Thursday, May 31, 2018

Dilemat e moralit dhe të ekzistencës në romanin “Turpi” të Coetzee-s





1. Një jetë boheme që s’e shquan asgjë për nga rëndomtësia


Vepra e shkrimtarit afrikanojugor, John M. Coetzee, nuk ka shumë kohë që është prezantuar tek lexuesi shqiptar. Për herë të parë Coetzee erdhi në shqip përpara një viti, me romanin “Turpi” nën përkthimin e Klodian Briçit dhe i botuar nga enti botues “Skanderbeg Books”. Që nga leksema që i rri për titull romani të krijon menjëherë bindjen se në brendësi të faqeve të tij lexuesin mund ta presin faqe të tëra bëmash të pamoralshme. Fjala “turp” nxit imagjinatën e vrullshme, e cila zakonisht priret kah e pamoralshmja në masën e lexuesit të thjeshtë. Pra, leksema-titull e grish lexuesin në botën e moralit dhe ai (lexuesi) ia hyn leximit me një mendim të tillë në kokë, bash si ai udhëtari, i cili në njëfar mënyre e di se ku e çon rruga për ku është nisur, veçse prapë tërhiqet të vazhdojë përpara pikërisht nga ekzotika e këtij udhëtimi. Dhe udhëtimi ynë në hapësirat e ndodhive të këtij romani, shoqërohet nga skena e dekore, nga tipa e karaktere, ku rri i nderur pothuajse deri në fund një tis ngjyrë gri nëpër të cilin lëvizin personazhet dhe percipitohen situatat.
Romani “Turpi” është vlerësuar nga kritika si, “një roman i madh i shkruar në anglishten e sotme” (Russell Celyn Jones, The Times); si një, “mrekulli që një shkrimtar shkruan me një stil të tillë kaq të ëmbël dhe të dlirë” (Paul Bailey, Independent); si një vepër letrare e cila shërben, “si një kufi mes jetës dhe botës së madhe të letërsisë” (Geoff Dyer, Sunday Telegraph). Përveç këtyre vlerësimeve maksimale të bëra nga emra të njohur dhe media të njohura të shtypit botëror, në vitin 2003 ky romani i siguron shkrimtarit Coetzee çmimin “Nobel” për letërsinë.
Vepra në fjalë, për nga fushëpamja e vet tipologjike, paraqet tabiatet e një romani realist. Veçse, një realizëm ky që s’mund të etiketohet as si balzakian, as si zhdanovian, as si markezian, ngase është një realizëm pothuaj i tjetërfartë nga ata të traditës së mëparshme romanore; do të konstatoja se është një realizëm modernist ku është kristalizuar përvoja e mëparshme shumëkohore e prozës së gjatë me eksperiencën më të re bashkëkohore të këndvështrimit të ri të botës dhe të mënyrave të reja shprehëse përmes artit të fjalës. Coetzee, duket se për nga mënyra rrëfimore e nivelit sintaksor ka përafrime me prozën e Heminguejt, ndërsa për nga parapëlqimi filozofik anon nga ekzistencialistët. Sidoqoftë ai s’tenton të jetë as një Heminguej, as një Kafka. Coetzee është dhe mbetet një shkrimtar origjinal, i cili zgjedh të komunikojë me lexuesin me një stil rrëfimor modern në atë masë sa nuk të fut nëpër labirinte të lodhshme narrative, por as si realist, në hollësira të pafundme matematikore. Ndoshta është tipik nga ata shkrimtarë modernë për të cilët Mario Vargas Llosa shkruante se, “kanë lëmuar, tëholluar e zbatuar mundësi të reja strukur thellë nëpër sisteme rrëfimtarie, behur shpesh e më shpesh nga shfaqjet më të moçme shkrimore të trillimtarisë.” (M. V. Llosa, Letra një romancieri të ri, Drita, 13 tetor 2002, fq. 8).
E gjithë fabula e këtij romani mund të përmblidhej në këto pika kryesore: 1) Njohja e lexuesit me personazhin kryesor, David Luri. (Një hyrje e gjatë dhe e detajuar me realizëm, ku vihen në dukje disa anë të karakterit të tij.) 2) Takimi i këtij të fundit me zonjushën Melani Isaks, studenten e tij tridhjetë vjet më të re, me të cilën kryen marrëdhënie seksuale. 3) Skandali dhe padia kundër tij. 4) Largimi i David Lurit nga Universiteti në Kejp Taun, ku jep leksione mbi poetët romantikë. 5) Strehimi i tij i përkohshëm tek e bija në një fermë në Kejpin Lindor. 6) Njohja me Bev Shoun dhe me misionin e saj në klinikën e kafshëve. 7) Grabitja në fermë dhe përdhunimi që i bëhet në sytë e tij të bijës nga disa bastardë të ndyrë e të pamëshirshëm. 8) Andrrallat e mëpastajme në kërkim të autorëve. 9) Vizita e Davidit në Xhorxhia ku takohet me prindërit e Melani Isaks. 10) Kthimi i tij në shtëpinë e braktisur në Kejp Taun, pas tre muajsh mungese. 11) Udhëtimi përsëri në Kejpin Lindor tek e bija, Lusi. 12) Ftohja përfundimtare e marrëdhënieve midis tyre, atë - bijë. 13) Strehimi i tij tek Bev Shou në klinikën e kafshëve, ku mesa duket ka vendosur të qëndrojë përfundimisht.
Gjithësesi, ky skicim prej trembëdhjetë pikash ka të bëjë me motivet me të dukshme që përbëjnë dinamikën e ngjarjeve. Brenda tyre dhe anash nga të gjitha anët e tekstit ka plot të tjera, (gjithashtu motive dinamike), të cilat bëhen promotori i lëvizjes së ngjarjeve në perspektivë. Romani “Turpi” nuk shquhet për digresione e labirinte rrëfimore. Ai është një prozë e shkruar me një gjuhë të thjeshtë, në një stil letrar të ëmbël e herë - herë me humor, ku vihet në pah psikologjia e personazheve dhe tensioni i situatave dhënë prej një rrëfimtari, i cili qëndron jashtë kornizës së ngjarjeve. Ai (rrëfimtari) ndjek me kujdes situatat, për të cilat i është ngarkuar të na informojë, ndërsa rëndom jep edhe vetë ndonjë konsideratë lidhur me to. Ky rrëfimtar në qendër të ngjarjeve ka vënë njëfarë David Luri, pesëdhjetë e dy vjeç për të cilin, “të qenët studiues është vetë jeta e tij”. (fq. 6) Gjatë leximit shohim se pothuaj të gjithë personazhet e tjerë jepen në raport me të, ai përbën epiqendrën e ngjarjeve, megjithëse nuk zotëron, kushedi, ndonjë tipar që ta shquaj nga rëndomtësia e njerëzve të tjerë, ndonëse është edhe profesor i Shkencave të Kumtit në Universitetin e Kejp Taunit.
Në mënyrë më të prekshme do të cilësonim këtë varg marrëdhëniesh të Davidit me personazhet e tjerë të librit: 1) Davidi me Melaninë (marrëdhënia me Sorajën është më tepër retrospektive); 2) Davidi me tetëmbëdhjetë vjeçaren Dauna (tepër kalimtare); 3) Davidi me kolegët e tij “inkuizitorë”; 4) Davidi me Lusin (të bijën); 5) Davidi me Petrusin (fqinji i së bijës në fermë); 6) Davidi me Bev Shoun (kjo e fundit pothuajse dashurohet pas tij); 7)Davidi me përdhunuesin e të bijës (përsëri Lusi është në plan të dytë); 8) Davidi me të atin e Melanisë etj., pra në të gjitha ngjarjet ai është pothuaj i pranishëm në roman, ku e shohim të ekspozuar ndaj dështimeve të shumëfishta në jetë; a) në jetën familjare si bashkëshort dhe si prind; b) në jetën shoqërore si pedagog dhe edukator i shoqërisë, e më së fundi edhe; b) si dashnor në marrëdhënie me studenten e tij që e ka në kujdestari.
Me jetën prej eksploratori të vetmuar individualist që bën ai, dalëngadalë i është dorëzuar bohemisë dhe gjendjes së absurdit, sepse, “nuk kërkon që jeta t’i falë asnjë emocion” (fq. 10); ai është shndërruar në një qenie të rëndomtë, të paidentitet, madje të mërzitshme, “i ngjashëm me trafikun që vë banorët e qytetit në përgjumje të thellë” (po aty). Megjithë këtë rëndomtësi zymtuese ku është kredhur qenia e tij, “ai gëzon shëndet të mirë, mendjen e ka top (…) dhe bukën e gojës e nxjerr me djersën e ballit, pasi karakteri i tij nuk i lejon që të presë nga krahët e të tjerëve”. (fq. 6)
David Luri është i pa qëndrueshëm në marrëdhënie me gratë që kanë hyrë në jetën e tij, si bashkëshorte apo si dashnore të rastit, ai është i pa rëndësishëm para studentëve të tij në Universitet, të cilët, “puna ka arritur deri aty sa ia kanë harruar edhe emrin” (fq. 9), ai është një qenie që gjallon pa ndonjë pretendim serioz për jetën; rrëfimtari atë e trajton pothuaj si një sajesë të mërzitshme shoqërore që ekziston në caqe midis jetës reale dhe asaj ireale (fiksionale); si i tillë ai as të mallëngjen e as të bën ta duash, as ta urresh e as ta luftosh, as ta mëshirosh e as ta mitizosh, pra, thjeshtë ai është sepse ekziston vetvetiu dhe për këtë gjë s’e ka pyetur njeri më parë, nëse vërtetë do apo s’do që të jetë; është ai gjithnjë nën vartësinë e të tjerëve dhe asnjëherë askush nën vartësinë e tij (as studentët e tij, të cilët “s’ia dinë emrin”), madje Lusi, e bija e tij, megjithë barrën e halleve dhe vetminë e madhe që e rrethon e konsideron barrë të tepërt praninë e tij në çiflig.


2. Njeriu epshor me instinkte të pakontrollueshme
Për David Lurin narratori vëren se, “ai e ka kaluar fëmijërinë në një familje që përbëhej vetëm nga gra. Ndërkohë, që ai nuk kishte më në krah nënën, tezet dhe motrat, me kalimin e kohës, ato ua lanë vendin dashnoreve, grave të ndryshme me të cilat kishte lidhje të qëndrueshme dhe më pas nxori në dritë të vetmen pjellë të tij; vajzën. Shoqëria dhe koha që kishte kaluar me seksin femër, bënë që ai të bridhte pas fustaneve të femrave”. (fq. 11) Siç duket, sjellja e tij ndër të tjera, ka të bëjë dhe me një kompleks të zhvilluar edipal, i formësuar për vite me radhë, që në vegjëli, te ky njeri dhe që ka përcaktuar edhe karakterin e tij të pakontrolluar, madje ca si tepër të shthurur ndaj seksit. Luri është mësuar të mos i njohë kufijtë e jetës erotike, emocionet e së cilës ai i ndjen vetëm për aq sa zgjat kënaqësia e aktit seksual. Deri këtu, të gjitha këto, në fund të fundit, janë aludime që bëhen mbi të shkuarën e tij retrospektive. Një gjë e tillë nënvizohet në shumë pasazhe të romanit. Do donim të citonim këtu si fillim fjalinë e parë të librit, i cili fillon me fjalët: “Një burrë në moshën pesëdhjetë e dy vjeçare, i shkurorëzuar, në mendjen e tij tashmë u kishte dhënë drejtim problemeve që kishin të bënin me seksin” (fq. 5). Nga leximi i kësaj fjalie nuk është vështirë të merret vesh se rrëfimtari aludon mbi një të kaluar “problematike” që e karakterizon personazhin në lidhje me seksin. Veçse me “mendjen e tij” ai tashmë u ka dhënë “drejtim” (fund) të gjitha atyre aventurave dhe narracioni artistik, duke nisur që këtu fillon të ngjizë hap pas hapi situatën e re që krijohet rrotull këtij heroi në prag të pleqërisë.
Në njëfarë mënyre, lexuesi ftohet të mësojë se si do t’ia dalë personazhi i tij që të sillet në mënyrë të përkorë me seksin tjetër, pas kësaj. Kësisoj, jo vetëm që merret vesh se ai s’ka hequr dorë nga joshja e pa përballueshme femërore, por madje paudhësia e tij shkon deri aty sa një ditë çon në shtëpi për të bërë seks një vajzë tridhjetë vjet më të re se vetja (Melani Isaks) “dhe ç’është më e keqja, ajo është studente, studentja që i është besuar kujdestarisë së tij” (fq. 17). Në marrëdhënie me këtë vajzë të re, që shtë studentja, e tij ai hepohet shpesh herë midis ndjenjash të ndryshme që ia prodhon ndërgjegjia e sëmurë dhe e pa qëndrueshme, si p.sh., në pasazhin më poshtë ku nga njëra anë provon në vetvete pushtetin e kafshërores së tij të theksuar, ndërsa nga ana tjetër e kujton veten prind. “Sakaq ai ulet në krevatin e saj dhe e tërheq atë pas vetes. Ajo fillon të qajë me ngashërim e ku pa, në kraharorin e tij. Pavarësisht nga kjo, atij i shkojnë në trup ca dridhma të lehta për t’ia zhytur edhe njëherë. - Pse qan? -  e pyet ai me zë të ulët (…). Atij gati sa nuk i shkon goja; [Pse nuk ia tregon babit hallin që po të mundon kaq shumë?]” (fq. 33). 
Ca më tutje, ndërsa ka marrë dhenë skandali me Melaninë dhe atë (Davidin) e kanë dëbuar nga Universiteti, teksa rrin te ferma e së bijës në një fshat të humbur në Kejpin Lindor, përsëri ngacmohet prej përfytyrimeve erotike që kanë të bëjnë me seksin, kur shikon një grup fëmijësh shkolle që kalojnë andej pari dhe e përshëndesin. Kësaj radhe përfytyrimi i ndizet nga kujtimi i një vajze, “që ka të bëjë me gjoksin e saj të vogël, por që e ka si shpirt, për thithkat e saj të mrekullueshme që i rrinë përpjetë dhe për barkun pa pikë dhjemi” (fq. 74). Nga gjithë këto ai e ndjen veten të provokuar seksualisht përherë në marrëdhënie me femrat, madje pikërisht për këtë shkak ai e humb edhe kontrollin e vetvetes në përballje me to, duke u zilepsur keqas nga epshi.
Ca muaj pas ngjarjes me Melaninë, ndërsa Davidi ka shkuar për një vizitë në shtëpinë e të atit të saj, atë e pret e motra më e vogël, e cila bën përsëri që atij t’i rizgjohen dëshirat epshore. Rrëfimtari vë në dukje se, “ai mendon sikur të flejë me të dyja motrat në një shtrat; një përvojë e paharrueshme që u shkon përshtat vetëm mbretërve” (fq. 186). Si për ta degjeneruar shthurjen e tij qenore ndaj femrave, në darkën që hanë bashkë, zoti Isaks (babai i Melanisë) e demonstron zellshëm përpara tij familjen e tij të përkorë. Ata tregohen njerëz të pritshëm, gruaja e zotit Isaks është e sjellshme, vajza e tyre (Dëshira) e dëgjueshme, ndërsa para buke luten të gjithë së bashku. E megjithëse shpesh herë Davidi hepohet midis situatash, ku provon turpin, në njëfarë mënyre edhe keqardhjen për jetën që ka bërë, përsëri ai mbetet deri në fund një karakter epshor i pandreqshëm. Luri, ndërsa pas darkës është duke dalë nga shtëpia e zotit Isaks në Xhorxhia, “shikon sytë e nënës së Dëshirës, pastaj ata të vajzës, dhe paskëtaj ia ngul sytë pengesës dhe dëshirës së zjarrtë që i vlon në gji për t’iu vërsulur atyre” (fq. 196).
Gjatë një bisede me të bijën, ku ajo në mënyrë të herë pas hershme i ka kërkuar që ai t’i japë sqarime lidhur me ndodhinë e turpit që i ka ndodhur në Universitet, ai e pranon edhe vetë shthurjen e tij të karakterit. “Çështja ime ka të bëjë me dëshirat e zjarrta të mishit. “ (fq. 102), - thotë ai.
Pra, David Luri si i tillë s’mund të jetë asesi një bashkëshort i mirë, as një dashnor i mirë jo e jo, mbasi objekti që e lidh atë me femrat është seksi dhe jo dashuria e vërtetë, e pastër dhe e ndërsjelltë, që i lumturon dy njerëz të cilët jetojnë në çift. Për atë femra është një vehtje thjeshtë joshëse dhe provokuese, e cila duhet zotëruar me deomos, cilado qoftë. Po ta gjykojmë çështjen duke kaluar nga e veçanta tek e përgjithshmja, kjo më duket se kërkon deri diku edhe të nënvizojë dëshirat mistrece të botës së sotme mashkullore, tepër të batërdisur nga aparencat tunduese seksuale që u serviren enkas nga seksi tjetër. Në kohën tonë dalldia epshngasëse ka shkuar aq larg sa që përdhunimi tashmë është kthyer në një akt afirmativ të identitetit “të rrezikuar” mashkullor. Duket se është ky shkaku që Lusi, e bija e David Lurit bëhet viktimë e një bande maniakësh kriminelë. Ajo është antipatike ndaj meshkujve. Në roman disa herë vihet në dukje nervozizmi dhe bezdia që i shkaktojnë ata. Antipatia e saj ndaj botës mashkullore shkon deri aty sa të atit prore fillojnë t’i lindin dyshime nëse e bija e tij ishte vërtetë një lesbike. Përbuzja e saj ndaj seksit mashkull shkon deri atje sa një ditë, në një moment nervozizmi, ajo ia plas të atit në sy: “Ti je burrë dhe për këtë arsye duhet t’i njohësh më mirë se unë se ç’monedhë janë burrat” (fq. 180). Gjykuar hollë - hollë, antipatia e vajzës e ka një shpjegim. Ajo s’ka njohur asnjëherë të mira prej meshkujve veçse të këqia dhe zhgënjime, duke filluar që me Lurin, babain e saj, dështak si prind dhe sharlatan të dhënë kokë e këmbë pas seksit. Tek meshkujt ajo ka parë përherë vetëm njeriun epshor me karakter të theksuar kafshëror, të etur për të zotëruar, përdhosur e poseduar me forcë çdo gjë të mirë që shikon.
Tek romani “Turpi”, që nga fillimi e deri në fund nuk ndihet kurkund një çikëz dashurie që të jetë vëtetë e fortë dhe e qëndrueshme. Ai është një roman ku evokohen disa nga cilësitë e një shoqërie që po fluturon skëterrshëm drejt degjenerimit të vlerave morale dhe shpirtërore.


3. Një dashuri prindërore e vonë dhe e refuzuar


Megjithë të këqiat që e karakterizojnë dhe që e ndjekin në jetë, David Luri ka raste kur ndjehet i dobët nga dashuria prindërore për të bijën “krijesën e vet” që po heq e vuan gjithë ato kurthe e padrejtësi. Ai ka shkuar pranë saj, atje në një fermë të humbur, për strehim dhe për t’u prehur më në fund pranë një njeriu që me të vërtetë mund t’i dhuronte falas pak dashuri, porse ngjarjet që ndodhin i shkaktojnë një tronditje akoma më të madhe dhe më shkatërruese sesa ajo e skandalit me Melaninë. Në ditët që pasojnë pas plaçkitjes së shtëpisë së Lusit dhe përdhunimit të saj nga banditët, David Luri tek përpiqet që të vlejë ndonjë gjë para së bijës së tij në nevojë, mendon se, “ky nuk ishte qëllimi i ardhjes së tij, - ta ruaj si sytë e ballit të bijën, ta mbrojë nga sulmet e djajve, t’i japë për të ngrënë dhe të shikojë me sytë e tij sesi pjella e vet po ia bën varrin vetes me duart e veta, ditë pas dite.” (fq. 138) Davidin, megjithë të metat e tij si prind, si edukator, si bashkëshort e si qytetar e fundmja vlerë që e mban gjallë dhe ia përtërin shpresat e jetës është e bija dhe jo mëkot narratori në një moment vëren; “Për sa kohë që Lusi do të jetë gjallë, edhe ai do të vazhdojë të gjejë forca për të jetuar” (fq. 237). Kjo regëtimë e dashurisë prindërore, pas një kohe relativisht të gjatë shuarjeje, më së fundi bën përpjekjet e mbrame, mbinjerëzore, për t’u kthyer në një zjarr të vërtetë, por nuk ia arrin dot qëllimit. Midis atit dhe bijës, koha, largësia dhe mosprania kanë vendosur e mbivendosur rrathë të padukshëm ftohtësie. “Gjithçka po shkonte shumë mirë,” - i thotë vajza të atit, - “gjithçka ishte në vendin e vet, por kur ia behe ti, çdo gjë mori tatëpjetën. Unë dëshiroj që gjithçka që më rrethon të jetë e qetë.” (fq. 233) Pas këtyre fjalëve, Davidi s’ka si mos të kuptojë njëherë e mirë se është i tepërt në banesën e së bijës dhe se i duhet të vendosë për t’u larguar që andej, sa pa ndodhur ndonjë “çarje” tjetër akoma më tragjike midis tyre. Midis atit dhe bijës koha dhe largësia kanë vendosur që më parë kufij, të padukshëm, por jo edhe aq të paperceptueshëm logjikisht.
Lusi, ndonëse është e bija, është gjaku i tij, prapë se prapë ajo është krejt e ndryshme me natyrën e të atit. Lusi është vajzë e lindur në qytet, është e bija e profesorit të Shkencave të Kumtit, megjithatë, çuditërisht, ndihet e lidhur aq ngushtë me fshatin, tokën dhe me andrrallat e tjera që e shoqërojnë jetën në fshat. Duke e prekur këtë fakt rrëfimtari habitet dhe vë në dukje sesi ata, prindërit e saj, “qytetarë dhe intelektualë njëherësh, të kishin sjellë në jetë një krijesë të tillë, që nuk kishte asgjë të ngjashme me ta në këtë pikë”. ( fq. 69 - 70) Kuturisja e çmendur drejt humbëtirave të fshatit, në fakt, për Lusin nuk ka kurrëfarë tërheqjeje romantike. Duke gjykuar rrethanat, më tepër kjo zgjedhje vjen si një kërkesë ekzistenciale, për t’u shmangur nga pluhurnaja çmendurake e një jete të çorganizuar që e karakterizon bashkësinë urbane ku është rritur. I ati kërkon me forcë që t’ia kthejë mendjen së bijës, por ajo e kundërshton me forcë e madje vjen një moment, kur ajo ia ndalon në mënyrë të prerë të mos ia kujtojë më këtë kërkesë.
Ca muaj më vonë, kur Davidi kthehet përsëri në Kejp Taun, vë re se gjatë atyre tre muajve që ai s’kishte qenë në qytet, “ngulmimet e barakave kanë marrë dhenë, duke u zgjeruar nga rruga kryesore që hyn në qytet deri në lindje të aeroportit” (fq. 198).  Tashmë atij i bie të mendojë se me përafrimin e fshatit drejt qytetit, kufijtë midis tyre po zhdukeshin. Më së fundi, dikur ai detyrohet të bjerë në një kompromis me të bijën. Pajtohet përfundimisht të bashkohet me mendimin e saj për t’iu adoptuar jetës së fshatit. Siç shihet në roman, është dashuria prindërore ajo që e sjell këtë zgjidhje. Një dashuri e vonë, por me sa duket tashmë e vërtetë.
Një ditë pranvere Davidi niset në drejtim të fermës së të bijës, ndonëse prej kohësh ata jetojnë të ndarë, thjeshtë si njerëz që s’kanë punë me njëri - tjetrin, por secili bën ashtu si të mundet jetën e vet. Për të mos qenë më i mërzitshëm dhe gërnjar për vajzën dhe fqinjin e saj hipokrit, ai ka marrë një dhomë me qera në një ndërtesë të vjetër ku “banon edhe një mësues shkolle, tashmë i dalë në pension”. (fq. 236) Është malli për njeriun e vetëm që i ka mbetur në botë në këto ditë të vështira pleqërie, që e tërheq të niset në drejtim  të fermës. S’ka qenë prej kohësh dhe kur afrohet, sheh në kopësht vajzën e tij tek punon fill e vetme për të jetuar dhe për të ushqyer foshnjën që ende s’ka lindur, e cila ka filluar t’i ngjizet në trup që nga dita e përdhunimit. Shpirti i profesorit të plakur këtu bëhet lirik. Për herë të parë, dhe është e vetmja skenë me ngarkesë të madhe lirike në roman, kjo që Coetzee preferon të vizatojë këtu. “Era bie. Gjithçka ndalon, kurse ai dëshiron që një çast i tillë të mos ketë fund kurrë; rrezet e buta të diellit, pasditja, bletët që shkojnë sa poshtë - lart te lëndinat me lule kurse mu në mes të tabllosë një vajzë e re das ewig weibliche, me barkun që nuk e ka shumë të fryrë si gjithë gratë e tjera që u shkon barku te goja, ndërsa në kokë mban një kësulë prej kashte” (fq. 242). Por në kushtet e marrëdhënieve midis tyre situata lirike s’mund të vazhdojë gjatë. Personazhet jetojnë në kohë moderne, kur individualizmi është përcaktues i raporteve njerëzore, dmth., - interesi.
Gjithë jetën, qoftë si qytetar, qoftë si familjar apo si prind edhe Davidi ka qenë një individualist që ka vepruar përherë në kokën e vet. Ai s’e ka parë kurrë, mesa duket, bashkësinë familjare si një bërthamë të ekzistencës së individit dhe të kuptimësisë së kësaj ekzistence në botë. Ai s’e ka menduar pleqërinë. Ndonëse ka punuar në detyra shoqërore dhe është ushqyer me djersën e tij, ai pohon dhe reflekton sjelljet e njeriut të dhënë pas qejfeve të pafundme të mishit. Për atë familje ka qenë çdo femër e rastit,  krejt si te kafshët. Turpi i tij është i vjetër. Ai nuk zë fill me Melaninë, aty i vihet kapaku një jete boheme që ka bërë ai për vite me radhë dhe tashmë është koha për të parë gjyqin e një njeriu që s’e ka njohur moralin, i cili u ekspozohet pësimeve të njëpasnjëshme.
Vajza e fton brenda, “sikur ai të ishte ndonjë vizitor e jo babai i saj që i ka dhënë jetën” (fq. 243). Pastaj, po aty, autori rrëfimtar nënvizon me ftohtësi se, “vizitorit i hapet dera, sepse vjen vetëm për të bërë vizita; një kuptim i ri i marrëdhënies miqësore mes njerëzve të një gjaku, që s’e shikojnë më veten si të tillë, një epokë e re me zakone të reja.” Në një bisedë të mëparshme me Bev Shoun ai shprehet: “Me ato që bëra, e kërkova të keqen vetë me këmbët e mia.” (fq. 167) Ndonëse vonë, Davidi më në fund i ka kuptuar edhe vetë shkaqet e kësaj katastrofe sociale në të cilën pleqëria dhe bëmat e tij prej njeriu individualist e kanë përplasur përfundimisht.


4. Plakja si pashmangshmëri dhe rënie e njeriut


Si për të gjithë njerëzit, edhe për David Lurin të plakesh do të thotë të dëshirosh ende nga jeta, por të mos kesh më fuqi për t’iu bërë ballë sfidave të saj. I dhënë me zell pas eksplorimit të fshehtësive të jetës, dikur ai veçse vagullt mund ta kishte çuar nëpër mend pleqërinë, miken e pashmangshme dhe të paftuar të njerëzimit. Në moshën 52 vjeçare, kur energjitë rinore i kanë lënë lamtumirën me kohë, ai i lejon vetes të sillet ende si i ri. Kështu, ai s’përton dhe lidh marrëdhënie të shkurtëra dashurore  me studentet e tij tridhjetë vjet më të reja dhe pastaj i flak aq shpejt e lehtë nga vetja, sikur ato të mos kishin ekzistuar kurrë. Sikurse të rinjve, kryesisht adoleshentë, edhe atij i mjafton thjeshtë e sotmja, për më gjatë as që mundohet të bëjë ndonjë plan se çdo t’i sjellë e ardhmja.
David Luri nuk është budalla. Përkundrazi ai paraqet karakteristikat tipike të qytetarit modern të shoqërisë së sotme, kryesisht perëndimore. Është tipi i qytetarit që s’do t’ia dijë për moshën, është tipi i qytetarit që mendon se rinia mund të zgjasë tërë jetën. Duke e trajtuar këtë fenomen të epokës post-moderne një mendimtar francez, vëren se, “në ditët tona të mbetesh i ri përbën imperativin kategorik të të gjithë brezave”. (Alain Finkielkraut, Disfata e mendimit, Marin Barleti 1999, fq. 122) Dhe me të vërtetë mund të themi se në këto dy dekadat e fundit, mijëra artistë, industrialistë apo politikanë që s’ia kanë përtuar ta zgjidhin qesen, kanë bërë operacione plastike të lëkurës bash me qëllim për ta shmangur pleqërinë; të paktën në dukje.
Edhe David Luri s’bën përjashtim nga kjo kulturë, veçse për ta bërë këtë, ai nuk ka zgjedhur një rrugë të tillë. Ai ka gjetur një mënyrë shumë më të thjeshtë; harresën. Por, ja që s’e ka harruar pleqëria atë. Ajo e njeh mirë viktimën e vet. Ndoshta ende që pa lindur. Dekada me radhë David Luri ka ndenjur në qejfin e tij, larg saj. Më pas kur ka filluar t’i ndjejë çapet e saj të rënda, i ka përbuzur e shpërfillur, por vjen një ditë dhe gjithçkaje i afrohet fundi. Kështu edhe atij, “pa e lajmëruar, ia kthyen kurrizin fuqitë e tij të mistershme, për të cilat mbahej me të madh”. (fq. 12) Këtë gjë ai arrin ta kuptojë gjatë takimeve të herë pas hershme me dashnoren e tij Soraja, të cilat sa vijnë e bëhen më të vagullta dhe ata sa vijnë e ftohen më shumë me njëri - tjetrin.
Ai e di se kjo është pleqëria, por e di se do apo s’do, “ky është fati i tij dhe ai nuk mund t’i shpëtojë asaj që është vendosur shumë kohë më parë për të”. (fq. 13) Megjithatë, siç shihet më pas, ai akoma s’është përgatitur mirë për ta pranuar këtë. Ky njeri, ndonëse me shkollë, akoma nuk arrin t’i pranojë kufijtë e pashmangshëm që vë koha midis breznive të ndryshme të racës njerëzore dhe armët e fundit të rinisë i dorëzon vetëm përpara Komitetit të Hetimeve Universitare teksa thotë: “Me sa shoh, ju në mendjen tuaj paskeni vënë kufij se me cilin brez duhet të shoqëroheni e me cilin jo. Kësaj i thonë kufij brezash.” (fq. 61) Mu këtu, pasi i ka hedhur armët duke e pranuar pleqërinë, ai ka bërë një “turp” tjetër, i cili mund të gjykohet se i jep edhe një arsye më tepër për të mos pranuar të rrinte më në mjediset plot me të rinj e të reja në Universitet, ashtu i lodhur e i “poshtëruar” nga pleqëria. Por ky është vetëm fillimi i tëhuajsimit me këtë botë. Situata të dhimbshme Davidit do t’i krijohen më pas me bollëk, kryesisht në marrëdhënie me të bijën, ku ai s’pranon dot që ajo ta mësojë se, “ç’bluajnë në kokë gratë” (fq. 79), apo më vonë kur gjatë një udhëtimi me makinë i bie të habitet sesi, “e bija, që ai njëherë motit e çonte me makinë në shkollë, në kursin e baletit, në patinazhin me akull në cirk, nga ana e saj, po e shëtit me furgon, për t’i treguar jetën që bën në atë pjesë të botës që ai nuk e njeh asfare” (fq. 81). Mospërputhja e tij me brezin e ri është tepër e ndjeshme, porse dhe dëshira për rini e pakufishme deri në tragjicitet. Nga pozicioni ku është ai, ka ardhur koha të mendojë se e ardhmja në moshën e tij vjen me shpejtësi të pazakontë. Duke e kujtuar këtë, “ai e përfytyron veten me flokët të bardhë si dele, që ka ndaluar te shitorja për të blerë shishen gjysmëlitërshe, ndërkohë që i heq këmbët zvarrë për të arritur deri te shitësi”. (fq. 198)
Takimi me pleqërinë Davidin e ka shkurajuar aq keq sa ai pas çdo mosmarrëveshjeje që ka me njerëzit fillon të mendojë se në këtë botë, “nuk ka më vend për pleqtë.” (fq. 215) Pleqëria Davidit i ka sjellë panik dhe zhgënjim. Ai, një ditë të bukur pranvere duke parë vajzën e tij tek punonte në oborr, filozofon mbi kuptimësinë e ekzistencës dhe përfundimi e çon në absurd. “Njëherë e një kohë, ajo nuk ishte tjetër veçse një bishtfultere në barkun e s’ëmës, ndërsa tani shih sa është rritur; ajo mund ta çajë vetë rrugën e jetës,  e sigurtë si asnjëherë më parë. Fati do ta ndihë duke e bërë që ajo të ecë shumë më përpara tij, duke e lënë kësisoj atë në bisht. Kur ai ta ketë spërdredhur qafën, ajo do të jetë duke u përkujdesur për lulet. Gjithashtu, ajo do të nxjerrë në dritë një qenie tjetër njerëzore, që fati do t’i prijë për ta bërë më të fortë dhe t’i falë jetë të gjatë. Kështu do të vazhdojë të mbijetojë rrjedha e tij breznore, derisa brezat pasardhës do ta harrojnë se kush ishte i pari i tyre, në këtë mënyrë edhe kujtimi i tij do të shuhet përgjithmonë.” (fq. 242)
Në fund, duket se më shumë sesa ndonjë zili, ai ndjen një keqardhje të vërtetë për destinimin e përjetshëm të qenies drejt hiçit. Për vete, mësëfundi ai ka reshtur së shtiruri njeriun moskokëqarës. Asnjë mënyrë sjelljeje apo ilaç nuk mund ta shmangë në kufij të tejkohës pleqërinë. Ndonëse vonë, ai tashmë ka arritur ta kuptojë bindshëm se pleqëria vjen për të gjithë, se është e pashmangshme dhe se ajo është faza vendimtare gjatë së cilës përgatitet qenia për largimin e përjetshëm.
Romani “Turpi” i John Coetzee-s, me dramën e moralit  dhe të ekzistencës, e cila është zhvilluar ndër vite pak e pak tek heroi, trajton një temë sa klasike aq edhe moderne, sa të hershme aq dhe bashkëkohore. Është kjo tema gjithëkohore e krizës ekzistenciale të unit, shkaguar nga krisja e moralit të individit, intelektualit, qytetarit, në raport me vetveten e tij dhe me sociumin ku gjallon. Ky roman s’ka asnjë personazh të poetizuar, aq më tepër se mund të bëhet fjalë për tipa të idealizuar. Të gjithë këta heronj janë konkretë, më se të besueshëm për lexuesin, mbasi ata zbulojnë pak e pak në marrëdhënie me njëri - tjetrin të gjitha dhelpëritë, inatet, pasionet, neverinë, ndjenjën e fajit, pafuqinë për t’u korigjuar dhe tendencën e vetmimit të përhershëm.
Por mbi të gjitha them se si ide madhore në këtë roman, universalizohet domosdoshmëria e njohjes së moralit, si princip, si disiplinë sociale, si virtyt i lartë i njeriut, që ia shton dhe kuptimëson vlerat jetës.

Fjala, 13 mars 2005




Tuesday, May 29, 2018

Shën Pikëllima



(Fejton analitik)





















Vitet nëntëdhjetë
s’është e lehtë të sillen ndër mend
divorci apokaliptik
moskokëqarja
bunkerizimi postmodern i qenies
me inerte të rreshkura folklorike
qytetari i ri psiko-social, i cili
me paracetamol dhe pak djathë
shtynte bukën e shtypur të drekës
duke nëpërdhembur pasazhe nga Cikli i Kreshnikëve
tek shatërvani në buzë
apo tek ushtari përjetë i panjohur
ndërsa bota vinte rreth e çark nesh
teksa rrekej të zvogëlohej sadopak
për të hyrë klandestine në vendin e shiponjave
mu në mes të eposit tonë heroik.

S’gjente derman operacioni Pelikan
mbi pelikanë suleshin ngado dhelpra fluturake
kafshonin, zhgërryenin
shkërmoqnin llokma
duke zhdukur gjurmët e krimit
kurse njerëzia vejevinin nëpër stacione
të largëta e të panjohura
duke sjellë bimë shprese
të cilat thaheshin sakaq
nën serën tonë pa fotosintezë
dhe të gjithë çmeriteshin me veten e tyre
sa afër peskemi qenë me lirinë
dhe kurrë s’e kemi ditur
ndoshta një orë me gomone
mbase edhe tre çerek ore
duke matur milje pas milje gjelbërimin
hapësirën përplot me lule rekujemi
nga kepi i Shpresës së Vdekur
deri në bregun e Kepit të Shpresës së Mirë

Vitet nëntëdhjetë
punëtorët e ndërmarrjes tipografike Mihal Duri
para se të linin amanet përvojën e tyre
tek kamerierët - tipografët dixhitalë të facebokut
tani shtypnin në letër tip
shtypin tipik pluralist
të një pluralizmi tipik
ndërsa rrugëve të Shën Pikëllimës
frynte era e mardhur e lirisë me kusht
dhe Tirana kryesisht mbarështohej
me hormone të huazuara
të cilat prodhonin një spermë sterile
më pas filloi klonimi intelektual
orvatje e zgjuar por pa pikë suksesi
kinse masa e duhur parandaluese
ndaj asfiksisë totale sociale.

Në trotuaret e vjetra
në rrugët magnetike tek ish Blloku
zuri të projektohej Europa e të shtunave
shërbim non stop njëzet e katër orësh
në shtatë ditët e javës
modeli i gjeneratës së re
ironike ndaj dijeve dhe idealeve historike
specia specifike e bardëve ekzotikë të turbofolkut
analistët pluridimensionalë të makiatos
industrialistët e rinj të urës së Lanës
politikanët e rinj gjithë etikë
ende sa pa veshur uniformën e laureatit të Harward-it
gazetarët e poetët e panumërt gaztorë
të cilët vetëm pak vite më vonë
do të uleshin këmbëkryq
midis odës së madhe të letërsisë shqipe
duke i lënë në këmbë, tek dera
të gjithë ata që do mëtonin të hynin paskëtaj.

Dhe ne që kaluam asokohe
përmes kataklizmës së madhe
tani në mesmoshë vuajmë gati të gjithë
nga stomaku i dendur keqas dikur
me çokollata Hilal
nga dhimbja e syve
nga anoreksia sociale pothuaj akute
pacientë pa shërim të rrasur shtrembër si pyka
në spitale endacakësh
pjella pa atdhe, fis dhe origjinë
të presuar nga lavdia e brezave paraardhës
dhe nga pasardhësit tanë koketë e arrogantë
të ngelur pa limfë
si pemë me rrënjë gjysëm të kalbura
në moçalishten e zymtë sociale
që kundërmon sparogë në ajrin e shekullit
të njëzet e njëtë.


3 tetor 2016

Saturday, May 26, 2018

Arti si formë rezistence dhe kaosi biblik “Në studion time hermetike”


 (Mbi librin poetik "Në studion time hermetike" të Granit Zelës)



1.

Sadoqë shpesh herë artistët e mohojnë, përmes artit të gjithë dëshirojnë të përcjellin kumte të shumëfishta tek publiku artdashës. Pjesa më e madhe e krijuesve më së shumti shprehen se sipas tyre, ndërsa realizojnë materien artistike, nuk mendojnë ndërkohë për destinimin e kësaj materie dhe efektin që do krijojë ajo më tej. Përsa i përket pikëpamjeve të mia, kam filluar të prirem në do gjykime të një natyre paksa më kundërshtuese lidhur me këtë. Më rezulton se një ndër kumtet që dëshiron të përcjellë artisti tek publiku i tij artdashës është dhe synimi për ta vetëdijësuar artdashësin për të mbajtur qëndrim kritik ndaj së keqes dhe anomalive që e shëmtojnë çdo qelizë të jetës intime apo sociale të sociumit.
“Arti përbën një formë kundërshtimi ndaj realitetit jo të përkryer e njëkohësisht është edhe një përpjekje për të krijuar një variant më të mirë të tij.” - thotë Josif Brodskij në esenë “Poezia si formë e rezistencës ndaj realitetit”, botuar si parathënie e vëllimit me poezi të zgjedhura të Tomas Venclovës në vitin 1989. “Arti autentik është gjithmonë demokratik pikërisht për arsye se nuk ekziston ndonjë emërues më i përgjithshëm - në shoqëri dhe në histori - sesa ndjesia e mungesës së përsosmërisë në botë, kërkimi i një varianti më të mirë.” (Tomas Venclova; Dialog në dimër, Aleph 2005, fq. 11) Për Brodskin arti nuk duhet të jetë vetëm dekorativ, përkundrazi lypset të ndërhyjë dhe të luaj një funksion evokues dhe ndoshta “kompensues” pikërisht në peisazhin e trishtueshëm të mungesave që krijojnë anomalitë.
Fatmirësisht shekulli XX ka njohur larminë më të madhe të kultivimit të formave shprehëse përmes poezisë, që nga ato më folkloriket dhe deri tek hermetizmi. Pavarësisht cilësisë së imazhit dhe fuqisë shprehëse të gjuhës, të gjitha në thelb vishen që në gjenezë me kostumin e eltave përkatëse tek të cilat do të kërkojnë solidaritetin. Sipas këtij gjykimi, padyshim një ndër kumtet e aktit të krijimit është raporti i pritshëm me mjedisin jashtë unit përjetues dhe përjetësues të situatës. Ky kumt përbën sythin e synimeve, të cilat mandej përcaktojnë në proporcion të drejtë me përvojën dhe zotësinë e të bërit art, vetë natyrën diskursive dhe kreative të artit në raport me vetë realitetin.
Si i tillë pra arti lypset të përsoset në kahjen e risive të komunikimit të kumteve dhe jo të priret drejt mbylljes në dekoracionin e kufizuar të materies formësuese. Mbyllja vetëm në dekor e nxjerr artin nga skema e komunikimit. Fuqia e artit nuk shteron asnjëherë, as mënyrat për ta formësuar atë nuk mbarojnë kurrë. Gjithmonë do të ketë një formë të re për ta shprehur “rezistencën” tonë ndaj realitetit, siç thotë Brodskij, gjithmonë do të ketë një mundësi më optimale për të kundërshtuar përmes artit shëmtinë solide të realitetit tonë të përditshëm.



2.

Përherë vazhdojnë të jepen pafundësisht teori mbi mënyrat dhe masën e perceptimit të tekstit nga receptuesi, por duket se ajo që qëndron mbi të gjitha teoritë, mbetet gjithmonë fakti që vepra letrare më tepër sesa objekt teorik është më së shumti objekt përjetimi subjektiv. Si e tillë, vepra letrare, kur arrin dhe e përshkon kanalin e komunikimit deri tek receptuesi, gjithmonë do të ketë mundësi të reja interpretimi, sipas këndvështrimeve dhe mënyrës e masës së përjetimit nga ana e receptuesit. Në fund, në bazë të informacionit që merr nga vepra, receptuesi mbush repertorin e tij dhe bën pastaj diferencën midis asaj që dinte më parë dhe të asaj që posedon tashmë të arkivuar në kujtesë nga informacioni tematik dhe estetik i tekstit të lexuar. Këtu zë fill dhe vlerësimi i mëtejshëm, përcaktimi i natyrës së tekstit dhe i hallkave të tjera përbërëse të tij. Tek ne, në letërsinë e para viteve “90, më konkretisht në periudhën e realizmit socialist, teksti ka qenë objekt analize për realizimin e skemave standarde dhe boshtit ideologjik. Këto aspekte vlerësuese duket se përbënin interesimin kryesor për kritikën letrare. Pas viteve “90 gjakohet zbatimi i parimeve të shkollave të ndryshme teorike për analizën e tekstit, gjithmonë në të mirën e shterimit të mundësive për interpretimin, por tashmë pak vepra kanë fatin të bëhen objekt studimi dhe interpretimi. Përveç kësaj, kritika letrare sot vuan dhe nga “apostujt e rremë”, të cilët paraqesin kudo dhe papushim “apokrifet” e tyre si studime kritike. Pa llogaritur ende dhe ndikimet e marrëdhënieve sociale midis autorëve, të cilat shpeshherë bëhen orientuese për zgjedhjen e objektit studimor. Të paktën, mua personalisht më ka rënë gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit të merrem me vepra autorësh që nga më të panjohurit, pak të njohurit e deri tek nobelistë si Coetzee, herë spontanisht e herë të tjera i sugjeruar, herë i bindur nga vlera artistike e veprës, dhe herë të tjera duke u nisur thjeshtë nga aspirata utilitare e autorit, vetëm me qëllimin e mirë të evidentimit të asaj çka është pozitive, por pa rënë asnjëherë në këtë kurth të ndërlikuar social ku primare bëhen marrëdhëniet autoriale.



3.

Një ndër librat që më ka nxitur ta vështroj në dritën e kësaj lloj pikëpamjeje, pra duke u nisur thjeshtë nga shtysa e kumteve tekstore, është dhe vëllimi me poezi i Granit Zelës “Në studion time hermetike”, botuar nga enti botues “Aleph” në vitin 2003. Ky vëllim me poezi vjen i dyti për lexuesin e Zelës, pas librit të mëparshëm, po me poezi, me titull “Apokalips”, i botuar në vitin 2001.
“Në studion time hermetike” është një libër me pak faqe, vetëm 64 fletë dhe si për shumë libra të tjerë të autorëve të rinj që filluan të prezantohen aty nga fundi i viteve “90-të dhe në kapërcyell të viteve “00, për këtë libër pak është folur. Libri i Granitit vërteton edhe një herë atë faktin e njohur, por që pak krijues e pranojnë, se letërsia dhe librat përmes të cilëve përcillet ajo, nuk maten nga volumi dhe numri i faqeve, por nga brendia, risia dhe materia estetike e veçantë që i karakterizon. Në të 43 poezitë që sjell libri kemi 43 shenja diakritike specifike, të cilat dëshmojnë mbi mënyrën se si e lexon autori realitetin amorf që evoluon në mjegulli jashtë dhe në angushti brenda unit poetik. Ky realitet materializohet në gjuhë përmes kadencash të kujdesshme, apo thjesht ritmikash të brendshme, pa eufori, kakofoni dhe impulse patetike. Pa dyshim, ky është një aspekt modernist në poezinë e Zelës. Aspekt tjetër moderniteti është ironia dhe sigurisht edhe sinkretizimi i modeleve krijuese të disa autorëve të kohës së kaluar me ata bashkëkohorë në një stil të vetëm autentik, pa rënë në epigonizëm.
Pavarsisht se Granit Zela është njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe përkthyes i zoti i autorëve që shkruajnë në këtë gjuhë, duket se zbaton një proteksion të disiplinuar ndaj asaj çka është “mall vendas” dhe “ i huaj”, jo në kuptimin e injorimit apo margjinalizimit të asaj çka vjen nga jashtë, por sipas pikëpamjes sime, thjeshtë në kuptimin e evokimit, rivlerësimit dhe rritjes së kulturës letrare duke ajgëtuar trajtat e genit kulturor në diakroni dhe në sinkroni me specifikat tipike brenda etnisë. Kjo materie besoj nuk është spontane dhe e paqëllimtë, përkundrazi është një prirje e gjykuar dhe e formësuar me ndërgjegje dhe inteligjencë të kulluar poetike.
Zela nuk është poeti i paqëllimtë, as poeti që kërkon të mësojë botën, përkundër ai është poeti që evokon dhe estetizon dukuritë sociale, realitetin ku përplaset qenia aktuale dhe historike, tokësore dhe biblike brenda rrezeve të ngushta të një rrethi të mbyllur, me fatin e paracaktuar që në gjenezë.
Ajo që evokohet në vargjet e librit “Në studion time hermetike” është një domesticum bellum (lat. luftë e brendëshme) e unit që jashtësohet nga përbrendësia me një zë të butë e të përvajshëm prej pezmit të përçudinimit të individit dhe atdheut, individit dhe botës ku gjallon ai. Zela duket është nga poetët e paktë të brezit të ri që i përulet ende me nderim parimit nos patria genuit et educavit (lat. atdheu na fali jetën dhe na edukoi).
Ndër poezitë më mbresëlënëse të librit dhe që e shpërfaqin pezmin e përçudnimit të individit dhe të atdheut janë poezitë me referenca biblike si “Babilonia” (fq. 14-15), “Betlehem” (fq. 18-19), “Do të kryqëzojnë prapë, mos u ngjall o Krisht” (fq. 28), “Nata para njeriut” (fq. 44). Edhe në aspektin stilistik këto poezi paraqesin një larmi ornamentesh estetike që përfaqësojnë një gamë të gjerë figuracioni letrar në strukturë, formë dhe kumt. Në këto poezi bie në sy moskuptimi dhe kaosi njerëzor që priret drejt instiktit për të konsumuar apo përdhosur gjithçka deri tek vlerat që rigjenerojnë botën tonë shpirtërore dhe mobilizojnë forcat e brendshme për të përballuar trillet e fatit. Poezia “Babilonia” fillon me një pasthirrmë lutëse drejtuar Zotit, vazhdon me përsëritjet e leksemës “gjithësi” në dy kontekste të ndryshme dhe me sinonimet “rrëmujë” e “katrahurë”, për të shkuar më tej tek antonomazia - “judët”, përgjithësuese për tradhëtarët e Njeriut, Zotit dhe Atdheut, më pas vijnë në aliteracione në vargun e katërt “të pabesët të pafetë dhe të paudhët”, dhe dy vargjet e fundit zënë fill me “Ajme” dhe “Ave”, të cilat mund të themi se përbëjnë në këtë poezi deri në njëfarë mase një gjysëm epifore ngase përsëriten në të njëjtin pozicion zanafillor dhe fundor edhe në dy strofat e tjera pasuese.
Në këtë poezi, si rrallë në letërsinë shqipe, është stilizuar me denduri dhe me mjaft finesë edhe shprehja paranomaziane si në vargjet “kohën e bjerrin e tjerrin terrin”, “Zot s’ka kush me del zot”, “jam i përgjuar, por jo i përgjunjur, ... jam i munduar por jo i mundur”, “rrëfe për Golgotën dhe shfre mbi botën”, “faltoret e kësaj republike janë shtëpi publike”, “përmbys e përmbyt, përul e përkul”, të cilat përveçse janë paranomazi, nganjëherë shkojnë në kufinjtë e paradoksit dhe të oksimoronit duke e mahnitur lexuesin njëtrajtshëm me kumtin edhe me efektet e tjera të estetizimit stilistik.
Kjo është “Babilonia” e rrëmujshme dhe e pasur në larminë e saj; me kopshtet vezulluese dhe me krimin çnjerëzor, univers poetik dhe klithëm sociale therëse, lutje drejtuar Zotit të njerëzve dhe njerëzve të Zotit.
Tek poezia “Do të kryqëzojnë prapë, mos u ngjall o Krisht”, që në titull Zela stilizon me një figurë tjetër befasuese dhe të rrallë në letërsinë tonë, - asteizmin. Poezia është e gjitha asteike, me një tis shakaje te dhemshur për fatin pa fat dhe (vetë)flijimin pa lavdi dhe dobi të njeriut të përkorë që priret nga morali dhe drejtësia në një realitet të zymtë antihuman. Si një veçori tjetër, pothuajse shumë e rrallë për letërsinë shqipe të re, vjen përmes poezisë së Zelës edhe nga stilizimi i vargjeve në stikamite dialoguese midis “unit” dhe “tjetrit” si ato në fletët me numrat 27 dhe 34, të cilat shpërfaqin ndjesi lirike, idilike dhe intime me fjalë të shpejta të formuluara në trajtë të kodifikuar sipas natyrës së dialogut ku trajtohen raporte njerëzore intime.
Poezia e Zelës është përnjëmend mbreslënëse, sinkretizuese veçorish tipike të traditës poetike shqiptare, krejtësisht e veçantë dhe unike në stil. Ajo përfshin në materien e saj një amalgamë realitetesh jetike, filozofike, psikologjike dhe sociale, të cilat hyjnë në letërsi si përvoja dhe reflektime të unit mbi kohën, njerëzit dhe ngjarjet që e bashkëshoqërojnë ekzistencën në udhëtimin e vështirë të jetës. Vargu i kësaj poezie vjen i matur dhe i stilizuar me finesë. Kodifikimi gjuhësor i vargut vjen dialogues e po aq dhe ikonik njëherësh, duke evokuar mesazhin e argumentuar logjik njëherësh me mesazhin ambig dhe simbolik me një polifoni kumtesh të cilat në fund të fundit i takon receptuesit t’i rindërtojë sipas përvojës leximore, shkallës së inteligjencës dhe imagjinatës së vet.

Nga Petrit Nika


Friday, May 25, 2018

Elegjitë e marsit

Atit tim, i cili erdhi në mars
dhe pas 92 vitesh iku përsëri në mars.



















Elegjia e parë

Aedi

Natë.
Fryn erë.
Mëngjesi është larg.
Frikë dhe mall sjell kujtimi yt,
kërrusur nën dorën e hënës,
që hyn nga dritarja e hapur.
Në rrugë një mace i kërcënohet natës.
Dhe heshtje prapë.
Dhe prapë natë...
Sa larg është agshol’ i një nate të tillë!
Frymëmarrja vjen e fishkur,
nga thellësitë e domosdoshmërisë,
dhe heshtja e natës e përgjon atë,
duke e shumëfishuar
në progresion me kompaktësinë e territ
dhe ajrit të lagësht...
Prapë heshtje...
Prapë natë...
Në një natë si kjo ekzistenca i përkulet kozmogonisë,
shkrihet në materien e krijimit,
kthehet në zanafillë...
Pastaj fryn një vals ere i beftë;
frikë, mallë, kujtime, heshtje...
Një mace kërcënohet tashmë nën dritaren e padukshme...
Natë...
Mars me lule pjeshkësh që shkërbejnë pendesë...
Do vijë edhe dita nesër,
do ikin dhe ca pak ditë të mbetura në kusur,
marsi do largohet më në fund,
duke kaluar përmes varrit tënd nën qiparis mbi kodër,
koha thjeshtohet vetëm në një kohë.


Kori

Në qiell dhe në tokë është frymë dhe galdim,
në ujë dhe në zjarr është jetë dhe krijim,
në gas e në vdekje është ëndërr dhe kujtim,
Amin! Amin! Amin!






Elegjia e dytë

Aedi

Akoma mars dhe lulet sonte u përlotën.
Nëpër natë rend shiu endacak
dhe lagjet e varfëra s’ndihen më;
ka edhe s’ka frymë,
ka edhe s’ka gjallesë mbi dhe,
ka edhe s’ka mbetur njeri ...
Kalon përmes shiut,
kalon përmes natës,
Atis* i zhgënjyer,
të shohë të vetmen dallëndyshe
që erdhi gabimisht në mëngjes pardje,
në emër të Atit,
në emër të Birit,
në emër të përjetësisë,
në emër të vazhdimit,
në emër të fjalës,
në emër të emrit!
Amin!

Kori

Në qiell dhe në tokë është frymë dhe galdim,
në ujë dhe në zjarr është jetë dhe krijim,
në gas e në vdekje është ëndërr dhe kujtim,
Amin! Amin! Amin!


*Atis - hyjnia frigjiane e vegjetacionit dhe bimësisë





Elegjia e tretë

Aedi

Tashmë ka ardhur koha të mendosh si kohë,
dhe fjalët t’i hash fije-fije, si kali tagjinë,
nëse baret vetmitar në atë botë në llohë,
nëse kurmin pa gjak e bart në djerrinë,
dhe nëse errësirë është e pak dritë kërkon,
si fllugë në stuhi endesh e s’hyn dot në liman,
nëse veç shkreti dhe gjë tjetër nuk shikon,
nëse përmes natës ndrin si flakadan,
nëse qan kërrusur në një pemë palmuq,
si një fëmijë jetim fillikat në botë,
nëse të mban pranë një hy trashaluq,
dhe nektar e ajazmë t’i përzien në gotë,
nëse mes dy botësh ende kolovitesh,
dhe këtë natë me shi je flutura rreth dritës,
nëse ti kumton fjalë e varg e jamb,
dhe në fund të strofës më thua: Unë jam!
Atëherë koha është vetë përjetësia,
dhe tek njëra-tjetra ndërkallen të dyja.

Kori

Në qiell dhe në tokë është frymë dhe galdim,
në ujë dhe në zjarr është jetë dhe krijim,
në gas e në vdekje është ëndërr dhe kujtim,
Amin! Amin! Amin!




Elegjia e katërt

Aedi

Ndoshta shiu s’pushon edhe sonte,
ka ende ditë nga marsi
dhe ende s’kanë ardhë marsianët
nga toka e premtuar.
Në Bruksel vajtojnë,
në Paris e Ankara vajtuan kohë më parë
ndonëse asokohe ty
një ëngjëll të fliste për botë të tjera.
Aksidente, sherre e terror ka ngado
e çdo ditë buis gjak në tokë...
Asnjëra nga sibilat nuk duket më në asnjë altar,
asnjë harpë, asnjë fyell, asnjë kitarë,
asnjë virgjëreshë nuk salikohet më për hyjtë,
më së shumti maniakët i salikojnë virgjëreshat
për t’i bërë qejfin hyut të tyre pa emër ...
Në shtratin e shiut vjen flauri nata,
nëpër natë jehojnë trumpetat e mallit.
Bota vazhdon si më parë,
në rrugën e saj të gabuar ...
Asgjë s’të bën të mendosh
se një ditë ka për të ndryshuar!
Ajme!


Kori

Në qiell dhe në tokë është frymë dhe galdim,
në ujë dhe në zjarr është jetë dhe krijim,
në gas e në vdekje është ëndërr dhe kujtim,
Amin! Amin! Amin!





Elegjia e pestë

Aedi

Ti nuk e kuptoje dot epokën e apple’s,
vije nga drita e kandilit dhe era e tij e rëndë,
vije nga viset e ashpra me dimra të gjatë e të pathyeshëm,
vije nga shpatet ku erërat shkulin lisat me rrënjë,
vije nga lugjet e honet ku shkumojnë ujërat e rrëmbyeshëm,
vije nga shkëmbinjtë ku pinus shkon për në qiell drejt,
prore kujtoje lahutën e babait dhe zërin e tij të malltë,
dhe s’kujtoje dot se bota kishte ndërruar krejt,
nëpër botë moderniteti si energji e përralltë,
kish ndërruar njeriun dhe s’kish më si dikur,
një që t’i besoje fjalën dhe hallin t’ia bëje dert,
Homo Sapiensi i ri, ajme, ty s’mund të të kuptonte kurrë,
se si binarin e rëndë nëntëdhjetë e dy vjet e barte në zverk,
derisa erdhi Atis dhe binarin e ktheve në urë,
derisa hodhe pastaj të fundmin nga lumenjtë,
dhe apeironi të krodhi në shpërgejtë e tij si një gur,
që rrokulliset mëngjesit të brymtë kur rrezja e gënjen.





Kori dhe aedi në unison

Në qiell, në ujë, në zjarr - kudo në rruzullim,
mes ëngjëjsh dëgjo harpën sesi oshëtin!
Marsi ikën në shi me vaj e lëngim,
me lutje, ajme, aleluja dhe amin!
Në amshim, në amshim, në amshim!




Elegjia e gjashtë

Aedi

Mëngjes.
Është ora gjashtë,
ka ngelur edhe një orë,
minutat ecin mbrapsht,
ora ka ngelur pa zemrek,
fryma nuk rri më në kafaz,
lëviz me nxit shtëpia
në ëndërr e përgjumur,
dhe mbi parvaz zgjat kokën
një hije kureshtare.
E ç’mund të bësh në një orë të vetme?
Ja t’i japin edhe dhjetë minuta të tjera,
njëzet, njëzet e një ...
Jo më!
Është ora për të ndalur orën!
Është koha për të ndalur kohën!
Hija zgjat kokën në dhomë,
mbi krevat sodit,
hyn,
ulet tek këmbët,
pastaj të vjen tek koka ...!
Ëngjëlli tokësor
ngre supet me dëshprim!
Pa e kuptuar,
ka kaluar ora shtatë!
Ka qenë ora më e shkurtër në të gjitha kohët!

Kori

Koha tkurret,
zhduken tavani, çatia, muret,
zhduken oborri, portat, gjerdhet,
zhduket gjithçka:
spitali, barrela, mehlemet, helmet,
luga, pjata, filxhani zhduken.
Zhduket krevati, çarçafët e bardhë si qefin,
zhduket qiriu mbi tavolinë,
zhduket kungimi i mbrëmësores me amin!
Një ëngjëll mbi flatra
të bart mbi greminë!
Drejt për në amshim!





Elegjia e shtatë

Aedi

Natë edhe sonte
e meqë është natë do të flas si ditën.
Herën e fundit, nëse e mban mend ende,
udhëtuam me makinën time në vendlindje.
Vetëm ne të dy!
Janë ca vite, nuk e di se sa,
më kujtohet se ka qenë behar,
ndoshta korrik.
Bënte vapë.
Nuk më vjen në hatër nëse na mundoi vapa aq,
apo një brengë e fshehtë na mundoi...
Në fakt nuk ia thamë aq hapur njëri-tjetrit
sa na dhimbsej vendlindja;
më shumë sodisnim në heshtje
panoramën e djegur nga vitet e mungesës.
Nuk është se u çmallëm;
më shumë u trishtuam të dy,
dhe erdhëm përsëri në jug,
duke hequr osh
thesin e arnuar të kujtimeve...
Më the se nuk doje ta shihje më ashtu
atë çka kishe ndërtuar në vitet e tu të gjatë.
Edhe unë i një mendje me ty isha,
dhe jam akoma,
madje malli më zhurit edhe mua,
por prapë nuk më shkohet atje ...
Më pas pata lexuar Ciceronin*;
burrë i ditur, romak dinak,
por me thënë të drejtën,
s’është se më ka ndihmuar shumë,
madje, ndonëse s’ka të sharë,
mendoj se vetëm flet për ngushëllimin,
duke shmangur thelbin e dhimbjes.
Bota i ka parë të gjitha;
lindjet, plagët edhe vdekjet,
ndarjet, lëngatën dhe ngadhnjimin,
lumninë e hareshme dhe dëshprimin,
dhe ndaj është bërë gjithnjë e më e trishtë,
gjithnjë e më shumë dyshuese,
gjithnjë e më shumë e prirur drejt së sotmes,
duke i shmangur brutalisht të gjitha,
përveç gjerdanit të domosdoshëm të konsumit.


Kori

Tani atje ka çastisur pranvera,
krëndet janë ngjallur
dhe limfa e tyre lëviz me nxitim
nga toka drejt qiellit.



Kori dhe aedi në unison

Në qiell dhe në tokë është frymë dhe galdim,
në ujë dhe në zjarr është jetë dhe krijim,
në gas e në vdekje është ëndërr dhe kujtim!
Amin! Amin! Amin!



Mars 2016






Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat