Saturday, December 26, 2020

Labirintet antike prej guri në ishullin Bolshoi Zaiatskij

Labirintet antike prej guri në ishullin Bolshoi Zaiatskij

 

një grup të vogël ishujsh në Detin e Bardhë të Rusisë gjendet përqendrimi më i lashtë i labirinteve antike në planet. Pavarësisht teorive të shumta, arkeologët dhe historianët nuk kanë arritur në asnjë përfundim konkret rreth arsyes pse ato janë ndërtuar dhe cili ishte qëllimi i tyre. Fenomeni i labirinteve mbetet një nga simbolet më misterioze të gjetura në Tokë – daton prej mijëra vjetësh më parë dhe mendohet se u shfaq njëkohësisht në të gjitha kontinentet e banuara në epokën e vjetër.

Fjala "labirint" vjen nga greqishtja e lashtë "labrys", ("sëpatë e dyfishtë" që përdorej nga minoanët në ishullin e Kretës), dhe "inthos" (që do të thotë "vend") . Kështu, labryinthos (labirint) do të thotë fjalë për fjalë “vendi i sëpatës me dy tehe”. Pallati kompleks i Knosit në Kretë është i modeluar si labirint. Sipas mitologjisë greke, mbreti Minos i Kretës i kërkoi mjeshtrit Dedalus të ndërtonte labirintin në mënyrë që të fshihte Minotaurin, një qenie e frikshme zoomorfe, pasardhës gjysmë-njerëzor i gruas së Minosit me një dem. Për një arsye enigmatike, Dedali dhe djali i tij Ikarus u burgosën në labirint. Për të shpëtuar, ata krijuan një palë krahë prej dylli. Fatkeqesisht Ikari i ri, u ngjit afer diellit në fluturimin e tij dhe krahët e dyllit iu shkrinë e ai përfundoi në detin Ikarian ku u mbyt. Ndërsa legjenda e Minotaurit ishte menduar gjatë shekujve vetëm si një mit. Mbetjet arkeologjike të labirintit të Knosit u zbuluan në fillim të shekullit të XX-të nga arkeologu Arthur Evans.

Megjithëse ka shumë dizajne labirintësh të zbuluara gjatë gjithë historisë, të tilla si me shtatë qarqe, njëmbëdhjetë qarqe dhe dymbëdhjetë qarqe, në Greqi dhe në të gjithë Mesdheun, një simbol i zakonshëm i një labirinti me shtatë qarqe vjen nëpër shekuj perms legjendave. I njohur sot si labirinti i Kretës, ai përbëhet nga një rrugë e vetme që mbështillet para dhe prapa drejt një pike qendrore në një seri prej shtatë unazash koncentrike. Në mënyrë intriguese, forma e labirintit me shtatë qarqe pasqyron lëvizjen e planetit të Mërkurit në qiell për një periudhë të gjatë kohore.

Simboli i labirintit u gjet në një pllakë argjile në pallatin mikenas në Greqi. Mendohet se një zjarr e shkatërroi këtë pallat aty rreth vitit 1200 para Krishtit, duke e pjekur pllakën prej balte dhe duke e bërë keshtu atë të jetë në gjendje për të ardhur deri në ditët tona. Ndërsa fjala “labirint” është e lidhur ngushtë me historinë dhe mitologjinë greke, labirintet kanë qenë rreth e rrotull nëpër botë shumë më parë se legjenda e Knosit dhe Minotaurit.

Nje labirint I famshëm që daton ndoshta dhe deri 4000 vjet më parë është labirinti i famshëm në zonën e tempullit egjiptian të një kompleksi piramidal ndërtuar në Hauara nga Amenemheti III, i dinastisë së XII-të (rreth viteve 1844-1797 para Krishtit). Kishte dymbëdhjetë qarqe të veçanta, të gjitha përballë njëra-tjetrës, të gjitha të lidhura me korridore, kolonada dhe boshte. Rrugicat, kryqëzimet si dhe dyert e rreme të vulosura me rrasa guri, që të gjitha ishin në funksion të mbrojtjes së dhomës qendrore ku gjendej varrii i mbretit. Labirintet e Greqisë dhe të Egjiptit janë vetëm maja e ajsbergut. Labirintet janë gjetur pothuajse në çdo traditë fetare në botë, kanë qenë pjesë integrale e shumë kulturave dhe janë gjetur në çdo kontinent të banuar nga njerëzimi.

Për sa i përket monumenteve të lashta arkeologjike, më shumë se treqind shembuj të labirinteve mund të gjenden në vende të ndryshme të shpërndara në një gjeografi misterioze nëpër botë. Është e çuditshme dhe akoma e pashpjegueshme se si ishte e mundur që I njëjti model labirinti arriti të shfaqet njëkohësisht në një gjeografi kaq te madhe dhe kultura krejt të ndryshme nëper botë. Nëse labirinti I parë daton 4000 vjet i lashtë, në fakt historia e labirinteve është shume më e lashtë se kaq.  Labirintet më të hershëm u shfaqën për herë të parë në gdhendjet neolitike mbi shkëmbinj dhe në formacionet e gurëve, kryesisht në Evropë, Skandinavi dhe Rusi.

Ishujt Solovetskij janë një arkipelag që ndodhet në Gjirin Onega të Detit të Bardhë, Rusi. Këtu gjenden tridhjetë e pesë labirinte neolitikë, të cilat llogaritet se janë mbi 3000 vjeçarë. Më të spikatur janë labirintet prej guri të ishullit Bolshoi Zaiatskij, një grup prej katërmbëdhjetë labirintësh në një zone prej 0.4 km 2. Ato janë veçanërisht të ruajtura mirë dhe janë dokumentuar duke spekulluar për domethënien e tyre, por pa arritur në ndonjë përfundim të qartë. Përveç labirinteve, deri në 850 grumbuj gurësh janë gjetur në ishull, shumë prej tyre përmbajnë fragmente kockash. Formacione të tjera prej guri të zbuluara në ishull përfshijnë një përfaqësim të diellit, të kompletuar me kopsa rrezore. Në përgjithësi është rënë dakord që këto labirinte antike dhe formacione guri kishin lidhje me besimet fetare dhe mund të kenë simbolizuar një kufi midis botës sonë dhe botës së përtejme - vendbanimi mitik i të vdekurve. Labirinti më i vogël ka diametër rreth gjashtë metra, ndërsa më i madhi arrin një diametër 25,4 metra. Rreshtat e gurëve formojnë spirale, të ngjashme me dy gjarpërinj me kokat e tyre në qendër. Hyrjet në labirintet janë kryesisht në jug. Të gjithë labirintet në Bolshoi Zaiatskij gjenden në perëndim të ishullit, ndërsa pjesa lindore e ishullit përmban një koleksion të rëndësishëm të formacioneve prej guri, por jo labirinte.

Shumë hipoteza janë paraqitur për të shpjeguar arsyen pse kolonët neolitikë të ishujve Solovetskij bënë përpjekje të stërmundimshme për ndërtimin e labirinteve të shumta prej guri. Në vitet 1970, hipoteza mbizotëruese, ishte se labirintet ishin ndërtuar si kurthe për peshqit. Si argument për këtë merret fakti se të gjithë labirintet në këtë rajon ishin ndërtuar afër detit dhe nivelet e ujit ishin shumë më të larta 5000 vjet më parë, kur besohet se ishin ndërtuar. Peshqit do të notonin në hyrje, do hynin në brendësi dhe do të bllokoheshin në labirint, duke e bërë më të lehtë punën për peshkatarët.  Sidoqoftë, pengesa kryesore e këtij argumenti është se labirinthet e shumtë janë gjetur në brendësi të zonave kontinentale të të gjithë botës ku nuk kishte kurrë oqean as peshq. Studiuesi Juri Leonidoviç Ershov kishte një teori tjetër për ketë. Ershov pohoi se brenda rreshtave të labirinteve ishte pasqyrimi skematik i orbitave të diellit dhe hënës, kështu që labirintet u përdorën si kalendarë. Sidoqoftë, edhe kjo teori është kundërshtuar me argumnetin që labirintet nuk kanë një drejtim të qëndrueshëm të hyrjes. Një teori e njohur sot, veçanërisht midis qarqeve ezoterike, është se labirinti është një simbol i lashtë që lidhet me tërësinë. Labirinti kombinon imazhet e rrethit dhe spirales në një rrugë gjarpëruese, por të qëllimshme. Ai përfaqëson një udhëtim në thelbin e qenies sonë dhe kthimin përsëri në botë. Ecja në një labirint mund të konsiderohet gjithashtu si një iniciativë në të cilën dikush mpreh inteligjencën. Besohet se ecja në një labirint sjell ndryshim në vetëdijen tonë dhe në perceptimin tone për kohën dhe hapësirën. Me të drejtë, Vlad Abramov, një studiues që hulumtoi labirintet e Bolshoi Zaiatskijt, përshkroi përvojën surreale të ecjes në shtigjet përdredhëse dhe kthyese të labirintit. “Pasi të hyni në një labirint dhe të rrotulloheni disa herë rreth qendrës, e lini atë përmes së njëjtës hyrje. Vetëm pas disa kthesave bëhet e paqartë se sa keni ecur dhe sa ngelet ende për të ecur. Subjektivisht, koha ndalet, por duke parë orën, labirinti i madh kalohet në 15 minuta. Pavarësisht nga teoritë e paraqitura më lart, dhe shume të tjera që nuk janë përmendur ketu, teoria e pranuar sot për sot, është se ndërtimi i labirinteve ishte i lidhur me ritualet e besimeve fetare. Labirintet prehistorike besohet se kanë shërbyer si kurthe për shpirtrat e këqinj, si rrugë të përcaktuara për vallëzimet rituale, ose si një simbol për ndarjen midis kësaj bote dhe botës së përtejme. Spekulohet se labirintet mund të jenë përdorur edhe në rituale për të ndihmuar shpirtrat e atyre që kanë vdekur për të kaluar në botën e pertejme.

 

 

 

 

Dy kodet e martesës si “thembra e Akilit” për rendin patriarkal


Dy kodet e martesës si “thembra e Akilit” për rendin patriarkal

 

 Martesa është një ceremoni e vjetër, e cila shoqëron bashkimin e dy individëve për të jetuar bashkë sipas disa kodeve të përcaktuara dhe premtuara para martesës dhe gjatë martesës. T’i pyesësh njerëzit sot në rrugët e nje qytetit se ç’është martesa, shumica do ta lidhin me disa përgatitje e detyrime paraprake si:  përzgjedhja e të ftuarve për dasëm, zgjedhja e veshjeve, e dekorimeve të sallës së dasmës, zgjedhja e recetave të gatimit si dhe gjetja e dy dëshmitarëve të përgjegjshëm për kurorëzimin. Pjesa e parë e martesës edhe në ditët tona shihet më shumë si argëtim dhe kenaqësi. Martesa zyrtarisht dhe sot vazhdon të jetë një kontratë e ritualizuar që krijon një partneritet ligjor midis dy individëve. Kjo kontratë përcakton të drejtat dhe detyrimet e secilit partner.

Në aspektin social, martesa merr karakteristika etnike dhe krahinore, por edhe fetare, sipas rastit dhe shpërndarjes gjeografike – gjithësesi ne thelb – gjithkund martesa nënkupton bashkimin e dy partnerëve dhe përkushtimin e plotë e besnikërinë e përjetshme midis tyre.

Nëse flasim për origjinën e martesës, mund të themi se besohet se institucioni i martesës e ka zanafillën që në botën lashtë si një mënyrë për ruajtjen e pushtetit, ruajtjen e aleancave, trashëgimin e tokës dhe pasurisë si dhe sigurimin e trashëgimtarëve të ligjshëm. Pra duket se martesa ka filluar me patriarkatin, i cili krijoi konceptin e pronës dhe trashëgimisë.  Ajo gjithashtu shihet si një mënyrë e organizimit të familjes, dhe si shumica e institucioneve të tjera shoqërore, tradita e saj ka evoluar gjatë shekujve. Por nga dolën rregullat e lashta të martesës dhe cili ishte thelbi i tyre?

Provat më të hershme që dokumentojnë martesën si një kontratë me rregulla te përcaktuara, datojnë të paktën rreth 4,000 vjet më parë në ligjin sumerian, shkruar me kueinform në Kodin e Hamurabit. Ky kod i lashtë ligjor përmban tridhjetë e tri urdhëresa specifike që përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e çifteve të martuara. Aty ceken tema që kishin të bënin me natyrën e martesave në shoqërinë e lashtë, si: çmimi i nuses, divorci, detyrimi martesor, inçesti dhe shkelja e kurorës. Konceptet e mirëmenduara që dokumentohen në këtë tekst 4000 vjeçar, tregojnë qartë se rregullat që shoqërojnë një lidhje martesore kanë një të kaluar shumë më të lashtë se vetë Kodi i Hamurabit.  Sa më shumë të shtyhemi në thellësitë e errëta të historisë, aq më shumë gjejmë fakte bindëse mbi rëndësinë që i është dhënë institucionit të martesës në të gjitha kohët, në të gjitha vendet dhe në të gjitha kulturat e botës.

Eksploruesit e hershëm, ndërsa udhëtuan nëpër botë për të zbuluar e studiuar kulturat, që ne fillim mblodhën informacione befasuese në lidhje me martesën. Ata zbuluan se edhe etnitë më të humbura, në dukje primitive, me të cilat komunikuan, kishin gjithashtu sisteme të përcaktuara mirë që rregullonin martesën.

Nëse shikojmë primatin më të afërt me njeriun, shimpanzenë, koncepti i çiftëzimit monogam nuk ekziston te kjo specie. Nuk ekziston sepse nuk është pjesë përbërëse e kodit të tyre gjenetik koncepti i saj. Shimpanzetë nuk zotërojnë një shtytje të brendshme që t’i nxisë partnerët meshkuj dhe femra të lidhen besnikërisht midis tyre. Në vend që të krijojnë një lidhje të tillë martesore të pandarë, predispozicioni i tyre është të çiftëzohen rastësisht dhe me shumë partnerë.

Nëse detyrimi për t'u lidhur me bashkëshortin tonë nuk është pjesë e materies sonë gjenetike, atëherë vallë a është koncept që e kemi krijuar vetë ne raca njerëzore, si pjesë të evolucionit të vetëdijes shoqërore? Antropologu britanik, Ashley Montague vëren se “nuk ka shoqëri njerëzore ku martesa nuk ekziston”. Sipas tij gjithashtu, nëse martesa do të zhvillohej në mënyrë të rastësishme, apo evolucionare, martesa do të ekzistonte në disa kultura, por jo në të tjerat. Sistemet e lashta të ligjeve martesore që ai zbuloi rreth globit ishin jashtëzakonisht të qëndrueshme, aq të qëndrueshme sa pionierët e hershëm të antropologjisë konkluduan se kjo traditë mban vulën e një "organizimi të qëllimshëm".

Grupet e popujve nativë që u anketuan, gjatë këtyre hulumtimeve, zbuluan një sistem të kontrollit shoqëror, për të cilin ata besonin se ekzistonte shumë përpara ligjeve tona moderne dhe sanksioneve të tjera të nënkuptuara nga instancat juridike e shtetërore. Ata besojnë se këto rregulla fillestare, ose “tabu”, evoluan nga rregulla e kode të thjeshta grupimesh shoqërore, derisa u kodifikuan në urdhërime fetare, apo ligje laike, shumë prej të cilave kanë mbijetuar deri më sot.

Martesa që në fillesat e veta rrethohej nga tabutë. Fjala “tabu” rrjedh nga gjuha polineziane dhe nënkupton një gjë rreptësisht të ndaluar. Dy nga tabutë më të lashta, më të gjata dhe më të qëndrueshme në histori, të ndeshura në gjithë botën, të cilat sanksionojnë martesën, ndalojnë marrëdhënien seksuale me një grua të martuar (në tradhti bashkëshortore) dhe martesën apo marrëdhënien seksuale me persona brenda fisit (inçestin).

Shumë kultura ende sot e konsiderojnë tradhëtinë bashkëshortore një krim shumë të rëndë. Në disa vende, madje edhe në disa shtete të SHBA-ve ekzistojnë dhe sot ligje që parashikojnë ndëshkime të caktuara për “thyerjen e kurorës”, të cilat variojnë nga dënimet me gjoba deri tek privimi i lirisë me burgim.

Tradhëtia bashkëshortore ishte një vepër shumë më e rëndë në antikitet. Në Bibël, për shembull, një nga dhjetë urdhërimet thotë: "Mos shkel kurorën e shenjtë". Kurora martesore nga kisha katolike ende sot konsiderohet sakrament, pra e shenjtë. Në kohë të lashta individët e kapur në situata kompromentuese dënoheshin me vdekje. Në Kodin e Hamurabit, nëse një grua e martuar akuzohej se shkonte me një burrë tjetër, ajo ndiqej penalisht dhe dënimi ishte me vdekje. Ligje dhe dënime të ngjashme janë dhe në kulturat native. Në Polinezi, dënohesh me vdekje edhe sot të prekësh grua të martuar. Në Zimbabve, dënimi për tradhti bashkëshortore është gjithashtu me vdekje edhe sot. Romakët e lashtë, kurorëshkelësit i dëbonin në një ishull larg familjes dhe qytetërimit. Në kulturat indigjene të Amerikës, gruas së pabesë i gjymtohej trupi, ndërsa aztekët për tradhëti fajtorin apo fajtorët i vrisnin me gurë.  Pothuajse në të gjitha kulturat e botes tradhetia bashkeshortore është e denueshme. Por dënimet më të medha parashikohen të bien mbi gruan, sepse kultura e rendit patriarkal atë e shikon si përgjegjëse për ruajtjen e pastërtisë së kodit gjenetik.

Në të gjitha kulturat duket se ligjet, detyrimet, sanksionet dhe tabutë që lidhen me martesën përshkruhet se vijnë gjithmonë nga i njëjti burim - zemërimi hyjnor. Tekstet biblike nxjerrin përfundime se vetë Zoti i ka caktuar ligjet që duhet të respektojmë në jetën tokësore. Një referencë e ngjashme qiellore gjendet dhe në sistemin ligjor të Kodit të Hamurabit. Në kulturat indigjene gjithashtu ekziston frika nga ndëshkimi hyjnor, nëse thyhen rregullat e përcaktuara prej tyre.  

Atëherë, nëse është gjithmonë një fuqi e epërme ajo që i solli në tokë ligjet e martesës dhe të moralit, siç sugjerojnë tekstet dhe traditat e hershme, cili ishte motivi thelbësor për ta bërë këtë? Për ata që i largohen pranimit të origjinës hyjnore, vitet e fundit kanë dalë disa teori ku hidhet ideja e inxhinierisë gjenetike. Sipas kesaj teorie disa jashtëtokësorë kanë zbritur në tokë në të kaluarën tonë shumë të largët. Ithtarët e kësaj teorie pretendojnë se këto qenie të botës tjetër ndërhynë në evolucionin e jetës në tokë, duke krijuarnjë specie njerëzore përmes inxhinierisë gjenetike. Kjo linjë mendimi, edhe pse e hedhur poshtë deri tani, ka një numër të konsiderueshëm provash për t’i mbështetur pretendimet e veta rreth kësaj teze. Nëse pohimet e tyre janë të sakta, cilat janë implikimet e këtij procesi të shumimit dhe vazhdimësisë? Së pari, nëse janë bërë modifikime në përbërjen gjenetike njerëzore, kjo nënkupton që një grup njerëzish hibridë të modifikuar gjenetikisht është futur në popujt ekzistues autoktonë. Nëse kjo specie e sapo krijuar do të lejohej të çiftëzohej rastësisht, shanset për përhapjen e materialit të tyre gjenetik të rinovuar mund të ishin të kufizuara.

A thua e parashikuan këta “inxhinierë” të hershëm jashtëtokësorë një problem të tillë? A ishte kjo arsyeja pse ata krijuan një sistem rregullash që do t’i siguronin njerëzit e tyre nga ndryshimi gjenetik? Është fakt i njohur në gjithë botën se ligjet e lashta të martesës i detyronin individët të martoheshin me partnerë nga grupe të ndryshme, sa më larg farefisnisë së tyre. Kjo praktikë miratohet edhe sot nga shkenca gjenetike.

Në këtë pikë bashkohen traditat e lashta, kodet shoqërore, teologjike dhe shkencore. Pra thelbi i dy tabuve që lidhen me martesën që në kohë të lashta mbeten të lidhura pazgjidhshmërisht me kodin gjenetik, së pari për ta ruajtur nga ndërhyrjet e jashtme (tradhëtia bashkëshortore) dhe së dyti për ta ruajtur nga mutacionet e brendshme (inçesti).

Nënvelftësimi, apo shfuqizimi i këtyre dy kodeve që lidhen pazgjidhshmërisht me martesën, nënkupton prishjen përfundimtare të këtij rendi njerëzor që kemi sot dhe fundin e epokës së patriarkatit.

 

 

Friday, December 25, 2020

Grimca humoristike nga Philogelos, libri më i lashtë i shakave


Grimca humoristike nga libri më i lashtë i shakave

 

Libri më i lashtë i shakave është libri “Philogelos”, i shkruar diku nga shekulli IV pas Krishtit, i cili sjell finesën e humorit të njerëzve në kohërat antike. Sa për ide kam përshtatur disa prej tyre.

1.

Një student i shkruante babait të tij nga Athina, plotësisht krenar për atë që kishte mësuar: "I dashur baba! Kur tè kthehem shpresoj t'ju gjej të akuzuar për ndonjë çështje madhore, që të mund t'ju tregoj aftësitë e mia si avokat".

2.

Perandori August ishte duke vizituar Perandorinë. Kur vuri re një burrë në turmë që kishte një ngjashmëri të jashtëzakonshme me veten e tij dha urdhër t'ia sillnin pranë dhe e pyeti: “A mos ka shërbyer nëna juaj në Pallat?"

"Jo, Lartmadhëria juaj, "u përgjigj ai," nuk ka shërbyer nëna, por babai im ka shërbyer në Pallatin tuaj. "

3.

Një student i cili donte t’i mësonte gomarin të mos përtypej, ndaloi së ushqyeri kafshën. Kur gomari ngordhi nga uria, ai i shprehu keqardhjen pedagogut të tij: "Çfarë fatkeqësie! Sapo e pata mësuar si të mos përtypej, vajti e ngordhi! "

4.

"Një koprrac shkruan testamentin dhe e emëron veten e tij si trashëgimtar."

5.

"Një burrë po qëndronte pranë varrit të gruas së tij, e cila kishte pak kohë që kishte vdekur. I afrohet dikush dhe e pyet: "Kush po pushon këtu në paqe? "

“Unë, - u përgjigj burri, – ka ca kohë që po pushoj në paqe.”

 

Copyright: Petrit Nika

 

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat