Tuesday, April 9, 2019

Ballkanasit e tjerë nuk i shkruajnë letra anonime Akademisë së Nobelit




Bisedë midis poetëve Petrit Nika dhe Flurans Ilia



FLURANS ILIA










Flurans Ilia rrjedh nga një familje ku, biblioteka dhe librat zinin vend qendror në mjedisin familjar. Humbja e babait do ta shtyjë qysh në fëmijëri drejt botës magjike të artit. Fillimi i viteve ’90 e gjen në një udhëtim bohem nëpër Ballkan, Evropë, Amerikën e Veriut. Mërgimi mban gjallë dëshirën dhe kontaktin e tij të vazhdueshëm me gjuhët dhe Fjalën. Atavizëm (Libri i parë me poezi) ndiqet nga tituj të tjerë si, Thembra e kujtesës (Proza, 2008), Jashtë sezonit (Roman, 2014). Aktualisht jeton prej shumë vitesh në Kanada.








Petrit Nika: Jeni lindur në Berat, në një qytet të lashtë, në vitin 1971. Në rininë tuaj keni bredhur Europën dhe prej shumë vitesh jetoni në Kanada. Pak Europë sipas Ballkanit, pak Europë nga perëndimi dhe pak Europë nga Kanadaja. A mendoni se këto udhëtime dhe përvoja kulturore kanë ndikimet e tyre në jetën tuaj letrare? Pa rënë në nivelin e ndonjë përgjithësimi stereotipik – cila nga këto kultura ka ndikimin më të fortë tek ju?

Flurans Ilia: Cilido qoftë fati, apo nënshtetësia e shkrimtarit, mendoj se fëmijëria është faktor i pa përthyeshëm në letërsi. Në bazë të asaj se si shkruan. Në të thënat, dhe (sidomos) të pathënat e shkrimit. Madje në krejt botëkuptimin më të qenësishëm të raportit me krijimin, si akt fundamental. Nuk besoj se ka një kulturë dytësore dominuese, qoftë kjo nëpërmjet shkollimit, apo nëpërmjet jetës që mund ta mposhtë bastionin e fëmijërisë tek një shkrimtar. Kultura e përthithur në fëmijëri është nga më magjiket, madje edhe atëherë kur i shpëton stereotipit si pjesë e një kulture sociale gjithpërfshirëse. Personazhët e saj janë demonët, në rrafshin morfologjik dhe sintaksor, të asaj që të përndjek si krijues. Fëmijëria është miti i letërsisë. Është gjendja burimore e veprës. Është fara nën terrin e tokës âmë. Të gjitha ndikimet e mëvonshme, janë veçse degëzime, teknikë, përvojë, përrenjtë dhe rrëkezat që ushqejnë këtë masiv të jetës dhe vdekjes.

Petrit Nika: Brenda një dite njerëzore janë të gjitha ditët, thoshte dikur Borhes. Si është një ditë nga të gjitha ditët tuaja Flurans?


Flurans Ilia: E vrullshme. Agresive. E shtershme. Depresive. Kalkuluese. Kreative. Profesionale. Ndonjëherë banale. Gjëmbaçe. Rrugaçe. Kuptimplote. Nriçuese. Lirike. Të gjitha këto të lidhura fort pas përgjegjësisë për veten, familjen, natyrën, respektin për tjetrin, e sidomos hulumtimit të natyrës njerëzore, marrdhënia me njerëzit. Vuaj nga përgjegjshmëria. Dhe më mrekullon natyra e njeriut. E sakrifikoj shkrimin për të përmbushur të gjitha përgjegjshmëritë njerëzore, jashtëletrare. Sikurse, vuaj si qen i rrahur në ditë të tilla kur nuk kam mundësi të përmbush përgjegjshmërinë ndaj “aktit të shkrimit” për të qetuar brenda vetes demonët e mi (të fëmijërisë?).

Petrit Nika: Ju njihni disa gjuhë të huaja dhe kjo ju mundëson të lexoni shumë autorë bashkëkohorë që ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Si mendoni, a është letërsia shqipe e pas viteve “90 në nivele bashkëkohore me letërsitë e gjuhëve më të mëdha të planetit? Tek ne sot shkruhet më shumë se sa lexohet, por e kam fjalën këtu për letërsinë më përfaqësuese.

Flurans Ilia: Nuk ka dyshim, e kam thënë edhe më parë, letërsia shqipe e pas viteve të 90-ta është në nivel bashkëkohor me simotrat e saj rrethvedi, sidomos me letërsitë e vendeve të Ballkanit. Me të vetmin ndryshim, ballkanasit e tjerë nuk i shkruajnë letra anonime Akademisë së Nobelit, meqë ra llafi, për cilindo kandidat që do mundësonte afirmimin e gjuhës dhe (kryesisht) vendit përkatës nën shejzën e laureatit. Ja kështu fillohen gjërat, avash avash, nga vetja së pari, pastaj në balancë me botën. Po ta mendosh, thellë thellë, ky është problemi thelbësor që pengon afirmimin e letërsisë bashkëkohore shqipe në botë. Të gjitha problematikat e tjera janë thjesht çështje teknike, gjë e cila do të thotë se, vendit tonë nuk i mungon letërsia e mirë dhe dinjitoze, i mungojnë dëshirat pozitive brenda njeriut, apo një grupimi njerëzish për ta shtytur letërsinë në këto nivele.
Petrit Nika: Ka zëra që kanë pohuar dhe ende  pohojnë se poezia mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në personalitetin e lexuesit, madje dhe në kulturën dhe shoqërinë e një vendi. Nga ana tjetër shkrimtarët dhe poetët në përgjithësi e mohojnë rolin edukativ të letërsisë. Ju si mendoni?

Flurans Ilia: Nuk mendoj se mohojnë rolin edukativ të letërsisë. Vetë shkrimtarët mohojnë rolin didaktik dhe moralizues të saj, në formën e drejtpërdrejtë, apo  ndoshta le të themi, në kuptimin skolastik të fjalës. Sepse, letërsia është shumë herë më tepër se kaq. Është kaq e gjerë sa vështirë të konsiderohet si vlerë e kanalizuar në një drejtim. Njësoj si të ngushtosh deltën natyrore të Nilit, apo të kanalizosh Amazonën. Është e pamundur që letërsia t’i imponohet lexuesit. Njeriu është ai që e gjen, zhvillon, konsolidon personalitetin e vet në ujërat e letërsisë.

Petrit Nika: Poezia e vërtetë është ajo poezi e cila është në gjendje t'i ofrojë lexuesit kënaqësinë e gjallë të gjuhës, të përtërirë nga bota e ngrirë e klisheve, është gjuha që sendërton universin e saj me elementë të kontekstit historik, me elementë të vetëdijes dhe intuitës, të ndjenjës sublime dhe ironisë.  A mund t’i sugjeroni lexuesit disa nga emrat e poetëve bashkëkohorë shqiptar që sipas jush ngrihen në kriterin e kësaj vlere?

Flurans Ilia: Poezia ngelet absolutisht forma më e epërme e gjuhës. Poeti përkon me atë çka mundëson rrugëtimin drejt këtij fenomeni. Një rrugëtim dinjitoz. Përngjan me peligrinazhin drejt vendeve të shenjta. Me avitjen drejt formës më natyrore të njeriut, që ende ngelet një mister për t'u eksploruar. Në këtë dekortikim formash, së pari gjuhësore, parë nga prespektiva e tiranisë së gjuhës, gjuha poetike prek të gjitha kontekstet e njeriut dhe historisë njerëzore. Nuk e shoh të nevojshme të sugjeroj emra të përvetshëm në këtë drejtim sepse sugjerimi im ka shumë mundësi të jetë i njëanshëm me atë çka kufizon njohja dhe shijet e mia poetike. Ndërkohë që poetët eksplorojnë forma nga më të ndryshmet. Dua ta lë në dorën e lexuesit të së ardhmes këtë gjykim. Gjykimi i tij do jetë shumë herë më tepër realist se gjykimi ynë si bashkëkohës i figurës emblematike të poetit tretur në të njëjtën gotë me ne, si lexues. 
  
Petrit Nika: Poeti bashkëkohor aziatiko-amerikan Li-Young Lee para ca kohësh deklaronte në një intervistë se, ndonëse ka jetuar përherë në qytete të mëdha,  ai kurrë në fakt nuk i ka dashur qytetet, pasi ato e shmangin njeriun nga natyra. Ju gjithashtu jetoni në një qytet të madh multikultural amerikano-verior, Montreal. A e ndjeni ju një gjë të tillë?

Flurans Ilia: Natyrisht. Të jetosh sot në metropol nuk është më një përzgjedhje, por një domosdoshmëri. Nuk është e thjeshtë të jetosh vazhdimisht në qytetet e mëdha të botës. Përvoja ime më fenomenale ngelet ajo në New York City. Në metropol është e përqendruar e gjithë jeta, në kuptimin ekzistencial të fjalës. Në qoftëse do të mbijetosh, “ja ku është sheshi dhe mejdani”. Kjo lloj atmosfere e fut njeriun në një egocentrizëm të paprecedent. E ngujon vazhdimisht te stresi i vazhdueshëm që qyqari në fjalë e merr për adrenalinë mbijetese kur në thelb nuk është e tillë. Kështu njeriu humb thelbësoren, kontaktin me natyrën, natyrën e vet. Ndaj ikën merr malet dhe pyjet dhe detërat në fundjavë, t’i falet për pak çaste vetvetes, oksigjenit.

Petrit Nika: Qytetërimi i sotëm ka arritur nivele të tilla të zhvillimit teknologjik, sa duket se e ka fituar betejën shekullore për nënshtrimin e natyrës. Ju si mendoni, ҫfarë po ndodh?

Flurans Ilia: Ajo që po ndodh është, njeriu i cili po del nga natyra e vet. Ky është aspekti më dramatik i krejt zhvillimit teknologjik. Nuk është natyra ajo që po nënshtrohet. Përkundrazi natyra tërbohet me shkatërrimin që po kryen njeriu. Ja tek u rikthyem edhe njëherë te domosdoshmëria e kësaj “gjëje krejt të pavlerë” si LETËRSIA DHE ARTET, të cilat i mundësojnë njeriut të njohë dhe kurojë katakombin e shpirtit të vet të plandosur. “Në kohën që punoja mbi zbulimin dhe zhvillimin e teorisë time të nënvetëdijes, gjithmonë vija re se para meje kishte kaluar një poet atypari,” shprehet pak a shumë Frojdi.

Petrit Nika: Ekziston një opinion që  poetët dhe shkrimtarët i stereotipizon si njerëz të vetmuar dhe pothuaj disi të izoluar nga shoqëria. Ju e ndjeni vetveten tuaj në këtë stereotip? Cili është roli i poetit në shoqërinë e sotme?

Flurans Ilia:  Këndvështrimi i poetit në raport me botën është i ndryshëm. Prespektiva e parjes së gjërave në kohë dhe hapësië është vizionar. Vetëdija e poetit është nënvetëdija e popullit të tij. Më duhet shpesh të dalë nga shpella e lëkurës time. E asaj çka jam si karakter. Nuk po pretendoj të marr sipër vetes atributin e rolit të poetit, kategorikisht jo, por e di shumë mirë se cili është roli i tij në shoqeri. Poeti kursesi nuk është lokomotiva e shoqërisë. E asaj shoqerie që në saj të poetit kulmon të riparojë motorin e saj të prishur. Poeti është transmisioni direkt i këtij motori dhe kësaj lëvizjeje krejt të brendëshme.

Petrit Nika: Dhe në fund; ju lutem na thoni diҫka për projektet tuaja letrare të afërme.

Flurans Ilia: Ato janë hë për hë ende kaotike. Dhe ky kaos rrënimtar është mëse i domosdoshëm dhe i shëndetshëm për vet natyrën e krijimit. Të shohim se si do të jetë rendi i gjërave pas këtij kaosi? Kërkimi i vazhdueshëm i së bukurës është pasaporta e të gjitha ideve.


Prill 2019

Wednesday, April 3, 2019

Romani “Baronesha Shenteben”, ose si mund ta shohim Shqipërinë me sytë e të huajve



(Fjala në përurimin e librit “Baronesha Shenteben”, të Viktor Canosinajt, mbajtur në Bibliotekën Publike Fier, më 19 dhjetor 2014)



Viktor Canosinaj

 Romani “Baronesha Shenteben” është një histori e çuditshme, austriako-shqiptare, ku ndërthuren përmes narracionit artistik drithërimat e pasionit njerëzor, të cilat i shpërfillin ato që ne i quajmë norma të disiplinimit të jetës.
Ky pasion zbulohet pak nga pak tek Baronesha Shenteben”, derisa tejkalon nga kontrolli dhe e çon më pas protagonisten e romanit drejt mëkatit. Rrethanat e martesës së saj të pafat e kanë sjellë që Baronesha të gjendet në një luftë midis njerëzores (e përfaqësuar nga etika) dhe kafshërores (e përfaqësuar nga bindja ndaj instiktit), ku ajo herë luhatet nga e para e herë nga e dyta.
Gjithësesi, ajo që të lë një mbresë të paharrueshme në receptimin e këtij romani është fakti se kjo histori trill vjen përmes një rrëfimi të shtruar, me një stil shumë të konsoliduar në aspektin natyrës së llojit të romanit që përfaqëson.
Ngjarjet e romanit zhvillohen pjesërisht në Shkodrën e viteve pak para Luftës së Parë Botërore, gjë e cila në fakt jepet vetëm tërthorazi si topos, si dhe në malsitë e veriut të Shqipërisë apo në Vjenë, aty nga fundi i romanit, - sjellin dramën e një çifti austriak, të dekoruar, apo të ndërthurur me një mori dramash të jetës shqiptare të fillimshekullit XX.
Protagonistët e kësaj drame janë baronesha Vilma Shenteben dhe baroni Rudi fon Shenteben, të cilët janë aq të pamundur të jenë ata që duhet të jenë në jetën e tyre bashkëshortore, megjithë përpjekjet, sa në vend që të vijnë duke u afruar drejt njëri-tjetrit, vazhdojnë të largohen pafundësisht dhe përjetësisht.
Pasioni i tyre shenjon të njëjtin objekt, dhe ndodh që kur të dy i afrohen, ai largohet përjetësisht prej tyre, pavarësisht se mbyllja e romanit të lë për të dyshuar. Në këtë sens romani përbën një përmbysje, një thyerje tabuje, një bindje të pashmangshme të personazheve ndaj pasionit.
Një nga aspektet mbresëlënëse në këtë roman janë disa momente përshkrimesh të realizuara në mënyrë vërtetë mjeshtërore. Do citoj këtu vetëm momentin sesi e shikon sipas narratorit të romanit, baronesha Shenteben Shkodrën kur zbret nga anija austriake, kur vjen për të takuar të shoqin që punonte në Shqipëri.
Torturës së anijes ia kishte zënë vendin troshitja për orë me radhë në një karrocë të mbyllur, që shkonte nëpër një rrugë të pashtruar mes fushave, derisa u kishte dalë para një kështjellë e vjetër me mure të rrënuar vende-vende, rrethuar me lumenj, që nuk kuptohej nga vinin e ku shkonin, në bedenat e së cilës dalloheshin disa topa të zinj që ngjanin si pantera të përgjumura. Nga krahu i rrugës valëvitej një flamur turk i dalëboje. “Nëpër fotot e tua duket më e bukur”, i ishte drejtuar ajo të shoqit disi e zhgënjyer.

Ky peisazh e zhvendos lexuesin menjëherë dhe pa vështirësi në kontekstin kohor të qytetit shqiptar të fillimshekullit XX, nën sundimin otoman.
Me mjeshtëri dhe vetëdije historike dhe etnologjike janë dhënë edhe sekuencat e ngjarjeve shqiptare që tërheqin vëmendjen e të huajve, siç janë baronesha Shenteben. Mund të përmend rastin kur ajo bëhet dëshmitare e një skene hasmërie, apo zënka të ndryshme që ndodhin për hiç gjë në qytet.
Elementët narrativë, si përshkrimet e hollësishme të mjediseve shqiptare ku zhvillohen ngjarjet, përshkrimet e gjendjeve psikologjike të personazhit, aspekte jetësore e historike të realizuara me kujdes dhe maturi lidhur me rikrijimin artistik të kontekstit historik kur zhvillohen ngjarjet, dialogu i denduar, ku diloguesit zbulohen natyrshëm, pa rënë në monotoni përcaktimesh, monologët që shprehin mendimin e ndrydhur, të pamundurën për ta shprehur me fjalë, ëndërra, parandjenja, letërkëmbimi, shprehja në letër e asaj që nuk mund të shprehej në afërsi, falli, udhëtimi dhe aventura, si dhe ndërtimi keq i një situate në fillim, e cila përfundon keq në fund, dhe vetëm në fund merret vesh qartë se ishte ndërtuar keq që në fillim, i japin kësaj proze gjithë karakteristikat e një romani të mirëpritur për lexuesin shqiptar, qoftë për të rinjtë, qoftë për moshat më madhore që ende e duan librin.



Dhjetor 2014

Tuesday, April 2, 2019

“Sot, librat shkruhen nga publiku dhe nuk lexohen nga askush”



Intervistë e dhënë për Politiko.Al




-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

“Epi i Gilgameshit”, i cili besohet se daton diku rreth 21 shekuj p.e.s. Ka një mistikë përdëllyese të vetëdijes për pashmangshmërinë e vdekjes si destin njerëzor. I dyti është “Libri egjiptian i të vdekurve”, edhe ky një libër mbi udhëtimin e shpirtit në përtej-jetë. Pastaj vijnë Homeri dhe disa nga klasikët e mëdhenj të letërsisë antike greke, disa epe mesjetare si “Këngët e Rolandit” etj.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nga autori. Zhanri fiton vlerë nga autori, nga mjeshtëria e tij për ta përmbushur me sukses sendërtimin tekstor.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo. Është e pamundur. Kam lexuar shumë prej tyre, disa edhe i kam rilexuar, por jo të gjithë i kam lexuar. Koha për lexim sa vjen dhe po bëhet një luks i pamundur. Kur dua të lexoj, mua më duhet të planifikoj një orar prej disa orësh. Nuk lexoj dot në mënyrë fragmentare.

-Libri i parë që keni lexuar…

Ka qenë romani “Zhelani i vogël” i shkrimtarit James Greenwood.  Kam qenë në klasën e dytë fillore. U nxita nga gravurat që ishin përdorur për të ilustruar këtë botim. Përshtypja ime mbi këtë libër ka qenë e fortë përgjatë gjithë fëmijërisë sime.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Nuk e mbaj mend, por besoj se kjo më ka ndodhur shumë herë.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Me miqtë i kam ndarë shpesh dhe shpesh kam huazuar edhe prej tyre libra të çmuar. Sot sa vjen dhe po humbet kjo traditë te brezat e rinj. Është për të ardhur keq. Shumë herë më ka ndodhur në fëmijëri ta quaj fatlum tjetrin që ka patur një libër të mirë në bibliotekën e tij dhe kam ëndërruar ta kem edhe vetë.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po. Kudo ku kam shkuar për qëndrim të gjatë, qoftë si nxënës apo student, jam anëtarësuar edhe në bibliotekën e qytetit. Në fëmijëri kam qenë gjithnjë anëtar i bibliotekës së shkollës dhe një ndër frekuentuesit më të dëshirueshëm të saj. Magjepsesha nga raftet plot me libra. Më pas, kur erdhi një kohë dhe m’u besua drejtimi i Bibliotekës Publike në Fier, e kujtoja shpesh ëndrrën e hershme.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Në bibliotekë kam shkuar gjithmonë. Tani më rrallë. Por nuk vuaj nga kjo, pasi kam në bibliotekën time libra të shkëlqyer dhe blej shpesh libra që mendoj se duhet të jenë në hapësirën e limituar të një biblioteke në mjedise familjare. Janë bibliotekat sot që vuajnë nga pasurimi me fonde të librit të mirë. Në ekipet e bibliotekave duhet të përfshihen njerëz që e njohin letërsinë dhe librin, si dhe të financohen për pasurimin e tyre permanent në mënyrë që të kenë ç’të ofrojnë dhe të motivojnë leximin.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Po, më ka ndodhur, siç më ka ndodhur më shumë të jem unë ai që nuk më janë kthyer librat e huazuar miqve. Nuk e mbaj mend, por mendoj se kanë qenë libra deri diku të parëndësishëm.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Po. Shumë herë. Në vitin 2001 kur m’u dogj banesa kam humbur një bibliotekë të tërë, dosje me shënime nga hulumtimet e mia në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Institutit të Historisë, në Bibliotekën Françeskane në Shkodër etj., si dhe një mori dorëshkrimesh.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjw titull dhe si i siguronit?

Jo, nuk kam lexuar asnjëherë libra të ndaluar. Në moshën fëminore nuk bëhej fjalë. Më pas kur hyra në moshën e adoleshencës nuk kishte më libra të ndaluar. Mund të lexoje çdo gjë, mjafton të kishe kohë dhe dëshirë.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Është një rit për t’u lëvduar dhe unë dhuroj libra pothuaj gjithmonë, si dhe e vlerësoj shumë kur m’i dhurojnë të tjerët. Në fakt nuk më pëlqen t’i ndërhyj dhuruesit, në rastin kur librat më dhurohen mua, kurse për rastet kur dua të dhuroj vetë libra përpiqem të jem në sinkron me interest e lexuesit. Për mua është e pafalshme të mos lexohen librat e dhuruar. Përveç rasteve kur këto libra i dhurojnë autorë që s’ia kanë fare haberin nga libri. Vetëm fakti i grishjes është një arsye sociologjike për të mos i lexuar. Arsyet estetike janë madhore. Autorët e letërsisë së mirë vetëm heshtin. Ata nuk grishin asnjeri. Letërsia e tyre grish vetë, madje edhe shekuj pasi ata kanë pushuar së ekzistuari fizikisht në këtë botë.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ? 

Më pëlqen të lexoj shtrirë. Këtë zakon e kam bartur ndër vite që nga fëmijëria e largët. Kur merrem me libra studimorë lexoj kryesisht në tavolinën e punës dhe lexoj ngadalë e në qetësi të plotë. Ndodh që librat kanë shumë fraza e fragmente pothuajse të panevojshëm dhe i anashkaloj. Synoj të ndjek thelbin. Ndërsa te letërsia më tërheq më së shumti rrëfimi. Po nuk pati rrëfim mjeshtëror nuk e lexoj kurrë një libër nga zhanret e letërsisë. Letërsia është gjuhë.

-A lexoni në banjë?

Më ka qëlluar të lexoj fragmente gazetash. Shpesh më ka ndodhur të informohem për ngjarje që kanë ndodhur muaj më parë dhe s’e kam ditur. Në banjë njeriu është në privatësi të plotë. Më pëlqen, por nuk e kam qëllim.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Në serbokroatisht, në anglisht dhe më pak në italisht.  

 -Mbani shënime kur lexoni?

Kur nisem nga qëllime studimore, mbaj edhe shënime. Në përgjithësi lexoj lirisht dhe nuk dua të shkëputem nga magjia e tekstit. Shënimet e fragmentarizojnë disi tekstin, krijojnë shkëputje ndjesore. Për mua leximi i parë është impresionues, njëlloj si çdo zbulim. Shkëputjet e dendura mendoj se i bëjnë dëm familjarizimit të receptuesit me tekstin.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Secila nga zhanret e përmendura ka madhështinë e saj. Për mua më e magjishme është poezia, por rrallë poezi më magjepsin. Poezia është produkt i një morie përvojash jetësore e leximore, është thelbi i gjërave, lartësimi në universin e artit dhe ideve. Një autor nuk është e thënë të jetë gjithmonë i suksesshëm, ndaj jo gjithmonë mund të pajtohemi me nivelin e librave që ai shkruan.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

“Iliada” dhe “Odisea” nga Homeri, “Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Komedia Hyjnore” nga Dante, “Hamleti” nga Shakespeare, “Robinson Kruzo” nga Daniel Defoe, “Panairi i kotësive” e William Makepeace Thackeray, “Krim e ndëshkim” nga Dostojevski, “100 vjet vetmi” nga Marquez, “Ferma e kafshëve” nga George Orwell, “Katër kuartetet” dhe “Toka e djerrë” e T. Eliot, “Autobiografia” e Charles Darvin, “Ana Karenina” dhe “Lufta e paqja” nga Lev Tolstoi, “Xha Gorio” dhe “Iluzionet e humbura” nga Balzac, “E kuqja dhe e zeza” nga Stendhal, “Dr. Zhivago” nga Boris Pasternak, “Alef” nga Borges etj. Listës do t’i shtoja edhe shumë të tjerë tituj dhe emra si Hemingway, Kafka, Paz, Ljosa, Brodskij, Pamuk.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Jo, në asnjë mënyrë. Asnjëherë nuk është shkruar libri total, në asnjë vend, në asnjë gjuhë dhe në asnjë epokë. Ky libër, po të mund të shkruhej, do ta mbyllte përgjithmonë epokën për librat e mëvonshëm. Pavarësisht kësaj domosdoshmërie për risi, sot letërsia e ditëve tona ngjan si një epilog i vakët i librave të mëparshëm, disa prej të cilëve i përmenda më lat.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Do të merrja vetëm librat  mi. (Hahaha) Do të doja të shpëtohej “Iliada”, “Odisea” dhe “Don Kishoti i Mançës”, diçka nga dy epoka shumë të largëta, që bota në moshën tjetër t’i kishte si pika referimi për epokat e para apokalipsit.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Oscar Wilde ka një maksimë që më vjen shpesh në mendje, ngase i shkon realitetit të sotëm. “Në ditët e vjetra librat shkruheshin nga njerëzit e letrave dhe lexoheshin nga publiku, kurse sot librat shkruhen nga publiku dhe nuk lexohen nga askush.”

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Tek poezia “Muri i brendshëm i Tokios” Paul Claudel-i ka një varg përmbyllës sentencial: “Kam mësuar se, për të shkuar nga një pikë në tjetrën, mund të kalosh nga gjithkund përveçse nga qendra.” E nisim jetën plot me ëndërra e projekte dhe kur arrijmë në një pikë shohim sa pak kemi realizuar dhe e kuptojmë se rrugën tonë dikush e ka shmangur me kohë nga drejtimi i saj.

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar? 

Robinson Kruzo për mua mbetet kryepersonazh. Një karakter që lufton për mbijetesë në konditat ekstreme të vetmisë në ishullin e panjohur ku e hodhi fati.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Kam shumë autografe, por gjithmonë nga miqtë dhe që të gjithë i konsideroj të çmuar.

-Çfarë po lexoni?

Aktualisht jam duke lexuar “Konkuista e Amerikës” nga Tzvetan Todorov.

Friday, March 29, 2019

Petrit Nika - njeriu i heshtur i letërsisë dhe publicistikës.


 (Portret)

Nga Ilirjan Gjika




Ilirjan Gjika





1.
Petrit Nikën e kam njohur në një mesditë vere të vitit 2004. Na prezantoi në sallën e Bibliotekës Publike të qytetit të Fierit miku ynë i përbashkët, poeti Enertin Dheskali. “Ky është Petrit Nika.” - më sqaroi Enertini dhe unë pashë me vëmendje këtë djalosh disi shtatlartë, emrin e të cilit e kisha ndeshur diku më parë në median e shkruar. Pas prezantimit u ulëm në një kafene dhe nuk e kuptuam se si u harruam aty për orë të tëra, ashtu siç na ndodh shpesh edhe sot, kur diskutojmë rreth problemeve të ndryshme, duke nisur nga letërsia e historia, e duke përfunduar tek temat sociale të ditës dhe tek politika.
Me Petritin kemi qenë pjesëmarrës në dhjetëra aktivitete kulturore. Kemi mbajtur referate e diskutime, ku shpesh ai ka qenë pjesëmarrës në rolin e lektorit, ndërsa unë gjithashtu në rolin e lektorit apo diskutuesit. Shpesh herë kemi debatuar bashkë për probleme të ndryshme, në mjedise me intelektualë fierakë, por edhe në tryeza e aktivitete me miq nga Tirana, Prishtina, Shkupi apo Ulqini.
Kështu, pa e patur të vështirë të shkruaj për të, vendosa të krijoj një profil të këtij intelektuali të ri, që pa frikë do ta cilësoja si një intelektual që frymon fuqishëm me ritmin e kohës, duke e përjetuar thellë në vetvete çdo fenomen të saj.

2.
Petrit Nika u lind në fshatin Dardhë të rrethit të Pukës, më 9 qershor 1975. Tek njëri nga librat e tij për fëmijë, duke folur për ditëlindjen ai shprehet me doza poetike dhe shakaje njëkohësisht se atë ditë “në oborr ndriçonte një diell që i ngjitej enës së qelqtë qiellore me nge, ndërsa mbi dritaren e shtëpisë sime zgjaste degët një qershi, e cila asokohe sapo ishte pjekur.” Fëmijëria, siç shprehet Nika prapë po tek ky libër, i kaloi përmes përjetimesh të forta që ia falte peisazhi bujar dhe kontrastik i maleve, lumenjëve, borërave, erërave, pyjeve, lëndinave e luleve. “Kujtimet e mia për atë vend janë të pashlyeshme”, shprehet ai.
Ndoshta Petriti ishte pajisur nga vetë natyra me aftësinë më të theksuar të përjetimit dhe pikërisht për këtë ai e filloi që në bankat e shkollës fillore krijimtarinë letrare, ku pikë referimi tematike bëhej natyra e maleve me hapësirat e tyre të pamata të enigmës dhe lirisë. Vite më vonë, ndonëse gjimnazist i vitit të tretë, duke u ndarë njëherë e përgjithmonë me fëmijërinë, ato përvoja do t’i memorizonte në dy libra për fëmijë; “Gjinkalla dhe milingona” dhe “Trembëdhjetë përralla pelegrine”. Atëherë ishin vitet 1993 – 1994, por këta libra do të arrinte t’i botonte vetëm në vitet 2004 dhe 2005. Një pritje prej më shumë se dhjetë vjetësh. Në vitin 2004 del vëllimi me fabula i titulluar “Gjinkalla dhe milingona”, ndërsa një vit më vonë botohet libri tjetër, kësaj radhe me përralla, i titulluar “Trembëdhjetë përralla pelegrine”. Ndonëse për nivelin e tyre artistik këto dy libra nuk bien më poshtë se shumë prej librave të autorëve më me përvojë që shkruajn për fëmijë, çuditërisht asnjëherë për këta libra nuk është folur as edhe një rresht në shtypin e shkruar dhe s’janë përfillur për t’u vënë në listën e librave të rekomanduar nga MASH, për nxënësit e shkollave.
Duke fantazuar të bukurat e moshës fëminore, ai sjell përpara lexuesit të vogël emocionet e jetës së vendlindjes, me përrenjtë plot ujë, pyjet e dendur me gështenja e lisa, lëndinat e bukura buzë Drinit, historitë e të cilave, siç dëshmon edhe vetë, i hidhte në letër ditë pas dite. Duke zbuluar përpara këtij lloj lexuesi botën e përrallave, autori Petrit Nika zbulon botën e vërtetë të fëmijëve, dëshirat dhe ëndërrat e tyre që ndryshojnë shumë nga tonat. Kështu ndjenjat, idetë, shqetësimet, veprimet dhe gëzimet e personazheve që gjallojnë këtu shprehin në mënyrë etike moralin që autori kërkon të përçojë tek kjo masë e lexuesit të vogël, për të cilën ai duket se ka një afeksion të veçantë.


3.
Gjithësej, deri tani Nika ka botuar vetëm katër libra, ndërsa dy të tjerë pret t’i botojë në të ardhmen, një me poezi dhe një me tregime.
Atij i ka pëlqyer gjithmonë që të përzgjedhë në kohë të ndryshme, forma të ndryshme komunikimi. Fillimisht kur ishte ende gjimnazist ai u prezantua përpara publikut me vëllimin poetik: ”Mëngjes në Alpe”. Jo pa qëllim Dritëro Agolli në parathënien e librit theksoi se “Petrit Nika është një vrojtues i çuditshëm i natyrës, i maleve, kreshtave, përrenjëve dhe lumenjëve, vrojtues i banorëve që shkojnë jetën andej.” Dhe vazhdon: “Në poezinë e tij ndjehet dashuria për njerëzit dhe malësinë. Aty ai vë re edhe gjërat më të padukshme që dikush tjetër do t’i kalonte pa i ndjerë dhe pa i parë.”
Ndërkohë, me kalimin e viteve, duke qenë student në Tiranë dhe pjesërisht i përfshirë në botën e medias, herë si reporter e herë si bashkëpunëtor letrar, duke thelluar dhe njohjet e tij mbi letërsinë, P. Nika filloi t’i qasej edhe shkrimit publicistik. Janë faqe të tëra në gazetat “Tema”, “Fjala”, “Albania”, “Rilindja e Kosovës”, “Metropol”, “Standard” dhe së fundi edhe “Shekulli”, ku ai botoi në mënyrë periodike analiza, komente, ese, reçensione librash, tregime e poezi.
Rreth kësaj veprimtarie një tjetër autor i njohur i viteve “90, pedagogu dhe studiuesi Granit Zela, citon: ”E lexon fjalën e shndërruar në dashuri nga Petrit Nika dhe ankthi që të kap është ai i fatit të mbrapshtë dhe i ferrit të cilit duhet t’i bien pash, ai dhe sivëllezërit e tij.”
Ndërkohë, në vitin 2007 Petrit Nika botoi të parin libër publicistik të titulluar: “Nostalgji apo ankth ekzistencial”. Nën këtë titull intrigues autori kish përmbledhur një pjesë të mirë të artikujve publicistikë që kishte botuar në shtypin e përditshëm ndër vite. Duke shfletuar me vëmendje faqet e këtij libri gjykon vërtetë aftësinë dhe talentin e penës së Nikës, jo vetëm në zgjedhjen e temave dhe të lëndës, por edhe në përshkrimet mjeshtërore të materialeve të trajtuara. Ja se ç’thotë përsëri Granit Zela për Nikën, në librin e tij “Shkronjat e errësirës”: “Po ta konceptojmë si një filëm të gjithë librin atëherë skena e ngjarjeve është kryesisht metropoli shqiptar, një (krye)qytet ku ngjarjet janë anormale, qytetarët janë shndërruar në mendjeshpëlarë prej industrive moderne, komercializmit, teknologjisë, retorikës mendjebjerrëse, kotësisë dhe kakofonisë së ligjërimit publik. Luksi i kameramanit qëndron në faktin se mund t’I afrohet dhe largohet objektit të vëzhgimit sipas nevojës së rrokjes më të tërësishme të cameras, e cila përballë tij shndërrohet në një object estetik nëpërmjet fjalës.” Kështu, duke zotëruar dhe përdorur me finesë dhe një arsenal gjuhësor të zgjedhur, madje herë - herë ironik, Nika operon me një teknikë narrative të natyrshme. Ai rrëfen duke hequr paralele të çuditshme në kohë dhe hapësirë në të cilat rrokullisen gjithfarë ngjarjesh dhe gjallojnë gjithfarë personazhesh. Herë - herë ai shfaqet, jo vetëm konstatues por edhe polemizues ndaj fenomeneve të sotme sociale, politike e kulturore, duke dëshmuar si rrallë autorë shqiptarë të brezit të tij, se edhe nga humbëtira e provincës, po të jesh i talentuar dhe këmbëngulës, mund të bëhesh pjesë mbresëlënëse e mozaikut të publicistikës elitare të vendit.

3.
Krahas krijimtarisë letrare Petrit Nika nuk i është ndarë edhe punës së përditshme. Pasi u diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 2000, ai punoi për një vit si mësues letërsie në vendlindje, në Pukë, për të vazhduar që nga viti 2001 në Fier në disa institucione arsimore të këtij qyteti, në fillim publike dhe së fundi në gjimnazin e njohur privat “Numani”. Krahas orëve të mësimit, punës edukative dhe metodike të mësimdhënësit, ai u përpoq që me syrin e njeriut të stërvitur me krijime të punonte edhe me talentet e reja, tek të cilat shihte veten e tij të përsëritur, në moshën e largët të fëmijërisë. Me këshillën e leximit dhe të nxitjes për t’i qasur adoleshentët tek libri, ai grumbulloi rreth vetes një grup talentesh të reja me të cilët themeloi Klubin Letrar “Pegasi” për të rinjtë e gjimnazit dhe nxori revistën kultorologjike me të njëjtin emër, e cila botohet në mënyrë periodike me nga njëzet faqe çdo numër. I këtij Klubi Letrar ishte dhe Renaldo Meta, nxënësi i tij gjimnazist që në harkun kohor midis viteve 2005 - 2008 botoi nën redaktimin dhe përkujdesjen e Nikës romanin “Çapkënët e Kaninës” dhe novelat “Dragoi” dhe “Botë e egër”. Padyshim, një sprovë jo e lehtë, por fatmirësisht e suksesshme për nxënësin dhe mësuesin e vet.  Sikur të mos i mjaftonte vetëm proçesi i tij krijues, apo zgjimi tek të tjerët i dëshirës për krijimtarinë, veprimtaria letrare e Nikës nuk ndalet këtu. Ashtu si gladiatori që u sulet pa hezituar rreziqeve të arenës, edhe ai provon një tjetër duel; duke u shfaqur si redaktor i një duzine vëllimesh në prozë dhe në poezi. Në vitin 2005 Petrit Nika ndan me Prof. Dr. Adriatik Kallullin redaktimin dhe reçensën e librit “Në gjumë zura poetët”, të poetit dhe skulptorit të njohur Haxhi Kalluci. Më pas do të jenë dhe disa libra të shkrimtarit të njohur Fran Ukcama që do të kalojnë nën vështrimin kritik të Nikës. Mund të citojmë titujt e disa prej tyre, si: “Postieri i zemrave”, “Vjosana bija e delfinit”, “A do kthehen pëllumbat në Gërdec?”, botime të mirëpritura nga lexuesit e vegjël të moshës shkollore, si dhe së fundi vëllimin poetik të Ukcamës “Kulla në qerpik të diellit”, për të cilin në një shkrim të botuar në një periodik të Kosovës, studiuesi kosovar Dr. Faik Shkodra është shprehur se; “poeti ka derdhur një energji prej së cilës reflektohen thellësitë e mendimeve të krijuesit dhe dendësia e shtresave meditative.”

4.
Poezia për Petrit Nikën konsiderohet si Toka e Premtuar për Moisiun e kohëve biblike. Ajo mbetet pasioni, ambicja dhe sfida e tij e përhershme.
Këtë rrugëtim Nika e nisi çerek shekulli më parë, asokohe i pavetëdijshëm dhe i rrethuar nga pafajsia fëminore, atje në vendlindjen e tij të paharruar, buzë Drinit, pranë Alpeve shqiptare, në Dardhë të Pukës.
Nuk ishte veçse në klasën e dytë fillore kur shkroi poezinë e parë. Ishte pranverë, ndoshta mars apo prill, kur mësuesi i tij i fillores i porositi nxënësit e tij të vegjël për të krijuar nga një vjershë. U tregoi dhe modelin, duke marrë si shembull një vjershë tjetër nga libri i leximit.  “Në fakt s’ia kisha qejfin fare t’ia hyja asaj pune, - thotë Petriti pas njëzet vjetësh nga ajo ditë, në një intervistë, - por detyra qe detyrë dhe mësuesi im qe i rreptë dhe s’bëhej shaka me të. Ndenja gjatë për të shkruar tre strofat e vjershës së titulluar “Pranvera”. Ajo ishte vjersha ime e parë dhe e paharruar. Të nesërmen ia dhashë mësuesit. S’mund t’i harroj kurrë ato momentet kur ai lexonte krijimin tim, ndërsa unë prisja me padurim përgjigjen. Kështu P. Nika e kaloi Drinin për të zotëruar plot energji pushtetin e fjalës, si dikur Cezari Rubikonin për të marrë pushtetin perandorak të Romës. 
Ai filloi të shkruaj pandërprerje tashmë për të fituar vite më vonë , çmimin e parë dhe fatmirësisht të parë, në vitin 1996 nga gazeta e përditshme “55”, në një konkurs letrar mujor me poezi të botuar në faqet e së dielës. Në vitin 2005, Petrit Nika fitoi çmimin e tretë në një Konkurs Kombëtar të poezisë, tashmë organizuar nga gazeta kulturologjike prestigjioze “Fjala” përgjatë vitit 2004, përzgjedhur midis shtatëdhjetë e nëntë konkurentëve, poetëve më të njohur të të gjitha trevave shqipfolëse të viteve nëntëdhjetë. Ja se ç’thuhet në gazetën “Panorama” të dates 1 shkurt 2005 lidhur me talentin që ndërkohë kishte spikatur si individualitet me një profil serioz në mediat kombëtare. “Për poezinë ndër 79 konkurentët fituan Florian Hida që është emigrant në Amerikë, Norel Zaimi, i cili është student i gjuhëve të huaja, Petrit Nika, një krijues gjithnjë aktiv, i cili është mësues dhe jeton në Fier.” Ndërsa gazeta “Korrieri” e datës 17 gusht 2004, me rastin e tre vjetorit të numrit të parë të gazetës “Fjala”, vinte në dukje kontributin kulturologjik të Nikës midis emrave më të njohur të letërsisë shqiptare të viteve "90, si Tufa, Leka, Çoçoli, Bala, Hatibi, Leshanaku, Marku, Zekthi etj.
Gjithashtu gazeta vë në dukje edhe rolin avanguardist dhe elitar të kësaj gazete në fushën e kulturologjisë, duke komentuar se “pluralizmi, që shumëkush e ka thënë me fjalë, djemtë e “Fjalës” e kanë realizuar me veprën e tyre në kulturë.”
Ndërkohë, veçse dy vite më vonë, Granit Zela duke lexuar poezitë në dorëshkrim, do të jepte një tjetër gjykim për vëllimin poetik të Nikës “Fuga Temporum”, fatkeqësisht për arsye financiare akoma të pabotuar. Në reçensën e tij Zela thotë se ky libër “është një shenjë e lënë pa bujë, krejt fisnikëri, prej poetit Petrit Nika, në të njëjtën kohë edhe një sfidë ndaj Kohës. Bashkë me  shenjtërinë e numrave Petrit Nika kthehet i shenjtëruar në Itakë me Pegas, në kërkim të paqes shpirtërore dhe kthimit të njeriut te përkorësia zanafillore. Ai  jeton me artin e tij dhe për artin e tij, ndërsa ky art flet me një gjuhë komunikuese, por njëherësh dhe abstraguese, të fshehtë. Peng i Muzës së vet, ngado që shkon, si një arratiak i pandreçshëm ai hedh vështrimin e përmallur nëpër botë dhe prehjen e gjen vetëm në Itakë.”
E përkthyer ndryshe Itaka e Nikës, do të konkludoja në mbylljen e këtij shkrimi, nuk është gjë tjetër veçëse letërsia. Kurse Pegasi që e çon pareshtur atje është patjetër frymëzimi i tij nga poezia dhe misteri i saj. Megjithëse edhe vetë Nika në njëfarë mënyre e shpreh diku këtë fakt. Në një intervistë, i pyetur se përse nuk kishte zgjedhur ndonjë profesion tjetër në jetë por letërsinë, ai përgjigjet: “Këtu ka një gjë që ndoshta ngjet si diçka e çuditshme, mbasi kur mua më erdhi koha për të zgjedhur, pasi kisha mbaruar të mesmen, papritur u ndjeva i pafuqishëm. Mesa duket, - thotë ai, - gradualisht dhe si pa e kuptuar kishte qenë letërsia ajo që më kishte zgjedhur mua si “kurbanin” e radhës. Po ç’bëra unë? Asgjë. Unë iu përula asaj përjetësisht.”


Botuar tek: Fieri.com, gusht 2009

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat