezia e dymbëdhjetë,“Kurbati” - e fundit për ciklin e parë - jeta është një udhëtim me përmasa të mëdha, ku ekziston Koha e ikjes dhe Koha e kthimit, Koha e ëndrrës dhe e Koha e përjetimit, Koha e gjumit dhe Koha e zgjimit. Ikja, ëndërra dhe gjumi janë sinonime të lirisë së plotë shpirtërore, ngase vetëm në saje të kësaj lloj lirie, njeriu gjendet i çliruar nga Koha. Çdo cikël mbyllet te numri dymbëdhjetë.
I konceptuar me gjashtë cikle me nga dymbëdhjetë poezi “Fuga Temporum” njëjtësohet në një simbolikë të plotë me domethënie të përgjithjetshme. Koha aty është krejt boshti tematik; d.m.th., Qenia (Uni i poetit) në kohë përgjatë dymbëdhjetë vjetëve të rinisë së tij të parë (1992 -  2004). Siç shihet, Kohën si rrjedhë e rregullt elementësh numerik, autori kërkon ta bëjë të dukshme edhe përmes strukturimit të lëndës poetike, ku ka një disiplinë klasike të faktorit numerik. P.sh., numri gjashtë njëjtësohet me gjashtë ditët biblike të krijimit të Universit në Zanafillë, (esetë në hyrje dhe në dalje nuk identifikohen si kapituj); çdo kapitull përmban dymbëdhjetë poezi (një ditënatë takohet përjetë tek dymbëdhjeta). Ky numër (dymbëdhjeta) në njëfarë mënyre bëhet përcaktues limitesh për Kohën. Tek dymbëdhjeta është Fundi dhe Fillimi - siç thotë edhe Elioti - “te fundi im është fillimi im”. Perifrazimet latine të kapitujve, si dhe titulli vetë, gjakojnë të rrokin shqetësime madhore të ekzistencës, por ndoshta synojnë edhe njëfarë homazhi nga ana e autorit për filozofët e krishterë  Shën Agustini dhe Shën Tomas D’Akuini, të cilët e trajtojnë gjerësisht fenomenin Kohë, në epokat kur latinishtja ishte gjuha kryesore e qytetërimit. Tek ndërmend vargjet e Maçados tek eseja në vend të daljes, Petrit Nika e bën vetë të perceptueshëm rolin e dymbëdhjetës në mendësinë njerëzore; dymbёdhjetё orё ditё, dymbёdhjetё tё tjera natё; dymbёdhjetё orё tё zhurmshme, dymbёdhjetё tё qeta. Me dymbёdhjetё u periodizua edhe viti. Dymbëdhjetë ishin fiset e Izraelit, dymbëdhjetë qenë perënditë e Olimpit… Dymbëdhjetë qenë apostujt e Krishtit“. Do të shtonim këtu edhe dymbëdhjetë shenjat e zodiakut, dymbëdhjetë portat e Parajsës, dymbëdhjetë yjet e Apokalipsit dhe faktin se numri dymbëdhjetë ishte në bazë të sistemit numerik të sumerëve dhe babilonasve, sikurse boshti i këtij libri. Egjiptianët e lashtë, filozofët grekë, hebrenjtë, romakët, kristianët dhe muslimanët kanë gjetur përsosmërinë dhe harmoninë te numrat; hyjnoren dhe metafiziken, eternen dhe magjiken.
“Fuga Temporum”, është një shenjë e lënë pa bujë, krejt fisnikëri, prej poetit Petrit Nika, në të njëjtën kohë edhe një sfidë ndaj Kohës. Bashkë me  shenjtërinë e numrave Petrit Nika kthehet i shenjtëruar në Itakë me Pegas, në kërkim të paqes shpirtërore dhe kthimit të njeriut te përkorësia zanafillore. Ai  jeton me artin e tij dhe për artin e tij, ndërsa ky art flet me një gjuhë komunikuese, por njëherësh dhe abstraguese, të fshehtë. Peng i Muzës së vet, ngado që shkon, si një arratiak i pandreçshëm ai hedh vështrimin e përmallur nëpër botë dhe prehjen e gjen vetëm në Itakë.


Tiranë, 15 Korrik 2006



SHEJZA SHTRESORE



(Semantika në poezinë e Petrit Nikës) 

Flurans Ilia

Na të birtë e shekullit të ri...
(sipas Migjenit)



Në ag të këtij shekulli Shqipëria sapo kishte mbushur një dekadë në kapërcyell të shkallares së shkalluar të enumeracionit (të tranzicionit). Rrëshqanthi e me zbythje, me dhimbje shpesh të dhunshme, rridhte pika mbi ujë e gjuhës sociologjike në këtë vend të vogël ku në pamje të parë, në peisazhin e fjalës, në “kthinën e letërsisë” nuk ndodh asgjë ...
Strabizëm! Sepse mu në vitet e para të demokracisë, një grup poetësh kishin dëshmuar ndryshim në “kornizën e fjalës” nëpërmjet një teknike ku ngjyra e shpalosjes, ishte më se Epër7shme.
Pamja e fjalës kishte kapërcyer kornizën e vet. Pa u kuptuar, Fjala (qëllimisht me germë të madhe!) kishte paraprirë atë çka vinte më vonë. Ishte bërë strehë për një brezni poetësh të cilët, të hallakatur në emigrim, të porsa dalë nga studimet, vetmitarë e pa mbështetje, kryesisht të etur për fjalën, kërkonin vijueshmërinë e saj.
Goglat e numëratores së enumeracionit dhe zaret e tranzicionit, vazhdonin të përthithnin ethshëm vite, ëndrra, jetë, në jerm të artit dhe së bukurës, asfiksuar nga terri.
Kjo kategori letrarësh udhëtonte kokulur përmes terrinës, me vetëdije letrare dhe prurje, në pejsazhin e fjalës.
Këta poetë, ishin pjesë përbërëse e asaj çka vazhdon të konsiderohet si një “copë kthinë kalimtare” ku (sërish) nuk ndodh asgjë...
Në këtë atmosferë si sferë qarkon shprehja migjeniane e poetit Granit Zela i cili në një nga mbrëmjet e shumta të Tiranës së atyre netëve kur, iknin dritat dhe lexohej veçse me optikën e imagjinares, konstatoi se “Ne jemi shkrimtarë të territ.”


Drita e një qiriu të vetëm sfidon gjithë terrin e botës.
(anonime)

Nuk e di se nga cili shteg i pavetëdijshëm i vetëdijes më vjen në mendje thënia e mësipërme, por, jam i vetëdijshëm se nga ky këndvështrim, nga kjo rrugicë, duhet t’i përqasemi ngrehinës së poezisë së poetit Petrit Nika. Jo thjesht si ndijim, apo koordinatë gjeografike. Më e pakta për ta kuptuar atë.
Është muzg apo ag, pranverë apo vjeshtë, klima prej ku kalëron muza e tij? Baladë apo epos? Muzë, ëndërr, apo zhgjëndërr? Baltë apo qiell? Pegasos apo Njëbrirësh? Mit apo realitet? Një muzë e veshur me pah vërtetë të çuditshëm drite! Dihatje tërësisht burimore. Burim i brendshëm. Mërmërimë në formë lutjeje. Një “Cappella” ku vokalisti performon pa shoqërues. “Adagio”, apo “Allegro”? Psalm apo polifoni? Si e porsadalë nga thellësia (e tokës).
Poezia e Petrit Nikës përngjan me vargjet e nëndheshme shekullore të karbonit, shtresime të cilat duhet t’i gjymtosh për të mbërritur aty ku gjendet diçka vërtetë e rrallë, si për shembull, diamanti. Këtë gurë të çmuar Petriti e ka gjetur te fjala dhe nëpërmjet saj. Ashtu në heshtje, kokulur, përmes galerisë së territ, poeti e ka matur me hekzametër dhe pa brohorimë. Ka vazhduar punën e vet me të duke e përpunuar dhe duke i dhënë “preçizonin” e zemrekut të një ore artizanale zvicerane. Nuk po flasim vetëm për korrektësinë klasike që mjeshtri ndjek me strofat si strukturë. Petrit Nika është një nga lëvruesit, do e dëshmonim pa ngurim, më të rreptë madje, në rregullsinë e vargut. Duke i falur shqipes vendin që i takon. Duke e formatuar brenda në poezi pa ia prishur strukturën. Çka dihet se është një disiplinë e vështirë. Bëhet fjalë për mirëvendosje (gati matematike) të çdo bashkëtingëlloreje në formacionin e vargut. Kujdes! Jo rastësisht vura në dukje bashkëtingëlloret. Automatikisht kjo na shpie tek struktura, themeli dhe muret mbajtëse të poezisë. Për ta veshur poezinë e tij më tej me një kriter tjetër të domosdoshëm. Muzikalitetin e fjalës. E kryesisht ritmin. Ky është shpirti, fryma e poezisë. Gjë të cilën poeti e kryen nëpërmjet zanoreve, kordave vokale, aq sa njëherë që je i futur brenda vargut të tij, ti si lexues fillon dhe ndijon muzikë. Po. Me pasion, me pagjumësi, me dritësi, e kryesisht në heshtje, Petrit Nika ka kompozuar, jo thjesht akorde lineare, por një “counterpoint”, që janë dy ose tre linja muzikore të luajtura në të njëjtën kohë. Pra, siç vërehet, nuk kemi të bëjmë me lojë fjalësh, por me një mësymje të gjithëkahshme. Puna e tij, sikur edhe me çdo gurë të çmuar, është tërësisht punë artizanale, nuk ka të bëjë me prodhimin në seri të sloganit: Made in Plastica! Kjo për të gjithë ata që janë të dashuruar me efektin karikues të orave me bateri.
Njëkohësisht ky është një ogur i mirë ndarës besoj, për të gjithë të tjerët që i pëlqen ende kurdisja e sahatëve antik, nëpërmjet vizionit modern poetik të poetit. Kjo për të gjithë ata që kanë mundur të vërejnë, shenjojnë, shejza leksikore nga tërësia semantike e veprës së zotit Nika.
Petriti e ka kuptuar këtë fakt dhe rrethanat të cilat e lidhin pazgjidhshmërisht me të qysh herët. E ka pranuar me vetëdije, sikur fatin i tij prej poeti.
Ka ardhur koha, nëpërmjet këtij vëllimi poetik, që Petriti të na hapë portën e ateliesë së tij. Kjo për materialistikën që konsumon vetveten dhe ditët tona, vazhdon të jetë po ajo “copë kthinë kalimtare”, ku (sërish e sërish) nuk ndodh asgjë ... Por për pjesën tjetër syçelët, ka ardhur koha të përballet me një botë të bukur, sovrane dhe të përjetshme. “Në edhe nëse nëpër ne ngadalë nanuriset netëve,/ një rrjedhë e trishtë e mendimit safi bohem,/ jehu jerm i jetës - jeratisur në jetë të jetëve,/ kthehet flauri në kafkullin e së djeshmes totem.”
Ka ardhur koha të ndihemi, qoftë edhe për pak çaste, të mbështjellë me një pah nanuritës drite të së djeshmes. Është po ajo dritë lasgushiane që mbartim si trashëgim nga atdheu i përjetshëm i poezisë.
Malli për kohën e ikur nuk është ngushtësisht qenia, si njësi dhe shestim në kohë. Kryesisht është hapësira e njësuar me atdheun, Zotin, natyrën, metafizikën, mistikën, poezinë dhe shpirtin binjak të botës.“Dhe shkrihemi pa zë në amzën e âmël të atdheut.”
Si përmasë dhe fjalë, brenda këtyre caqeve gjallon gjithashtu edhe realiteti që çapitet në klimatin tipik të poetit. Ndërmend më vjen “Njeriu që ecën” skulpturë e vitit 1960 nga ekzistencialisti Alberto Giacometti. Ky është personazhi, njeriu i sotëm i këtyre ditëve. Çasteve. Vet qenia e dalë nga balta që ecën mbi baltë për t’iu rikthyer baltës.
Ky është realiteti në poezinë e Petritit. Një tjetër hapsirë e gjerë semantike. Realiteti i librit. Realitet leksikor. Ky është realiteti i çdo lexuesi. Realiteti i poezisë. Ky është realiteti i të gjithëve ne. Me përjashtim të një njeriu të vetëm. Donjetës. Bijës së Petritit. Lexueses së ardhshme të këtij libri, lexueses që nuk do ketë nevojë për retorikën e kësaj parathënie, lexueses së veçantë, lexueses universale, lexueses së drejtpërdrejtë, e cila, e cila një ditë, vetëm ajo dhe askush tjetër, do ndijojë përmes këtyre vargjeve gjithë atë univers të pashtershëm që mbartet pezull si galaktikë e panjohur brenda atit të saj, dhe që për hir të pamundësive nuk mundi të përqafet me realitetin e fëmijërisë.



Montreal, vjeshtë 2016





Sfida kritike dhe gjuhësore në një libër me publicistikë


Nga Petraq Zariu


Para pak kohësh, doli nga botimi libri i parë publicistik i poetit dhe publicistit të ri Petrit Nika, me titull “Nostalgji apo ankth ekzistencial?”. I ngacmuar nga fakti se një pjesë të atyre shkrimeve i kisha ndjekur herë pas here në faqet e shtypit shqiptar, iu futa menjëherë leximit të tij dhe ndonëse libri përmban më shumë se 170 faqe, e mbarova në një kohë relativisht të shkurtër. Përmes një thellësie befasuese mendimi, përmes një zhhdërvjelltësie brilante, dhënies së fakteve dhe argumentimit të tyre, herë me nota solemne e herë të tjera me nota ironike, e pse jo dhe sarkastike, nëpërmjet hipërbolës, antitezave dhe groteskut apo paradoksit, me anë të një stili do të thosha Konician, autori godet njëri pas tjetrit fenomene të aktualitetit të sotëm shqiptar, dukuri të jetës tonë sociale, politike, ekonomike, shoqërore, dhe mediatike. Libri përmban një gamë artikujt të përzgjedhur të cilët jo vetem fokusojnë dhe kritikojnë fenomene, por kanë edhe vlera estetike e mediatike për të sotmen dhe të ardhmen. Nostalgjia është kryefjala e librit të nikës, por joaq një nostalgji vetiake sesa sociale, shkagimet e së cilës ai i fakton vetë në shkrimet e tij. Nga çdo plan jam shumë dakort me autorin, kur thotë në një nga esetë e tij më të mira, Pikërisht tek eseja “nostalgji apo ankth ekzistencial”, - nga e cila e merr dhe titullin kjo vepër) se “Progresi, duke qënë se e hedh vështrimin sall vetem drejt së ardhmes, ka gjasa që ajo sakrifikon dhe mohon të tashmen në emër të sajë, kurse nostalgjia..., e sakrifikon të tashmen për të shkuarën, si rrjedhojë mospajtimi me realitetin ekzistues”, (fq 11). Dhe më tej autori i këtij libri, zhbirues fin në realitetin tonë të përditshëm, vjen nën një konkluzion, sa realist, aq dhe absurd në këtë epokë kua ajo çka është perverse dhe antihumane sa vjen dhe dominon më tepër mbi njeriun, kur nënvizon se: “E tashmja nuk ekziston askund, ajo është ose e tashmja e së ardhmes, ose e tashmja e së shkuarës, veç kurrsesi s’mund të jetë dhe e tashmja e së tashmes, pra e tashmja e jetueshme, e tashmja ku njeriu e ndjen lumturinë e të qenit, në mendjen dhe në momentin e tij të papërsëritshëm”. Pothuajse nëpër të gjithë rreshtat e librit, Nika i bën një analizë shumë të thellë simptomës sociale të shkaguar nga dehumanizmi, asajë që ai e quan “ankthi ekzistencial” dhe që është i pranishëm tek çdo njeri në këtë botë, ku s’ka të sosur kokëkrisja kompjuterike e dixhitale. Tek njëra nga shkrimet e tij të thella publicistike, e cila në fakti i qaset më tepër një studimi të mirfilltë shkencor, “Globalizmi, realitet dhe dilemë” ironizohet fuqishëm epoka përemes kufizimit të Oscar Ëillde: “Ne po jetojmë në një epokë ku ka shumë punë dhe pak edukim, në epokën ku njerëzia është kaq ë zënë me punë sa është budallallepsur fare”. Pa pretenduar të jem një studiues përfekt, për të zbërrthyer me kompetensë dhe korrektësi matematikore ambiguitetin e plotë të mesazheve që Nika përcjell përmes librit të tij, dua të ndalem pak dhe në një vlerë tjetër që më bëri përshtypje tek ky botim. E kam fjalën për pasurinë gjuhësore, e cila është vëështirë të anashkalohet pa u vënë re nga cilido lexues i çdo niveli qoftë. Gjuha që përdor Nika është një karrem tjeter estetik të cilën ai tregon se di të jetë i zoti t’a përdorë me mjeshtrinë e duhur, që lexuesin t’a mbajë “të mbërrthyer” në lexim, madje siç duket, pa u sforcuar aspak.
Gjuha tekstore e tij, vjen plot larmi dhe efekte kuptimore e stilistike, ajo është përdorur në funksion të analizave, argumenteve, konkluzioneve, duke shpalosur fuqishëm si atë anën shënjuse të sajë, ose thënë ndryshe anën semiotike, ashtu dhe guximin për të luajtur me disiplinat përkatëse të shqipes; sintaksore, morfologjike, leksikore, me fjalëformim etj., sikur enkas kërkon të vëjë në dukje atë plasticitetin karakteristik të sajë, kur ajo ka shansin fatlum të jetë gjithpërfshirëse. Përdorimi bujar dhe njëherësh mjeshtëror i sinomimeve, antonimeve, antitezave, dialektalizmave, kompozitave etj, i japin anës tekstore një kolorit të fuqishëm dhe patjeter mjaft mbreslënës. Petrit Nika falë talentit të tij krijues, kulturës filologjike dhe dashurisë për gjuhën, i jep lexuesit përmes këtij libri shansin të gjejë shumë forma të vjetra gjuhësore (të bukura, por deri diku të papërfillura më parë), si dhe mjaft forma gjuhësore të krijuara enkas si; kompozita, shprehje frazeologjike, formime sintaksore e morfologjike, të cilat bëhen për syrin e lexuesit promovuese të padyshimta të një stili estetik dhe eseistik në lartësinë e një niveli bashkëkohor. Përshtypje të veçantë të bëjnë fjalët kompozita me përdorim tepër të rrallë në kohën tonë, konotacioni i të cilavei vjen ën ndihmë autorit, ose për të ironizuar ose për të satirizuar fenomene e dukuri të jetë sonë të përditshme, si: shkrola (shkronja), humbashpresë (humbja e shpresës), rish (sërish), kësobotshme (të kësaj bote), përshkëndritje (dritë e fortë), leshrakërlëshur (që i mbajnë flokët si iriq), buçkamane (të fryra), shalëpaveshur (që mbajnë minifunde të shkurtra), flalëmirët (lajkatarët), shformimkujtesa (indiferentizmi), leximpërtacia (dembelizmi), biznesinteresi (vënia kohë e këmbë pas fitimit përsonal), mëndjeshplarëse, të huajsimi, teperfortmirnjohura (kompozitë me kontekst ironie dhe nervozismi njëkohësisht), gjithëkohësia (përjetësia), çdocilin (ndajfolje me përdorim tepër të rrallë), deliranto-estetiko-patriarkalo-virutual (enumeracion i pazakontë), letranxirës, vlerabjerrës, realsocist, jashtësi, bjerraditë, bjerratraditësish krahthatë e barkjasht, prapanicëlëpirës, heredokurë (ndajfolje e gegërishtes), krimkultura, ase (ose), të fatbragtisurit, uni loacak, dalëkohe, poli(e)tik, insistimi marrok, bollfort, jetëciflosëse etj etj.
Rradhët e kësaj liste ne mund t’i vazhdojmë shumë gjatë me formime të tilla, të cilat sipas kontekstit ku përdoren, janë jo vetem interesante nga ana estetike, por edhe me vlera të theksuara shprese në aspektin semantik. Në mbyllje, mendoj se libri i sapobotuar, me ese dhe publicistike e radhit pa dyshim Petrit Niken në rradhen e penave më mjeshtrore të viteve të fundit. Si përsa u përket thellësisë së gjykimin kritik dhe diapazonit tematik, ashtu dhe përsa i takon të jetë në planin stilistik e gjuhësor. 

Burimi:

Gazeta TEMA, Nr. 2047, 7 prill, 2007, f. 20.



Shpirti “tezal” në vargun e Petrit Nikës (Nga Phd. Fatmir Terziu)



(Mbi librin ”Qenia brenda enës” dhe kthimin e përjetshëm të Odiseut në Itakë) 

Phd. Fatmir Terziu

Hyrje

Në fjalorin shqip-anglisht të Universitetit të Oksfordit fjala shqipe “agshol” përkthehet “break of dawn” që në fakt po të thuhet ashtu siç kuptohet në gjuhën shqipe duhet të jetë një fjalë e vetme, pra ajo që në anglisht thuhet “dawn” e që në tërë këtë lidhje semantike nënkupton “agimin jo të plotë”, agimin mëngjesor të një dite të paralajmëruar. Kjo ditë e paralajmëruar në nëntekstin e kësaj fjale ka dykuptimshmëri filozofike. Njëra kuptimësi lidhet me thelbin që vetë kjo fjalë dikton, përpos veçorisë së saj dhe tjetra me anën semantike që plotëson didaktikën e lidhjes së fjalës me natyrën dhe aspektin sinjifikativ të prodhuar nga derivati i kumtit të saj. Po të shihet e shoqëruar në gjysëmvargun e tij të parë ajo përpos termit “mjegullor” nënkuptohet apriori si një ditë e mjegullt, pasi luan rolin e një mbiemri në këtë fjali të paplotë.

Rregulli  sintaksor

Sipas rregullit sintaksor këtu kemi një hapësirë adekuate, por me një aspekt tipik që në strukturializëm konvertohet me koshiencën e prodhuar të mesazhit në kohë, hapësirë dhe vend. Por në aspektin figurativ kjo mbishtesë e këputur, por e domosdoshme, krijon një veçori të re poetike, që nënkupton ardhjen e ditës jashtë aspektit mjegullor në lindjen mëngjesore si pretekst i agut, pra si një ditë të mbarë, me diell të begatë, të ndritshëm, të plotë e me tregues mirësie në sytë e njeriut. Jo më kot e ka zgjedhur këtë fjalë të qëmtuar të gjuhës shqipe, Petrit Nika, në një nga poezitë e tij që mban një titull sa mitik aq edhe filozofik: “Kthimi i Odiseut në Itakë”. Në të njëjtin varg, pas një pike që luan rol aspektor, (aspekti është lidhja e ndjeshme e fjalëkuptimit me vendhapësirën ku mbizotëron dhe funksionon fjala), vazhdimësia me ndriçimin e situatës që lidhet me anijen misterioze, ku gjeografia na diktohet enkas me hapësirën mbi det, natyrshëm plotëson kodin metafizik të krejt asaj që autori ka krijuar në lidhje me një poezi që mbetet një arsye e plotë për t’u ndalur e analizuar deri në detajin më të imët të saj. Duke u ndalur pikërisht në këtë pikë, edhe pse detajet që autori na i jep nëpërmjet fjalëve janë të paprekshme, në gjuhën e studiuesit John MacMurray (1953:109) kjo është një “perceptim i prekjes” së detyruar që organizohet nga fuqia e mesazhit të krijuar. Sipas këtij studiuesi kjo prekje e perceptuar vjen si pasojë e eksperiencës së rezistencës, në një hapësirë-lidhjeje imediate të njohurisë me fuqinë që e prodhon fjala poetike (po aty).
Struktura e poezisë si aspekt i perceptimit
Kompleksi i perceptimit në poezinë e Petrit Nikës është një metadiagramë inerte e lidhjes së imagjinatës poetike me kreativitetin. Parë nën dritën e Frojdit, tek kjo poezi, ne gjejmë se “imagjinata poetike dhe kreativiteti janë paraqitur në mënyrë tipike në aspektin e fantazisë”, ëndërrave krevalente dhe një nate të ëndërruar plot vegime stilistike (Frojdi, 1928:58-62). Kjo lidhet në konceptin e hershëm të Dhimitër Paskos që për të është “prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut”,..., pra, sipas Paskos “një art i bukur është një krijim që mendon” (Pasko, 1944: 1-4). Më tej, ashtu si tek Frojdi që e lidh strukturën metapsikologjike me strukturën shpirtërore, edhe Pasko sheh se “poezia është një fluid shpirtëror” (Frojdi & Pasko; po aty). Petrit Nika me "Qenia brenda enës", një vëllim i vlerësuar me poezi, flet qartë në këtë pikë.

Ndikimi me teorinë

Në tërë këtë vëllim ndikimi ka një themel; lidhjen e fenomeneve të lartcituara me parimin fantazi. Është pikërisht ajo që Frojdi thotë se imagjinata poetike është një formë e zëvendësimit dhe mund të shihet në një kornizë si një lojë e fëmijërisë. Fantazia është produkt i mendjes, sipas Frojdit. Fantazia është në fakt edhe potenciali që krijon poeti Nika në një “lojë” të tillë perceptuese mes vargut, jetikes dhe oportunitetit të mesazhit. Këto koncepte të para nën dritën e strukturave metapsikologjike të Frojdit, por edhe nën këndvështrimin e Martin Heidegerit, parashtrojnë trajtesën e kësaj poezie në tërësinë e saj si një vepër të krijuar nga poeti artist. Dhe si për të lënë këtë ndjesi artistike edhe në spatulën artistike të skulptorit, poezia e skulptorit dhe poetit, Haxhi Kalluci nga Fieri, krijuar enkas për Petrit Nikën, duket se vjen mes kësaj metapsikologjie dhe vetë titullit artistik të saj “Përthyerje”. Ajo që Kalluci shtron në vargun e tij dedikues është një hapësirë e domosdoshme për të lexuar tërë mediagramën inerte të lidhjes së botës së padukshme të poetit me materien fizike në vargun e tij: “Ti hënën e do,/ dëborën e brymërat,/ mjegullat ndër lugina/ që u aviten kreshtëmaleve./ Ti diellin e do,/ rrezet, që u lëshohen pemëve/ argjendin,/ floririn, shkarkuar prej reve./ Ti tokën e do/ si frymën tënde,/ me ngrica, me avuj/ nga rava e përjetshme e një parmende./ Ti ujin e do,/ e do si kaltërsinë e një ëndërre.” (H. Kalluci; (4 nëntor 2009). Në këtë përkushtim poetik sërish gjejmë edhe anatemën e Paskos që vëmendëson hapur: “Vlera e poezisë nuk peshohet as me kandarin e dyqanxhiut, as me peshën e dijetarit të laboratorit, - ku një e një bëjnë dy” (ibid). Pra sipas Paskos, është shpirti “tezal” (një mbiemërzim ky nga fjala “tezë”, por që shtrohet si e vërtetë me disa argumente). Ai shpirt si mjet “vehikulimi” ose përcjelljeje të ndjenjave.

Vehikulimi poetik

Ky mjet i përçimit të ndjenjave shpirtërore është paradigma më thelbësore në vargun e Nikës. Vehikulimi shpirtëror vjen e zgjerohet tek “Qenia brenda enës”, poezia me të cilën hapet libri, duke ndërlidhur hapësirën, nuancat, zbrazëtinë, zullumin, materien, historinë e tërë atë metapsikologji frojdiane të konceptimit dhe psikoanalizës për të dhënë mesazhin përmes një leksiku të pasur dhe një fjale të bukur poetike: “Hapësira e ngarkuar me dertet e vjeshtës,/ plim me nuanca, mjegull dhe lagështi,/ me temp nostalgjik që prej fillimjetës,/ me lutje pagane - dyndet në zbrazëti./ Shiu lëpin ekualipteve myshkun e errët,/ me neps zullumqar krejt prej Poseidoni;/ mes shirash mitikë dhe erës së mnerës,/ prapë rrjedh nëpër rrugë baltë Deukalioni./ Dhe materia e lodhur nga prirja e rindërtimit,/ shpërlahet e amullt në ekuinoksin e çrregullt;/ tani asgjë nuk e ndal më rrjedhën e gabimit,/ me zanafillë (ndoshta) qëllimisht të mjegullt./ Sa të jetë hapësirës qoftë dhe një thërrime,/ nga lënda makabre tmerrësisht e pangopur,/ rish Kronosi dhe Gjea mes mjegullash - thinjur;/ s’i lënë historitë e dhimbshme për të sosur.” (Nika poezia “Gjithçka brenda enës”). Në këtë poezi shihet edhe erudicioni e poetit, prirja nga gjithëkohësia. Ai nuk vjen si një monovalent. Por si një kompleks i përshtaur mes tërë aspektit krijues, ku spikat kualiteti dhe jo kuantiteti. Në poezi të tilla si “Dasma e Ifigjenisë”; “Kënga sakrale”; “Mesnatë …”; “Për braktisjen dhe më...”; “Spleen”; “Ëndërr me dëborë dhe male...” etj., por edhe në tërë kapitullin e këtij vëllimi poetik “Skica dhe peisazhe”, ndoshta disi më ndryshe tek kapitulli “Elegjitë e shiut”, vehikulimi poetik i poetit poetit tregon për të tjerët konfigurimin dhe dëshirat e tij të thella në tërë ndjesinë e tij të thellë e të fshehtë në përcjellje.

Konfigurim  me kualitet

Ky konfigurim vjen me një kualitet. Është në fjalë, në gjuhë, në mesazh, në pikturimin e abstraktes, në koordinimin e muzikalitetit, në hapjen e strofkave imagjinare, në arkitekturën moderne dhe bashkëkohore me vlera poetike. Le të ndjekim në qetësi poezinë “Mbi asimetrinë e pemës”: “Në ditët me shi të vjeshtës/ pema ngjan më elegjiake se një aed,/ një aed endacak dhe i braktisur / në hapësirën krejt pa zot të askundit,/ pa dhemshurinë ngushëlluese të strehës,/ vizitorëve, kureshtarëve, kalimtarëve të rastësishëm;/ hepohet mendueshëm/ nën vrazhdësinë e erës/ duke vajtuar prirjen e lakuriqësisë/ në fazën e ekuinoksit metaforik të plakjes./ Krejt vetëm, rrethuar nga uji,/ nga era dhe dëshmitë pa jetë të një kohe tjetër,/ vëren lakuriqësinë e vet,/ që sa vjen e bëhet më e plotë dhe solide/ me mjedisin relativisht të varfër;/ zbulon asimetrinë e evolucionit/ dhe gjatë gjithë stinës së ardhëshme/ mundohet të shestojë shkaqet, pasojat,/ që nga zanafilla e largët,/ zakonisht e behur në një ditë të zakonshme prilli,/ deri tek momenti i integrimit/ në integralen e historisë së qenësimit,/ dhe përgjatë gjithë rindërtimit historik,/ asimetria dominon imazhet,/ thelbin, kuptimet e para dhe të fundme,/ madje deri tek prognoza tragjike infernale”. Në këtë qetësi ndjejmë krejt instiktivisht atë që hershëm Verlaine, e quante me të theksuar “De la musique avant toute chose” (Para së gjithash muzikë). Në punën e tij artistike, poeti, përmes kësaj poezie ofron një kompromis mentalo-logjik, duke zgjedhur një favor aspektual të muzikalitetit dhe duke e ndikuar atë mbi të tjera dukuri dytësore, për ta lënë në gjendje të lirë vargun, për të krijuar diçka të re përmes këtij tensioni shpirtëror. Është ajo që Heideger e qartëson se “E vërteta është shpallur nga poeti në punë të artit”. Kjo poezi sipas Hedeger do të lexohej si një konceptim i gjallë në simbolikën e tij, ku imazhet poetike janë të ngarkuara me energji, të grumbulluara në kohë, hapësirë dhe vend. (Heideger, 2008: 36-123). Ndoshta pikërisht këtu nis kartvizita me emrin e poetit ...

Poeti me të ardhme

Vlerësimi ynë nuk vjen aspak nga volumi i botimeve të tij në këtë cilësim. As edhe nga cmimet e studiuesve të ndryshëm që ai ka në dosjen e tij. Ndoshta larg edhe aspektit gjeografik. Ndoshta ..., por jo ndoshta larg cilësisë së poezisë së tij perceptuale, të lexueshme dhe tipike. Një autor i njohur i viteve "90, pedagogu dhe studiuesi Granit Zela, shprehet për Nikën: “Ai jeton me artin e tij dhe për artin e tij, ndërsa ky art flet me një gjuhë komunikuese, por njëherësh dhe abstraguese, të fshehtë. Peng i Muzës së vet, ngado që shkon, si një arratiak i pandreqshëm ai hedh vështrimin e përmallur nëpër botë dhe prehjen e gjen vetëm në Itakë” (Zela: 2009:11). Ndërsa Ilirian Gjika, duke cituar gazetën “Korrieri”, e vendos këtë krijues “midis emrave më të njohur të letërsisë shqiptare të viteve "90, si Tufa, Çoçoli, Bala, Hatibi, Leshanaku, Marku, Zekthi etj” (I. Gjika; 2009: 12). Pra, shkurt, ky është poeti me të ardhme. Poeti shqiptar, Petrit Nika, u lind në Dardhë të rrethit të Pukës, më 9 qershor të vitit 1975. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në vitin 2000. Ka punuar mësues në vendlindje për dy vite, mandej në Fier ku jeton që prej gushtit të vitit 2002. Është bashkëpunëtor i njohur i medias kulturore dhe medias së përditshme, ku ka botuar periodikisht ese, polemika, kritika letrare, poezi e tregime. Ka një përfshirje aktive në botën letrare shqiptare me krijime poetike dhe tregime, pothuajse afërsisht njëzet vjeçare. Në vitin 1996, kur ishte student i vitit të parë në Tiranë, fitoi konkursin poetik të gazetës “55” duke u përfshirë dhe në antologjinë përkatëse që botoi gazeta; në vitin 2004 fitoi çmimin e tretë në një audiencë prej 79 autorësh të njohur të poezisë së sotme shqipe që u botua përgjatë një viti nga gazeta kulturologjike “Fjala”. Ndonëse gjimnazist i vitit të tretë, ai nisi prezantimin me dy libra për fëmijë; "Gjinkalla dhe milingona" dhe "Trembëdhjetë përralla pelegrine". Atëherë ishin vitet 1993 - 1994, por këta libra do të arrinte t’i botonte vetëm në vitet 2004 dhe 2005.    Ka botuar “Mëngjes në Alpe”, (poezi-1997); “Nostalgji apo ankth ekzistencial”, (ese & publicistikë-2007); "Fuga Temporum", (poezi-2009); "Qenia brenda enës" poezi etj.

Kumti i fjalës dhe logjika si kod më vete

Në kritikën shqiptare të viteve “40-të, Kolë Ashta kur analizon poezinë e Filip Shirokës, të cilën e sheh “shpirtnisht të afruar mes tyre” sjell në skenën e kritikës letrare termin e ngjashëm “shkokloj”, që nënkupton jo kuptimin e fjalës “e shkoq” apo e “bëj kokla-kokla”, ose “shkokrroj”, por eksperiencën dhe perceptimin e rezistencës që vjen nga fjala në poezinë e tij (Ashta, 1944:1-2). Dhe ndërsa Ashta e shikon këtë rezistencë dhe perceptim në poezinë e Shirokës tek “i sillet para sysh shtëpia e të parëve…”, poeti Petrit Nika, e siglon atë me dy variantet e tij që vijnë nga njohuria e tij për kthimin e Odiseut në Itakë, por në lidhje të ndjeshme me natyrën dhe tërë ligjësinë e saj që nga lindja e dritës. E gjitha kjo në studimin e Ledri Kurtit, ndërsa i referohet dimensioneve të mendimit kritiko-estetik shqiptar në kohë dhe në tipologji, që vjen nga marrja në konsideratë e mendimit të Ashtës, nënkuptohet si një “poetikë me vlerën e kuptimit të kënaqësisë artistike të përfituar prej saj (poezisë) si art” (Kurti, 2009:231). Kjo kënaqësi artistike e vecon këtë poezi dhe e prezanton këtë poet me një vlerë të ndikueshme të artit të fjalës. Poezia e tij ka ardhje të ndjeshme në kohë dhe në hapësirë. Është e pjekur dhe aspak e nxituar, e pangarkuar, e lidhur me natyrën dhe forcën e saj. Poeti me moshë të re, po aq edhe poezia e tij e re, kanë një lidhje të tejdukshme mes njëri-tjetrit. Vendqëndrimet e tij dhe edukimi edhe pse variojnë, krijojnë një aspekt jo të diskutueshëm gjeografik, por diktojnë gjithashtu njohje, njohjen për autorin dhe po aq edhe për krijimtarinë e tij.
____________________
Bibliografi & Referenca:
  • Ashta, K. (1944) Ngjyra e Vendit të Filip Shiroka tek Revista Letrare, Tiranë, nr. 5, 15 Prill, f.1,2.
  • Frojd, S. (1908), "Lidhja e poetit me ëndërr-ditën", Karakteri dhe Kultura, Neë York: Collier Books.
  • Frojd, S. (1911), "Formulimet për funksionimin mendor...", një përzgjedhje e Përgjithshme e Punëve të autorit me parathënie nga John Rickman dhe shtojcë nga Charles Brenner. Garden City: Double Dita Anchor Books, (1957)., F. 44.
  • Frojd, S. (1928), "Dostojevski dhe vrasja e të afërmit". Neë York: Collier Books.
  • Gjika, I. (2009) Gazeta “Standard”.
  • Heidegger, W. R (2008) Nëpërmjet fenomenologjisë së Mendimit, botim i dytë. Londër: Metuin.
  • Kurti, L. (2009) Dimensione të Mendimit Kritiko-Estetik në Kohë dhe Tipologji. Shkodër: ‘Camaj-Pipa’
  • MacMurray, J. (1953) Vetja si Agjent. Londër: Faber dhe Faber.
  • Pasko, Dh. Revista Letrare, Tiranë, 1944, nr 5, 15 Prill, faqet 1-4.
  • Zela, G. (2009) Gazeta “Standard”

 Shkurt 2011 

Burimi: 

http://index.fieri.com/art_kulture/letersia/4154-shpirti-%E2%80%9Ctezal%E2%80%9D-n%C3%AB-vargun-e-petrit-nik%C3%ABs.html

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat