Thursday, June 6, 2024

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

 



Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e viteve “90. Poezitë e tij të para u bënë publike në emisionet e Radio Tiranës që në vitin 1993, më pas në disa shtojca letrare të kryeqytetit përgjatë viteve 1994 – 1996, ndërsa botimi i tij i parë erdhi në vitin 1997. Përveç librave me ese dhe shkrime publicistike, Nika ka botuar edhe pesë përmbledhje poetikë.


M. H. Kur keni filluar të shkruani poezi?

 

P. N. Më duket se kam një jetë që vazhdoj ende t’i përgjigjem kësaj pyetje. Mendoj se kam filluar të shkruaj që kur kam komunikuar me librin e parë në jetën time. Ky libër ishte romani “Zhelani i vogël” i James Greenwood. Mund të kem qenë midis 5-6 viteve të para të jetës sime kur rashë në kontakt me të në shtëpi. E kishte marrë motra ime në shkollë për ta lexuar dhe një ditë, kur ajo ishte në shkollë ende, unë e gjeta tek librat e saj të shkollës këtë libër dhe e mora. Kuptohet që nuk dija aspak të lexoja asnjë fjalë se unë akoma nuk kisha hyrë në shkollë. Më tërhoqën vizatimet e errëta të librit. Mu dukën shumë të mënxyrshme saqë më vunë realisht ne mendime. Duke parë këmbënguljen time, mbaj mend se më vonë nëna më lexoi pjesë nga ai libër. Në mendje më vinte pareshtuar një fëmijë tepër i varfër që vidhte lakra për të mbijetuar në rrugët e akullta të Londrës. Kurse unë nuk i haja as të ngrohta e të ziera me mish. Aq përshtypje të fortë më pati lënë ai libër sa vite më vonë, kur tashmë kisha mësuar të lexoj, e kërkova vetë në bibliotekën e shkollës dhe e lexova me një frymë. Kur isha student në Tiranë, e pashë përsëri këtë libër në tezgën e një bukinisti dhe e bleva pa u menduar dy herë. Ky libër mendoj se ishte i pari që më zgjoi ndjeshmëritë për ekzistencën tonë potencialisht të kërcënuar. Ndoshta mijëra vetë, apo miliona mund ta kenë lexuar këtë libër para meje, por nuk mund të them me saktësi në se ka ndikuar dhe në pikëpamjet e tyre që në kohët më të hershme të jetës së tyre. Tek unë duket se dha shkrepëtimën mjaftueshëm sa për të mos u ndarë kurrë më nga librat. Pas kësaj këmbënguljeje, ndonëse nuk kisha hyrë ende në shkollë, nëna ime se ku gjeti e më solli një abetare. Poezia nuk do vononte. Në klasë të dytë mbaj mend se kam shkruar poezinë e parë, por jo nga frymëzimi im. Erdhi si një përpjekje imja kolosale për të përmbushur një detyrë shkollore. Nuk mbaj mend të kem shkruar më poezi pastaj deri aty nga pragu i adoleshencës, nga fund i viteve “80. Në verën e vitit 1990 iu riktheva seriozisht poezisë, tashmë me vetëdije të plotë se kisha nevojë të shkruaj. Pothuajse kanë humbur të gjitha krijimet e asaj kohe, më ka ngelur vetëm një prej tyre të cilën e pata botuar më pas tek libri im i parë “Mëngjes në Alpe” në vitin 1997. Mbaj mend se në vitin 1991 dhe 1992 kisha mbushur katër fletore me poezi. Shkruaja shumë, grisja shumë. Por ishte një periudhë që nuk kisha modelet e poezisë që doja për të bërë më shumë për pjekurinë time poetike. Dhe kisha nevojë. Thjeshtë vazhdova të eksperimentoj botën time të trazuar prej adoleshenti të vetmuar në një mjedis malesh, pyjesh e lumenjsh ku stinët ishin në sinkron të përhershëm.

 


M. H. E më pas? Si fillove të komunikoje me botën si poet?

 

P. N. Realisht mua kurrë nuk më ka pëlqyer ta quaj veten “poet”. Kur më quajnë të tjerët, pothuaj përherë i kam peshuar në kandarin e dyshimit etiketimet e tyre ndaj meje dhe në mjediset ku jetoj nuk flas pothuaj kurrë për poezinë. As në atë kohë. Përveçse një kushëriri im i largët, i cili ishte shumë i afërt për mua, por ai u tërhoq shpejt nga kjo rrugë që kishim nisur bashkë që në bankat e 8 vjeçares. Ai ka qenë lexuesi dhe dëgjuesi i parë  poezive të mia të asaj periudhe. Jetoja në fshatim tim të lindjes në Dardhë të Pukës dhe nuk kisha asnjë kontakt me mediumet që botoheshin në vitet e para të “90-s. Njëherë, gjeta në një kioskë ku shiteshin gazeta, një numër të gazetës “E për7shme”. E bleva pa e ditur fare çfarë ka brenda vetëm se më tërhoqi mënyra e shkrimit të 7-s. Të them të drejtën më la përshtypje të fortë englendisja e çunave, por unë isha për diçka krejt tjetër. Kërkoja diçka më lirike, isha i dhënë kokë e këmbë pas lirizmit, natyrës dhe eksplorimit të vetvetes. Vite më vonë kur u njoha me Ervin Hatibin ia përmenda punën e gazetës dhe ai m’i mundësoi të gjithë numrat. As televizor nuk kisha. As radio. As gazeta. As revista. Gjatë kohës që unë isha në shkollë të mesme në Shkodër, aty nga fundi i vitit 1991 në fshat kishin bastisur bibliotekën e shtëpisë së kulturës dhe kishin djegur shkollën e fshatit. Kushëriri im, i cili ishte ende në shkollë 8 vjeçare, në gjurulldi e sipër kishte arritur të shpëtonte disa libra dhe i kishte marrë në shtëpi. Gjatë asaj periudhe i lexuam e analizuam me radhë ato libra. Disa prej tyre më kujtohen ende. Ky ishte i vetmi fill që na lidhte ende me qytetërimin në ato kushte. Nuk kishim as të ardhura. Në verën e vitit 1992 kam mbledhur boronica dhe me paratë e tyre bleva një magnetofon. Ishte një mrekulli. Fillova të ndjek radion. Radio Tirana kishte një emision në mos gaboj çdo të martë për letërsinë e të rinjëve, “Paralele artistike” dhe drejtohej nga Liljana Shanto. Poezitë i lexonte Xhelil Aliu. E ndiqja nga fillimi në fund emisjonin çdo javë dhe një ditë vendosa t’i nis disa poezi, shoqëruar me një letër ku iu bëja një vetëprezantim të shkurtër. Ky ishte prezantimi im i parë online lidhur me krijimtarinë. Ka qenë dimri i vitit 1993. Në vjeshtën e vitit 1993 dëgjova në valët e Radio Bullgarisë një intervistë të Fatmir Toçit, i cili kishte marrë pjesë në Panairin e Sofies. Mendova t’i shkruaj për t’u lidhur me të për botimin tim të parë, por nuk kisha asnjë adresë të tij. Atëherë i’u kërkova të dhëna Radio Bullgarisë. Një muaj donte posta të shkonte nga Puka në Sofie dhe një muaj derisa kthehej përgjigja. Kur mora të dhënat, i bëra një telegram Fatmirit, të cilit librin tim të parë ia dërgova për botim në vitin 1994, por botimi erdhi vetëm në vitin 1997.

 

 

M. H. Kur u botua ky libër e kemi ndarë bashkë me miqtë tanë të përbashkët kënaqësinë e botimit, sepse ndërkohë ishim në të njëjtin kurs në Fakultetin e Filologjisë këtu në Tiranë. Më kujtohet se e kam prezantuar tek gazeta “55. U angazhuan edhe disa miq të tjerë studentë të gazetarisë për ta prezantuar në mediat ku punonin. Si u prit ai libër?

 

P. N. Pothuaj ethet e atij libri për mua përfunduan kur e mora në dorë të sapobotuar. Nuk jam interesuar shumë asnjëherë si e kanë pritur. Unë e kisha përmbushur aty fazën time të parë të krijmtarisë që përkonte me periudhën midis viteve 1990 – 1994. Edhe pse libri u botua në vitin 1997, unë në fakt nuk kisha shtuar më asgjë aty, Pjesa më e madhe e poezive i takonin viteve 1993 – 1994. Një pjesë të krijimeve të këtyre viteve, të cilat nuk  i pata përfshirë te ky botim, i përfshiva tek libri im i dytë “Fuga temprum”, i cili u botua dymbëdhjetë vjet më vonë. Mbaj mend se studentët e pritën mirë dhe vërtetë disa nga studentët e gazetarisë u përpoqën t’i jepnin jehonë këtij botimi në mediat ku punonin. Ca kohë i pata ruajtur gazetat ku ishte shkruar për librin, por në vite i humba të gjitha. Edhe disa nga pedagogët më përgëzuan, por kishte diçka ironike te disa prej tyre. Nuk e kishin pranuar në fakt. Edhe sot e kësaj dite nuk më kanë pranuar. Askush prej tyre nuk ka shkruar kurrë një rresht, as emrin tim ta përmendin diku të paktën “in media ress”. Në ato kohë, një ditë në korridor të fakultetit po bisedoja me pedagogun tonë Koçi Petriti. Po më kërkonte që të bënim një promovim të librit në fakultet. Siç më ndodh edhe sot, në fakt unë nuk pata pikë dëshire për ta bërë një gjë të tillë. Por ai e kishte vërtetë seriozisht. Më bindi dhe shkuam e takuam shefin e departamentit të letërsisë, i cili gjithë ironi parimisht ra dakord, por promovimi nuk ndodhi kurrë. Askush nuk e përmendi më dhe unë nuk kërkova asgjë nga askush. Vitet kaluan dhe e unë u përpoqa ta nxjerr nga kujtesa e publikut pothuaj edhe vetë. Ai libër në fakt më përkiste vetëm mua, adoleshencës sime dhe askujt tjetër. Temperatura e poezive të atij libri ishte e lartë, ndonëse në ritëm kishte diçka nga gurgullima e krojeve dhe fëshfërima e erës. Në vendlindje atë libër e deshën të gjithë. Atje edhe sot me atë libër më identifikojnë, ndoshta sepse po aq ishte edhe i tyri. Prej tij për vete ruaj ende sot vetëm kopjen e fundit.

 

 

M. H. Sa identifikohet poezia juaj me lexuesin, me interesat dhe ndjeshmëritë e tij?

 

P. N. Këtë nuk di ta them me saktësi kurrë. Procesi i receptimit ndryshon nga një lexues tek tjetri, madje edhe tek vetë ne ndodh që ndryshojnë shijet nga njëra kohë në një kohë tjetër. Poezia nuk e ka të lehtë mbijetesën, sepse vetë komunikimi i saj nuk është i lehtë. George Sand thotë se ai lexues që arrin të marrë ndjeshmëri nga një poezi, është vetë poet, ndonëse në fakt mund të mos ketë shkruar kurrë një varg. Pavarësisht se unë di me saktësi vetëm çfarë jap dhe jo çfarë marrin ata (lexuesit), unë mund të them me plot bindje se me poezinë time gjithësesi vihet në komunikim lexuesi, ndonëse ndofta nuk e kupton atë, të paktën e di se e ndjen.  Lexuesi ka mekanizmat e veta perceptuese në çdo kohë sipas kohës që e orientojnë drejt kuptimit. Shpesh më ka ndodhur që lexuesit më kanë befasuar me interpretimet e tyre duke nxjerrë në dritë këndvështrime që unë as i kisha patur në mendje fare kur kam shkruar. Mbaj mend një ditë qershori kur ishim në fakultet, papritur mali i Dajtit u nxi nga një re gjigande e më pas nuk vonoi e ia behu një furtunë e madhe. Unë rrija mbështetur në parvazin e dritares në katin e dytë të fakultetit dhe po vështroja tërbimin e natyrës përjashta. Kisha ndjekur me dhjetëra stuhi të tilla gjatë stinës së verës në vendlindje dhe përherë për mua kanë qenë një emocion i vërtetë. Ndërkohë që shiu filloi të shoqërohej me një breshër të dendur, fillova të shkruaj mbi fletoren e leksonit poezinë “Këngë për një qytet”. Mbi mal ra mjegulla përsëri,/në shi kalërojnë mendimet;/tre vjet kështu u ngrysa tek ti,/tre vjet dhe në fund zhgënjimet./Përtej xhamit, midis ujit, në pellg,/bie ky breshër i fortë me zhurmë,/asgjë s’dua ndër mend të sjell,/stuhia ka reshtur tek unë./ Veç udhët e pista u zbardhën,/ dhe gjithë ç’solli kjo stuhi,/ e heshtur, e bardhë, e akullt,/kristalore tej mbi pluhur rri. Poezia u shkrua aq shpejt se ç’ishte edhe shfrimi në natyrë. Ndërkohë që stuhia po fashitej dhe unë po bëja ca ndërhyrje në vargjet e saposhkruara, mu afrua një nga shoqet tona të kursit dhe ma kërkoi për ta lexuar. Ngeli e mrekulluar, sipas saj nga gjetja ime për të shprehur seksualitetin përmes gjendjes në natyrë. Nuk po iu besoja veshëve. Ajo i kishte dhënë një interpretim frojdist aty për aty duke e parë në analogji me aktin seksual. Edhe pse në fakt unë e kisha lidhur ngjarjen në natyrë me shumësinë e ngjarjeve të jetës sime nëpër vite, nuk i ndërhyra për t’ia shpjeguar. Lexuesi e rikrijon tekstin. Ka të drejtë absolute ta shijojë si t’i vijë procesin e vet të rikrijimit.

 

 

M. H. Cilat tema apo ide eksploroni në poezinë tuaj? Si ndikojnë përvojat ose besimet tuaja personale në shkrimin tuaj?

 

P. N. Në vetvete poezia është një nga çështjet antropolgjike më thelbësore për të gjitha kohërat. Poezia ime është kryesisht eksplorim i vetvetes si qenie në marrëdhënie të pareshtur me mjedisin hapsinor, shpirtëror e social. Siç e ka thënë Allen Ginsberg, poezia ime nuk është një nga linjat që ravijëzohet sipas parimeve politike në modë, por materia e netëve pa gjumë përmes së cilës unë kam zbuluar para botës jetën time private. Në poezi rrallë nisem të gjej tema. Tema vjen e më gjen mua. Në fakt disa tema i mbaj gjatë në mendje para se t’i shkruaj. Janë tema që përftohen në ato mjediset që përmenda më lart gjatë trysnisë së ditës, por që sendërtohen kryesisht natën. Nata për mua është koha më e përshtatshme për të shkruar, por nuk është se e respektoj si një ritual të domosdoshëm. Nuk kam rituale të tilla. Madje disa krijime i le përgjysmë dhe u kthehem edhe vite më vonë. Unë shkruaj kudo dhe kurdo që e ndjej se është momenti. Ndoshta ju kujtohet, kur ishim studentë kishim një shok në katin tonë i cili, kur donte të shkruante, mbyllej natën në dhomën e tij, fikte dritën dhe shkruante nën dritën e qirinjëve. Unë nuk besoj tek ritualet as bestytnitë. As kur isha shumë i ri nuk kam besuar. Gjithësesi njeriu ka nevojë për të besuar dhe sigurisht kam edhe unë besimet e mia. Besoj kryesisht në gjëra tokësore, mbi të gjitha besoj në mrekullinë e dashurisë. Për mua ajo është fuqia që krijoi parajsat që premtojnë të gjitha tekstet teologjike. Dashuria është premtimi pa shpërblim, sepse shpërblimi qëndron tek vetë dashuria. Gjithë bota është në kërkim të saj, por pak, shumë pak e ndjejnë, sepse që ta ndjesh duhet ta kesh. Sumerët e lashtë rreth dyzet shekuj më parë besonin se çdo njeri ka zotin e vet personal. Sipas meritës që kishte zoti personal, ashtu ishte dhe jeta e personit përkatës. Në analogji me këtë traditë besimi, malsorët tonë deri në fund të shekullit XX, besonin ende tek orët. Sikurse sumerët, malsorët besonin se çdo njeri ka orën e vet dhe sipas meritave që kishte ora përkatëse, ashtu ishte edhe jeta e individit që mbrohej e udhëhiqej prej saj. Për ndonjërin që jeta po i shkonte si mos më keq, e nuk i ecte asgjë në jetë thoshin: “I ka vdekë ora.” Ose kur donin të mallkonin dikë, i thoshin: “Të vdektë ora!” Padyshim tërthorazi shumë informacione dhe ngjarje që akumulohen si përvoja nga jeta dhe leximet ndikojnë tek ngacmimet fillestare, por për poezinë nuk mjafton emocioni, duhen edhe elementë si gjuha dhe teknikat estetike për t’i kthyer dijet dhe emoconet në art.

 

 

M. H. A ka një marrëdhënie midis zërit me të cilin poetët komunikojnë në jetën e përditshme me atë zërin përmes të cilit flasin në poezi?

 

P. N. Gjuha e komunikimit të përditshëm nuk është kurrë një projekt i plotë. Ajo i përshtatet rrethanave dhe niveleve me njerëzit që na duhet të komunikojmë. Nëse gjuha e përditshme do të ishte në lartësinë e duhur t’i thoshte të gjitha nuk do të ekzistonte poezia. Në çdo rrethanë gjuha është tregues i personalitetit, por tek poeti nuk e shpreh plotësisht atë. Atëherë gjuha në poezi vjen ndryshe, përmes një projektimi të mendjes dhe sjell një univers tjetër psikik dhe linguistik. Edhe te gjuha poetike duhet një kujdes i jashtëzakonshëm nga stereotipet, metaforat e vdekura dhe leksiku i stërpërdorur nga poetë të tjerë.

 

 

M. H. A mendoni ju se poezia kontribuon tek jeta jonë, tek realiteti ku jetojmë?

 

P. N. Poezia është një nga artet më të lashta dhe mendoj se ka lindur bashkë me njeriun dhe do shuhet kur të shuhet edhe fryma e njeriut të fundit në këtë planet. Poezia ka ekzistuar edhe atëherë kur nuk ishte shkruar ende, ka ekzistuar e shkruar edhe më herët se sa e kemi të dokumentuar.  Poezia e parë e dokumentuar me autorësi pretendohet se i përket një priftëreshe sumere të quajtur Enheduana, e cila llogaritet se ka jetuar dyzet e gjashtë shekuj më parë. Himnet e saj lartësuese dhe vibrimi i ndjenjave të saj në ajrin e plogësht të shkretëtirës, duket se ishin bazuar mbi një traditë të mëparshme poetike. Dylan Thomas thoshte se një poezi e mirë e ndryshon realitetin, madje edhe universin, sepse na ndihmon të ndryshojmë konceptimet tona për botën dhe universin. Imagjinoni si do ishte bota pa Homerin, pa Eskilin, Virgjilin, Danten, Servantesin, Shekspirin? Imagjnoni si do ishte bota shqiptare pa poetët e vet? Para pak vitesh kur drejtoja bibliotekën e Fierit, u ndodha në një aktivitet në teatrin e Libohovës. Aktori Xhevat Limani, pasi bëri prezantimin e poemës së tij për Skënderbeun, zgjodhi disa poezi nga një pjesë e miqve tanë që ishin aty për t’ia prezantuar publikut vendas. Më kërkoi librin dhe aty për aty zgjodhi poezinë që i kisha kushtuar kohë më parë qenit tim. Me vete kisha vetëm librin “ Shtëpia e qenies”, edhe atë vetëm një kopje të vetme. “Fli, ullan, pusho ushtari im,/  e ke hak të prehesh si një mbret...” Pritja më la pa fjalë. Dhjetëra njerëz filluan po më kërkonin nëse kisha libra me vete. Mendoj se poezia kontribuon në zgjimin e skutave të fjetura, apo të pandriçuara mirë tek ndërgjegjia jonë për ta dalluar edhe atë që ne përgjithësisht, ose s’e vëmë re, ose e vëmë re shumë rrallë, ose, ose e shpërfillim, sepse nuk i japim dot formë.

 

 

M. H. Para ca ditësh kishe hedhur në facebook prapë një poezi kushtuar një qeni, që datonte e janarit 2024. Më bëri përshtypje se ngjarja ishte një ritual i përditshëm “...për ato botë midis të cilave vejevinte fiks në orën tre/ pasdreke një qen me tri këmbë e gjysmë,/dhe trafiku dyndej në asfalt nga autobusi i vogëlushes,/ dhe hapat e njerëzisë kalonin me shpërfillje,/ pa e kuptuar se ç’ndodh aspak aty në këtë orë...”. Apo ishte një fiction në funksion të poezisë? A ka fiction poezia juaj?

 

P. N. Procesi krijues nuk bën dot pa trillimin, por unë në poezi pothuaj jam reporter besnik i ngjarjeve shpirtërore. Kjo poezi nuk ka asnjë fakt nga fiction dhe ka vërtetë trajtat narrative të një proze poetike të çastit. Kthehesha një pasdite nga puna dhe i ndjeja këmbët rëndë, sikur vija nga Troja e largët. Po synoja të hyja në një dyqan frutash ndërkohë përballë meje pashë një gjë që po ecte në drejtimin tim pak hapa më tej. Përballë më binte dielli drejt e në sy dhe mezi shqova se ishte një qen, i cili mezi ecte mbi tri këmbë. Duke parë se ishte qen pa zot dhe pastrehë, mendova se do ta frikësoja ndaj ngadalësova hapin dhe u shmanga pak që t’i lija kohë të kalonte pa u trembur. Dhe ndërkohë po mendoja me keqardhje se nuk më ndodhej me vete asgjë që hahej që t’ia jepja atij qeni. Por ai eci edhe pak dhe qëndroi mu te cepi i pragut të dyqanit ku do futesha unë. Sapo u futa brenda diçka ndodhi. E pashë se qeni u ngrit gjithë gjallëri dhe mori nga rruga ku kishte ndaluar një autobus. Një vajzë e vogël zbriti qe andej me shpejtësi dhe i hodhi diçka dhe iku prapë me shpejtësi tek autobusi i cili menjëherë krijoi trafik. Dola të shoh dhe pashë se qeni kishte tre byrekë përpara dhe po hante gjithë uri. Pashë nga shitësja, një grua disi e moshuar, e cila dukej se ishte mësuar me këtë pamje. “Çfarë ndodhi?”, e pyeta. “Vjen çdo ditë në këtë orë”, tha ajo.  “Është një vajzë e vogël që i sjell çdo ditë ushqim.” “Çdo ditë?” e pyeta unë. Gruaja pohoi se pothuaj çdo ditë ata takoheshin bashkë në këtë kohë, për aq sa pashë edhe unë. Pastaj qeni ikën dhe nuk vjen më deri në orën e caktuar të ditës tjetër. Vura re orën në celularin tim. Ishte ora tre. Duke dalë nga dyqani u luta vërtetë për atë vajzë të vogël, të cilës as fytyrën nuk arrita t’ia shoh dot mirë. Besoj se janë të bekuar ata prindër që e kanë një fëmijë të tillë.

 

 

M. H. A mendon se botimet tuaja tashmë pas më shumë se tre dekadash që shkruani e botoni, kanë krijuar një lexues besnik?

 

P. N. Lexuesi besnik nuk ekziston. Unë nuk mendoj se duhet besuar tek një lexues ideal. Nuk ekziston. Që lexuesi të më kuptojë, ai duhet ta ketë jetuar jetën time. Ju tregova më lart një ndodhi të vogël kur ishim studentë në fakultet. Nga ana tjetër bota e letërsisë është e pafundme dhe unë nuk jam nga ata që duan ta shohin në kufij. Edhe pas botmimit një pjesë e librave të mi nuk shkuan dot te lexuesi, pasi unë nuk kam patur kurrë kontrata me shtëpitë botuese, apo agjensitë e librit. Librat e mi ua kam dhuruar miqve, nxënësve, bibliotekave dhe shumë syresh i kam ende në shtëpi. Disa poetë fillimisht përgatitën terrenin për emrin e tyre dhe më pas shkuan tek lexuesi. Kur lexuesi është bashkëkohës me autorin, faktorët socialë ndikojnë pozitivisht, apo negativisht padyshim. Gjithësesi platformat sociale sot janë akoma më efikase për ta shpërfillur industrinë e rrënuar të botimeve, sadoqë i qëndroj pikëpamjes se librin nuk e zëvendëson dot asgjë.  Richard Brautigan botonte me 1500 kopje në një vend si Amerika. Poezia në industrinë e botimeve shihet si kapital dhe tregu orientohet nga reklama. Poetët e brezave të mëparshëm patën fatin dhe risqet e tyre të përcaktuara nga zhvillimi i shoqërisë në të cilën jetuan. Edhe ne gjithashtu po përballemi me këtë. Në përgjithësi poezia ka pak lexues tek ne, madje brezi im edhe më pak nga sa e mendojnë. Poezia sot shkruhet kryesisht nga ata që lexojnë dhe ata që lexojnë të duan që t’i lexosh. Dikur e kam përjetuar herë - herë me nervozizëm këtë fenomen, por tashmë nuk kam asnjë pritshmëri nga asnjë mik në nivelet e klaneve dhe e marr krejt natyrshëm këtë situatë. Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre dhe askush nuk i pret më atje.

 

 

M. H. A besoni se poezitë tuaja duhet të lexohen në një rend të caktuar për t'u kuptuar ose vlerësuar me mirë?

 

P. N. Jo, nuk ka asnjë rregull për këtë. Por gjithësesi, mendoj se leximi kronologjik nga një libër tek tjetri ndihmon për të zbuluar më mirë. Në vite qëndrimet ndryshojnë, përvojat po, kimia mendore evoluon, stili gjithashtu.

 

M. H. Si i përballoni periudhat me më pak frymëzim apo krijimtari?

 

P. N. Normalisht. Merrem me problemet e ditës. Kur gjej kohë lexoj ndonjë libër, kërkoj në internet ndonjë gjë për të lexuar. Të shkruarit nuk e kam mision të përditshëm. Të qenit poet nuk është një profesion. Kam kaluar edhe periudha disa mujore pa shkruar asnjë poezi.

 

 

M. H. Diçka për planet tuaja?

 

P. N. Sa herë botoj një libër me poezi, kohët e fundit them ky do jetë i fundit. Në fakt kam në duar një përmbledhje të re së cilës po i jap trajtat përfundimtare. Por nuk e kam me nxitim. Kur askush nuk të pret nuk ke pse nxitohesh. Madje mundet edhe të mos nisesh fare në një takim ku askush nuk do dalë të të presë.

 

Intervistë e dhënë për portalin Startnews

 Copyright: startnews, Petrit Nika

https://startnews.news/2024/02/03/petrit-nika-edhe-te-burgosurit-me-denim-te-perjetshem-dikur-mesohen-me-faktin-se-bota-jashte-nuk-eshte-me-e-tyre/

Wednesday, November 15, 2023

Koha ciklike e lumit Nil dhe lindja e kalendarit

 

Në epokën tonë duket emcionuese nëse një aksesor i teknologjisë i mbijeton kohës së përdorimit për të paktën një dekadë. Kjo është shenjë e një evoluimi të vazhdueshëm, si shkak i globalizimit të tregjeve dhe kulturave botërore, ku një faktor determinant tashmë është edhe superteknologjia e informacionit. Diku para dy dekadave në internet kishin akses vetëm disa institucione të rëndësishme dhe biznese, ndërsa tani, mjafton të bësh një ofertë në një nga kompanitë e shërbimeve celulare dhe disa giga bite do t’ju ofrohen nga kompania bashkë me minutat për bisedë telefonike. Në vitin 2008, shumë pak veta kishin një llogari në facebook, apo në rrjete të tjera sociale, kurse tani edhe fëmijët 6 e 7 vjeçarë rezulton të kenë një llogari të hapur nga prindërit e tyre, kurse përdorues aktiv të fb mund të llogariten nga shumica e personave nga mosha 10 vjeç deri në 80 vjeç miliarda njerëz në gjithë botën.

Gjithësesi teknologjia jonë moderne është më tëpër “soft” sesa “hard”, dhe si rrjedhojë është shumë e paqëndrueshme dhe e përkohshme. Të gjesh sot një kompjuter Pentium I, krahasuar me markat e fundit të kompjuterave, do të duket si diçka antike. Ndoshta do të shkaktonte po atë habi, sa një papirus egjiptian i shekullit III p.K.

Të përfshirë nga trysnia e pazakontë e përditshmërisë sonë me tam-tame e alarme, ne edhe mëngjesin na ndodh ta hamë duke shkuar në punë, ku në njërën dorë mbajmë një croissant dhe në dorën tjetër celularin, duke klikuar portalet për të rejat e përditësuara gjatë natës. Në pushimin e drekës nëse kërkojmë ndonjë lajm të mëngjesit që na ka ngelur pa e lexuar disa orë më parë, do ta kemi të vështirë ta rigjejmë, sepse vendin e tij e kanë zënë dhjetra lajme të tjera, që nga aktiviteti i partive politike e deri tek bota e show bizz-it.

Në një situatë të tillë, lajmi i mëngjesit ngjan i largët, ndofta po aq sa ngjan e largët epoka e qytetërimit greko-romak, me epokën e qytetërimit të lashtë egjiptian.

Por po ta lëmë për një moment menjanë presionin e madh të përditshmërisë sonë dhe të mendojmë sesi arriti puna që në kohën tonë të bashkekzistojnë artefaktet e pesë mijëvjeçarëve, me artefaktet industriale që janë pjesë e përkohshme e jetës sonë, është e pamundur të mos ndjejmë admirim për veprën e përjetshme që lanë mbrapa njërzit e lashtë, e cila e përjetësoi kujtimin e tyre. Atëherë e kuptojmë se qytetërimet tona janë përgjithësisht të reja dhe të paqëndrueshme. Krahasojeni p.sh., moshën e qytetërimit të SHBA-ve me kohëzgjatjen prej më se 3000 viteve të qytetërimit të lashtë egjiptian. Sikur ky qytetërim të kishte qenë “soft” si ky yni, nuk do të kishim sot piramidat, obelisqet, varret, mauzelumet, tempujt, muret e qyteteve që ishin krenaria e njerëzimit dikur. Në shkretëtira, në pyje, në brigje lumenjsh e detesh, njeriu i lashtë la gjurmën e tij të ekzistencës në shekujt e largët. Stabiliteti i kësaj bote është i mahnitshëm, pothuaj në të gjitha vendet ku qytetërimi i lashtë kishte lindur, shfaqej njëkohësisht pothuaj i njëjti fenomen modern për ato kohë; labirinti, tempulli, obelisku, piramida, fortifikimi, sistemi i ujësjellësit, mjetet e lundrimit, piktografet në shkëmbinj e shpella. Por, mendoj se stabiliteti i Egjiptit ishte dominues më i gjatë në kohë nga të gjithë, më mahnitës nga të gjithë, më frymëzues nga të gjithë, madje edhe me vendet fqinje në Lindjen e Afërt.

Egjipti është një vend i kontrastteve dhe cikleve, si në gjeografi, ashtu edhe në historinë e vet kulturore. Toka e këtij vendi është pothuajse tërësisht shkretëtirë, përveç një oazi përjetësisht të gjelbër që shtrihet në të dy anët e deltës së Nilit. Lumi i fashëm që i jep jetë Egjiptit buron larg në jug në thellësi të Afrikës dhe e përfundon shtegtimin e tij në pjesën veriore të kontinentit duke u derdhur në detin Mesdhe. Nuk ka dyshim se pa këtë lumë, Egjipti nuk do të ekzistonte, sikurse nuk ka dyshim se ndikimi i këtij lumi në kulturën dhe zhvillimin e këtij vendi nuk mund të anashkalohet.

Ky lumë, në formë ciklike, çdo vit ofronte të njëjtën panorama të cilën egjiptianët e lashtë, sipas vëzhgimeve të tyre, e ndanë në tre sezone që ishin “akhet”, të cilat shënonin periudhën e përmbytjes së tokave, ”peret”, të cilat shënonin periudhën e rishfaqjes së tokës dhe mbjelljeve, si dhe “shemet”, që shënonin kohën e të korrave dhe përgatitjet për t’ua lënë tokën të lirë përsëri ujërave të lumit, të cilat e pasuronin çdo vit me mineralet jetëdhënëse të sjella nga thellësia e kontinentit afrikan. Këto cikle ishin aq të qëndrueshme, të pagabueshme në kohën e vet dhe të matshme, sa kjo rregullsi, pranuar edhe sipas disa studiusve, qe fenomeni që i nxiti egjitianët e lashtë të formonin konceptin e rrjedhës së kohës e falë kësaj të bënin edhe kalendarin e parë. Kalendari që përdorim ne sot është bazuar pikërisht në konceptimin e kalendarit të lashtë egjiptian. Secili nga tre sezonet që lidheshin me ciklet e lumit Nil, ndahej në katër muaj me nga 30 ditë. Viti egjiptian kishte 3 sezone, 12 muaj dhe 360 ditë. Konceptimi i ciklit linear diellor ishte ndoshta ndodhi pak më vonë, por shkonte në përputhje të plotë me ciklin që kishte diktuar Nili. Kështu egjiptianët të dy ciklet që lëviznin ditët e netët në Egjipt i lidhën me emrat e dy hyjnive: me hyjninë Osiris që ishte hyjnia e bujqësisë dhe e blerimit, por edhe e të vdekurve (përmbytjet – kuptohet se shkaktonin edhe të vdekur, mjerim e sëmundje), si dhe me hyjninë Ra që ishte perëndia e diellit dhe e dritës. Ky dualitet ishte i mirëmenduar nga dijetarët e këtij vendi dhe bazohej në vëzhgimet e tyre të tokës e të qiellit.                                                                                                                                                                                                   

Janar 2022



Friday, January 8, 2021

Eratosteni dhe matja prej tij e perimetrit të Tokës

 

Eratosteni dhe matja prej tij e perimetrit të Tokës

 


Rreth vitit 500 p.e.s, shumica e grekëve të lashtë besonin se Toka ishte e rrumbullakët, jo e rrafshët. Gjithësesi askush nuk e kishte idenë e madhësisë së planetit deri në vitin 240 p.e.s., kur Eratosteni shpiku një metodë mjaft inteligjente për ta vlerësuar perimetrin e tij.  

Para Eratosteni, aty rreth vitit 500 p.e.s., qe Pitagora i pari që hodhi idenë se Toka ishte sferike, duke u referuar më tepër në baza estetike se sa në prova fizike. Grekët e lashtë besonin se sfera ishte forma më e përsosur. Kjo ishte pikënisja e parë e Pitagorës drejt konkluzionit për Tokën. Ndoshta i pari që propozoi një Tokë sferike bazuar në provat fizike aktuale ishte Aristoteli (384-322 p.e.s.), i cili radhiti disa argumente pse sipas tij Toka ishte sferike.  

1. Anijet zhduken më parë se horizonti kur lundrojnë në det.

2. Toka hedh një hije të rrumbullakët në hënë gjatë eklipsit hënor.

3. Konstelacione të ndryshme janë të dukshme në gjerësi gjeografike të ndryshme.


Është pikërisht koha kur filozofët athinas kishin filluar të besonin se bota mund të shpjegohej me saktë përmes vëzhgimit të proceseve natyrore sesa duke iu lutur perëndive. Në këtë kohë astronomët e lashtë filluan të bënin matjet e para fizike, për të parashikuar më mirë stinët dhe kalendarët. Personi i parë që përcaktoi madhësinë e Tokës ishte Eratosteni i Kirenës, i cili shpiku një matje çuditërisht efikase për kohën duke përdorur një skemë të thjeshtë që kombinonte llogaritjet gjeometrike me vëzhgimet fizike.

Eratosteni u lind në Kirenë (tani Shahhat) të Libisë  rreth vitit 276 p.e.s. Ai studioi në liceun e Athinës. Rreth vitit 240 p.e.s., Ptolemeu III i Aleksandrisë e emëroi administrator të Bibliotekës së Aleksandrisë.

I njohur si një nga studiuesit më të shquar të epokës së vet, Eratosteni la vepra mbresëlënëse në astronomi, matematikë, gjeografi, filozofi dhe poezi.

Arritja më e famshme e Eratostenit ishte matja e  perimetrit të Tokës. Ai i pati regjistruar detajet e kësaj matjeje në një dorëshkrim që tani ka humbur, por teknika e përdorur prej tij është përshkruar nga historianë dhe shkrimtarë të tjerë grekë.

Para së gjithash thuhet se Eratosteni ishte i magjepsur pas gjeografinë dhe planifikoi të bënte një hartë të të gjithë botës. Por për ta realizuar këtë duhej të dinte më parë madhësinë e Tokës. Në ato kohëra as mund të bëhej fjale per ta përshkuar botën rreth e rrotull siç bëri shekuj me vonë Magelani.  

Eratostoteni kishte dëgjuar nga udhëtarët për një pus në Siene (tani Asuan, Egjipt) i cili ndodhej në një pronë. Në mesditë në solsticin e verës, i cili ndodh rreth 21 qershorit të çdo viti, dielli ndriçonte krejt fundin e pusit, pa hedhur asnje hije, gjë që tregonte se dielli ishte direkt mbi kokë. Eratosteni mati pastaj këndin e një hijeje të lëshuar nga një obelisk në mesditën e solsticit të verës në Aleksandri, dhe zbuloi se bënte një kënd prej rreth 7,2 gradë, ose rreth 1/50 e një rrethi të plotë.

Ai e kuptoi që nëse do të dinte distancën nga Aleksandria në Sienë, duhej të llogariste perimetrin e Tokës. Në ato kohera kjo ishte tepër e vështirë. Distancat midis qyteteve mateshin me kohën që i duhej një karvani gamilesh për të përshkuar hapësirën nga një qytet në tjetrin. Por devetë ecin me shpejtësi të ndryshme dhe koha nuk ishte gjithmone e njejtë. Per të shmangur këtë fenomen Eratosteni punësoi disa topografë profesionistë të stërvitur për të ecur me hapa me gjatësi të njëjtë. Ata zbuluan se Siena ishte rreth 5000 stade larg nga Aleksandria.

Duke shumëzuar 50 me njësinë 5.000, Eratosteni arriti në shifrën 250.000 stade që sipas tij duhej të ishte perimetri i Tokës.

Studiuesit modernë nuk pajtohen me gjatesinë e perimetrit që përcaktoi Eratosteni, por gjithësesi është e mahnitshme se diferenca është afruar shumë. Toka sipas matjeve të Eristotenit ishte 24 000 milje. Shkenca tani ka vërtetuar se perimetri i Tokës rreth ekuatorit është rreth 24 900 milje, kurse në pole diçka me pak.

Saturday, December 26, 2020

Labirintet antike prej guri në ishullin Bolshoi Zaiatskij

Labirintet antike prej guri në ishullin Bolshoi Zaiatskij

 

një grup të vogël ishujsh në Detin e Bardhë të Rusisë gjendet përqendrimi më i lashtë i labirinteve antike në planet. Pavarësisht teorive të shumta, arkeologët dhe historianët nuk kanë arritur në asnjë përfundim konkret rreth arsyes pse ato janë ndërtuar dhe cili ishte qëllimi i tyre. Fenomeni i labirinteve mbetet një nga simbolet më misterioze të gjetura në Tokë – daton prej mijëra vjetësh më parë dhe mendohet se u shfaq njëkohësisht në të gjitha kontinentet e banuara në epokën e vjetër.

Fjala "labirint" vjen nga greqishtja e lashtë "labrys", ("sëpatë e dyfishtë" që përdorej nga minoanët në ishullin e Kretës), dhe "inthos" (që do të thotë "vend") . Kështu, labryinthos (labirint) do të thotë fjalë për fjalë “vendi i sëpatës me dy tehe”. Pallati kompleks i Knosit në Kretë është i modeluar si labirint. Sipas mitologjisë greke, mbreti Minos i Kretës i kërkoi mjeshtrit Dedalus të ndërtonte labirintin në mënyrë që të fshihte Minotaurin, një qenie e frikshme zoomorfe, pasardhës gjysmë-njerëzor i gruas së Minosit me një dem. Për një arsye enigmatike, Dedali dhe djali i tij Ikarus u burgosën në labirint. Për të shpëtuar, ata krijuan një palë krahë prej dylli. Fatkeqesisht Ikari i ri, u ngjit afer diellit në fluturimin e tij dhe krahët e dyllit iu shkrinë e ai përfundoi në detin Ikarian ku u mbyt. Ndërsa legjenda e Minotaurit ishte menduar gjatë shekujve vetëm si një mit. Mbetjet arkeologjike të labirintit të Knosit u zbuluan në fillim të shekullit të XX-të nga arkeologu Arthur Evans.

Megjithëse ka shumë dizajne labirintësh të zbuluara gjatë gjithë historisë, të tilla si me shtatë qarqe, njëmbëdhjetë qarqe dhe dymbëdhjetë qarqe, në Greqi dhe në të gjithë Mesdheun, një simbol i zakonshëm i një labirinti me shtatë qarqe vjen nëpër shekuj perms legjendave. I njohur sot si labirinti i Kretës, ai përbëhet nga një rrugë e vetme që mbështillet para dhe prapa drejt një pike qendrore në një seri prej shtatë unazash koncentrike. Në mënyrë intriguese, forma e labirintit me shtatë qarqe pasqyron lëvizjen e planetit të Mërkurit në qiell për një periudhë të gjatë kohore.

Simboli i labirintit u gjet në një pllakë argjile në pallatin mikenas në Greqi. Mendohet se një zjarr e shkatërroi këtë pallat aty rreth vitit 1200 para Krishtit, duke e pjekur pllakën prej balte dhe duke e bërë keshtu atë të jetë në gjendje për të ardhur deri në ditët tona. Ndërsa fjala “labirint” është e lidhur ngushtë me historinë dhe mitologjinë greke, labirintet kanë qenë rreth e rrotull nëpër botë shumë më parë se legjenda e Knosit dhe Minotaurit.

Nje labirint I famshëm që daton ndoshta dhe deri 4000 vjet më parë është labirinti i famshëm në zonën e tempullit egjiptian të një kompleksi piramidal ndërtuar në Hauara nga Amenemheti III, i dinastisë së XII-të (rreth viteve 1844-1797 para Krishtit). Kishte dymbëdhjetë qarqe të veçanta, të gjitha përballë njëra-tjetrës, të gjitha të lidhura me korridore, kolonada dhe boshte. Rrugicat, kryqëzimet si dhe dyert e rreme të vulosura me rrasa guri, që të gjitha ishin në funksion të mbrojtjes së dhomës qendrore ku gjendej varrii i mbretit. Labirintet e Greqisë dhe të Egjiptit janë vetëm maja e ajsbergut. Labirintet janë gjetur pothuajse në çdo traditë fetare në botë, kanë qenë pjesë integrale e shumë kulturave dhe janë gjetur në çdo kontinent të banuar nga njerëzimi.

Për sa i përket monumenteve të lashta arkeologjike, më shumë se treqind shembuj të labirinteve mund të gjenden në vende të ndryshme të shpërndara në një gjeografi misterioze nëpër botë. Është e çuditshme dhe akoma e pashpjegueshme se si ishte e mundur që I njëjti model labirinti arriti të shfaqet njëkohësisht në një gjeografi kaq te madhe dhe kultura krejt të ndryshme nëper botë. Nëse labirinti I parë daton 4000 vjet i lashtë, në fakt historia e labirinteve është shume më e lashtë se kaq.  Labirintet më të hershëm u shfaqën për herë të parë në gdhendjet neolitike mbi shkëmbinj dhe në formacionet e gurëve, kryesisht në Evropë, Skandinavi dhe Rusi.

Ishujt Solovetskij janë një arkipelag që ndodhet në Gjirin Onega të Detit të Bardhë, Rusi. Këtu gjenden tridhjetë e pesë labirinte neolitikë, të cilat llogaritet se janë mbi 3000 vjeçarë. Më të spikatur janë labirintet prej guri të ishullit Bolshoi Zaiatskij, një grup prej katërmbëdhjetë labirintësh në një zone prej 0.4 km 2. Ato janë veçanërisht të ruajtura mirë dhe janë dokumentuar duke spekulluar për domethënien e tyre, por pa arritur në ndonjë përfundim të qartë. Përveç labirinteve, deri në 850 grumbuj gurësh janë gjetur në ishull, shumë prej tyre përmbajnë fragmente kockash. Formacione të tjera prej guri të zbuluara në ishull përfshijnë një përfaqësim të diellit, të kompletuar me kopsa rrezore. Në përgjithësi është rënë dakord që këto labirinte antike dhe formacione guri kishin lidhje me besimet fetare dhe mund të kenë simbolizuar një kufi midis botës sonë dhe botës së përtejme - vendbanimi mitik i të vdekurve. Labirinti më i vogël ka diametër rreth gjashtë metra, ndërsa më i madhi arrin një diametër 25,4 metra. Rreshtat e gurëve formojnë spirale, të ngjashme me dy gjarpërinj me kokat e tyre në qendër. Hyrjet në labirintet janë kryesisht në jug. Të gjithë labirintet në Bolshoi Zaiatskij gjenden në perëndim të ishullit, ndërsa pjesa lindore e ishullit përmban një koleksion të rëndësishëm të formacioneve prej guri, por jo labirinte.

Shumë hipoteza janë paraqitur për të shpjeguar arsyen pse kolonët neolitikë të ishujve Solovetskij bënë përpjekje të stërmundimshme për ndërtimin e labirinteve të shumta prej guri. Në vitet 1970, hipoteza mbizotëruese, ishte se labirintet ishin ndërtuar si kurthe për peshqit. Si argument për këtë merret fakti se të gjithë labirintet në këtë rajon ishin ndërtuar afër detit dhe nivelet e ujit ishin shumë më të larta 5000 vjet më parë, kur besohet se ishin ndërtuar. Peshqit do të notonin në hyrje, do hynin në brendësi dhe do të bllokoheshin në labirint, duke e bërë më të lehtë punën për peshkatarët.  Sidoqoftë, pengesa kryesore e këtij argumenti është se labirinthet e shumtë janë gjetur në brendësi të zonave kontinentale të të gjithë botës ku nuk kishte kurrë oqean as peshq. Studiuesi Juri Leonidoviç Ershov kishte një teori tjetër për ketë. Ershov pohoi se brenda rreshtave të labirinteve ishte pasqyrimi skematik i orbitave të diellit dhe hënës, kështu që labirintet u përdorën si kalendarë. Sidoqoftë, edhe kjo teori është kundërshtuar me argumnetin që labirintet nuk kanë një drejtim të qëndrueshëm të hyrjes. Një teori e njohur sot, veçanërisht midis qarqeve ezoterike, është se labirinti është një simbol i lashtë që lidhet me tërësinë. Labirinti kombinon imazhet e rrethit dhe spirales në një rrugë gjarpëruese, por të qëllimshme. Ai përfaqëson një udhëtim në thelbin e qenies sonë dhe kthimin përsëri në botë. Ecja në një labirint mund të konsiderohet gjithashtu si një iniciativë në të cilën dikush mpreh inteligjencën. Besohet se ecja në një labirint sjell ndryshim në vetëdijen tonë dhe në perceptimin tone për kohën dhe hapësirën. Me të drejtë, Vlad Abramov, një studiues që hulumtoi labirintet e Bolshoi Zaiatskijt, përshkroi përvojën surreale të ecjes në shtigjet përdredhëse dhe kthyese të labirintit. “Pasi të hyni në një labirint dhe të rrotulloheni disa herë rreth qendrës, e lini atë përmes së njëjtës hyrje. Vetëm pas disa kthesave bëhet e paqartë se sa keni ecur dhe sa ngelet ende për të ecur. Subjektivisht, koha ndalet, por duke parë orën, labirinti i madh kalohet në 15 minuta. Pavarësisht nga teoritë e paraqitura më lart, dhe shume të tjera që nuk janë përmendur ketu, teoria e pranuar sot për sot, është se ndërtimi i labirinteve ishte i lidhur me ritualet e besimeve fetare. Labirintet prehistorike besohet se kanë shërbyer si kurthe për shpirtrat e këqinj, si rrugë të përcaktuara për vallëzimet rituale, ose si një simbol për ndarjen midis kësaj bote dhe botës së përtejme. Spekulohet se labirintet mund të jenë përdorur edhe në rituale për të ndihmuar shpirtrat e atyre që kanë vdekur për të kaluar në botën e pertejme.

 

 

 

 

Rubrikat

Edhe të burgosurit me dënim të përjetshëm dikur mësohen me faktin se bota jashtë nuk është më e tyre

  Petrit Nika është padiskutim njëri nga poetët me emër të përveçëm, që u shfaq në botën e poezisë shqiptare aty nga gjysma e dytë e vit...

Më të shikuarat