Lemuria, Kumari Kandam dhe legjendat e indianëve Tamil Nadu për kontinentin e mbytur në oqean
Dikur mbretërit e dinastisë Pandijan të Kumari Kandam ishin sunduesit e krejt subkontinentit indian dhe sipas tyre civilizimi Tamil është civilizimi më i vjetër në botë. Sipas versionit Tamil, kur Kumari Kandam u zhyt ne oqean, banorët e tij u përhapën në të gjithë botën dhe themeluan civilizime të ndryshme, prandaj sipas tyre pretendohet se kontinenti i humbur ishte gjithashtu djepi i civilizimit mbarënjerëzor.
Është e njohur tashmë nga të gjithë historia e Atlantidës, qytetit legjendar të fundosur përjetësisht, siç përshkruhet nga filozofi antik grek Platoni. Por çështja "Atlantis" edhe sot e kësaj dite, në fakt, ngelet aq e diskutueshme, sa shumica nuk dinë nëse duhet ta marrin si të mirëqenë, apo duhet ta trajtojnë thjeshtë si një nga mitet e lashtësisë. Mëdyshja duket do vazhdojë gjatë, sepse asnjë artefakt i besueshëm ende nuk ekziston për këtë. Gjithësesi, edhe me tej, më në Lindje, në subkontinentin Indian, ekziston një legjendë e ngjashme, ndonëse më pak e njohur, krahasuar me atë të Atlantidës. Bëhet fjalë për “kontinentin e zhdukur” të Lemurisë, i cili lidhet me legjendën e Kumari Kandam nga indianët Tamil Nadu.
Termin Lemuria ky kontinent i pretenduar e mori në fundin e shek. XIX nga gjeologu Filip Sklater, i cili u mahnit nga prania e madhe e fosileve të kafshës së lemurit në Madagaskar dhe në Indi, gjë të cilën nuk e kishte hasur në Afriken kontinentale, as në Lindjen e Mesme. Kështu, në artikullin e tij të vitit 1864 me titull ”Gjitarët e Madagaskarit”, Sklater hodhi idenë se Madagaskari dhe India, sipas tij, dikur kishin qenë pjesë e një kontinenti më të madh, të cilën për shakak të pranisë së pazakontë të fosileve të lemurit, e quajti Lemuria. Teoria e Sklater u pranua nga opinioni shkencor i asaj periudhe si shpjegimi me i arsyeshëm i mënyrës se si lemurët mund të kishin migruar nga Madagaskari në Indi, ose anasjelltas, në kohërat antike. Me shfaqjen e koncepteve moderne të shtrirjes kontinentale dhe të pllakave tektonike, teoria e Sklater për një kontinent të zhytur tashmë ishte e diskutueshme, gjithësesi legjenda e kontinentit të zhdukur nuk u harrua, madje ka ende njerëz që besojnë se Lemuria ishte një kontinent real që ekzistonte në të kaluarën.
Një grup i tillë janë pra dhe fisi Tamil Nadu, të cilët e quajnë Kumari Kandam. Në folklorin dhe veprat letrare të gjuhës Tamil ekzistonin prej shekujsh historitë që bënin fjalë për një tokë antike qe e kishin përpirë ujërat e Oqeanit Indian. Shekuj me vonë, kur rrëfenjat për Lemurinë mbërritën në Indinë koloniale, vendi po kalonte një periudhë kur folklori mëtonte te ofrohej si histori. Si rezultat i këtij fenomeni, Lemuria u barazua shpejt me Kumari Kandamin e indianëve Tamilë Nadu, të cilët e sjellin pothuaj me ndjenjën e një krenarie kombëtare dhe karakteristikat e një eposi.
Dikur mbretërit e dinastisë Pandijan të Kumari Kandam ishin sunduesit e krejt subkontinentit indian dhe sipas tyre civilizimi Tamil është civilizimi më i vjetër në botë. Sipas versionit Tamil, kur Kumari Kandam u zhyt ne oqean, banorët e tij u përhapën në të gjithë botën dhe themeluan civilizime të ndryshme, prandaj sipas tyre pretendohet se kontinenti i humbur ishte gjithashtu djepi i civilizimit mbarënjerëzor.
Por a ka të vërteta në legjendën e Kumari Kandam? Sipas studiuesve në Institutin Kombëtar të Oqeanografisë në Indi, rreth 14,500 vjet më parë niveli i detit ishte më i ulët se 100 m dhe rreth 10,000 vjet më parë më i ulët se 60 m. Prandaj, është plotësisht e mundur që dikur të ketë qenë një “urë tokësore” që lidhte ishullin e Sri Lankës me Indinë kontinentale. Ndërsa shkalla e ngrohjes globale u rrit midis 12,000 dhe 10,000 vjet më parë, rritja e niveleve të detit rezultoi në përmbytje periodike të ketyre tokave të ulëta. Si pasojë, ky fenomen i rritjes së nivelit të ujit, ka sjellë zhytjen në ujë të vendbanime prehistorike që ndodheshin pranë zonave bregdetare më të ulëta të Indisë dhe Sri Lankës. Historitë e këtyre ngjarjeve katastrofike mund të jenë transmetuar gojarisht nga një brez në tjetrin dhe më në fund ka rezultuar të shkruhen si historia e Kumari Kandam.
Një provë tjetër që sjellin shkencëtarët për të mbështetur ekzistencën e Kumari Kandam është dhe Ura e Adamit, e quajtur ndryshe edhe Ura e Ramës. Ky formacion vjen si një zinxhir gërmadhash guri gëlqeror i përbërë nga rëra, llumi dhe guralecë të vegjël përgjatë ngushticës Palk që shtrihet 18 milje nga India kryesore deri në Sri Lanka. Ashtu si në shumicën e miteve të botës së vjetër, duket se ka dhe për Lemurinë, apo Kumari Kandam, një të vërtetë, por se sa vlen për tu besuar, është ende shpejt për ta thënë.
Copyright: PETRIT NIKA
No comments:
Post a Comment