Tuesday, April 9, 2019

Ballkanasit e tjerë nuk i shkruajnë letra anonime Akademisë së Nobelit




Bisedë midis poetëve Petrit Nika dhe Flurans Ilia



FLURANS ILIA










Flurans Ilia rrjedh nga një familje ku, biblioteka dhe librat zinin vend qendror në mjedisin familjar. Humbja e babait do ta shtyjë qysh në fëmijëri drejt botës magjike të artit. Fillimi i viteve ’90 e gjen në një udhëtim bohem nëpër Ballkan, Evropë, Amerikën e Veriut. Mërgimi mban gjallë dëshirën dhe kontaktin e tij të vazhdueshëm me gjuhët dhe Fjalën. Atavizëm (Libri i parë me poezi) ndiqet nga tituj të tjerë si, Thembra e kujtesës (Proza, 2008), Jashtë sezonit (Roman, 2014). Aktualisht jeton prej shumë vitesh në Kanada.








Petrit Nika: Jeni lindur në Berat, në një qytet të lashtë, në vitin 1971. Në rininë tuaj keni bredhur Europën dhe prej shumë vitesh jetoni në Kanada. Pak Europë sipas Ballkanit, pak Europë nga perëndimi dhe pak Europë nga Kanadaja. A mendoni se këto udhëtime dhe përvoja kulturore kanë ndikimet e tyre në jetën tuaj letrare? Pa rënë në nivelin e ndonjë përgjithësimi stereotipik – cila nga këto kultura ka ndikimin më të fortë tek ju?

Flurans Ilia: Cilido qoftë fati, apo nënshtetësia e shkrimtarit, mendoj se fëmijëria është faktor i pa përthyeshëm në letërsi. Në bazë të asaj se si shkruan. Në të thënat, dhe (sidomos) të pathënat e shkrimit. Madje në krejt botëkuptimin më të qenësishëm të raportit me krijimin, si akt fundamental. Nuk besoj se ka një kulturë dytësore dominuese, qoftë kjo nëpërmjet shkollimit, apo nëpërmjet jetës që mund ta mposhtë bastionin e fëmijërisë tek një shkrimtar. Kultura e përthithur në fëmijëri është nga më magjiket, madje edhe atëherë kur i shpëton stereotipit si pjesë e një kulture sociale gjithpërfshirëse. Personazhët e saj janë demonët, në rrafshin morfologjik dhe sintaksor, të asaj që të përndjek si krijues. Fëmijëria është miti i letërsisë. Është gjendja burimore e veprës. Është fara nën terrin e tokës âmë. Të gjitha ndikimet e mëvonshme, janë veçse degëzime, teknikë, përvojë, përrenjtë dhe rrëkezat që ushqejnë këtë masiv të jetës dhe vdekjes.

Petrit Nika: Brenda një dite njerëzore janë të gjitha ditët, thoshte dikur Borhes. Si është një ditë nga të gjitha ditët tuaja Flurans?


Flurans Ilia: E vrullshme. Agresive. E shtershme. Depresive. Kalkuluese. Kreative. Profesionale. Ndonjëherë banale. Gjëmbaçe. Rrugaçe. Kuptimplote. Nriçuese. Lirike. Të gjitha këto të lidhura fort pas përgjegjësisë për veten, familjen, natyrën, respektin për tjetrin, e sidomos hulumtimit të natyrës njerëzore, marrdhënia me njerëzit. Vuaj nga përgjegjshmëria. Dhe më mrekullon natyra e njeriut. E sakrifikoj shkrimin për të përmbushur të gjitha përgjegjshmëritë njerëzore, jashtëletrare. Sikurse, vuaj si qen i rrahur në ditë të tilla kur nuk kam mundësi të përmbush përgjegjshmërinë ndaj “aktit të shkrimit” për të qetuar brenda vetes demonët e mi (të fëmijërisë?).

Petrit Nika: Ju njihni disa gjuhë të huaja dhe kjo ju mundëson të lexoni shumë autorë bashkëkohorë që ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Si mendoni, a është letërsia shqipe e pas viteve “90 në nivele bashkëkohore me letërsitë e gjuhëve më të mëdha të planetit? Tek ne sot shkruhet më shumë se sa lexohet, por e kam fjalën këtu për letërsinë më përfaqësuese.

Flurans Ilia: Nuk ka dyshim, e kam thënë edhe më parë, letërsia shqipe e pas viteve të 90-ta është në nivel bashkëkohor me simotrat e saj rrethvedi, sidomos me letërsitë e vendeve të Ballkanit. Me të vetmin ndryshim, ballkanasit e tjerë nuk i shkruajnë letra anonime Akademisë së Nobelit, meqë ra llafi, për cilindo kandidat që do mundësonte afirmimin e gjuhës dhe (kryesisht) vendit përkatës nën shejzën e laureatit. Ja kështu fillohen gjërat, avash avash, nga vetja së pari, pastaj në balancë me botën. Po ta mendosh, thellë thellë, ky është problemi thelbësor që pengon afirmimin e letërsisë bashkëkohore shqipe në botë. Të gjitha problematikat e tjera janë thjesht çështje teknike, gjë e cila do të thotë se, vendit tonë nuk i mungon letërsia e mirë dhe dinjitoze, i mungojnë dëshirat pozitive brenda njeriut, apo një grupimi njerëzish për ta shtytur letërsinë në këto nivele.
Petrit Nika: Ka zëra që kanë pohuar dhe ende  pohojnë se poezia mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në personalitetin e lexuesit, madje dhe në kulturën dhe shoqërinë e një vendi. Nga ana tjetër shkrimtarët dhe poetët në përgjithësi e mohojnë rolin edukativ të letërsisë. Ju si mendoni?

Flurans Ilia: Nuk mendoj se mohojnë rolin edukativ të letërsisë. Vetë shkrimtarët mohojnë rolin didaktik dhe moralizues të saj, në formën e drejtpërdrejtë, apo  ndoshta le të themi, në kuptimin skolastik të fjalës. Sepse, letërsia është shumë herë më tepër se kaq. Është kaq e gjerë sa vështirë të konsiderohet si vlerë e kanalizuar në një drejtim. Njësoj si të ngushtosh deltën natyrore të Nilit, apo të kanalizosh Amazonën. Është e pamundur që letërsia t’i imponohet lexuesit. Njeriu është ai që e gjen, zhvillon, konsolidon personalitetin e vet në ujërat e letërsisë.

Petrit Nika: Poezia e vërtetë është ajo poezi e cila është në gjendje t'i ofrojë lexuesit kënaqësinë e gjallë të gjuhës, të përtërirë nga bota e ngrirë e klisheve, është gjuha që sendërton universin e saj me elementë të kontekstit historik, me elementë të vetëdijes dhe intuitës, të ndjenjës sublime dhe ironisë.  A mund t’i sugjeroni lexuesit disa nga emrat e poetëve bashkëkohorë shqiptar që sipas jush ngrihen në kriterin e kësaj vlere?

Flurans Ilia: Poezia ngelet absolutisht forma më e epërme e gjuhës. Poeti përkon me atë çka mundëson rrugëtimin drejt këtij fenomeni. Një rrugëtim dinjitoz. Përngjan me peligrinazhin drejt vendeve të shenjta. Me avitjen drejt formës më natyrore të njeriut, që ende ngelet një mister për t'u eksploruar. Në këtë dekortikim formash, së pari gjuhësore, parë nga prespektiva e tiranisë së gjuhës, gjuha poetike prek të gjitha kontekstet e njeriut dhe historisë njerëzore. Nuk e shoh të nevojshme të sugjeroj emra të përvetshëm në këtë drejtim sepse sugjerimi im ka shumë mundësi të jetë i njëanshëm me atë çka kufizon njohja dhe shijet e mia poetike. Ndërkohë që poetët eksplorojnë forma nga më të ndryshmet. Dua ta lë në dorën e lexuesit të së ardhmes këtë gjykim. Gjykimi i tij do jetë shumë herë më tepër realist se gjykimi ynë si bashkëkohës i figurës emblematike të poetit tretur në të njëjtën gotë me ne, si lexues. 
  
Petrit Nika: Poeti bashkëkohor aziatiko-amerikan Li-Young Lee para ca kohësh deklaronte në një intervistë se, ndonëse ka jetuar përherë në qytete të mëdha,  ai kurrë në fakt nuk i ka dashur qytetet, pasi ato e shmangin njeriun nga natyra. Ju gjithashtu jetoni në një qytet të madh multikultural amerikano-verior, Montreal. A e ndjeni ju një gjë të tillë?

Flurans Ilia: Natyrisht. Të jetosh sot në metropol nuk është më një përzgjedhje, por një domosdoshmëri. Nuk është e thjeshtë të jetosh vazhdimisht në qytetet e mëdha të botës. Përvoja ime më fenomenale ngelet ajo në New York City. Në metropol është e përqendruar e gjithë jeta, në kuptimin ekzistencial të fjalës. Në qoftëse do të mbijetosh, “ja ku është sheshi dhe mejdani”. Kjo lloj atmosfere e fut njeriun në një egocentrizëm të paprecedent. E ngujon vazhdimisht te stresi i vazhdueshëm që qyqari në fjalë e merr për adrenalinë mbijetese kur në thelb nuk është e tillë. Kështu njeriu humb thelbësoren, kontaktin me natyrën, natyrën e vet. Ndaj ikën merr malet dhe pyjet dhe detërat në fundjavë, t’i falet për pak çaste vetvetes, oksigjenit.

Petrit Nika: Qytetërimi i sotëm ka arritur nivele të tilla të zhvillimit teknologjik, sa duket se e ka fituar betejën shekullore për nënshtrimin e natyrës. Ju si mendoni, ҫfarë po ndodh?

Flurans Ilia: Ajo që po ndodh është, njeriu i cili po del nga natyra e vet. Ky është aspekti më dramatik i krejt zhvillimit teknologjik. Nuk është natyra ajo që po nënshtrohet. Përkundrazi natyra tërbohet me shkatërrimin që po kryen njeriu. Ja tek u rikthyem edhe njëherë te domosdoshmëria e kësaj “gjëje krejt të pavlerë” si LETËRSIA DHE ARTET, të cilat i mundësojnë njeriut të njohë dhe kurojë katakombin e shpirtit të vet të plandosur. “Në kohën që punoja mbi zbulimin dhe zhvillimin e teorisë time të nënvetëdijes, gjithmonë vija re se para meje kishte kaluar një poet atypari,” shprehet pak a shumë Frojdi.

Petrit Nika: Ekziston një opinion që  poetët dhe shkrimtarët i stereotipizon si njerëz të vetmuar dhe pothuaj disi të izoluar nga shoqëria. Ju e ndjeni vetveten tuaj në këtë stereotip? Cili është roli i poetit në shoqërinë e sotme?

Flurans Ilia:  Këndvështrimi i poetit në raport me botën është i ndryshëm. Prespektiva e parjes së gjërave në kohë dhe hapësië është vizionar. Vetëdija e poetit është nënvetëdija e popullit të tij. Më duhet shpesh të dalë nga shpella e lëkurës time. E asaj çka jam si karakter. Nuk po pretendoj të marr sipër vetes atributin e rolit të poetit, kategorikisht jo, por e di shumë mirë se cili është roli i tij në shoqeri. Poeti kursesi nuk është lokomotiva e shoqërisë. E asaj shoqerie që në saj të poetit kulmon të riparojë motorin e saj të prishur. Poeti është transmisioni direkt i këtij motori dhe kësaj lëvizjeje krejt të brendëshme.

Petrit Nika: Dhe në fund; ju lutem na thoni diҫka për projektet tuaja letrare të afërme.

Flurans Ilia: Ato janë hë për hë ende kaotike. Dhe ky kaos rrënimtar është mëse i domosdoshëm dhe i shëndetshëm për vet natyrën e krijimit. Të shohim se si do të jetë rendi i gjërave pas këtij kaosi? Kërkimi i vazhdueshëm i së bukurës është pasaporta e të gjitha ideve.


Prill 2019

No comments:

Post a Comment

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat