Wednesday, May 23, 2018

Tregime për njerëzit e thjeshtë


(Fyelltari-prozë poetike nga Petrit Nika)

Nga Petraq Zariu

Sapo përfundon së lexuari vëllimin e ri me tregime “Fyelltari” të prozatorit, publicistit, eseistit dhe poetit Petrit Nika, është e pamundur të mos ndalesh për të shkruar pak fjalë për mbresat dhe emocionet që përfton nga leximi i tyre. E them këtë se tregimet e përmbledhura në këtë botim më të ri nga autori, jo vetem u ngjajnë me një buqetë lulesh të bukura aromëmira dhye të shumëngjyrëshe edhe pse janë plot 18 të tilla, i bashkon një personazh shumë i dashur për çdo lexues, portreti i njerëzve të thjeshtë.
Nga fillimi deri në fund të librit, parakalojnë para teje, i dashur lexues, si në një monitor të madh që nga vëllai i ndjerë (fotografitë), portreti i fyelltarit, i studentit, i malësorit apo malësores dhe deri tek ajo e emigruesit të rikthyer nga vendi i largët përtejoqeanit në vendlindjen e tij të dashur. Figura e Stakë Ukës me të birin e tij të vogël. Petriti, ky poet dhe prozator relativisht i ri, di të zgjedhë tema të thuejshta dhe shumë aktuale si për poezinë dhe për prozën. Por ajo që është karakteristike për këtë autor, është se tema qsq të zakonshme, shpesh reflektojnë të vetë jetës së tij ngjarje të thjeshta e aktuale i ngre aq bukur në art, i trego me një gjuhë aq të rrjedhshme e të bukur, me një prozë të skalitur mjershtërisht dhe ti përjeton një brenga të paimagjinueshme si tek “fyelltari”.
“Takimi i jashtëzakonshëm me një plak vetmitar...”, “Një qytetarë i kohës sonë”, “Enigma” , “Nëpër rrjedhen e lumit”, etj. Personazhet e këtyre tregimeve dhe të tjerave në libër janë skalitur me aq kujdes, dashuri e rrespekt, sa te duket sikur autori ka marrë daltën e skulptorit dhe i ka gdhendur në shkembenjtë shekullor të alpeve tona te veriut. Portretet e personazheve protagonist, sidomos ata të malësorëve, të studentëve, të shoferëve, përgjithësisht të njreëzve të thjeshtë, bëhen aq të dashura e të rrespektuara, sa ne lexuesit jetojmë me to, me shqetësimet, vuajtjet, dilemat apo lumturitë dhe gëzimet e tyre. Dhe ne duam t’i ndihmojmë, t’u gjendemi pranë, t’i shpetojmë nga e keqja që ju kanoset, t’ju japim doren, të ecin me ne, të gëzojnë e lumturohen me ne. E kush nuk donte që t’a ndihmonte “plakun vetmitar” , që edhe ai t’ë shohë pak gëzim, lumturi dhe hare? Mendoj se ky është dhe mesazhi më i fuqishëm dhe më i artë që do autori të japë me këto tregime. Besimi dhe shpresa për një jetë më të mirë, të bukur e të gëzueshme, përshkon pothuajse çdo tregim. Në tregimin “takim me një plak vetmitar”, pasi plaku i tregon djalit për jetën e tij të vetmuar dhe të mjeruar, i thotë: “...por megjithatë jeta është gjithmonë e bukur, sido që të jetë- ajo s’këmbehet me asgjë, tha ai dhe pështyu tutje, kushedi se pse.... dhe autori vazhdon... ndersa djali kësaj rradhe i hapi veshët mirë dhe s’la të ikte asnjë nga fjalët që shqiptonte plaku më i vetmuar i të gjitha kohërave...”. një vend të rëndësishëm në libër zë përshkrimi i botës së brëndëshme të personazheve si dhe përshkrimi i bukur i natyrës. Peisazhi plot kolorit i fushave e i maleve, luginave e shpateve, livadheve dhe arave të mbjella, i pemëve e luleve, - i mbush tregimet me aromën e këndëshme të natyrës së vendit tim të mrekullueshëm, të vendit të poetit. E them "të poetit" se këto përshkrime janë tepër poetike, si nga gjuha edhe nga figuracioni, jo vetem kaq por janë dhe shumë funksionale, sepse me anë të tyre autori heq paralele aq të fuqishme e domethënëse sa duket se natyra merr pjesë me pamjet e sajë mahnitëse në gjendjen psikologjike të personazheve aq të dashura të Nikës. Një meritë tjetër e autorit, të cilën nuk mund të mos e theksoj, është zgjedhja e fjalëve në funksion të idesë dhe sidomos formimi i fjalëve të reja, togfjalshëve, fjalive të përngjitura e të përbëra të tipit: përshkëndritje, çatrafilloste, fletëvalëngrohta, fletëvalcopëtues, i përdiellur, kapardaiseshin, muflenderua, ndërmendeshin, tevona, fillimkorriku, asfare, pleqtë vdekjesprapsës e shumë e shumë fjalë të tilla të cilat të vendosura me mjeshtëri në kontekste të caktuara nga autori japin frazës një shijë e bukuri të rrallë që nuk ka shoqe në përdorim. Së fundi mund të them: vëllimi me tregime “Fyelltari” i P. Nikës lexohet me një frymë për frazen e latuar, subjektet dhe temat e trajtuara, për pasurinë leksikore dhe figurative, duke i dhënë veprës vlera të mëdha njohëse, edukative dhe artistike. I uroj autorit vepra të tjera të suksesshme në të ardhmen.

Petraq Zariu 
(Mësues pensionist)


Libofshë, Fier, dhjetor 2014

Tuesday, May 22, 2018

Shqipëria në fokus



Atdhe

Ama dhe ati - ahtimi në amshim,
Trinia, tabernakulli dhe totemi,
dheu më i dhembshuri n'rruzullim,
etnosi dhe eteri që epet kah Edeni.

Fushat, rruginat, kodrat me ullinj,
kujtimet që flenë në varret e të parëve,
shpesët vetmitarë që struken në shkëmbinj,
ëndrra e fundit - amaneti i luftëtarëve.

Himni i mëngjeseve të mia je atdhe,
frymim i kombit në amzën e lashtë,
në dashuri e gëzim, në dhimbje e vuajtje,
me dritën tënde të paqtë.

P. Nika 
vjeshtë 2016


Kalaja e Prizrenit   Foto P. Nika


Kalaja e Rozafës (Shkodër)   Foto P. Nika

Kalaja e Rozafës (Shkodër)   Foto P. Nika
Kalaja e Lezhës   Foto P. Nika

Kalaja e Lezhës   Foto P. Nika

Kalaja e Beratit   Foto P. Nika
Kalaja e Beratit   Foto P. Nika






Kalaja e Gjirokastrës   Foto P. Nika










Llogara (Vlorë)   Foto P. Nika







Monday, May 21, 2018

Letërsia, në librari, mediume dhe facebook



 Njëzet vjet letërsi. Analistët dhe studiuesit nga e gjithë kjo periudhë përmendin vetëm 4-5 emra autorësh, të cilët arritën të ndërtojnë klanin e tyre gjithësesi. Siç kishin vepruar më parë në njëfarë mënyre edhe brezat e viteve “70 dhe “80. Pjesa tjetër i përket harresës, atyre pak faqeve të zverdhura të periodikëve ku botuan krijimet e tyre oportune në vitet e shkuar. Tashmë jeta kulturore shqiptare janë pikërisht këta 4-5 autorë, të mirëpritur në rubrikat kulturore të medias së përditshme janë vetëm këta; në antologji e përfaqësojnë brezin vetëm këta; çmimet dhe bursat ndahen vetëm midis këtyre; në panaire dhe promovime vetëm këta. Kjo është letërsia shqipe.




1.
Po e fillojmë këtë shkrim me rrjetin social Facebook, i cili nga ana teorike është bërë aq shumë popullor tashmë sa s’na ngelet më asgjë për të thënë mbi tabiatet e tij dhe mënyrën sesi funksionon. Që nga fëmijët e kopshtit e deri tek meraklinjtë e skajshmërisë së moshave të treta ia dinë vetë me kut tabiatet; ata janë sot përdorues të facebook-ut, kanë një ose disa profile, me identitet real apo fals, me foto reale apo të personave të tjerë që gjenden bujarisht me bollëk midis leshterikëve të detit të internetit. Në një botë të tillë si kjo e facebook-ut mblidhen pothuaj që të gjithë; çiliminjtë, adoleshentët, studentët, profesorët, politikanët, drogaxhinjtë, kontrabandistët, hajdutët, kriminelët, kumarxhinjtë, homoseksualët, të gjithë, të gjithë, pa harruar të përmendim edhe shkrimtarët bashkë me nënkategorinë e tyre - medemekshkrimtarët.
Sa për vete unë kam qenë dhe jam pjesë e këtij rrjeti, herë si frekuentues i përkohshëm dhe kureshtar spontan dhe herë të tjera kalojnë muaj pa ia hedhur sytë. Kam publikuar dhe publikoj në këtë web herë pas here për miqtë apo personat e tjerë që të kenë mundësi të më lexojnë, nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë, pa ndonjë pretendim konkret apo entuziazëm për suksesin e pritshëm. Në fund të fundit, duke qenë të privuar nga lexuesi dhe mundësitë e tjera për t’iu qasur atij (lexuesit), në pamje të parë facebook duket se krijon paksa akses më shumë. Sado hileqar dhe oportun, përsëri facebook është një pasqyrë virtuale e mendësisë shqiptare, (po them për pjesën shqiptare të gjërave); aty midis atyre “miqve” që të janë qasur apo që i ke kërkuar, vë re orientimet klanore, interesat imediate, shkërmoqjen e idealeve, masën e qëndrueshmërisë në ato çka thonë për publikun në mediume serioze dhe shkarjen në banalizëm kur shprehen shkujdesur pikërisht për këto tema. Në facebook njihesh me sukseset e tyre dhe me personat që entuziazmohen për suksesin tënd apo të tjetrit, në facebook të ndodh që të ndihesh i vetmuar midis gjithë atyre “miqve” që ke dhe nuk gjenden, dhe ndërkohë i shikon që janë mbledhur rreth qyfyreve popullore te Lek Plepit.
A nuk është pra facebook pikërisht një pasqyrë e interesave të shqiptarëve në hapësirën virtuale online? A nuk është facebook një mënyrë për të testuar vulgaritetin, megallomaninë, vipomaninë, etjen për të qenë në qendër të vëmendjes qoftë dhe duke i treguar miletit kokrrën e marres, cinizmin, shtijaninë, eklektizmin idiotesk e të tjera dokrra kësodore që ta përforcojnë akoma më shumë në kokë atë pohimin e lashtë unum scio quod nihil scio (lat. një gjë di, që s’di asgjë)? Megjithatë nuk do ndalemi në këtë shkrim vetëm tek logocentrizmi i pamjes së përgjithshme. Pamja paksa më thellësore e një aspekti konkret, siç është prezantimi i njerëzve të letrave në facebook do të bëhet objekt trajtimi edhe pak më poshtë. Pasi të flasim pak dhe për format e tjera të ekzistimit dhe zhvillimit të letërsisë në këta njëzet vjet.


2.
Përgjatë viteve “90, nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar dhe nëpër linjat e autobusëve urbanë të tij, të bënte përshtypje vërshimi i shkrimtarëve dhe i pseudoshkrimtarëve (këta të fundit kryesisht poetë), të cilët me libra nëpër çanta e nëpër duar, demonstrativisht iu drejtoheshin librarive dhe kioskave të panumërta, ku ndër të tjera shiteshin edhe libra (!), kurse lexuesi demonstrativisht i ktheu shpinën edhe krijimeve të këtyre kreatyrave edhe librarive. Të tromaksur nga kjo lloj përvoje e largët dhe e paharrueshme, në ditët tona, tashmë pas më se një dekade, librashitësit i bëjnë hesapet me shtëpitë botuese dhe s’qasin më asnjë njeri me çantë, qoftë ky dhe lexues i thjeshtë që futet në librari vetëm sa për të blerë vetë një libër. Siç edhe e thamë, në fakt realiteti në fillim ishte krejtësisht ndryshe.
Hapësira e librarive në fillim u bë mikpritëse për çdo gjë që botohej, aty shikoje lloj-lloj botimesh të përçudshme dhe pa pikë vlere, të cilat jo vetëm kaq, por zinin pjesën dërmuese të kësaj hapësire. Ndryshimi i raporteve ndodhi më pas kur lexuesi ia bëri naftën librit. Atëherë libraritë ranë në ujdi me shtëpitë botuese se shqipja nuk shkruhet dot nga shkrimtarët shqiptarë, ndaj ia vunë syrin autorëve të huaj. Në mediume dhe në panaire, kudo flitej vetëm për suksesin e letërsisë së huaj. Ndërkohë përgjatë pesëvjeçarit të parë të “90-ës vazhdonin të botoheshin ende disa periodikë dhe suplemente letrare si “Drita”, “Aks” etj., të cilat botonin autorë të rinj e të vjetër, reçensione me stilin e vjetër prej lexuesish turni dhe opinione për kopertinat, ama, mos t’i hyjmë në hak njeriu, fatmirësisht nganjëherë ndodhte që botohej edhe letërsi cilësore.
Si një i ri i lidhur besnikërisht me letërsinë, të paktën që nga viti i largët i “94 -ës e kam pasë ruajtur çdo numër të “Dritës”, “Aksit” dhe të disa prej suplementeve të njohura që botonin në kohë të ndryshme të përditshmet si, “Rilindja e Kosovës”, “Republika”, “Albania”, “55”, “Koha jonë”, “Tema” etj., duke krijuar një koleksion të vërtetë, derisa këto i humba aksidentalisht në Pukë, kur m’u dogj banesa në janar të vitit 2001. Pas kësaj kam ruajtur përsëri pothuaj gjithçka që dilte në shtyp për letërsinë, deri sot që tashmë s’ka më asnjë organ promovues dhe që të shërbejë si tribunë mendimi.
Është vërtetë interesante t’i shfletosh tashmë pas kaq dekadash këto faqe të publicistikës letrare shqiptare dhe të vjen të habitesh me rrjedhën që ka marrë jeta. Disa prej këtyre autorëve sot janë emigrantë dhe s’dihet më asgjë për ta, disa kanë reshtur së shkruari, disa të tjerë kanë vdekur, disa kanë arritur të çajnë përpara drejt kryeqytetit shqiptar dhe janë tashmë njerëz të njohur në opinionin e gjerë, disa i janë kushtuar jetës akademike, politike etj., duke i ngushtuar interesat nga shoqërore dhe utilitare dikur, në personale dhe ngushtësisht vetëm personale tani. Njëzet vjet letërsi. Analistët dhe studiuesit nga e gjithë kjo periudhë përmendin vetëm 4-5 emra autorësh, të cilët arritën të ndërtojnë klanin e tyre gjithësesi. Siç kishin vepruar më parë në njëfarë mënyre edhe brezat e viteve “70 dhe “80. Pjesa tjetër i përket harresës, atyre pak faqeve të zverdhura të periodikëve ku botuan krijimet e tyre oportune në vitet e shkuar. Tashmë jeta kulturore shqiptare janë pikërisht këta 4-5 autorë, të mirëpritur në rubrikat kulturore të medias së përditshme janë vetëm këta; në antologji e përfaqësojnë brezin vetëm këta; çmimet dhe bursat ndahen vetëm midis këtyre; në panaire dhe promovime vetëm këta. Kjo është letërsia shqipe. Pjesa tjetër s’janë veçse bezdi. Ata nuk duhet të mbështeten. Nuk duhet të ekzistojnë. Për shtëpitë botuese ata s’janë gjë tjetër veçse ca qyrykë që luten për çmime të arsyeshme botimesh. Për mediat e përditshme ata s’janë gjë tjetër veçse ca vulëhumbur që mezi presin të shohin emrin e tyre në gazetë; për libraritë ata s’janë gjë tjetër veçse ca vizitorë të bezdisshëm, të cilët i nxjerr nga dera dhe të hyjnë nga dritarja. Situata është jo vetëm e dehumanizuar, por dhe depersonalizuese për krijuesit, jashtë klani në përgjithësi dhe për jometropolitanët shqiptarë në veçanti.
Sa i përket pozicionit tim, duke filluar që nga viti i largët “94 tashmë pothuaj kanë kaluar plot 17 vjet që herë pas here gjendem pjesë e tribunës së mendimit në shtypin shqiptar, megjithatë nuk jam pjesë e asnjë klani, nuk jam pjesë e asnjë antologjie dhe asnjë privilegji. Edhe persona që më njohin mirë, madje edhe personalisht, nganjëherë mundohen ta anashkalojnë emrin tim në publik. Madje një analist i njohur kur botonte pak kohë më parë një shkrim timin tek mediumi i tij online, deklaronte se nuk më njihte, ndërkohë që kishim pirë edhe kafe bashkë vite më parë pranë zyrave të një të përditshmeje, ishim takuar edhe në promovime librash, madje kishte informacion të mjaftueshëm për mua edhe nga të tjerët. Po të duash t’i njohësh punëtorët e vërtetë të letërsisë sot nuk është dhe aq e vështirë. Por kur s’do vetë, atëherë ndryshon puna.
Më e keqe se mosnjohja është kinse mosnjohja; më e keqe se mosnjohja është dashakeqësia e fshehtë apo injorimi ku bëhen orvatje për ta rrethuar autorin me qefinin e harresës, duke e lënë atë si një vetje në paprani, krijues pa letërsi, anonim në periferi. Letërsia gjykohet në opinionin e katër-pesëve. Shkrimtarët dhe poetët janë tre-katër, e shumta pesë. Falë këtyre letërsia ende ekziston! Të tjerët ose s’janë gjëkundi, ose janë pesë me hiç! Ose, ose thjeshtë shkrimtarë facebooku. Kuptohet, bëhet fjalë për njëfarëlloj përfaqësimi social-kulturor online.




3.
Që në fillim, shtysë për të hapur një facebook për mua u bë njëri nga miqtë e mi vërtetë të çmuar, i cili, njëlloj si unë edhe ai aspiron këmbëngulës, ndonëse në pozita jo fort komode në fushën e letrave. Njëri në Fier, tjetri në Tiranë, - facebook ishte një mundësi më tepër për komunikim online. Më pas fillova të bëj pjesë të profilit tim të afërm, shokët e fëmijërisë dhe të universitetit dhe kështu dalëngadalë, ndërsa numri i personave shtohej me të njohur, dalëngadalë listës i shtoheshin edhe emra të tjerë pa ndonjë rol në jetën time, ca duke i rrëmuar, ngase duke qenë emra të njohur në fusha të caktuara ruaja nga larg një ndjesi respekti ndaj tyre dhe doja t’i njihja më tepër, ndërsa pjesa më e madhe më gjenin vetë. Kjo lloj pranie filloi të bëhej edhe më e madhe pasi kisha hapur disa forume letrare që administrohen përmes facebook-ut dhe pasi kisha filluar të publikoja shkrime atje. Nuk jam kundër kësaj pranie dhe rrallëherë mund të ketë qëlluar që i kam refuzuar, vetëm në raste kur profilet e tyre prezantoheshin me emra komplet ordinerë. Asnjëherë nuk më ka shqetësuar kjo masë me praninë e saj, as me qasjen, as me largimin - kur bëhet fjalë për njerëz “kalimtarë”, dmth., tipa që trokasin, i lejon të vijnë, shohin çdo skutë dhe kur e kuptojnë se s’je i tyri, mbyllin derën dhe ikin.

Ajo që më ka lënë një shije bajate zhgënjimi ka qenë pikërisht edhe raporti online me njerëzit e letrave. Edhe këtu ku liria e marrëdhënieve dhe e publikimit është pa kufi, shkrimtarët ose vetmohen dhe bëhen të pandjeshëm, ose socializohen në grupe që ngjajnë më tepër si forume shkollarësh gjimnazistë. Pastaj në facebook nuk i shpëton dot edhe një fenomeni që në njëfarë mënyre nuk mund të mos lihet pa u marrë seriozisht. Nëse të dërgojnë krijime dhe nuk ndihesh ngase nuk t’u ka bërë prej sish qejfi, atyre që t’i dërgojnë u ngelet qejfi, dhe nëse u thua se nuk t’u ka bërë qejfi, prapë ata ofendohen dhe u ngelet qejfi. Sille nga të duash, je në telash. Emri në monitor, sado oportunist apo obskurant ta përfaqësojë veten me krijimet e tij, prapë shenjëzon një vetje që në rastin më të parë do të sulet për hakmarrje, me shoqërinë e tij mediokre, ose s’është çudi, bashkë me atë katër-pesëshen e famshme, duke u përkujdesur kohë më parë deri në imtësi që goditja jote të jetë fatale. Jemi në Shqipëri, ku çdo gjë është normale!

2011

Sunday, May 20, 2018

Poezia amerikane më e mirë se kritika letrare amerikane


Inetrvistë e Harlod Bloom në "Boston Review"

Në këtë intervistë në "Boston Review", H. Bloom e sheh historinë e poezisë si një kompleks edipal midis brezave. Ndërsa për kritikën letrare thotë se është e rrethuar me shumë konfuzion, por beson se poezia amerikane është në gjendje më të mire se kritika letrare. Bloom thotë se kultura perëndimore i ka themelet në studimin letrar. “Ne jemi produkt i kulturës letrare, jo i kulturave fetare, apo shkencore.” – thotë Bloom.


Burimi: http://bostonreview.net/archives/BR11.1/bloom.html

Shqipëria sa e bukur! Albania, my beautiful country!



Një udhëtim në liqenin e Komanit të bën krenar për bukuritë natyrore që ka vendi ynë.

Ferry Berisha offers good conditions for visitors, travelers and tourists that visit the lake during summer. The total travel time from Koman to Fierze is almost 2 hours and 30 minutes, which is a long time and that’s why we also have foods and drinks in the ferry. Inside the ferry you will find different drinks ( alcoholic or not ), also if you like to eat, we also have a ready breakfast box that includes all the ingredients for a healthy breakfast, like cheese, butter, olives. honey, nucrema and dried fruits. You can also bring it with you if traveling for Valbone or Theth.( for example you can order a coffee and a Mealbox for only 3 Euros )
We also have outside space, where you can stay and enjoy the travel.
We also transport cars.
During the travel time don’t be surprised if we organize any small party, with music and snacks, just to make your travel with us a great time.
There is no limit, or maximum persons that can travel at the same time, we have successfully managed this during all this years. This is not valid for cars, if you are gonna bring your car with you, you need to reserve a place first.

Boat Dragobia travels all the year, everyday.


https://komanilakeferry.com/en/


Saturday, May 19, 2018

Best of nature

Fantastikja tek “Vizitori misterioz i natës”




 Melsen Kafilaj

“Nëse do të mungonte fantastikja, letërsisë do t’i mungonte kërshëria” – (J. Saramago)


Tek një shkrimtar, përgjithësisht realist, si Petrit Nika, sigurisht nuk kishte se si të mos na tërhiqte vëmendjen ky tregim me një stil “kaq ndryshe” i tij. Dhe e veçanta ka një prirje të brendshme që njeriun ta tërheqë drejt saj dhe ta bëjë për vete. Pikërisht kjo “veçantësi” më shtyu ta rilexoj tregimin në një nivel më të thellë dhe të shkruaj sot për të. Kur lexuesi ka reshtur së lexuari tregimin “Vizitori misterioz i natës”, pjesë e përmbledhjes me tregime “Fyelltari”, (2014) e ka thuajse të pamundur të mos i shkojë mendja tek realizmi magjik dhe tek emra të tillë si: Buzzat-i, Asturias-i, Cortazar-i, Llosa, apo emblema e tij Gabriel Garcia Marquez. Kjo sepse tonaliteti dhe hapësirat ku përzihen pazgjidhshmërisht realiteti dhe mistika janë të tilla, fryma e magjikes dhe fantastikes e dekonturojnë realitetin në këtë narracion.
Nëse i bëjmë një përkufizim literal shkollës së realizmit magjik, na rezulton se ai nuk është gjë tjetër “veçse zgjerimi i realitetit me elementët e joreales”. Po ku qëndron magjikja dhe fantastikja në këtë tregim?! – lind natyrshëm pyetja. Në të vërtetë, në të vërtetë, letërsia në vetvete është një akt magjik. Fantastikja dhe magjikja qëndrojnë në “të thënët e formulës” nga ana e autorit. Diçka të cilën ka arrritur ta mishëroj mjeshtërisht.
Por le të futemi në brendësi të krijimit letrar për ta kuptuar më mirë këtë fakt. Subjekti i ngjarjes zhvillohet ndoshta në “Masada-n e Krishtërimit Katolik” (Pukë), ose në ndonjë trevë tjetër veriore. Me këtë besim, pasi autori e zë fill narracionin me një ngjarje që ndodh me datën 30 mars, buzëmbrëmjen e një të Shtune të Shenjtë (një ditë përkushtimi fetar kjo për besimtarët katolik). Ardhja e të huajit duket se “parashikohet” nga Nikolla, nipi riosh 27-vjeçar, i cili i paralajmëron gjyshen dhe motrën e tij për vizitën e mundshme të këtij njeriu.
Deri këtu çdo gjë është e zakonshme. Pas “zënkës” së vogël familjare mes të treve në lidhje me mikpritjen, ose jo të të huajit, situata nis të bëhet “intriguese” sapo ai shfaqet befasisht tek porta. Një ngjarje e cila shpalos më tej dikotomitë, zbërthimin psikologjik, kontradiktat dhe unin real të personazheve.
Autori,e krijon situatën konfliktuale përmes një përplasjeje antinomike. Përballë zakonit të lashtë të mikpritjes prej malësori të mirë të Nikollës, ai vë harbutërinë dhe indiferencën e mikut misterioz, i cili jo vetëm që nuk i begenis familjarët, por ngutet të hyjë në odën e pritjes pa folur me njeri, të cilën e gjen menjëherë edhe pse nuk kishte qenë asnjëherë më parë aty. Ky vizitor i çuditshëm, jo vetëm që tregohet “indeferent” ndaj mikpritjes shqiptare dhe ceremonive të thjeshta që e karakterizojnë, por edhe “baltosës” i pastërsisë së saj, të cilën Miss Durham e lavdëronte dikur gjer në qiell.
Dikush tjetër nuk do ta toleronte këtë sjellje. Por ata, si shqiptarë mikpritës dhe të krishterë të mirë që janë, nuk bëzajnë fare dhe e tolerojnë mikun. Ndoshta iu kujtohet Loti biblik, i cili pa e ditur, mikpriti në shtëpinë e vet edhe ëngjëj. Ndoshta duke u nisur dhe nga maksima e famshme e Kanunit: ”Shtëpia është e mikut dhe e Zotit”. Këtë nuk mund ta dime saktësisht, vetëm na ngelet ta marrim me mend. Ajo që dimë me siguri është që kjo familje i përmbush njëherësh të dyja urdhërimet; tokësore dhe hyjnore.
Gjithçka hidhet me penelata të shpejta dhe rrjedh me një gjuhë lakonike “ala Buzzat-iane”, e shoqëruar nga triniteti i tre simboleve mistike: Uji, Buka dhe Vera, të trija me një natyrë funksionale të caktuar brenda tregimit. Dhe kërkesa e parë që del nga goja e të huajit që futete në shtëpi është: “Ujë!”. Ai, sapo ulet, i paraqet mikpritësit kërkesën për t’i sjellë ujë. Dhe uji është jeta, përtëritja e shpirtrave të tharë, burimi i së gjallës dhe më tej akoma është pastrimi. Kjo është një sprovë dhe këta njerëz janë aq bujarë saqë ta ofrojnë me zemër atë. Megjithëse i huaji e vazhdon sprovën duke e derdhur gjysmën e ujit jashtë ndërsa e pi, nga goja e këtyre njerëzve të varfër, por të urtë, të këtyre anëve, nuk del asnjë fjalë e keqe. Sepse kush fyen mikun, vazhdon Ligji i Lashtë, fyen atë që e ka dërguar atë, – d.m.th., Zotin.
Autori e përshkallëzon situatën me përpjekjet dhe pyetjet e shpejta të dy të rinjëve, të cilët kërkojnë ta rrëmojnë dhe ta zhbirojnë mendërisht atë. Një përpjekje me sa duket e kotë, pasi i huaji, ose ua kthen thatë përgjigjet, ose nuk tërhiqet nga e vetja, duke i anashkaluar krejtësisht ata dhe pyetjet e tyre pa e hapur fare gojën. Kjo kryeneçësi dhe mosdëshirë për komunikim nga ana e tij, bën që të lindë në zemrën e të rinjve egjra e dyshimit. Një mendim i dyshimtë vjen rrotull në kokat e tyre: Kush është vallë ky njeri?! Një i çmendur? Një vrasës? Një sharlatan profesionist, apo dikush tjetër?!
“Mos nxit në zemrën e vëllait tënd mendime të liga!”- thotë Bibla. Pikërisht në këtë moment, me një shkathtësi verbale dhe dramacitet të lehtë, autori Petrit Nika bën kthesën e madhe. Vizitori “i çuditshëm”misterioz, i parruar, flokë-kërleshur dhe me petka varfërie, nis të flasë dhe t’iu predikojë me gjuhë zjarri këtyre njerëzve të thjeshtë e të varfër, për diçka të madhe; për Paqen! Duart e tij të ngritura si shpata drejt qiellit mallkojnë mëkatin dhe gjithë mëkatarët e kësaj bote të prapë, të cilët kanë thyer zinxhirin e harmonisë së njerëzve në tokë me krenarinë, egoizmin dhe lakminë e tyre. Për më tepër, duke kumbuar me të madhe – po huazoj një frazë nga John Milton: ”Ne jemi Ferri.” Predikimin e tij vizitori i çuditshëm e mbyll me: “U shofshin që të gjithë!” Dhe një zjarr i fashitur, dhe një zemër e plagosur, dhe një kokë e madhe ndër duar që dënes në heshtje. (Një përshkrim rrënqethës dhe me të vërtetë i denjë për këtë oshënar që mëtohet të jetë i shenjtë.)
Pastaj rënia në ekstazë dhe e folura me një “lingua Adamica”, e cila Nikollës nuk i tingëllon si latinisht, e fut në mendime dhe zgjon në shpirt dyshimet mistike tek i riu. Pasi lavdëron në këtë gjuhë të panjohur, asketi bie përmbys në dysheme dhe i kredhur ashtu në atë moment paqeje, humbet brenda atij harrimi përdëllimtar. Momenti kur ai ngrihet dhe e shikon me kthjelltësi shpirtërore djaloshin është një moment kulminant, i përzgjedhur me finesë nga autori, pasi përmes tij ky udhëtar i palodhur dhe endacak jep mesazhin: ”Eshtë i pamëshirshëm fati dhe e dobët qëndresa jonë”- deklaron ai. Dhe është krejt e kotë kjo gënjeshtër e madhe që i bëjmë vetes. A nuk është kjo e njëjta fjalë e frymëzuar si te Kohelet “Predikuesi”: ”Të gjitha kanë të njëjtin fat” dhe “gjithçka është kotësi e kotësive?!” Duke dhënë më pas elemente biografike nga jeta e personazhit kryesor, autori Nika kërkon të na e qartësojë profilin e këtij asketi, i cili ndjen keqardhje, por jo për veten e tij. Është një keqardhje e shenjtë, e cila e ciflos frymërisht dhe e bën të ndihet fatkeq për lidhjet e dashurisë që vetë njeriu i ka këputur me këtë botë të krijuar për njeriun. Ai, siç na jepet edhe në tregim, tregon se i ka mposhtur dëshirat dhe i ka prerë kryet lakmisë – dy të këqijat më të mëdha të njeriut që e kthejnë në antagonizëm gjithçka. Dhe po të perifrazojmë Sokratin: “Sa më pak dëshira të kesh, aq më shumë je pranë shenjtërimit!” Përmes gojës së tij, përmes sjelljes së tij të jokësobotshme, në mënyrë të nënkuptuar ne mësojmë se ky asket e ka fituar këtë aureolë.
Një moment tjetër i spikatur është simboli i dytë, pra Buka (Darka). Në Bibël, Darka e Shenjtë është simbol i dashurisë (agape) së Krishtit për dishepujt, por edhe të dishepujve për njëri-tjetrin. Sepse vet Profeti thotë: ”Ta doni njëri-tjetrin ashtu siç më keni dashur mua!” Buka në teologjinë e krishterë është edhe symbol i flijimit. Jeta ushqehet me jetë! Diçka duhet të sakrifikohet, që të ekzistojë diçka tjetër. Gjyshja, si një e krishtere e mirë që është, përpos kundërshtimeve të rioshëve për të mos u ulur në tryezë me të, vendos të bëjë të kundërtën që kërkojnë ata duke e shtruar darken pikërisht aty ku dëshiron edhe miku. Sepse ç’kuptim ka që të Shtunën e Shenjtë të shtrohet një darkë veç e veç dhe asaj t’i mungoj elementi më i rëndësishëm, d.m.th., mbledhja së bashku dhe dashuria?! Sepse porosia e dytë më e rëndësishme e Krishtit është: ”Duaje të huajin porsi të afërmin tënd!” A nuk mëton përmbushjen e kësaj porosie me veprën e vet e moshuara?!
Mbarimi i Darkës na jep një detaj tjetër interesant të përzgjedhur me vetëdije krijuese nga autori; shfaqjen e kërkesës së dytë dhe të simbolit të tretë nga ana e tij, pra të Verës. Vera është symbol, jo vetëm i gjallërimit shpirtëror dhe i gjakut të Krishtit, por edhe i jetës së re. Dhe pyetja e vizitorit misterioz tingëllon si “Trokitja e Fatit” e Bethovenit: ”A s’ka një gotë verë në këtë shtëpi?!” Por vera mungon. Asketi dëshiron të bëj euharistinë dhe ta bekojë kupën e verës për të përkujtuar Krishtin e varfër në këtë shtëpi, po aq të varfër. Euharistia nuk kryhet. Gjaku mungon, por Dashuria është ende e pranishme në këtë familje.
Një tregim, i cili ka një mbyllje po aq fantastike. Asketi, vizitori misterioz, apo oshënari i shenjtë, (quajeni si të doni), largohet befas nga shtëpia pas mesnate, pa u ndjerë, pa i shqetësuar këta miq të varfër që i ngjajnë grigjës së tij, për të mos u kthyer më, “i ndjellë mesa duket nga shiu që kish filluar sërish të binte”. Ai ka dale nga dritarja të cilën e tund era dhe jo nga dera siç dalin të gjithë vizitorët e zakonshëm. Nga Levi Strauss informohemi se shiu mes popujve të lashtë ishte simbol i shpresës, ripërtëritjes dhe jetës së re. A mos dëshironte të linte pikërisht këto pas tij në këtë familje përmes largimit të beftë pas mesnate, nëpër shi?! “Ku është fantastikja këtu?!”, mund të pyesin sërish me insistimata “shkarrashkruesit letrarë” dhe ata më skeptikët që i bredhin vetëm në sipërfaqe tekstet letrare. Epo n.q.s., ju nuk e quani “vizitën” e Shën Franceskut të Assis-it (shenjtorit të shek. XII-të), predikimin dhe mesazhin e tij në atë kohë diçka “fantastike”, përkimi në këtë krijim artistik është unik dhe faji nuk është i autorit Petrit Nika, as i imi që po i shkruaj këto radhë. Faji është i vetë atij, i cili nuk e kupton me të vërtetë se ç’do të thotë të prekesh nga zjarri i trazuar i realizmit magjik.

Shkurt 2016



Burimi: http://www.gazetadita.al/fantastikja-tek-vizitori-misterioz-i-nates/

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat