Tuesday, April 2, 2019

“Sot, librat shkruhen nga publiku dhe nuk lexohen nga askush”



Intervistë e dhënë për Politiko.Al




-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

“Epi i Gilgameshit”, i cili besohet se daton diku rreth 21 shekuj p.e.s. Ka një mistikë përdëllyese të vetëdijes për pashmangshmërinë e vdekjes si destin njerëzor. I dyti është “Libri egjiptian i të vdekurve”, edhe ky një libër mbi udhëtimin e shpirtit në përtej-jetë. Pastaj vijnë Homeri dhe disa nga klasikët e mëdhenj të letërsisë antike greke, disa epe mesjetare si “Këngët e Rolandit” etj.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nga autori. Zhanri fiton vlerë nga autori, nga mjeshtëria e tij për ta përmbushur me sukses sendërtimin tekstor.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo. Është e pamundur. Kam lexuar shumë prej tyre, disa edhe i kam rilexuar, por jo të gjithë i kam lexuar. Koha për lexim sa vjen dhe po bëhet një luks i pamundur. Kur dua të lexoj, mua më duhet të planifikoj një orar prej disa orësh. Nuk lexoj dot në mënyrë fragmentare.

-Libri i parë që keni lexuar…

Ka qenë romani “Zhelani i vogël” i shkrimtarit James Greenwood.  Kam qenë në klasën e dytë fillore. U nxita nga gravurat që ishin përdorur për të ilustruar këtë botim. Përshtypja ime mbi këtë libër ka qenë e fortë përgjatë gjithë fëmijërisë sime.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Nuk e mbaj mend, por besoj se kjo më ka ndodhur shumë herë.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Me miqtë i kam ndarë shpesh dhe shpesh kam huazuar edhe prej tyre libra të çmuar. Sot sa vjen dhe po humbet kjo traditë te brezat e rinj. Është për të ardhur keq. Shumë herë më ka ndodhur në fëmijëri ta quaj fatlum tjetrin që ka patur një libër të mirë në bibliotekën e tij dhe kam ëndërruar ta kem edhe vetë.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po. Kudo ku kam shkuar për qëndrim të gjatë, qoftë si nxënës apo student, jam anëtarësuar edhe në bibliotekën e qytetit. Në fëmijëri kam qenë gjithnjë anëtar i bibliotekës së shkollës dhe një ndër frekuentuesit më të dëshirueshëm të saj. Magjepsesha nga raftet plot me libra. Më pas, kur erdhi një kohë dhe m’u besua drejtimi i Bibliotekës Publike në Fier, e kujtoja shpesh ëndrrën e hershme.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Në bibliotekë kam shkuar gjithmonë. Tani më rrallë. Por nuk vuaj nga kjo, pasi kam në bibliotekën time libra të shkëlqyer dhe blej shpesh libra që mendoj se duhet të jenë në hapësirën e limituar të një biblioteke në mjedise familjare. Janë bibliotekat sot që vuajnë nga pasurimi me fonde të librit të mirë. Në ekipet e bibliotekave duhet të përfshihen njerëz që e njohin letërsinë dhe librin, si dhe të financohen për pasurimin e tyre permanent në mënyrë që të kenë ç’të ofrojnë dhe të motivojnë leximin.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Po, më ka ndodhur, siç më ka ndodhur më shumë të jem unë ai që nuk më janë kthyer librat e huazuar miqve. Nuk e mbaj mend, por mendoj se kanë qenë libra deri diku të parëndësishëm.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Po. Shumë herë. Në vitin 2001 kur m’u dogj banesa kam humbur një bibliotekë të tërë, dosje me shënime nga hulumtimet e mia në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Institutit të Historisë, në Bibliotekën Françeskane në Shkodër etj., si dhe një mori dorëshkrimesh.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjw titull dhe si i siguronit?

Jo, nuk kam lexuar asnjëherë libra të ndaluar. Në moshën fëminore nuk bëhej fjalë. Më pas kur hyra në moshën e adoleshencës nuk kishte më libra të ndaluar. Mund të lexoje çdo gjë, mjafton të kishe kohë dhe dëshirë.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Është një rit për t’u lëvduar dhe unë dhuroj libra pothuaj gjithmonë, si dhe e vlerësoj shumë kur m’i dhurojnë të tjerët. Në fakt nuk më pëlqen t’i ndërhyj dhuruesit, në rastin kur librat më dhurohen mua, kurse për rastet kur dua të dhuroj vetë libra përpiqem të jem në sinkron me interest e lexuesit. Për mua është e pafalshme të mos lexohen librat e dhuruar. Përveç rasteve kur këto libra i dhurojnë autorë që s’ia kanë fare haberin nga libri. Vetëm fakti i grishjes është një arsye sociologjike për të mos i lexuar. Arsyet estetike janë madhore. Autorët e letërsisë së mirë vetëm heshtin. Ata nuk grishin asnjeri. Letërsia e tyre grish vetë, madje edhe shekuj pasi ata kanë pushuar së ekzistuari fizikisht në këtë botë.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ? 

Më pëlqen të lexoj shtrirë. Këtë zakon e kam bartur ndër vite që nga fëmijëria e largët. Kur merrem me libra studimorë lexoj kryesisht në tavolinën e punës dhe lexoj ngadalë e në qetësi të plotë. Ndodh që librat kanë shumë fraza e fragmente pothuajse të panevojshëm dhe i anashkaloj. Synoj të ndjek thelbin. Ndërsa te letërsia më tërheq më së shumti rrëfimi. Po nuk pati rrëfim mjeshtëror nuk e lexoj kurrë një libër nga zhanret e letërsisë. Letërsia është gjuhë.

-A lexoni në banjë?

Më ka qëlluar të lexoj fragmente gazetash. Shpesh më ka ndodhur të informohem për ngjarje që kanë ndodhur muaj më parë dhe s’e kam ditur. Në banjë njeriu është në privatësi të plotë. Më pëlqen, por nuk e kam qëllim.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Në serbokroatisht, në anglisht dhe më pak në italisht.  

 -Mbani shënime kur lexoni?

Kur nisem nga qëllime studimore, mbaj edhe shënime. Në përgjithësi lexoj lirisht dhe nuk dua të shkëputem nga magjia e tekstit. Shënimet e fragmentarizojnë disi tekstin, krijojnë shkëputje ndjesore. Për mua leximi i parë është impresionues, njëlloj si çdo zbulim. Shkëputjet e dendura mendoj se i bëjnë dëm familjarizimit të receptuesit me tekstin.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Secila nga zhanret e përmendura ka madhështinë e saj. Për mua më e magjishme është poezia, por rrallë poezi më magjepsin. Poezia është produkt i një morie përvojash jetësore e leximore, është thelbi i gjërave, lartësimi në universin e artit dhe ideve. Një autor nuk është e thënë të jetë gjithmonë i suksesshëm, ndaj jo gjithmonë mund të pajtohemi me nivelin e librave që ai shkruan.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

“Iliada” dhe “Odisea” nga Homeri, “Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Komedia Hyjnore” nga Dante, “Hamleti” nga Shakespeare, “Robinson Kruzo” nga Daniel Defoe, “Panairi i kotësive” e William Makepeace Thackeray, “Krim e ndëshkim” nga Dostojevski, “100 vjet vetmi” nga Marquez, “Ferma e kafshëve” nga George Orwell, “Katër kuartetet” dhe “Toka e djerrë” e T. Eliot, “Autobiografia” e Charles Darvin, “Ana Karenina” dhe “Lufta e paqja” nga Lev Tolstoi, “Xha Gorio” dhe “Iluzionet e humbura” nga Balzac, “E kuqja dhe e zeza” nga Stendhal, “Dr. Zhivago” nga Boris Pasternak, “Alef” nga Borges etj. Listës do t’i shtoja edhe shumë të tjerë tituj dhe emra si Hemingway, Kafka, Paz, Ljosa, Brodskij, Pamuk.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Jo, në asnjë mënyrë. Asnjëherë nuk është shkruar libri total, në asnjë vend, në asnjë gjuhë dhe në asnjë epokë. Ky libër, po të mund të shkruhej, do ta mbyllte përgjithmonë epokën për librat e mëvonshëm. Pavarësisht kësaj domosdoshmërie për risi, sot letërsia e ditëve tona ngjan si një epilog i vakët i librave të mëparshëm, disa prej të cilëve i përmenda më lat.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Do të merrja vetëm librat  mi. (Hahaha) Do të doja të shpëtohej “Iliada”, “Odisea” dhe “Don Kishoti i Mançës”, diçka nga dy epoka shumë të largëta, që bota në moshën tjetër t’i kishte si pika referimi për epokat e para apokalipsit.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Oscar Wilde ka një maksimë që më vjen shpesh në mendje, ngase i shkon realitetit të sotëm. “Në ditët e vjetra librat shkruheshin nga njerëzit e letrave dhe lexoheshin nga publiku, kurse sot librat shkruhen nga publiku dhe nuk lexohen nga askush.”

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Tek poezia “Muri i brendshëm i Tokios” Paul Claudel-i ka një varg përmbyllës sentencial: “Kam mësuar se, për të shkuar nga një pikë në tjetrën, mund të kalosh nga gjithkund përveçse nga qendra.” E nisim jetën plot me ëndërra e projekte dhe kur arrijmë në një pikë shohim sa pak kemi realizuar dhe e kuptojmë se rrugën tonë dikush e ka shmangur me kohë nga drejtimi i saj.

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar? 

Robinson Kruzo për mua mbetet kryepersonazh. Një karakter që lufton për mbijetesë në konditat ekstreme të vetmisë në ishullin e panjohur ku e hodhi fati.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Kam shumë autografe, por gjithmonë nga miqtë dhe që të gjithë i konsideroj të çmuar.

-Çfarë po lexoni?

Aktualisht jam duke lexuar “Konkuista e Amerikës” nga Tzvetan Todorov.

No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat