Wednesday, December 23, 2020

Sanlurfa dhe Harani, vendet biblike ku jetoi Abrahami

Vendlindja e Abrahamit në ato kohëra quhej Ur Kaldeas, dhe po t’iu referohemi konflikteve të Abrahamit me hititët që ishin të vendosur në Turqinë qendrore, i bie të jetë pikerisht zona e Sanilurfës dhe Haranit.

Haran është një nga qytetet më të vjetër në botë. I vendosur në provincën Sanlurfa, në Turqinë jugore, rrënojat e qytetit antik të Haran datojnë që në mijëvjeçarin e tretë p.e.s., kur zona mendohet se ishte ishte një qendër kulturore, fetare dhe tregtare e rëndësishme e botës së lashtë. Afër qytetit Ur Kaldeas (Sanlurfa e sotme), Haran ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Mesopotamisë Veriore.  Ajo që është e sigurt mund të themi se shumë perandori dhe dinasti të ndryshme e pushtuan qytetin ne shekuj, të tilla si; akadët, babilonasit, asirët, hititët, persët, aleksandrinët, romakët, bizantinët, selxhukët dhe ejubidët. Pavarësisht këtyre, qyteti mbijetoi deri në fund të mijëvjeçarit të parë. Në vitin 1098 qyteti filloi ta humbase fuqinë dhe shkelqimin e dikurshëm, nga shkatërrimet e ekspeditave të kryqtarëve, por u përball me shkatërrimin përfundimtar aty nga viti 1260, pas pushtimit mongol nga Hulag Khani (nipi i Xhingis Khanit). Në këtë kohë banorët e Haranit u larguan masivisht nga qyteti në drejtim të Alepos së sotme dhe Damaskut. Pas një pushtimi kaq shkatërrues, qyteti e humbi shkëlqimin e tij, duke u kthyer në një fshat të vogël, për të mos e rifituar kurrë më lavdinë e parë.

Një karakteristikë e jashtëzakonshme e këtij vendi antik janë shtëpitë e tij me qerpiç në formë zgjojesh, të ndërtuara tërësisht nga balta, pa asnjë element tjetër. Dizajni i tyre i bën ato të freskëta brenda dhe, mendohet se si të tilla, kanë një traditë të paktën 3000 vjeçare. Disa prej tyre ishin në përdorim si banesa deri në vitet “80. E njohur si një pikë e rëndësishme në Rrugën e Mëndafshit,për Haranin ka shumë referenca dhe në Bibël. Por pavaresisht këtyre, duket se Haran është bërë edhe më i famshëm në historinë e qytetërimit për shkak se mbahet si qyteti ku jetoi Abrahami. Vendlindja e Abrahamit ishte Sanliurfa, kurse Harani, i cili ndodhet fare afër, ishte vendi që kishte themeluar vëllai i Abrahamit, Harani, dhe ku babai i tij Terahu shkoi të vdesë.

Sanliurfa ka pësuar shumë transformime gjatë mijëvjeçarëve. Në shekullin e XII-të, kur Sanliurfa ishte ende një mbretëri e krishterë dhe tashme njihej si Edesa, tërhoqi vëmendjen e kryqtarëve. Duket se asokohe ajo ngjalli interes vetëm për Shën Bernardin (dhe jo për Papën), i cili donte ta shpëtonte Edesën nga turqit selxhukë. Shën Bernardi ishte asokohe kreu i kalorësve tempullarë, dhe donte ta mbronte qytetin, jo për ndonjë arsye mirëfilli strategjike siç mund të mendohet, sepse nuk kishte të bënte domosdoshmërisht me rrugën drejt Jeruzalemit, por sepse ky vend mbahej si vendlindja e Abrahamit. Templarët e dinin që Edesa mund të kishte qenë qyteti Ur i Kaldeasve. Fjala “Ur” është një fjalë shumë e lashtë e bartur që nga kohërat më të lashta antike dhe ka kuptimin “vend, themel”. Përdorej edhe në vend të Jeruzalemit si Uru-Shalom, që do të thotë, “vend i paqes”.

Vendlindja e Abrahamit në ato kohëra quhej Ur Kaldeas, dhe po t’iu referohemi konflikteve të Abrahamit me hititët që ishin të vendosur në Turqinë qendrore, i bie të jetë pikerisht zona e Sanilurfës dhe Haranit.

Sipas llogarive të studiuesve të biblës, konkludohet se Abrahami jetoi rreth viteve 1900 p.e.s., që i bie të jetë rreth 400 vjet pas Përmbytjes së Madhe. Çuditërisht Moisiu e mori Dekalogun (Dhjetë Urdhërimet) 400 vjet më vonë pas Abrahamit dhe Solomoni e ngriti Tempullin e Jeruzalemit rreth 400 vjet pas Moisiut. Jeruzalemi u shkatërrua nga babilonasit rreth 400 vjet më vonë, në vitin 607 p.e.s. Dhe rreth 400 vjet më vonë u lind Krishti. Këtu mbaron shënimi i datave të rëndësishme të historisë biblike. Ajo që e bënte Haranin të pazakontë në shekullin e XII-të, ishte se ai nuk ishte më as qytet hebre, as islamik, por as dhe i krishterë. Tempulli i tij kryesor, i shkatërruar përfundimisht nga mongolët në 1259,i ishte kushtuar Hyjnisë Sin, e cila ishte perëndesha mesapotame e Hënës.

Qyteti Haran ishte i vendosur në rrafshinën pjellore të Haranit, e cila ujitej nga ujërat e lumit Balikh, një degë e lumit Eufrat. Muret e qytetit të Haranit kishin gjatësi 2,5 milje (4 km). Kishte gjashtë porta, por vetëm porta perëndimore, Porta e Alepos, mbetet në këmbë.

 Copyright: Petrit NIKA

Hipopotami egjiptian


Hipopotami egjiptian

 


Perënditë egjiptiane, gjithashtu marrin formën e kafshëve. Egjiptianët ishin vëzhgues të thellë të natyrës dhe dukurive të saj. Ndër kafshët ndaj së cilave egjipyianët kishin nje qëndrim ambivalent ishin edhe hipopotamet egjiptianë.



Kur flasim për Egjiptin e lashtë, është e pamundur të mos ndjejmë menjëherë në gjuhë peshën e madhështisë së një bote unikale qe ekzistoi në fillesat e qytetërimit. Më pare kam sjellë një shkrim ku flitet për nderimin që i bënin egjiptianët e Krokodilopolisit krokodilit. Egjiptianët e lashtë kishin një lidhje të padiskutueshme dhe të fuqishme me natyrën dhe botën përreth tyre. Pothuajse çdo kafshë dhe bimë per ata kishte një kuptim specifik dhe u reflektua në mënyrën e tyre të jetës, duke frymëzuar pikturat e mëdha murale dhe simbolet brenda sistemit të tyre të shkrimit. Perënditë egjiptiane, gjithashtu marrin formën e kafshëve. Egjiptianët ishin vëzhgues të thellë të natyrës dhe dukurive të saj. Ndër kafshët ndaj së cilave egjipyianët kishin nje qëndrim ambivalent ishin edhe hipopotamet egjiptianë. Hipopotamët për egjiptianët e lashtë ishin bartës të cilesive pozitive. Një nga hyjneshat e lashta egjiptiane Tauareti ka paraqitjen e një hipopotami. Ajo konsiderohej si një perëndeshë shtëpiake, mbrojtëse e amësisë dhe pjellorisë. Egjiptianët e lashtë kishin vëzhguar luftën e ashpër deri në vdekje që bënin hipopotamët për të vegjëlit e tyre dhe kështu e sollën në kultin e nënave egjiptiane luftën e tyre për të mbrojtur jetën e fëmijëve.


Copyright: PETRIT NIKA

Tuesday, December 22, 2020

Ora Astronomike e Pragës



Ora Astronomike e Pragës

 

Arritjet e teknologjisë mesjetare në kohën tonë janë në trendin e vazhdueshëm të zhvleftësimit. Njeriu i sotëm perballet me shpikje shumë të sofistikuara dhe nuk i bie të mendojë shumë për shekncën mesjetare. Por është fakt se aty nga fundi i Mesjetës shkenca e mekanikës kishte njohur përparime të mëdha. Orët e qyteteve si dhe mullinjtë po sofistikoheshin në mënyrë të veçantë. Një nga shembujt më mbresëlënës të këtij përparimi është mbetet Ora Astronomike në sheshin qytetit të vjetër të Pragës. Ora Astronomike e Pragës është ndërtuar në vitin 1410 dhe përmban një sistem numrash e figurash që ndjekin lëvizjen e diellit dhe të hënës gjatë gjithë vitit. Ajo gjithashtu ka dhe disa skulptura lëvizëse me detaje dhe funksione alegorike, ku përveç figurës së një filozofi, një astronomi, një kronisti dhe një ëngjelli, përfshihen edhe Dymbëdhjetë Apostujt.

Sipas një legjende, Ora Astronomike e Pragës u ndërtua në shekullin e XV-të nga një orëndreqës me emrin Hanus. Siç thonë, Hanus pasi përfundoi orën, refuzoi t'i tregonte Këshillit të Qytetit të Pragës se si e kishte realizuar atë. Kur këshilltarët e qytetit zbuluan se ai kishte projektuar dhe planifikuar të ndërtonte një orë edhe më të mirë për një qytet tjetër, u mbushën me xhelozi dhe e verbuan Hanusin në mënyrë që ai të mos ishte në gjendje të përsëriste punën e tij diku tjetër. Në shenjë hakmarrjeje, Hanus thuhet se prishi diçka tek ora në mënyrë që ajo të mos mund të përdorej për njëqind vjet, kohë kur doli dikush që të ishte i zoti ta riparonte atë. Kjo është pjesa e legjendës.

Kurse historia e vërtetë e orës astronomike sjell informacione të tjera interesante për Orën e Pragës. Kjo histori u zbulua në vitin 1960 dhe solli dëshimi se Ora u ndërtua në vitin 1410 nga Mikulasi i Kadanit në bashkëpunim me astronomin Jan Sindel.

Që atëherë ajo është dëmtuar shumë herë, por prapë është vënë në punë. Hera e parë qe në shekullin e XVI-të, kur u riparua nga Jan Taborsky.

Ora Astronomike e Pragës u la në mëshirë të fatit pothuaj krejtësisht në vitin 1780, sepse mirëmbajtja e saj ishte shumë e shtrenjtë. Në vitin 1865, ajo u rinovua dhe iu shtua një zë kalendarik për të evidentuar ditët e festës. Ajo u dëmtua prapë në vitin 1945, ndërsa nazistët tërhiqeshin nga Praga. Ora u riparua përsëri, kësaj radhe duke iu përshtatur orës së Europes Qendrore.

Sfondi i Orës është një përshkrim i pamjes gjeocentrike të universit, sipas trendit astronomik të përhapur në atë kohë. Rrethi blu në qendër është Toka dhe rrethi i jashtëm është Qielli mbi qytetin e Pragës.

Pjesa e sipërme blu e rrethit përfaqëson qiellin mbi horizont dhe pjesa e poshtme e zezë përfaqëson qiellin poshtë horizontit. Dielli ndodhet mbi horizont kur është mbi pjesën blu dhe nën horizont kur është mbi pjesën e zezë. Unaza e brendshme përmban shenjat e zodiakut.

Ora Astronomike e Pragës bën të mundur përcaktimin perfekt të rrugëtimit të diellit, i cili parë nga perspektiva e Tokës, lëviz ngadalë përgjatë planit eliptik gjatë vitit në lidhje me yjet e sfondit. Kjo lëvizje konfigurohet brenda një rrethi zodiakal në të cilin figura e diellit është epiqendra e universit. Ora gjithashtu pasqyron shenja të ndryshme të zodiakut në varësi të muajit, por edhe të vitit. Duke qenë se Ora u ndërtua rreth 130 vjet përpara Revolucionit Kopernikan të Sferave të Universit, ajo u konceptua me gjenialitet për të treguar rrotullimin ditor të Tokës, i cili ishte perceptuar në atë kohë si rrotullimi ditor i sferës qiellore. Kjo paraqitet edhe sot në lëvizjet e orës.

Përveç njohurive astronomike funksionale në këtë pajisje, Ora Astronomike e Pragës demonstron gjithashtu një përdorim mbresëlënës të skulpturave robotike me funksion simbolik. Disa nga skulpturat që zbukurojnë orën lëvizin pambarimisht ndërsa ora punon. Për shembull, sa herë që figura simbolike e Vdekjes i bie ziles, figurat e tjera tundin kokën duke treguar se nuk është ende koha që ato të largohen. Përveç figurës së Vdekjes, janë pranevendosur edhe disa figura të tjera alegorike si personifikim i Kotësisë, Fajdes dhe Epshit.

Funksioni figurës së Vdekjes është të njoftojë kalimin e një ore duke i rënë ziles.

 

Lemuria, Kumari Kandam dhe legjendat e indianëve Tamil Nadu për kontinentin e mbytur në oqean

Lemuria, Kumari Kandam dhe legjendat e indianëve Tamil Nadu për kontinentin e mbytur në oqean

Dikur mbretërit e dinastisë Pandijan të Kumari Kandam ishin sunduesit e krejt subkontinentit indian dhe sipas tyre civilizimi Tamil është civilizimi më i vjetër në botë. Sipas versionit Tamil, kur Kumari Kandam u zhyt ne oqean, banorët e tij u përhapën në të gjithë botën dhe themeluan civilizime të ndryshme, prandaj sipas tyre pretendohet se kontinenti i humbur ishte gjithashtu djepi i civilizimit mbarënjerëzor.


Është e njohur tashmë nga të gjithë historia e Atlantidës, qytetit legjendar të fundosur përjetësisht, siç përshkruhet nga filozofi antik grek Platoni. Por çështja "Atlantis" edhe sot e kësaj dite, në fakt, ngelet aq e diskutueshme, sa shumica nuk dinë nëse duhet ta marrin si të mirëqenë, apo duhet ta trajtojnë thjeshtë si një nga mitet e lashtësisë. Mëdyshja duket do vazhdojë gjatë, sepse asnjë artefakt i besueshëm ende nuk ekziston për këtë. Gjithësesi, edhe me tej, më në Lindje, në subkontinentin Indian, ekziston një legjendë e ngjashme, ndonëse më pak e njohur, krahasuar me atë të Atlantidës. Bëhet fjalë për “kontinentin e zhdukur” të Lemurisë, i cili lidhet me legjendën e Kumari Kandam nga indianët Tamil Nadu.

Termin Lemuria ky kontinent i pretenduar e mori në fundin e shek. XIX nga gjeologu Filip Sklater, i cili u mahnit nga prania e madhe e fosileve të kafshës së lemurit në Madagaskar dhe në Indi, gjë të cilën nuk e kishte hasur në Afriken kontinentale, as në Lindjen e Mesme. Kështu, në artikullin e tij të vitit 1864 me titull ”Gjitarët e Madagaskarit”, Sklater hodhi idenë se Madagaskari dhe India, sipas tij, dikur kishin qenë pjesë e një kontinenti më të madh, të cilën për shakak të pranisë së pazakontë të fosileve të lemurit, e quajti Lemuria.  Teoria e Sklater u pranua nga opinioni shkencor i asaj periudhe si shpjegimi me i arsyeshëm i mënyrës se si lemurët mund të kishin migruar nga Madagaskari në Indi, ose anasjelltas, në kohërat antike. Me shfaqjen e koncepteve moderne të shtrirjes kontinentale dhe të pllakave tektonike, teoria e  Sklater për një kontinent të zhytur tashmë ishte e diskutueshme, gjithësesi legjenda e kontinentit të zhdukur nuk u harrua, madje ka ende njerëz që besojnë se Lemuria ishte një kontinent real që ekzistonte në të kaluarën.

Një grup i tillë janë pra dhe fisi Tamil Nadu, të cilët e quajnë Kumari Kandam. Në folklorin dhe veprat letrare të gjuhës Tamil ekzistonin prej shekujsh historitë që bënin fjalë për një tokë antike qe e kishin përpirë ujërat e Oqeanit Indian. Shekuj me vonë, kur rrëfenjat për Lemurinë mbërritën në Indinë koloniale, vendi po kalonte një periudhë kur folklori mëtonte te ofrohej si histori.  Si rezultat i këtij fenomeni, Lemuria u barazua shpejt me Kumari Kandamin e indianëve Tamilë Nadu, të cilët e sjellin pothuaj me ndjenjën e një krenarie kombëtare dhe karakteristikat e një eposi.

Dikur mbretërit e dinastisë Pandijan të Kumari Kandam ishin sunduesit e krejt subkontinentit indian dhe sipas tyre civilizimi Tamil është civilizimi më i vjetër në botë. Sipas versionit Tamil, kur Kumari Kandam u zhyt ne oqean, banorët e tij u përhapën në të gjithë botën dhe themeluan civilizime të ndryshme, prandaj sipas tyre pretendohet se kontinenti i humbur ishte gjithashtu djepi i civilizimit mbarënjerëzor.

Por a ka të vërteta në legjendën e Kumari Kandam? Sipas studiuesve në Institutin Kombëtar të Oqeanografisë në Indi, rreth 14,500 vjet më parë niveli i detit ishte më i ulët se 100 m dhe rreth 10,000 vjet më parë më i ulët se 60 m. Prandaj, është plotësisht e mundur që dikur të ketë qenë një “urë tokësore” që lidhte ishullin e Sri Lankës me Indinë kontinentale. Ndërsa shkalla e ngrohjes globale u rrit midis 12,000 dhe 10,000 vjet më parë, rritja e niveleve të detit rezultoi në përmbytje periodike të ketyre tokave të ulëta. Si pasojë, ky fenomen i rritjes së nivelit të ujit, ka sjellë zhytjen në ujë të vendbanime prehistorike që ndodheshin pranë zonave bregdetare më të ulëta të Indisë dhe Sri Lankës. Historitë e këtyre ngjarjeve katastrofike mund të jenë transmetuar gojarisht nga një brez në tjetrin dhe më në fund ka rezultuar të shkruhen si historia e Kumari Kandam.

Një provë tjetër që sjellin shkencëtarët për të mbështetur ekzistencën e Kumari Kandam është dhe Ura e Adamit, e quajtur ndryshe edhe Ura e Ramës. Ky formacion vjen si një zinxhir gërmadhash guri gëlqeror i përbërë nga rëra, llumi dhe guralecë të vegjël përgjatë ngushticës Palk që shtrihet 18 milje nga India kryesore deri në Sri Lanka. Ashtu si në shumicën e miteve të botës së vjetër, duket se ka dhe për Lemurinë, apo Kumari Kandam, një të vërtetë, por se sa vlen për tu besuar, është ende shpejt për ta thënë.

 Copyright: PETRIT NIKA

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat