Tuesday, May 15, 2018

Stacioni 42

Lirika ndër mote














Lamtumira e vajzës

Iku vajza në qytet,
e la fshatin që pa gdhirë,
bijë e tokës këtë vjeshtë,
i tha djalit “lamtumirë!”
       
“Lamtumirë, i dashur djalë,
kështu fati paska shkruar;
në kujtime të të mbaj,
si atëherë të dashuruar!

S’do harroj mallin tënd,
ylli im përdëllimtar,
takimin plot zjarr e drojë
dhe atë puthjen e parë.
       
Fati s’di se ç’do më sjellë,
rrjedhë e kohës nëpër erë;
veç dritares, përmbi qelqe,
do trokas prap ndonjëherë.”

Djali s’foli, më s’e puthi,
sytë atij iu mbytën lot;
udhës iku i helmuar,
rrahu udhët kot më kot.

Erë e vjeshtës nëpër fletë,
thurte vargje plot trishtim;
asnjë vajzë s’desh në jetë
me aq zjarr e përgjërim.

Vjeshtë 1996


Mendoj për ty


Mendoj për ty, çdo ditë nga pak
plot me trishtim,
as sot as mot, ti s’vjen aspak
më në takim.

Mendoj për ty, unë natë e ditë,
me mall e shpresë,
dhe flokët m’u thinjën, duke pritë,
dhe prapë të pres.

Në shi unë dal, natën bares
dhe të thërras,
kërkoj të vdes, e prapë nuk vdes
as nuk kam gas.

Dhe s’di si rroj, kur ti je larg
e s’të shoh dot,
as sot, as mot, ti s’vjen aspak
dhe unë pres kot.

gusht 1998


Erë e përmallur dhjetori


Me mall vjen era e bën poterë,
përmbi lëndinat ngjyrë gri,
me mall të hirtë, si asnjëherë,
fryn erë dhjetori nëpër shi.

Ah, ç’mall  i beftë dhe i pashpresë,
vjen val-e-valë mbi erë valore,
se jeta kurrë nuk mund të mbesë,
pa gaz-trishtimet pranverore.

Dhe ndaj bërtet kjo erë e çmendur,
dhe shkopin tund mbi pyll të ngratë,
si foshnjës, gjumin ia pat trembur,
shih; në gjumë tash e vë prapë. 

dhjetor 1999


Rigë


Po pse rigon ky shi i verbër,
tek qiejt rënden cit me blu -
në hapësirën e padurueshme,
si tinguj brenge, kuturu?

Ç’ia ngre kjo era valët gjolit,
përhumbur thirrjesh të pangjyrë?
Përse gjithë thinjat e oborrit
m’i ngriti sonte në natyrë?

Kaq gjatë kështu, o Zot, o jetë,
ky shi i verbër qiejsh blu,
me ca litarë të dhemshur tjerrur,
me tinguj brenge, gjithashtu.

qershor 2000


Shiu i fundgushtit dhe një qenush


Filloi dhe shiu, i shtrenjti shi,
pas gjithë kësaj stine me thatësirë,
mbi rrugë, mbi sheshe, - ç’ melankoli!
për ditët e stinës që tash janë vdirë.

Një qenush larg te një zabel,
leh ndaj shiut që bie mbi fletë;
o këlysh i vockël teveqel!
ti shi nuk pé askurrë në jetë.

Është shi i parë, pikat e para,
që i shikon dhe i ndjen mbi shpinë,
ndaj leh i trembur nëpër ara,
rend në zabel, rend në lëndinë.

Dhe ndaj ankohesh këso bote,
plot të papritura kështu,
e leh plot brengë e mërzi kote,
në fshat të lagur, kuturu.

Dardhë, 26 gusht 2003



Fundgushti


Fundgushti vithiset në rrugët me pluhur;
“Lamtumirë!”, “Lamtumirë!”, “Lamtumirë!”
Dhe gjethja nga pema prej lodhjes këputur,
ngarend në humbëtirë.


Me sy të trishta mpitas ditët,
vështrojnë nga kalendari.
Në dhomën e heshtur ku gëlojnë termitet,
për vjeshtën bie sipari.







Mesnatë …


Gjumin e spraps si kalë i harbuar,
në natën e mjegullt, e terr të verbuar,
krejt bota ka heshtur - lahutë e shituar,
Sall ti po rri zgjuar.


Nëntë vasha Parnasi të vijnë në valle,
terri davaritet nga nëntë shtojzovalle,
harpa e Mnemozinës me nota korale,
jehon në nëntë male.


Në ditët që ikën askush s’është përpjekur
të pyesë njëherë; - je gjallë apo vdekur?
Larg syve të botës ke qarë sa je mekur,
nga mohi i prekur.


Mesnatës tash zgripesh në fund të një honi,
nëntë vashat e hirshme i mbledh Apoloni;
asgjë s’mund të bëjë as vetë Pigmolioni, -
fle gjumë Apeironi.

Qershor 2010


Çështja …



Prapë natë. Me hënë, si gjithmonë,
dhe heshtja flet në heshtje,
vetvetja prap vetveten e dyshon,
dhe e kthen në çështje.


Tymin e cigares e hedh në zarf,
dhe hirin mbledh në zarfin tjeter,
çështja e vetë çështjes, në kolaps,
trand çështjen e vjetër.


Shpirti kokën ul e bje ne vaj,
trembur nga materia;
vetë materia nëpër turp pastaj,
ngushëllon si përhera. 


Vazhdon loja - dhe çështja me vite
ngelet e pazgjidhur,
gjersa shpirti në skaj të një dite,
n'mërzi do ketë ikur. 


Gjerë atëherë s'ka qarë materia asnjëherë,
për shpirtin e burgosur;
tani qan dhe bie në humnerë,
tek koha e pasosur.

Verë 2010


Intermexo vjeshte

Cantiunicula nature*

Vallëzon shelgjishtja në erën e vjeshtës,
me kujën e kohës në fir,
në mirëkuptim të plotë me lajmin e vdekjes;
- e din që s'është zefir.


Dhe velloja e gjelbër bëhet e verdheme,
me nuancat e trishtimit të ri;
tevona rrotull trungut prehet mbi treme,
- plot melankoli.


Mëkot ëndërron për agimet e bruzta,
çka pa e çka la në këtë jetë,
ndaj rrugët me fletëza të verdha i mbushka,
- dhe qiellin gjer tek retë.


Mbi viset e ftohta e shpërndan trishtimin,
mes vallëzimit të fundëm funebër;
me kalimin e kohës do kalojë koha,
- dhe prapë bëhet e gjelbër.


20 shtator 2010

____________
*këngëz natyre


Aromë jaseminësh


Nata, në heshtje, pa shprehje, pa shpresë,
aksiomë opake e dhimbjes që çmend,
atkina kujtimesh përcjell xhadesë,
nga truri tek zemra që dhemb.

Agshol, a drek’herë e kohës së ikur,
paqtuar pret tashmë dhomës në fashë,
dritarja rri hapur dhe pamja e zhuritur
e fushës, ngjan si rënie suvashë.

Vogëlushja nuk loz më nëpër dhomë,
me duart si flutura të vockla plot dritë,
kaçurrelat e buta s’përhapin aromë
jaseminësh që teptisin yjësitë.

Miellazë e dritës zbardh pamjen e shkretë,
ku sendet janë kthyer në trajta amorfe.
Dhe drita, dhe sendet kanë ndërruar jetë,
mëkot - thonë - rrëmon n’ato mote.

E tashmja vë peng sakaq moskuptimin,
për kumtin e pritshëm të flasësh s’të vjen,
në të ndihtë e shkuara e retushon gabimin,
ajme, aromën e parë të jaseminëve s’e kthen.

2012


Një ditë si çdo ditë

Mbi pemë shtriqet mëngjes i brymtë,
nikotina e natës ka hyrë gjer në limfë,
fillon dita e re me ëndrrën e zymtë,
vullneti tkurret si rrobe e linjtë.

Çdo ditë epet drejt moteve të shkuar,
dilema luhatet si bollë në çengel,
në kremastar sakaq xhaketën xhepshpuar,
e merr me përtesë dhe del.

Pas krahëve lë hijen dhe tymin e vrazhdë,
të cigares së dredhur pa mendje kuturu,
ca sy të përlotur të ndjekin në vazhdë,
gjersa në mbrëmje të kthehesh tëhu.

E rëndë mbyllet porta, rruga më e rëndë,
rri heshtur njëtrajtshëm dhe të sheh në sy,
gjithçka pa lëvizur qëndron ku është lënë,
dhe dita vetë lodhet duke pritur ty.

Rigon nostalgjia mbi orën e madhe,
si vesë - dhe akrepat përpëliten në ngërç,
rreket qenieshkreta t’ia dalë - si çdo radhe,
në plojën e fatit të mos luaj menç.

15 shkurt 2017


Stacioni 42

Përvidhet tashmë pranvera aq shpejt
dhe zemra më s’dehet.
Numëron vitet sikur ishin dje,
rininë që nuk kthehet.

Ke bredhur sadopak në botën e madhe,
s’mund të thuash - jo.
Je dehur sa herë nga flladi në male,
dhe amza e fushës ngado.

Përgjumur je nga zhaurima e lumit,
netëve në vendlindje.
Me vrull ke rendur përmes kumit,
si në ëndërrime.

Si fletët që rrjedha i çon diku larg,
dhe të humbasin në sy.
Aq vite të ikën në varg,
por mallin s’e kyçe në dry.

Sikur bota t’i njihte fatet të gjitha,
s’do kishte më teatër.
Melpomeni do ngelej gafrruar në driza -
s’të mbante me hatër.

9 qershor 2017




Hënë qershori treçerek

Pak prehje lyp në fund të ditës,
një kënd të blertë që të shërohesh,
tek shmang vështrimet e Plasidës*,
që të përndjek prej aq shumë kohësh.

Kërkon një cep në limonti,
kur muzgu beh hajnisht mbi det,
në fshat të humbur si shajni,
ku e shtyn motin tash sa vjet.

Ti vjen e shkon e kthehesh prapë,
ndajnatë sodit hënën nën pjergull;
paçka është ngricë apo është vapë,
paçka se hëna vjen me mjegull.

Ç’të duhet fundja bota e madhe,
se si gjykojnë për halle e derte;
veç ty të duket si sorkadhe,
kjo hënë qershori tre çerekshe.

qershor 2017
___________

*Gala Plasidia-perandoreshë romake, e cila përfytyrohej herë si vajzë e ëmbël e herë me sy të egër e të liq.


No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat