LUGINA E INDIT DHE UNIVERSITETI I TAKSHASHILES
Bibliotekat, ne cdo kohe dhe ne cdo vend, gjithmonë kanë patur rolin kryesor për arkivimin, përpunimin dhe shërbimin e informacionit. Sikurse në natyrën e bibiliotekave publike është që t'i shërbejnë nje publiku te gjerë, në natyrën e bibliotekave speciale është që t'iu shërbejnë nevojave të një komuniteti specifik përdoruesish. Siç e pamë edhe në rastin e Bibliotekës së Akademisë së Gundeshapurit, Lindja e Mesme me vende si Persia dhe India, shpërfaqi fenomenin e bibliotekave speciale, pra biblioteka të cilat ishin në shërbim të institucioneve arsimore. Këto biblioteka zënë një vend të rëndësishëm në historinë e bibliotekave dhe të qytetërimeve, sepse ato ruajnë trashëgiminë kulturore të kombeve ku u krijuan dhe shërbyen si ura ndërlidhëse mes civilizimeve.
India është një mozaik i jashtëzakonshëm i kulturave të ndryshme, si për faktin se u pushtua shpesh nga një numër vendesh dhe popujsh të huaj, ashtu edhe për shkak të kontakteve të saj të pareshtura me popujt e vendeve të Lindjes. E gjithë gama e gjuhëve nga popujt e vendeve të Lindjes do të bëheshin materia e letërsisë antike indiane. Literatura në ato gjuhë orientale krijoi bibliotekat orientale të Indisë së hershme. Historia e tyre mund të gjurmohet që nga periudha Vedike.
Ura e parë e rëndësishme ndërlidhëse ishte ajo pjesë e Indisë që sot shënon territoret e shtetit të Paksitanit.
Historia e Pakistanit përfshin rajonin e Luginës së Indit, e cila shtrihej në hapësirën perëndimore të nënkontinentit indian dhe pllajës lindore të Iranit. Rajoni ka shërbyer në kohë të lashta për shekuj me radhë si nyjë lidhëse mes Azisë Jugore dhe Lindjes së Mesme me Azinë Qendrore dhe Lindjen e Afërt. I ndodhur në një pozicion të tillë, rajoni i Paksitanit të lashtë njohu një zhvillim qytetërimi të vrullshëm dhe me ndikim. Që të jemi të saktë historikisht, territori që sot njihet si Paksitani, ishte territor që përfaqësohej nga popujt indo-arianë dhe kulturat përkatëse dhe ishte pjesë e Indisë deri më 14 gusht 1947.
Në agim të qytetërimit, kur popujt indo-arianë u vendosën në Luginën e Indit, ata sollën me vete në Luginë edhe traditat e tyre përkatëse bashkë me praktikat fetare të cilat u shkrinë njësh me kulturën e vendasve të hershëm të Luginës. Besimet dhe praktikat fetare indo-ariane i dhanë zhvillim fiseve të kulturës Vedike. Kultura e hershme Vedike ishte një shoqëri fisnore, baritore e përqendruar në Luginën Indit, pikërsht në atë rajon ku shtrihet Pakistani i sotëm. Kjo luginë mbahet si vendi ku u krijuan Vedat, të cilat mbahen si shkrimet e shenjta më të vjetra të Hinduizmit. Periudha Vedike mendohet se është zgjati midis viteve 1500 p.e.s., deri në vitet 800 p.e.s.
Nën sundimin e perandorit Çandragupta (321-297 p.e.s.) dhe pasardhësit të tij Bindusara (297- 273 p.e.s.), tregtia e brendshme dhe e jashtme, bujqësia dhe aktivitetet tregtare të gjitha lulëzuan dhe u zgjeruan në të gjithë nënkontinentin indian për shkak të vendosjes së një sistemi koheziv të financave, të administratës dhe sigurisë. Perandoria ishte e ndarë në katër provinca, kryeqyteti perandorak ishte në Pataliputra. Nga ediktet e Ashokas, (një koleksion dokumentesh prej mbi 30 shtyllash të gurta të gdhendura nder të perandorit Ashoka, i cili mbretëroi rreth 268 – 232 p.e.s.), përmenden emrat e katër kryeqendrave provinciale të Indisë, të cilat ishin: Tosali (në pjesën lindore të Gangut), Ujai (në pjesën perëndimore të Gangut), Suvarnagiri (në Dekan) dhe Taxila (në Luginën veriore të Indit). Emri i këtij qyteti u përmend në disa variante sipas gjuhëve. Taksila e quajtën grekët, Takshashila u quajt në sanskritisht dhe Çu-ça-shi-lo nga kinezët e kohës. Sipas mitologjisë, Takshashila (sot në qytetin me të njëjtin emër, (Penxhab, Pakistan) thuhet se ishte themeluar nga djali i vëllait të heroit legjendar Rama (tek Ramajana) dhe qëndronte në një kodër që komandonte lumin Tamra Nala, e cila ishte një nga degët e Indit. Ajo përmendet të ketë qenë një qendër e rëndësishme kulturore që nga fillimi i themelimit të saj, rreth 1000 vjet p.e.s. Madje thuhet se epi indian “Mahabharata” u shpall për herë të parë pikërisht këtu. Taksila ishte në udhëkryq të rrugëve tregtare që lidhnin Indinë me Iranin, Afganistanin dhe Lindjen e Mesme dhe si e tillë njihej për fluksin e madh të aziatikëve nga të gjitha rajonet dhe për dijet e profesionistët e saj të shquar deri në shek. V pas Krishtit kur ra në duart e hunve, u dogj, u shkatërrua dhe nuk iu rikthye më kurrë lavdisë së parë. Gërmimet arkeologjike tregojnë se qyteti mund të jetë rritur ndjeshëm gjatë sundimit të perandorisë persiane akhmenide, në shekullin e VI p.e.s. Rreth shek. V p.e.s., në mbarë Indinë filloi të përhapet budizmi, si një lëvizje revolucionare kundër Vedave. Në Indinë budiste manastiret u bënë qendra të të mësuarit dhe edukimit. Në shekullin e III, kur Aleksandri i Madh e përfshiu në hartën e perandorisë së tij gjithë atë pjesë të Indisë që përkon kryesisht me Paksitanin e sotëm, në Luginë bartet edhe një pjesë e kulturës greke. Kur Aleksandri vdiq në vitin 323 p.e.s, ai la pas një perandori të shtrirë nga Greqia deri në lumin Ind, e cila u nda më pas mes tre gjeneralëve të tij, duke e humbur përgjithmonë lavdinë e parë. Pas vdekjes së Aleksandrit, po në shek. III, Çandragupta e zyrtarizoi budizmin si fenë zyrtare të Indisë. Tashmë, budizmi njohu zhvillimin më të madh dhe përhapjen më të madhe në rajonin e Luginës dhe në mbarë Indinë. Budizmi zyrtarizoi letërsinë teologjike më pas, u ndërtuan shumë manastire të cilat filluan të krijonin bibliotekat e para monastike në Indi. Gjatë kësaj periudhe, letërsia u ruajt në manastiret budiste të cilat shërbyen si depo të dijes, për letërsinë fetare, por edhe për llojet e tjera të dijes. Bibliotekat orientale monastike u quajtën gjithashtu Viharas. Me kalimin e kohës, këto Viharas u shndërruan në institucione të arsimit të lartë. Institucionet monastike budiste në Takshashila, Nalanda, Valabh, Odantapuri dhe Vikramshila, u bënë qendra të rëndësishme të arsimit të lartë. Ishte epoka e ngritjes së shkencave indiane, matematikës dhe astronomisë. Koleksioni i bibliotekës përfshinte dorëshkrime mbi hinduizmin, shkencat politike, letërsinë, mjekësinë dhe filozofinë.
Universiteti i njohur i Takshashila u bë qendra më e madhe e të mësuarit në rajon dhe ndikoi në shkëmbimin e kulturave të ndryshme. Universiteti ishte veçanërisht i njohur për shkencat, mjekësinë dhe artet, por mësoheshin edhe lëndët teologjike dhe sekulare, madje edhe lëndë të tilla praktike si gjuajtja me hark dhe astrologjia. Studentët vinin dhe nga viset më të largëta të Indisë. Shumë dorëshkrime të letërsisë së hershme budiste përmendin studentët që ndjekin Universitetin. Besohet se përveç studentëve indianë, aty kanë studiuar edhe studentë nga Kina, Persia, Siria dhe Greqia. Studentët në këto universitete duhej të ndiqnin rregullat monastike së bashku me planprogramet e tyre. Periudha e arsimit ishte dymbëdhjetë vjet. Mësuesit ishin kujdestarët e studentëve. Ata ishin përgjegjës për zhvillimin fizik, mendor, moral dhe shpirtëror të studentëve të tyre. Manastiret që shërbyen si qendra arsimore u zhvilluan më vonë në kolegje dhe universitete. Nalanda, Vikramshila, Somapura, Salban dhe Taksila (ose Takshashila) u bënë universitete të pashembullta me mësues shumë të kualifikuar. Qëllimi i edukimit budist ishte ta bënte një qenie njerëzore të mençur, inteligjente, të moralshme dhe jo të dhunshme. Studentët u bënë të mençur, humanistë, me logjikë të çliruar nga bestytnitë, si dhe të lirë nga lakmia, epshi dhe injoranca - një arsimim integral që duhet ta kemi zili edhe ne në kohët moderne. Edukimi budist ishte i hapur dhe i disponueshëm për njerëzit e të gjitha shtresave të jetës. Pas shekullit të tretë të erës së re Taksila nuk e kishte më lavdinë e shekujve të mëparshëm. Duke qenë afër kufirit veri-perëndimor të Indisë, Takshashila duhej të përballej vazhdimisht me sulme e pushtime që vinin i nga veriu dhe perëndimi. Persët, grekët, parthët, etj., lane gjurmët e shkatërrimeve në këtë institucion. Goditja e fundit i erdhi nga hunët, pikërisht nga ata nomadë që kishin shkatërruar edhe perandorinë romake, të cilët aty rreth vitit 450 e rrafshuan përjetësisht institucionin.
__________________
1. Allchin, F. Raymond: "The Urban Position of Taxila and Its Place in Northwest India-Pakistan"; Studies in the History of Art.
2. Bhatti, Muhammad Ilyas:Taxila an ancient metropolis of Gandhara.
3. Karttunen, Taxila: Indian City and a Stronghold of Hellenism 1990
4. Petrie, Cameron: "Taxila", in D. K. Chakrabarti and M. Lal (eds.), History of Ancient India III: The Texts, and Political History and Administration till c. 200 BC, Vivekananda International Foundation, Aryan Books International, Delhi
5. Guide to Historic Taxila by Ahmad Hasan Dani in 10 chapters
6. S. Srikanta Sastri: Taxila: An Ancient Indian University
7. Raymond Allchin, Bridget Allchin, The Rise of Civilization in India. Cambridge University Press, 1982
8. ALA (American Library Association): Oldest University Library
9. Ancient Universities in India (www.aicte-india.org )
10. BinNaveed, Muhammad : Taxila, Ancient History Encyclopedia
11. Gul, Sumeer (University of Kashmir, India), Khan, Samina (University of Kashmir, India): Growth and Development of Oriental Libraries in India, University of Nebraska – Lincoln, 2008
12. Boruah, Parishmita: Thre vanished Libraries that history witnessed: International Journal of Research in Humanities, Arts and Literature (IMPACT: IJRHAL) ISSN (P): 2347=4564: ISSN (E): 2321-8878, Vol. 5, Issue 9, Sep 2017, 13-16
No comments:
Post a Comment