Thursday, June 21, 2018

Bota e mbretërve magë

Bashkëbisedim në distancë

  Për D.


























Ti s’mund ta dish çka ndodhur kur Zoti krijoi Edenin,
nuk mund ta dish se ç’pa njeriu i parë në Eden,
historia jote është udhëtim i përmallshëm e lot,
ndarje e pritje pambarim si në legjendën e Ago Imerit.
Vetëdija të ka gjetur në rrugë të largëta
me sytë nga e shkuara,
vetëdija jote po aq mistike sa krijimi yt,
sa ardhja jote në jetë, sa rruga jote në këtë labirint.

Është Eros dhe Thanathos dhe ky është fatpërcaktimi -
të gjitha qytetet dhe gjithë çka mbi dhè notojnë
në amzën e ëmbël të këtyre hyjnive efemere;
ujërat që rrjedhin, pemët, malet, fushat e molepsura,
valët e detit që ke parë nga frëngjitë e anijeve
në detet e panjohur,
mjegullat që ti i ke shquar
nga trenat e perëndimit në ikje,
mbi fantazmat e pemëve në toka të huaja,
stinët që marshojnë në skuadrilje treshe në ekran,
që nga historia e panjohur e Edenit
deri tek çdo supozim tjetër.

Ti s’mund ta dish çka ndodhur
kur Zoti rrafshoi Antlantidën,
Babiloninë, Sodomën, Gomorrën, Pompein,
kur e shtriu rërën në hapësira të pamata në Sahara,
kur oqeanet i dërgoi në të katër anët e botës,
kur Himalajet i ngriti në qiell dhe barkën e Noes
e ngjiti në një luginë të malit Ararat ...
Janë aq gjëra që asnjë pritje s’mjafton për t’i mësuar.
Pritja ime e pashembullt tani po ma kthen gjakun,
nga i kuq bozhuri në të kaltër shprese qiellore.

26 tetor 2016


Ca gjethe ...



Ca gjethe kanë mbetur në rrugë,
në rrugë gjethet i hodhi tetori,
i hodhi tetori me erëra si fugë,
si fugë me dhëmbë aligatori,
aligatori që rri në zemër si gungë,
si gungë që s’hiqet nga kraharori.

Kanë mbetur në shpirt ca dhimbje,
ca dhimbje që lindin të tjera,
të tjera që lindin prapë dhimbje,
prapë dhimbje që lindin ngahera,
që lindin ngahera me dhimbje,
me dhimbje që s’hiqet nga dera.

Ca gjethe në rrugë janë harruar,
harruar si poetë të braktisur,
fare të braktisur dhe të truar,
të truar ende në udhë pa u nisur,
ende pa u nisur për të shkuar,
për të shkuar në tokën e vidhisur.

E ftohtë meit është o mik lavdia,
lavdia e varur mbi kurmin e vdekur,
mbi kurmin e vdekur ku arpia,
ku arpia mes rropullive rri pleksur,
rri pleksur siç rri historia,
historia ku jeta është molepsur.


Mesnatë tetori


Hënë tetori, mesnatës rrëshqasin mjegullat
prapa pemëve të bardha, si fantazma eunukësh
që s’duan të bien në sy.
Nën presionin e heshtjes,
dëgjohet vetëm zhurma e brendshme e kokës,
me tinguj të mbytur ritmik, si gurë
që rrokullisen në thellësi të humnerës.

Në shtretër flenë persekutorët e ditës -
tani ndjen se si ajri i lagësht i natës vjeshtore
të shkërben me kumtin e lirisë …
Në shtretër flenë të gjithë vrasësit e djeshëm,
ndërsa viktimat e tyre,
dritën e fundit kanë marrë me vete në Had
për t’ua kthyer xhelatëve nesër.

Asgjë s’e prish qetësinë e kësaj nate,
veç kërcitjeve të lehta të dyerve të kujtesës.
Në gjumë janë hajdutët, mendjemëdhenjtë,
thashethemexhinjtë, snobët, poetët ...
Flenë të gjithë dhe duken më qiellorë
se asnjëherë tjetër, por këtë gjë ata nuk e dinë …


Në shkretëtirë flenë akrepat,
në oqean flenë radhë oktapodët,
flenë kobrat në selvë.
Natë tetori në gjithë botën,
çdo gjë e ndjen se është diku,
gjithësesi ecën apo fle.
Vetëm mjegulla rrëshqet gjithë druajtje,
thua se mos prish qetësinë …


Tetor 2016



Bota e mbretërve magë


Mbretërit magë sfidojnë shkretëtirën,
zilkat e deveve të tyre tringëllojnë mbi duna.
Njerëzimi, si thnegla - me vegla, pa vegla,
po e kthen rruzullin në një portokalle të qëruar.

Ekosistemi ynë do të durojë edhe ca oreksin,
pastaj thneglat do mësohen të rrojnë me helmin.

Dhe vetë mbretërit magë do të sfidohen
nga shkretëtira pa limit pastaj.
O mbretër magë! O mbretër, o mbretër magë!
Tregojini botës ç’keni parë,
që bota mos ta shohë me sytë e fëmijëve tanë.

Tregojini botës për vetminë
në hapësirën mortume ku dunat grinden me erën.
Tregojini botës për dallgëzimin e trishtuar
të rërës nën dorën e thatë të erës.

16 tetor 2016






Bota e mbretërve magë



Mbretërit magë sfidojnë shkretëtirën,
zilkat e deveve të tyre tringëllojnë mbi duna.
Njerëzimi, si thnegla - me vegla, pa vegla,
po e kthen rruzullin në një portokalle të qëruar.

Ekosistemi ynë do të durojë edhe ca oreksin,
pastaj thneglat do mësohen të rrojnë me helmin.

Dhe vetë mbretërit magë do të sfidohen
nga shkretëtira pa limit pastaj.
O mbretër magë! O mbretër, o mbretër magë!
Tregojini botës ç’keni parë,
që bota mos ta shohë me sytë e fëmijëve tanë.

Tregojini botës për vetminë
në hapësirën mortume ku dunat grinden me erën.
Tregojini botës për dallgëzimin e trishtuar
të rërës nën dorën e thatë të erës.

16 tetor 2016



Requijemi i shkretëtirës


Shkretëtir’ e gjorë, hesht përjetë nën qiellin pa re,
kalojnë stinët mbi të dhe s’i sheh,
kalojnë zogjtë mbi të dhe s’i njeh,
nëpër rërë rreth e rreth shikimin mpreh,
natën ftohet - ngrin dhe ditën nxeh …
Shkretëtir’ e gjorë, hesht përjetë nën qiellin pa re.

Rërë pafund në Nevada, Sahara, Grand Viktoria,
rrëshqet rëra nëpër rërë si pikë loti,
ndonjë akrep baret jerm kot së koti,
hapësirë e mjerë gjer tek Zoti,
e djeg vapa dhe po aq e ngrin i ftohti ...
Rërë pafund në Nevada, Sahara, Grand Viktoria.

Era fryn mbi shkretëtirë - era fryn e lirë, e lirë...
S’ka asgjë, s’ka asgjë, s’ka asgjë ...
Natë e ditë jehon nga toka veç një zë,
si një shpirt i lirë që trupin sapo lë ...
Shpirt’ i vdekur pezull rri përjetë mbi të ...
Era fryn mbi shkretëtirë - era fryn e lirë, e lirë ...

Tetor 2016









Friday, June 15, 2018

Progresion neogotik



(poemë kozmogonike në stil postmodern)



















themeli

vetmi
vetmi gjithandej
vetmi gjithandej në fshatra
vetmi gjithandej në fshatra të varfëra
vetmi gjithandej në fshatra të varfëra e qytete plot shkëlqim
vetmi gjithandej në fshatra të varfëra, qytete plot shkëlqim e kontinente
vetmi gjithandej në fshatra të varfëra, qytete plot shkëlqim e kontinente dhe në botën tonë, 
 me sa duket fare të vetmuar mes materies pa jetë.

oborri

braktisja na buzëqesh me sarkazëm
sarkazëm si gjuhë lavjerrësi në Kullën e anuar të Pizës
në Kullën e anuar të Pizës pizmosin dijetarë të rinj
dijetarë të rinj që tymosin hashash deri në orgazëm.


muret

tastiera fluturuese - delete this folder
delete this folder - absurd mirror
absurd mirror - connect the fjalë
connect the fjalë - with the words,
with the words - rreth e rrotull the world
the world me trumpeta - dum-da-da-da
dum-da-da-da - jasha, more ja.

oxhakët

pasdite
pasdite në perëndim
pasdite në perëndim me tym
pasdite në perëndim me tym të bardhë
pasdite në perëndim me tym të bardhë e të hidhur
pasdite në perëndim me tym të bardhë e të hidhur karbonik
pasdite në perëndim me tym të bardhë e të hidhur karbonik deri në re

kopshti

rrënjë squfuri spërkatin botën me ndryshk - exit please
fjalë të urta vdesin në barkun e pleshtit të kokës - hereabout
mungon një dritare, çatia pikon yje natën - eyewitness
në ekzorcizmin tonë mungon qenia - altogether
gjeografia e krijimit zbulon sekrete të frikshme - impurity
ma ha mendja, s’do ketë botë të tjera më të gjora - ineternity

çatia

kapela
kapela në varreza
kapela në varreza ligjëron
kapela në varreza ligjëron rekujemin
kapela në varreza ligjëron rekujemin e mbrëmjes
kapela në varreza ligjëron rekujemin e mbrëmjes me zë
kapela në varreza ligjëron rekujemin e mbrëmjes me zë a capela

pushim

dita e shtatë është pushim, por nuk është Shabbat
tani po kërkojmë një thërrime ujë në një pikë bukë
kemi harruar të sendërgjojmë një kitchen
kitchen, o kitchen, o kitshen
nuk ka kitchen
të gjitha bëhen copy paste
por jo kitchen
pa kitchen në amshim
duhet rifilluar çdo gjë nga fillimi
good bye

no signal 


Wednesday, June 13, 2018

Requiem për kujtesën



(cikël poetik në gegnisht )


 









Tiber Graku në ândrrën e Gajit

Në stil të âmël gegë

Medet, kaluen do vjet, o Gaj e unë në Tiber tretë,
kurkund n’nji breg s’kam dalë me pa as diell, as hânë,
n’ kllapi më dalin shpesh bashtina e ara shkretë,
gjithkah provincat qi t’mjerëve ua paç dhânë.

Kam mbet’ n’bujanë, nuk di çfarë stine âsht andej,
dhe për senat s’kam marrë mâ lajm qysh kur,
mendoj s’kanë mbetë n’ Romë për popuj mâ plebej,
ajme, t’mjerat krahina qi s’kanë mâ elb as grurë.

Nga dera e Grakut n’provinca presin rish njerëzia,
ajme, o Gaj, n’ Sardejë nevojën s’ta ka kush,
ndoshta n’ Forum të rrinë mbi krye, hem morti e lavdia,
a ndoshta Nazika, n’ Tiber ândrrat t’i përmbush.

Dy herë jam Tiber e jam kudo kah rrjedha shkon,
por, medet si s’më the njiherë si âsht Kornelë hyjnesha;
ajo nânë Grakësh, o vlla, veç marren s’ta duron,
kët’ porosi ma tha dikur, sa togën s’pari vesha.

Mâ shumë se rrjedha n’Tiber po m’ tret, o Gaj dyshimi,
se s’ka për të pasur kurrë mâ paqe Roma,
partitë kanë prijës t’smuet gjithherë nga njifarë krimbi;
primat i drejtë n’ u bâfsh e ke shpatën tek koka.

Nuk mundem mâ, o Gaj, gjithkah m’ ushtojnë veshët,
nga rrjedhë e Tiberit, llumi e vigmat e ksaj bote;
ndoshta do prehem ca, n’se zâni yt i breshërt,
do derdhet n’Kapitol, mbi ogurzij si hobe.

Mars 2016





Paskajore


N’paskajore s’ka mâ fërmim qiejsh pa skaj,
ka mot qi trajtat janë lidhë m’nji trajtë,
çdo gja âsht bukur, por ndoshta edhe njai
tis paskajor kish me e bâ mâ t’prâjtë,

rrjedhën e âmël qi frymon ndër shekuj,
ndër viset shqiptare krejt kudo kah janë,
kish me kânë bash vetë temjani n’tempuj,
n’tabernakull zâ qiellor kish me kânë.

Paskaj paskajores tash po i soset limfa,
limfa e rujetun âmël nga koha e lashtë,
si amforë e vjetër shkapërderdhë n’grimca,
shformohet n’ kujtesë me ritëm t’ avashtë.

Nëntor 2016




Bân ftohtë ...

Bân ftohtë, por bora s’ka me râ,
as kët’ stinë mi dhenat e mardhuna gjithkah,
n’jug fryma e detit pa prâ,
mî fushat e gjâna me amzën e Mesdheut hukat.

N’parzëm nji melankoli sa herë ma bjerr,
krejt paqen e ditve t’panumrueme qi ikin,
i vrazhdë m’fërgllon veriu nëpër terr,
si nji kalë që n’hon me galop e hedh eremitin.

Prej askundit ka me ardhë sosja tinëzisht,
kur s’e pret, kur s’e di, kur s’ta thonë,
pabesia fle n’urrejtje t’rafinueme krejt urtisht,
pret çasin e saj për me u bâ zezonë.

Nëntor 2016




Vjeshta e fundit trojane e Odiseut


Çastisi dhe kjo vjeshtë me shira e stuhi,
skaj fushës Eukrisë mi zall janë shatoret,
si n’atdhe gjithë fiset me plaçkë e me sinore,
tash dhjetë vjet i ha krypa e detit të zi.


Te zgavrat dergjen shpresat, apo shuhen prore;
s’ka ilaç për dhimbjen e fatosave të ri,
me angrra t’coptueme nga Hektor hyjnori,
dhe djelmnia e Trojës me zhgjeta mizore.


Janë djemtë e Mikenës, Itakës dhe Spartës,
djelmnia hyjnore nga Argosi, Eleuzina,
që vdesin n’mjerim pa Deus ex machina,
me plagët e malcueme prej skamit e lëngatës.


Baret Odiseu bregut plim me zgavra,
si kuaj të cofun - disa janë rrënue,
n’bark t’Poseidonit kanë për t’u mbarue,
shitue krejt nga lufta n’qymyr e kadavra.


Vjeshtë reumatizmale. Deti me erë e mnerë, pa Eros -
rreket të përlajë zgavra, shatore e kufoma -
me qindra histori stoike që do harrohen tevona,
përmbledhë thjeshtë në numra enigmatik në epos.

Vjeshtë 2010



Requiem për kujtesën

Babës tem, në vjetin e tij të 92-të të jetës

Që kur vuejtja kujtesën ta ka avanisë,
kaloi do kohë e val’ e detit s’del n’ breg;
s’e marr dot me mend se ç’galaktikë,
ta përgjëron nji lutje nëpër shteg,

t’joshjes s’apeironit qi tebdil,
në asgjânë e tij të fton atje me grep;
paj, medet, rrug’ e gjatë të heq në fill,
ku s’ka pemë, as hije veç gazep.

Ndoshta ktej je velur tash e ne s’e dimë,
janë më shumë qi t’presin në at’ botë,
shpirtna t’fikun, bjerrun mallit shqim -
bân të ikësh prapë e s’ikën dot.

Dhe lufton me muzgun qi dendsohet,
seç shikon dhe nuk e di se ç’âshtë,
ajme s’del në botë askush të shenjtërohet,
muzgun duke sprapsur tej në hânë.

Ajme s’del askush qi dritën prapë ta sjellë,
pak mehlem për avanisjen e kujtesës,
qi si fllugë e humbun nëpër shtjellë,
pezull rri mi hon mes jet-e-dekës.

Tash me mend e marr se si do jetë atëherë,
kur në shteg të zymtë nji ditë do jesh largue;
paj, këtë botë ma të vogël ke me e lânë - heterë,
të pafundme do ta gjesh ku do kesh shkue.

4 shkurt 2016





Lakedemonia


Ullishtat dhe rozgat janë kthye në qymyr kaherë,
vetmitare endet era mbi kolonadat e lashta,
tash çapin këtu veç turistë dhe toka âsht djerrë,
konform rregullave të ashpra.

Lakedemonas hyjnorë, njerëz të rregullit e ligjit!
Në Kretë, a në Delf, bash mirë askush s’e di,
me premtimin hyjnor Likurgu përjetë ju lidhi,
dhe vetë për ligjin ra fli.

Dhe ju spartanë fisnikë qi vdisnit për atdhe,
e mbajtët fjalën e dhânë për pesëqind vjet,
derisa Agjid Arkidamidi prej Plutit u bâ prè,
dhe prapë - secili në qesen e vet.

Prej atëherë, o lakedemonas qi bridhnit me leshnik,
kitonin e praruem athinas do ta shihnit me zili;
vetë Pluti i ndau njerëzit në skamnorë e pasanikë,
të ngopun dhe në uri.

Ullishta të reja tash ka prapë kso ane,
dhe era vjen vërdallë mi gurët e lashtë,
kolonadat dergjen përbri nji murane,
në vdekje të avashtë.

5 mars 2016


Tuesday, June 12, 2018

Shtëpia e Qenies”, poezi Petrit Nika

Nga Petraq Kote & Fran Ukcama


Dyzet e tetë tekstet e veçuara që përbëjnë lëndën poetike të makrotekstit “Shtëpia e Qenies” thurin fuqishëm strukturën e së tërës kuptimologjike, të diskursit ku nejet tij frymon ekzistencializmi i tejkaluar i europerëndimit, ku brenda ekzistencializmit gjallon realizmi i ashpër i pashpirt i jetës shqiptare, me zë shoqëror zërin e Safos së dhimbjes, ku filozofia qoft klasikisht, qoft modernisht formëson vargjet e këngës së saj.



Ndjesia, pëlqesa (e bukur) ajo që në fund të fundit mat masën e artit në një poezi apo në një shumësi poezish e që është një mas e saktë e bukurisë së brendshme të poezisë, poezive, nuk vokaloi, “wow”, kur lexoi “Shtëpia e Qenies”, vëllim poetik, Petrit Nika, 2013 botimet “Ymeraj”, Fier i cili erdhi si një porosi specifike (mesazh) për lexuesit shqiptarë! Ishte i paraprirë mendimi im. Dhe vërtetë nuk u tradhëtova prej paraprirjes mendimore deduktive. Në fund të fundit poeti dhe prozatori Nika, ka vite që krijon për letërsinë e shquar artistike shqiptare duke munduar Sizifin e vetë të ngjitë olimpin, por, olimpasit e pashpirtë të olimpit shqiptar nuk ia njohin, nuk ia parnojnë, ia rrëzojnë “ngarkesën” mesa duket dhe bashkë me ngarkesën edhe Sizifin. Kështu ndodh përjetë edhe me nja katër a pesë poetë të artit poetik fierak të cilët udhëtojnë nëpër këtë Shqipëri letrare me Nikën…
E dija, ai, do të ishte në shtëpinë e vetë të qënies, të qenies së klasit të lartë të qënies… të klasit të krijimit.
Dija ime, po, klithi “Wow!” Klithi se pa aty një leksikostilistikë, një fonostilistikë, një morfostilistikë, një sintaksostilistikë , semantostilistikë të tejkaluar të kodit tonë të shenjtë, gjuhës shqipe. Pa aty një sistem të tërë figurash mendimi, diksioni, ndërtimi, të fjalëve. Në fund të fundit ky marzh ligjërimi e retorike, kjo strukturë e poetikë u gjegjet poetëve të bashkëkohorsisë. Nika kësaj prurje poetike ka paradoksuar me bagazhin e tij gjuhësor, me talentin e tij filologjik një siguri të admirueshme të brezit të vetë. Dyzet e tetë tekstet e veçuara që përbëjnë lëndën poetike të makrotekstit “Shtëpia e Qenies” thurin fuqishëm strukturën e së tërës kuptimologjike, të diskursit ku nejet tij frymon ekzistencializmi i tejkaluar i europerëndimit, ku brenda ekzistencializmit gjallon realizmi i ashpër i pashpirt i jetës shqiptare, me zë shoqëror zërin e Safos së dhimbjes, ku filozofia qoft klasikisht, qoft modernisht formëson vargjet e këngës së sajë.
Mbizotëron në këtë prurje poetike lirika filozofike, lirika e peizazhit, lirika sociale. Parësinë e figuracionit e ka metafora si figurë e fjalëve, aliteracioni figurë e diksionit, ndjek oksimoronia, figurë e mendimit, dhe inversioni figurë e ndërtimit.
Padashur të hyjmë thell në studimin e makrotekstit “Shtëpia e Qenies” të autorit Petrit Nika, mund të themi: …kur poeti “tejkalon vetveten” krijuese siç ndodh të konstatojmë gjuhësisht, filologjikisht për gjat studimeve tekstuale, ai nuk ka bërë gjë tjetër veçse shihet i hyrë ndjesisht në misticizëm dhe operon me talentin e vetë, pikërisht, ajo është poezia artistike, ajo është proza. Kjo gjasë ka ndodhur tashmë me poetin Nika.


Burimi: http://alb365.com/shtepia-e-qenies-poezi-petrit-nika/



Thursday, May 31, 2018

Dilemat e moralit dhe të ekzistencës në romanin “Turpi” të Coetzee-s





1. Një jetë boheme që s’e shquan asgjë për nga rëndomtësia


Vepra e shkrimtarit afrikanojugor, John M. Coetzee, nuk ka shumë kohë që është prezantuar tek lexuesi shqiptar. Për herë të parë Coetzee erdhi në shqip përpara një viti, me romanin “Turpi” nën përkthimin e Klodian Briçit dhe i botuar nga enti botues “Skanderbeg Books”. Që nga leksema që i rri për titull romani të krijon menjëherë bindjen se në brendësi të faqeve të tij lexuesin mund ta presin faqe të tëra bëmash të pamoralshme. Fjala “turp” nxit imagjinatën e vrullshme, e cila zakonisht priret kah e pamoralshmja në masën e lexuesit të thjeshtë. Pra, leksema-titull e grish lexuesin në botën e moralit dhe ai (lexuesi) ia hyn leximit me një mendim të tillë në kokë, bash si ai udhëtari, i cili në njëfar mënyre e di se ku e çon rruga për ku është nisur, veçse prapë tërhiqet të vazhdojë përpara pikërisht nga ekzotika e këtij udhëtimi. Dhe udhëtimi ynë në hapësirat e ndodhive të këtij romani, shoqërohet nga skena e dekore, nga tipa e karaktere, ku rri i nderur pothuajse deri në fund një tis ngjyrë gri nëpër të cilin lëvizin personazhet dhe percipitohen situatat.
Romani “Turpi” është vlerësuar nga kritika si, “një roman i madh i shkruar në anglishten e sotme” (Russell Celyn Jones, The Times); si një, “mrekulli që një shkrimtar shkruan me një stil të tillë kaq të ëmbël dhe të dlirë” (Paul Bailey, Independent); si një vepër letrare e cila shërben, “si një kufi mes jetës dhe botës së madhe të letërsisë” (Geoff Dyer, Sunday Telegraph). Përveç këtyre vlerësimeve maksimale të bëra nga emra të njohur dhe media të njohura të shtypit botëror, në vitin 2003 ky romani i siguron shkrimtarit Coetzee çmimin “Nobel” për letërsinë.
Vepra në fjalë, për nga fushëpamja e vet tipologjike, paraqet tabiatet e një romani realist. Veçse, një realizëm ky që s’mund të etiketohet as si balzakian, as si zhdanovian, as si markezian, ngase është një realizëm pothuaj i tjetërfartë nga ata të traditës së mëparshme romanore; do të konstatoja se është një realizëm modernist ku është kristalizuar përvoja e mëparshme shumëkohore e prozës së gjatë me eksperiencën më të re bashkëkohore të këndvështrimit të ri të botës dhe të mënyrave të reja shprehëse përmes artit të fjalës. Coetzee, duket se për nga mënyra rrëfimore e nivelit sintaksor ka përafrime me prozën e Heminguejt, ndërsa për nga parapëlqimi filozofik anon nga ekzistencialistët. Sidoqoftë ai s’tenton të jetë as një Heminguej, as një Kafka. Coetzee është dhe mbetet një shkrimtar origjinal, i cili zgjedh të komunikojë me lexuesin me një stil rrëfimor modern në atë masë sa nuk të fut nëpër labirinte të lodhshme narrative, por as si realist, në hollësira të pafundme matematikore. Ndoshta është tipik nga ata shkrimtarë modernë për të cilët Mario Vargas Llosa shkruante se, “kanë lëmuar, tëholluar e zbatuar mundësi të reja strukur thellë nëpër sisteme rrëfimtarie, behur shpesh e më shpesh nga shfaqjet më të moçme shkrimore të trillimtarisë.” (M. V. Llosa, Letra një romancieri të ri, Drita, 13 tetor 2002, fq. 8).
E gjithë fabula e këtij romani mund të përmblidhej në këto pika kryesore: 1) Njohja e lexuesit me personazhin kryesor, David Luri. (Një hyrje e gjatë dhe e detajuar me realizëm, ku vihen në dukje disa anë të karakterit të tij.) 2) Takimi i këtij të fundit me zonjushën Melani Isaks, studenten e tij tridhjetë vjet më të re, me të cilën kryen marrëdhënie seksuale. 3) Skandali dhe padia kundër tij. 4) Largimi i David Lurit nga Universiteti në Kejp Taun, ku jep leksione mbi poetët romantikë. 5) Strehimi i tij i përkohshëm tek e bija në një fermë në Kejpin Lindor. 6) Njohja me Bev Shoun dhe me misionin e saj në klinikën e kafshëve. 7) Grabitja në fermë dhe përdhunimi që i bëhet në sytë e tij të bijës nga disa bastardë të ndyrë e të pamëshirshëm. 8) Andrrallat e mëpastajme në kërkim të autorëve. 9) Vizita e Davidit në Xhorxhia ku takohet me prindërit e Melani Isaks. 10) Kthimi i tij në shtëpinë e braktisur në Kejp Taun, pas tre muajsh mungese. 11) Udhëtimi përsëri në Kejpin Lindor tek e bija, Lusi. 12) Ftohja përfundimtare e marrëdhënieve midis tyre, atë - bijë. 13) Strehimi i tij tek Bev Shou në klinikën e kafshëve, ku mesa duket ka vendosur të qëndrojë përfundimisht.
Gjithësesi, ky skicim prej trembëdhjetë pikash ka të bëjë me motivet me të dukshme që përbëjnë dinamikën e ngjarjeve. Brenda tyre dhe anash nga të gjitha anët e tekstit ka plot të tjera, (gjithashtu motive dinamike), të cilat bëhen promotori i lëvizjes së ngjarjeve në perspektivë. Romani “Turpi” nuk shquhet për digresione e labirinte rrëfimore. Ai është një prozë e shkruar me një gjuhë të thjeshtë, në një stil letrar të ëmbël e herë - herë me humor, ku vihet në pah psikologjia e personazheve dhe tensioni i situatave dhënë prej një rrëfimtari, i cili qëndron jashtë kornizës së ngjarjeve. Ai (rrëfimtari) ndjek me kujdes situatat, për të cilat i është ngarkuar të na informojë, ndërsa rëndom jep edhe vetë ndonjë konsideratë lidhur me to. Ky rrëfimtar në qendër të ngjarjeve ka vënë njëfarë David Luri, pesëdhjetë e dy vjeç për të cilin, “të qenët studiues është vetë jeta e tij”. (fq. 6) Gjatë leximit shohim se pothuaj të gjithë personazhet e tjerë jepen në raport me të, ai përbën epiqendrën e ngjarjeve, megjithëse nuk zotëron, kushedi, ndonjë tipar që ta shquaj nga rëndomtësia e njerëzve të tjerë, ndonëse është edhe profesor i Shkencave të Kumtit në Universitetin e Kejp Taunit.
Në mënyrë më të prekshme do të cilësonim këtë varg marrëdhëniesh të Davidit me personazhet e tjerë të librit: 1) Davidi me Melaninë (marrëdhënia me Sorajën është më tepër retrospektive); 2) Davidi me tetëmbëdhjetë vjeçaren Dauna (tepër kalimtare); 3) Davidi me kolegët e tij “inkuizitorë”; 4) Davidi me Lusin (të bijën); 5) Davidi me Petrusin (fqinji i së bijës në fermë); 6) Davidi me Bev Shoun (kjo e fundit pothuajse dashurohet pas tij); 7)Davidi me përdhunuesin e të bijës (përsëri Lusi është në plan të dytë); 8) Davidi me të atin e Melanisë etj., pra në të gjitha ngjarjet ai është pothuaj i pranishëm në roman, ku e shohim të ekspozuar ndaj dështimeve të shumëfishta në jetë; a) në jetën familjare si bashkëshort dhe si prind; b) në jetën shoqërore si pedagog dhe edukator i shoqërisë, e më së fundi edhe; b) si dashnor në marrëdhënie me studenten e tij që e ka në kujdestari.
Me jetën prej eksploratori të vetmuar individualist që bën ai, dalëngadalë i është dorëzuar bohemisë dhe gjendjes së absurdit, sepse, “nuk kërkon që jeta t’i falë asnjë emocion” (fq. 10); ai është shndërruar në një qenie të rëndomtë, të paidentitet, madje të mërzitshme, “i ngjashëm me trafikun që vë banorët e qytetit në përgjumje të thellë” (po aty). Megjithë këtë rëndomtësi zymtuese ku është kredhur qenia e tij, “ai gëzon shëndet të mirë, mendjen e ka top (…) dhe bukën e gojës e nxjerr me djersën e ballit, pasi karakteri i tij nuk i lejon që të presë nga krahët e të tjerëve”. (fq. 6)
David Luri është i pa qëndrueshëm në marrëdhënie me gratë që kanë hyrë në jetën e tij, si bashkëshorte apo si dashnore të rastit, ai është i pa rëndësishëm para studentëve të tij në Universitet, të cilët, “puna ka arritur deri aty sa ia kanë harruar edhe emrin” (fq. 9), ai është një qenie që gjallon pa ndonjë pretendim serioz për jetën; rrëfimtari atë e trajton pothuaj si një sajesë të mërzitshme shoqërore që ekziston në caqe midis jetës reale dhe asaj ireale (fiksionale); si i tillë ai as të mallëngjen e as të bën ta duash, as ta urresh e as ta luftosh, as ta mëshirosh e as ta mitizosh, pra, thjeshtë ai është sepse ekziston vetvetiu dhe për këtë gjë s’e ka pyetur njeri më parë, nëse vërtetë do apo s’do që të jetë; është ai gjithnjë nën vartësinë e të tjerëve dhe asnjëherë askush nën vartësinë e tij (as studentët e tij, të cilët “s’ia dinë emrin”), madje Lusi, e bija e tij, megjithë barrën e halleve dhe vetminë e madhe që e rrethon e konsideron barrë të tepërt praninë e tij në çiflig.


2. Njeriu epshor me instinkte të pakontrollueshme
Për David Lurin narratori vëren se, “ai e ka kaluar fëmijërinë në një familje që përbëhej vetëm nga gra. Ndërkohë, që ai nuk kishte më në krah nënën, tezet dhe motrat, me kalimin e kohës, ato ua lanë vendin dashnoreve, grave të ndryshme me të cilat kishte lidhje të qëndrueshme dhe më pas nxori në dritë të vetmen pjellë të tij; vajzën. Shoqëria dhe koha që kishte kaluar me seksin femër, bënë që ai të bridhte pas fustaneve të femrave”. (fq. 11) Siç duket, sjellja e tij ndër të tjera, ka të bëjë dhe me një kompleks të zhvilluar edipal, i formësuar për vite me radhë, që në vegjëli, te ky njeri dhe që ka përcaktuar edhe karakterin e tij të pakontrolluar, madje ca si tepër të shthurur ndaj seksit. Luri është mësuar të mos i njohë kufijtë e jetës erotike, emocionet e së cilës ai i ndjen vetëm për aq sa zgjat kënaqësia e aktit seksual. Deri këtu, të gjitha këto, në fund të fundit, janë aludime që bëhen mbi të shkuarën e tij retrospektive. Një gjë e tillë nënvizohet në shumë pasazhe të romanit. Do donim të citonim këtu si fillim fjalinë e parë të librit, i cili fillon me fjalët: “Një burrë në moshën pesëdhjetë e dy vjeçare, i shkurorëzuar, në mendjen e tij tashmë u kishte dhënë drejtim problemeve që kishin të bënin me seksin” (fq. 5). Nga leximi i kësaj fjalie nuk është vështirë të merret vesh se rrëfimtari aludon mbi një të kaluar “problematike” që e karakterizon personazhin në lidhje me seksin. Veçse me “mendjen e tij” ai tashmë u ka dhënë “drejtim” (fund) të gjitha atyre aventurave dhe narracioni artistik, duke nisur që këtu fillon të ngjizë hap pas hapi situatën e re që krijohet rrotull këtij heroi në prag të pleqërisë.
Në njëfarë mënyre, lexuesi ftohet të mësojë se si do t’ia dalë personazhi i tij që të sillet në mënyrë të përkorë me seksin tjetër, pas kësaj. Kësisoj, jo vetëm që merret vesh se ai s’ka hequr dorë nga joshja e pa përballueshme femërore, por madje paudhësia e tij shkon deri aty sa një ditë çon në shtëpi për të bërë seks një vajzë tridhjetë vjet më të re se vetja (Melani Isaks) “dhe ç’është më e keqja, ajo është studente, studentja që i është besuar kujdestarisë së tij” (fq. 17). Në marrëdhënie me këtë vajzë të re, që shtë studentja, e tij ai hepohet shpesh herë midis ndjenjash të ndryshme që ia prodhon ndërgjegjia e sëmurë dhe e pa qëndrueshme, si p.sh., në pasazhin më poshtë ku nga njëra anë provon në vetvete pushtetin e kafshërores së tij të theksuar, ndërsa nga ana tjetër e kujton veten prind. “Sakaq ai ulet në krevatin e saj dhe e tërheq atë pas vetes. Ajo fillon të qajë me ngashërim e ku pa, në kraharorin e tij. Pavarësisht nga kjo, atij i shkojnë në trup ca dridhma të lehta për t’ia zhytur edhe njëherë. - Pse qan? -  e pyet ai me zë të ulët (…). Atij gati sa nuk i shkon goja; [Pse nuk ia tregon babit hallin që po të mundon kaq shumë?]” (fq. 33). 
Ca më tutje, ndërsa ka marrë dhenë skandali me Melaninë dhe atë (Davidin) e kanë dëbuar nga Universiteti, teksa rrin te ferma e së bijës në një fshat të humbur në Kejpin Lindor, përsëri ngacmohet prej përfytyrimeve erotike që kanë të bëjnë me seksin, kur shikon një grup fëmijësh shkolle që kalojnë andej pari dhe e përshëndesin. Kësaj radhe përfytyrimi i ndizet nga kujtimi i një vajze, “që ka të bëjë me gjoksin e saj të vogël, por që e ka si shpirt, për thithkat e saj të mrekullueshme që i rrinë përpjetë dhe për barkun pa pikë dhjemi” (fq. 74). Nga gjithë këto ai e ndjen veten të provokuar seksualisht përherë në marrëdhënie me femrat, madje pikërisht për këtë shkak ai e humb edhe kontrollin e vetvetes në përballje me to, duke u zilepsur keqas nga epshi.
Ca muaj pas ngjarjes me Melaninë, ndërsa Davidi ka shkuar për një vizitë në shtëpinë e të atit të saj, atë e pret e motra më e vogël, e cila bën përsëri që atij t’i rizgjohen dëshirat epshore. Rrëfimtari vë në dukje se, “ai mendon sikur të flejë me të dyja motrat në një shtrat; një përvojë e paharrueshme që u shkon përshtat vetëm mbretërve” (fq. 186). Si për ta degjeneruar shthurjen e tij qenore ndaj femrave, në darkën që hanë bashkë, zoti Isaks (babai i Melanisë) e demonstron zellshëm përpara tij familjen e tij të përkorë. Ata tregohen njerëz të pritshëm, gruaja e zotit Isaks është e sjellshme, vajza e tyre (Dëshira) e dëgjueshme, ndërsa para buke luten të gjithë së bashku. E megjithëse shpesh herë Davidi hepohet midis situatash, ku provon turpin, në njëfarë mënyre edhe keqardhjen për jetën që ka bërë, përsëri ai mbetet deri në fund një karakter epshor i pandreqshëm. Luri, ndërsa pas darkës është duke dalë nga shtëpia e zotit Isaks në Xhorxhia, “shikon sytë e nënës së Dëshirës, pastaj ata të vajzës, dhe paskëtaj ia ngul sytë pengesës dhe dëshirës së zjarrtë që i vlon në gji për t’iu vërsulur atyre” (fq. 196).
Gjatë një bisede me të bijën, ku ajo në mënyrë të herë pas hershme i ka kërkuar që ai t’i japë sqarime lidhur me ndodhinë e turpit që i ka ndodhur në Universitet, ai e pranon edhe vetë shthurjen e tij të karakterit. “Çështja ime ka të bëjë me dëshirat e zjarrta të mishit. “ (fq. 102), - thotë ai.
Pra, David Luri si i tillë s’mund të jetë asesi një bashkëshort i mirë, as një dashnor i mirë jo e jo, mbasi objekti që e lidh atë me femrat është seksi dhe jo dashuria e vërtetë, e pastër dhe e ndërsjelltë, që i lumturon dy njerëz të cilët jetojnë në çift. Për atë femra është një vehtje thjeshtë joshëse dhe provokuese, e cila duhet zotëruar me deomos, cilado qoftë. Po ta gjykojmë çështjen duke kaluar nga e veçanta tek e përgjithshmja, kjo më duket se kërkon deri diku edhe të nënvizojë dëshirat mistrece të botës së sotme mashkullore, tepër të batërdisur nga aparencat tunduese seksuale që u serviren enkas nga seksi tjetër. Në kohën tonë dalldia epshngasëse ka shkuar aq larg sa që përdhunimi tashmë është kthyer në një akt afirmativ të identitetit “të rrezikuar” mashkullor. Duket se është ky shkaku që Lusi, e bija e David Lurit bëhet viktimë e një bande maniakësh kriminelë. Ajo është antipatike ndaj meshkujve. Në roman disa herë vihet në dukje nervozizmi dhe bezdia që i shkaktojnë ata. Antipatia e saj ndaj botës mashkullore shkon deri aty sa të atit prore fillojnë t’i lindin dyshime nëse e bija e tij ishte vërtetë një lesbike. Përbuzja e saj ndaj seksit mashkull shkon deri atje sa një ditë, në një moment nervozizmi, ajo ia plas të atit në sy: “Ti je burrë dhe për këtë arsye duhet t’i njohësh më mirë se unë se ç’monedhë janë burrat” (fq. 180). Gjykuar hollë - hollë, antipatia e vajzës e ka një shpjegim. Ajo s’ka njohur asnjëherë të mira prej meshkujve veçse të këqia dhe zhgënjime, duke filluar që me Lurin, babain e saj, dështak si prind dhe sharlatan të dhënë kokë e këmbë pas seksit. Tek meshkujt ajo ka parë përherë vetëm njeriun epshor me karakter të theksuar kafshëror, të etur për të zotëruar, përdhosur e poseduar me forcë çdo gjë të mirë që shikon.
Tek romani “Turpi”, që nga fillimi e deri në fund nuk ndihet kurkund një çikëz dashurie që të jetë vëtetë e fortë dhe e qëndrueshme. Ai është një roman ku evokohen disa nga cilësitë e një shoqërie që po fluturon skëterrshëm drejt degjenerimit të vlerave morale dhe shpirtërore.


3. Një dashuri prindërore e vonë dhe e refuzuar


Megjithë të këqiat që e karakterizojnë dhe që e ndjekin në jetë, David Luri ka raste kur ndjehet i dobët nga dashuria prindërore për të bijën “krijesën e vet” që po heq e vuan gjithë ato kurthe e padrejtësi. Ai ka shkuar pranë saj, atje në një fermë të humbur, për strehim dhe për t’u prehur më në fund pranë një njeriu që me të vërtetë mund t’i dhuronte falas pak dashuri, porse ngjarjet që ndodhin i shkaktojnë një tronditje akoma më të madhe dhe më shkatërruese sesa ajo e skandalit me Melaninë. Në ditët që pasojnë pas plaçkitjes së shtëpisë së Lusit dhe përdhunimit të saj nga banditët, David Luri tek përpiqet që të vlejë ndonjë gjë para së bijës së tij në nevojë, mendon se, “ky nuk ishte qëllimi i ardhjes së tij, - ta ruaj si sytë e ballit të bijën, ta mbrojë nga sulmet e djajve, t’i japë për të ngrënë dhe të shikojë me sytë e tij sesi pjella e vet po ia bën varrin vetes me duart e veta, ditë pas dite.” (fq. 138) Davidin, megjithë të metat e tij si prind, si edukator, si bashkëshort e si qytetar e fundmja vlerë që e mban gjallë dhe ia përtërin shpresat e jetës është e bija dhe jo mëkot narratori në një moment vëren; “Për sa kohë që Lusi do të jetë gjallë, edhe ai do të vazhdojë të gjejë forca për të jetuar” (fq. 237). Kjo regëtimë e dashurisë prindërore, pas një kohe relativisht të gjatë shuarjeje, më së fundi bën përpjekjet e mbrame, mbinjerëzore, për t’u kthyer në një zjarr të vërtetë, por nuk ia arrin dot qëllimit. Midis atit dhe bijës, koha, largësia dhe mosprania kanë vendosur e mbivendosur rrathë të padukshëm ftohtësie. “Gjithçka po shkonte shumë mirë,” - i thotë vajza të atit, - “gjithçka ishte në vendin e vet, por kur ia behe ti, çdo gjë mori tatëpjetën. Unë dëshiroj që gjithçka që më rrethon të jetë e qetë.” (fq. 233) Pas këtyre fjalëve, Davidi s’ka si mos të kuptojë njëherë e mirë se është i tepërt në banesën e së bijës dhe se i duhet të vendosë për t’u larguar që andej, sa pa ndodhur ndonjë “çarje” tjetër akoma më tragjike midis tyre. Midis atit dhe bijës koha dhe largësia kanë vendosur që më parë kufij, të padukshëm, por jo edhe aq të paperceptueshëm logjikisht.
Lusi, ndonëse është e bija, është gjaku i tij, prapë se prapë ajo është krejt e ndryshme me natyrën e të atit. Lusi është vajzë e lindur në qytet, është e bija e profesorit të Shkencave të Kumtit, megjithatë, çuditërisht, ndihet e lidhur aq ngushtë me fshatin, tokën dhe me andrrallat e tjera që e shoqërojnë jetën në fshat. Duke e prekur këtë fakt rrëfimtari habitet dhe vë në dukje sesi ata, prindërit e saj, “qytetarë dhe intelektualë njëherësh, të kishin sjellë në jetë një krijesë të tillë, që nuk kishte asgjë të ngjashme me ta në këtë pikë”. ( fq. 69 - 70) Kuturisja e çmendur drejt humbëtirave të fshatit, në fakt, për Lusin nuk ka kurrëfarë tërheqjeje romantike. Duke gjykuar rrethanat, më tepër kjo zgjedhje vjen si një kërkesë ekzistenciale, për t’u shmangur nga pluhurnaja çmendurake e një jete të çorganizuar që e karakterizon bashkësinë urbane ku është rritur. I ati kërkon me forcë që t’ia kthejë mendjen së bijës, por ajo e kundërshton me forcë e madje vjen një moment, kur ajo ia ndalon në mënyrë të prerë të mos ia kujtojë më këtë kërkesë.
Ca muaj më vonë, kur Davidi kthehet përsëri në Kejp Taun, vë re se gjatë atyre tre muajve që ai s’kishte qenë në qytet, “ngulmimet e barakave kanë marrë dhenë, duke u zgjeruar nga rruga kryesore që hyn në qytet deri në lindje të aeroportit” (fq. 198).  Tashmë atij i bie të mendojë se me përafrimin e fshatit drejt qytetit, kufijtë midis tyre po zhdukeshin. Më së fundi, dikur ai detyrohet të bjerë në një kompromis me të bijën. Pajtohet përfundimisht të bashkohet me mendimin e saj për t’iu adoptuar jetës së fshatit. Siç shihet në roman, është dashuria prindërore ajo që e sjell këtë zgjidhje. Një dashuri e vonë, por me sa duket tashmë e vërtetë.
Një ditë pranvere Davidi niset në drejtim të fermës së të bijës, ndonëse prej kohësh ata jetojnë të ndarë, thjeshtë si njerëz që s’kanë punë me njëri - tjetrin, por secili bën ashtu si të mundet jetën e vet. Për të mos qenë më i mërzitshëm dhe gërnjar për vajzën dhe fqinjin e saj hipokrit, ai ka marrë një dhomë me qera në një ndërtesë të vjetër ku “banon edhe një mësues shkolle, tashmë i dalë në pension”. (fq. 236) Është malli për njeriun e vetëm që i ka mbetur në botë në këto ditë të vështira pleqërie, që e tërheq të niset në drejtim  të fermës. S’ka qenë prej kohësh dhe kur afrohet, sheh në kopësht vajzën e tij tek punon fill e vetme për të jetuar dhe për të ushqyer foshnjën që ende s’ka lindur, e cila ka filluar t’i ngjizet në trup që nga dita e përdhunimit. Shpirti i profesorit të plakur këtu bëhet lirik. Për herë të parë, dhe është e vetmja skenë me ngarkesë të madhe lirike në roman, kjo që Coetzee preferon të vizatojë këtu. “Era bie. Gjithçka ndalon, kurse ai dëshiron që një çast i tillë të mos ketë fund kurrë; rrezet e buta të diellit, pasditja, bletët që shkojnë sa poshtë - lart te lëndinat me lule kurse mu në mes të tabllosë një vajzë e re das ewig weibliche, me barkun që nuk e ka shumë të fryrë si gjithë gratë e tjera që u shkon barku te goja, ndërsa në kokë mban një kësulë prej kashte” (fq. 242). Por në kushtet e marrëdhënieve midis tyre situata lirike s’mund të vazhdojë gjatë. Personazhet jetojnë në kohë moderne, kur individualizmi është përcaktues i raporteve njerëzore, dmth., - interesi.
Gjithë jetën, qoftë si qytetar, qoftë si familjar apo si prind edhe Davidi ka qenë një individualist që ka vepruar përherë në kokën e vet. Ai s’e ka parë kurrë, mesa duket, bashkësinë familjare si një bërthamë të ekzistencës së individit dhe të kuptimësisë së kësaj ekzistence në botë. Ai s’e ka menduar pleqërinë. Ndonëse ka punuar në detyra shoqërore dhe është ushqyer me djersën e tij, ai pohon dhe reflekton sjelljet e njeriut të dhënë pas qejfeve të pafundme të mishit. Për atë familje ka qenë çdo femër e rastit,  krejt si te kafshët. Turpi i tij është i vjetër. Ai nuk zë fill me Melaninë, aty i vihet kapaku një jete boheme që ka bërë ai për vite me radhë dhe tashmë është koha për të parë gjyqin e një njeriu që s’e ka njohur moralin, i cili u ekspozohet pësimeve të njëpasnjëshme.
Vajza e fton brenda, “sikur ai të ishte ndonjë vizitor e jo babai i saj që i ka dhënë jetën” (fq. 243). Pastaj, po aty, autori rrëfimtar nënvizon me ftohtësi se, “vizitorit i hapet dera, sepse vjen vetëm për të bërë vizita; një kuptim i ri i marrëdhënies miqësore mes njerëzve të një gjaku, që s’e shikojnë më veten si të tillë, një epokë e re me zakone të reja.” Në një bisedë të mëparshme me Bev Shoun ai shprehet: “Me ato që bëra, e kërkova të keqen vetë me këmbët e mia.” (fq. 167) Ndonëse vonë, Davidi më në fund i ka kuptuar edhe vetë shkaqet e kësaj katastrofe sociale në të cilën pleqëria dhe bëmat e tij prej njeriu individualist e kanë përplasur përfundimisht.


4. Plakja si pashmangshmëri dhe rënie e njeriut


Si për të gjithë njerëzit, edhe për David Lurin të plakesh do të thotë të dëshirosh ende nga jeta, por të mos kesh më fuqi për t’iu bërë ballë sfidave të saj. I dhënë me zell pas eksplorimit të fshehtësive të jetës, dikur ai veçse vagullt mund ta kishte çuar nëpër mend pleqërinë, miken e pashmangshme dhe të paftuar të njerëzimit. Në moshën 52 vjeçare, kur energjitë rinore i kanë lënë lamtumirën me kohë, ai i lejon vetes të sillet ende si i ri. Kështu, ai s’përton dhe lidh marrëdhënie të shkurtëra dashurore  me studentet e tij tridhjetë vjet më të reja dhe pastaj i flak aq shpejt e lehtë nga vetja, sikur ato të mos kishin ekzistuar kurrë. Sikurse të rinjve, kryesisht adoleshentë, edhe atij i mjafton thjeshtë e sotmja, për më gjatë as që mundohet të bëjë ndonjë plan se çdo t’i sjellë e ardhmja.
David Luri nuk është budalla. Përkundrazi ai paraqet karakteristikat tipike të qytetarit modern të shoqërisë së sotme, kryesisht perëndimore. Është tipi i qytetarit që s’do t’ia dijë për moshën, është tipi i qytetarit që mendon se rinia mund të zgjasë tërë jetën. Duke e trajtuar këtë fenomen të epokës post-moderne një mendimtar francez, vëren se, “në ditët tona të mbetesh i ri përbën imperativin kategorik të të gjithë brezave”. (Alain Finkielkraut, Disfata e mendimit, Marin Barleti 1999, fq. 122) Dhe me të vërtetë mund të themi se në këto dy dekadat e fundit, mijëra artistë, industrialistë apo politikanë që s’ia kanë përtuar ta zgjidhin qesen, kanë bërë operacione plastike të lëkurës bash me qëllim për ta shmangur pleqërinë; të paktën në dukje.
Edhe David Luri s’bën përjashtim nga kjo kulturë, veçse për ta bërë këtë, ai nuk ka zgjedhur një rrugë të tillë. Ai ka gjetur një mënyrë shumë më të thjeshtë; harresën. Por, ja që s’e ka harruar pleqëria atë. Ajo e njeh mirë viktimën e vet. Ndoshta ende që pa lindur. Dekada me radhë David Luri ka ndenjur në qejfin e tij, larg saj. Më pas kur ka filluar t’i ndjejë çapet e saj të rënda, i ka përbuzur e shpërfillur, por vjen një ditë dhe gjithçkaje i afrohet fundi. Kështu edhe atij, “pa e lajmëruar, ia kthyen kurrizin fuqitë e tij të mistershme, për të cilat mbahej me të madh”. (fq. 12) Këtë gjë ai arrin ta kuptojë gjatë takimeve të herë pas hershme me dashnoren e tij Soraja, të cilat sa vijnë e bëhen më të vagullta dhe ata sa vijnë e ftohen më shumë me njëri - tjetrin.
Ai e di se kjo është pleqëria, por e di se do apo s’do, “ky është fati i tij dhe ai nuk mund t’i shpëtojë asaj që është vendosur shumë kohë më parë për të”. (fq. 13) Megjithatë, siç shihet më pas, ai akoma s’është përgatitur mirë për ta pranuar këtë. Ky njeri, ndonëse me shkollë, akoma nuk arrin t’i pranojë kufijtë e pashmangshëm që vë koha midis breznive të ndryshme të racës njerëzore dhe armët e fundit të rinisë i dorëzon vetëm përpara Komitetit të Hetimeve Universitare teksa thotë: “Me sa shoh, ju në mendjen tuaj paskeni vënë kufij se me cilin brez duhet të shoqëroheni e me cilin jo. Kësaj i thonë kufij brezash.” (fq. 61) Mu këtu, pasi i ka hedhur armët duke e pranuar pleqërinë, ai ka bërë një “turp” tjetër, i cili mund të gjykohet se i jep edhe një arsye më tepër për të mos pranuar të rrinte më në mjediset plot me të rinj e të reja në Universitet, ashtu i lodhur e i “poshtëruar” nga pleqëria. Por ky është vetëm fillimi i tëhuajsimit me këtë botë. Situata të dhimbshme Davidit do t’i krijohen më pas me bollëk, kryesisht në marrëdhënie me të bijën, ku ai s’pranon dot që ajo ta mësojë se, “ç’bluajnë në kokë gratë” (fq. 79), apo më vonë kur gjatë një udhëtimi me makinë i bie të habitet sesi, “e bija, që ai njëherë motit e çonte me makinë në shkollë, në kursin e baletit, në patinazhin me akull në cirk, nga ana e saj, po e shëtit me furgon, për t’i treguar jetën që bën në atë pjesë të botës që ai nuk e njeh asfare” (fq. 81). Mospërputhja e tij me brezin e ri është tepër e ndjeshme, porse dhe dëshira për rini e pakufishme deri në tragjicitet. Nga pozicioni ku është ai, ka ardhur koha të mendojë se e ardhmja në moshën e tij vjen me shpejtësi të pazakontë. Duke e kujtuar këtë, “ai e përfytyron veten me flokët të bardhë si dele, që ka ndaluar te shitorja për të blerë shishen gjysmëlitërshe, ndërkohë që i heq këmbët zvarrë për të arritur deri te shitësi”. (fq. 198)
Takimi me pleqërinë Davidin e ka shkurajuar aq keq sa ai pas çdo mosmarrëveshjeje që ka me njerëzit fillon të mendojë se në këtë botë, “nuk ka më vend për pleqtë.” (fq. 215) Pleqëria Davidit i ka sjellë panik dhe zhgënjim. Ai, një ditë të bukur pranvere duke parë vajzën e tij tek punonte në oborr, filozofon mbi kuptimësinë e ekzistencës dhe përfundimi e çon në absurd. “Njëherë e një kohë, ajo nuk ishte tjetër veçse një bishtfultere në barkun e s’ëmës, ndërsa tani shih sa është rritur; ajo mund ta çajë vetë rrugën e jetës,  e sigurtë si asnjëherë më parë. Fati do ta ndihë duke e bërë që ajo të ecë shumë më përpara tij, duke e lënë kësisoj atë në bisht. Kur ai ta ketë spërdredhur qafën, ajo do të jetë duke u përkujdesur për lulet. Gjithashtu, ajo do të nxjerrë në dritë një qenie tjetër njerëzore, që fati do t’i prijë për ta bërë më të fortë dhe t’i falë jetë të gjatë. Kështu do të vazhdojë të mbijetojë rrjedha e tij breznore, derisa brezat pasardhës do ta harrojnë se kush ishte i pari i tyre, në këtë mënyrë edhe kujtimi i tij do të shuhet përgjithmonë.” (fq. 242)
Në fund, duket se më shumë sesa ndonjë zili, ai ndjen një keqardhje të vërtetë për destinimin e përjetshëm të qenies drejt hiçit. Për vete, mësëfundi ai ka reshtur së shtiruri njeriun moskokëqarës. Asnjë mënyrë sjelljeje apo ilaç nuk mund ta shmangë në kufij të tejkohës pleqërinë. Ndonëse vonë, ai tashmë ka arritur ta kuptojë bindshëm se pleqëria vjen për të gjithë, se është e pashmangshme dhe se ajo është faza vendimtare gjatë së cilës përgatitet qenia për largimin e përjetshëm.
Romani “Turpi” i John Coetzee-s, me dramën e moralit  dhe të ekzistencës, e cila është zhvilluar ndër vite pak e pak tek heroi, trajton një temë sa klasike aq edhe moderne, sa të hershme aq dhe bashkëkohore. Është kjo tema gjithëkohore e krizës ekzistenciale të unit, shkaguar nga krisja e moralit të individit, intelektualit, qytetarit, në raport me vetveten e tij dhe me sociumin ku gjallon. Ky roman s’ka asnjë personazh të poetizuar, aq më tepër se mund të bëhet fjalë për tipa të idealizuar. Të gjithë këta heronj janë konkretë, më se të besueshëm për lexuesin, mbasi ata zbulojnë pak e pak në marrëdhënie me njëri - tjetrin të gjitha dhelpëritë, inatet, pasionet, neverinë, ndjenjën e fajit, pafuqinë për t’u korigjuar dhe tendencën e vetmimit të përhershëm.
Por mbi të gjitha them se si ide madhore në këtë roman, universalizohet domosdoshmëria e njohjes së moralit, si princip, si disiplinë sociale, si virtyt i lartë i njeriut, që ia shton dhe kuptimëson vlerat jetës.

Fjala, 13 mars 2005




Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat