(Portret)
Nga Ilirjan
Gjika
Ilirjan Gjika |
1.
Petrit Nikën e kam njohur në një mesditë vere të vitit
2004. Na prezantoi në sallën e Bibliotekës Publike të qytetit të Fierit miku
ynë i përbashkët, poeti Enertin Dheskali. “Ky është Petrit Nika.” - më sqaroi
Enertini dhe unë pashë me vëmendje këtë djalosh disi shtatlartë, emrin e të
cilit e kisha ndeshur diku më parë në median e shkruar. Pas prezantimit u ulëm
në një kafene dhe nuk e kuptuam se si u harruam aty për orë të tëra, ashtu siç
na ndodh shpesh edhe sot, kur diskutojmë rreth problemeve të ndryshme, duke
nisur nga letërsia e historia, e duke përfunduar tek temat sociale të ditës dhe
tek politika.
Me Petritin kemi qenë pjesëmarrës në dhjetëra
aktivitete kulturore. Kemi mbajtur referate e diskutime, ku shpesh ai ka qenë
pjesëmarrës në rolin e lektorit, ndërsa unë gjithashtu në rolin e lektorit apo
diskutuesit. Shpesh herë kemi debatuar bashkë për probleme të ndryshme, në
mjedise me intelektualë fierakë, por edhe në tryeza e aktivitete me miq nga
Tirana, Prishtina, Shkupi apo Ulqini.
Kështu, pa e patur të vështirë të shkruaj për të,
vendosa të krijoj një profil të këtij intelektuali të ri, që pa frikë do ta
cilësoja si një intelektual që frymon fuqishëm me ritmin e kohës, duke e
përjetuar thellë në vetvete çdo fenomen të saj.
2.
Petrit Nika u lind në fshatin Dardhë të rrethit të
Pukës, më 9 qershor 1975. Tek njëri nga librat e tij për fëmijë, duke folur për
ditëlindjen ai shprehet me doza poetike dhe shakaje njëkohësisht se atë ditë
“në oborr ndriçonte një diell që i ngjitej enës së qelqtë qiellore me nge, ndërsa
mbi dritaren e shtëpisë sime zgjaste degët një qershi, e cila asokohe sapo
ishte pjekur.” Fëmijëria, siç shprehet Nika prapë po tek ky libër, i kaloi
përmes përjetimesh të forta që ia falte peisazhi bujar dhe kontrastik i maleve,
lumenjëve, borërave, erërave, pyjeve, lëndinave e luleve. “Kujtimet e mia për
atë vend janë të pashlyeshme”, shprehet ai.
Ndoshta Petriti ishte pajisur nga vetë natyra me aftësinë
më të theksuar të përjetimit dhe pikërisht për këtë ai e filloi që në bankat e
shkollës fillore krijimtarinë letrare, ku pikë referimi tematike bëhej natyra e
maleve me hapësirat e tyre të pamata të enigmës dhe lirisë. Vite më vonë,
ndonëse gjimnazist i vitit të tretë, duke u ndarë njëherë e përgjithmonë me
fëmijërinë, ato përvoja do t’i memorizonte në dy libra për fëmijë; “Gjinkalla
dhe milingona” dhe “Trembëdhjetë përralla pelegrine”. Atëherë ishin vitet 1993
– 1994, por këta libra do të arrinte t’i botonte vetëm në vitet 2004 dhe 2005. Një
pritje prej më shumë se dhjetë vjetësh. Në vitin 2004 del vëllimi me fabula i titulluar “Gjinkalla
dhe milingona”, ndërsa një vit më vonë botohet libri tjetër, kësaj radhe me
përralla, i titulluar “Trembëdhjetë përralla pelegrine”. Ndonëse për nivelin e
tyre artistik këto dy libra nuk bien më poshtë se shumë prej librave të
autorëve më me përvojë që shkruajn për fëmijë, çuditërisht asnjëherë për këta
libra nuk është folur as edhe një rresht në shtypin e shkruar dhe s’janë
përfillur për t’u vënë në listën e librave të rekomanduar nga MASH, për
nxënësit e shkollave.
Duke fantazuar të bukurat e moshës fëminore, ai sjell
përpara lexuesit të vogël emocionet e jetës së vendlindjes, me përrenjtë plot
ujë, pyjet e dendur me gështenja e lisa, lëndinat e bukura buzë Drinit,
historitë e të cilave, siç dëshmon edhe vetë, i hidhte në letër ditë pas dite.
Duke zbuluar përpara këtij lloj lexuesi botën e përrallave, autori Petrit Nika
zbulon botën e vërtetë të fëmijëve, dëshirat dhe ëndërrat e tyre që ndryshojnë
shumë nga tonat. Kështu ndjenjat, idetë, shqetësimet, veprimet dhe gëzimet e
personazheve që gjallojnë këtu shprehin në mënyrë etike moralin që autori
kërkon të përçojë tek kjo masë e lexuesit të vogël, për të cilën ai duket se ka
një afeksion të veçantë.
3.
Gjithësej, deri tani Nika ka botuar vetëm katër libra,
ndërsa dy të tjerë pret t’i botojë në të ardhmen, një me poezi dhe një me
tregime.
Atij i ka pëlqyer gjithmonë që të përzgjedhë në kohë
të ndryshme, forma të ndryshme komunikimi. Fillimisht kur ishte ende gjimnazist
ai u prezantua përpara publikut me vëllimin poetik: ”Mëngjes në Alpe”. Jo pa
qëllim Dritëro Agolli në parathënien e librit theksoi se “Petrit Nika është një
vrojtues i çuditshëm i natyrës, i maleve, kreshtave, përrenjëve dhe lumenjëve,
vrojtues i banorëve që shkojnë jetën andej.” Dhe vazhdon: “Në poezinë e tij
ndjehet dashuria për njerëzit dhe malësinë. Aty ai vë re edhe gjërat më të padukshme
që dikush tjetër do t’i kalonte pa i ndjerë dhe pa i parë.”
Ndërkohë, me kalimin e viteve, duke qenë student në
Tiranë dhe pjesërisht i përfshirë në botën e medias, herë si reporter e herë si
bashkëpunëtor letrar, duke thelluar dhe njohjet e tij mbi letërsinë, P. Nika
filloi t’i qasej edhe shkrimit publicistik. Janë faqe të tëra në gazetat “Tema”,
“Fjala”, “Albania”, “Rilindja e Kosovës”, “Metropol”, “Standard” dhe së fundi
edhe “Shekulli”, ku ai botoi në mënyrë periodike analiza, komente, ese,
reçensione librash, tregime e poezi.
Rreth
kësaj veprimtarie një tjetër autor i njohur i viteve “90, pedagogu dhe
studiuesi Granit Zela, citon: ”E lexon fjalën e shndërruar në dashuri nga
Petrit Nika dhe ankthi që të kap është ai i fatit të mbrapshtë dhe i ferrit të
cilit duhet t’i bien pash, ai dhe sivëllezërit e tij.”
Ndërkohë, në vitin 2007 Petrit Nika botoi të parin
libër publicistik të titulluar: “Nostalgji apo ankth ekzistencial”. Nën këtë
titull intrigues autori kish
përmbledhur një pjesë të mirë të artikujve publicistikë që kishte botuar në
shtypin e përditshëm ndër vite. Duke shfletuar me vëmendje faqet e këtij libri
gjykon vërtetë aftësinë dhe talentin e penës së Nikës, jo vetëm në zgjedhjen e
temave dhe të lëndës, por edhe në përshkrimet mjeshtërore të materialeve të
trajtuara. Ja se ç’thotë përsëri Granit Zela për Nikën, në librin e tij
“Shkronjat e errësirës”: “Po ta konceptojmë si një filëm të gjithë librin
atëherë skena e ngjarjeve është kryesisht metropoli shqiptar, një (krye)qytet
ku ngjarjet janë anormale, qytetarët janë shndërruar në mendjeshpëlarë prej
industrive moderne, komercializmit, teknologjisë, retorikës mendjebjerrëse,
kotësisë dhe kakofonisë së ligjërimit publik. Luksi i kameramanit qëndron në
faktin se mund t’I afrohet dhe largohet objektit të vëzhgimit sipas nevojës së
rrokjes më të tërësishme të cameras, e cila përballë tij shndërrohet në një
object estetik nëpërmjet fjalës.” Kështu, duke zotëruar dhe përdorur me finesë
dhe një arsenal gjuhësor të zgjedhur, madje herë - herë ironik, Nika operon me
një teknikë narrative të natyrshme. Ai rrëfen duke hequr paralele të çuditshme
në kohë dhe hapësirë në të cilat rrokullisen gjithfarë ngjarjesh dhe gjallojnë
gjithfarë personazhesh. Herë - herë ai shfaqet, jo vetëm konstatues por edhe
polemizues ndaj fenomeneve të sotme sociale, politike e kulturore, duke dëshmuar
si rrallë autorë shqiptarë të brezit të tij, se edhe nga humbëtira e provincës,
po të jesh i talentuar dhe këmbëngulës, mund të bëhesh pjesë mbresëlënëse e
mozaikut të publicistikës elitare të vendit.
3.
Krahas krijimtarisë letrare Petrit Nika nuk i është
ndarë edhe punës së përditshme. Pasi u diplomua në Universitetin e Tiranës në
vitin 2000, ai punoi për një vit si mësues letërsie në vendlindje, në Pukë, për
të vazhduar që nga viti 2001 në Fier në disa institucione arsimore të këtij
qyteti, në fillim publike dhe së fundi në gjimnazin e njohur privat “Numani”.
Krahas orëve të mësimit, punës edukative dhe metodike të mësimdhënësit, ai u
përpoq që me syrin e njeriut të stërvitur me krijime të punonte edhe me talentet
e reja, tek të cilat shihte veten e tij të përsëritur, në moshën e largët të
fëmijërisë. Me këshillën e leximit dhe të nxitjes për t’i qasur adoleshentët
tek libri, ai grumbulloi rreth vetes një grup talentesh të reja me të cilët
themeloi Klubin Letrar “Pegasi” për të rinjtë e gjimnazit dhe nxori revistën
kultorologjike me të njëjtin emër, e cila botohet në mënyrë periodike me nga
njëzet faqe çdo numër. I këtij Klubi Letrar ishte dhe Renaldo Meta, nxënësi i
tij gjimnazist që në harkun kohor midis viteve 2005 - 2008 botoi nën redaktimin
dhe përkujdesjen e Nikës romanin “Çapkënët e Kaninës” dhe novelat “Dragoi” dhe
“Botë e egër”. Padyshim, një sprovë jo e lehtë, por fatmirësisht e suksesshme për
nxënësin dhe mësuesin e vet. Sikur të
mos i mjaftonte vetëm proçesi i tij krijues, apo zgjimi tek të tjerët i
dëshirës për krijimtarinë, veprimtaria letrare e Nikës nuk ndalet këtu. Ashtu
si gladiatori që u sulet pa hezituar rreziqeve të arenës, edhe ai provon një
tjetër duel; duke u shfaqur si redaktor i një duzine vëllimesh në prozë dhe në poezi.
Në vitin 2005 Petrit Nika ndan me Prof. Dr. Adriatik Kallullin redaktimin dhe
reçensën e librit “Në gjumë zura poetët”, të poetit dhe skulptorit të njohur
Haxhi Kalluci. Më pas do të jenë dhe disa libra të shkrimtarit të njohur Fran
Ukcama që do të kalojnë nën vështrimin kritik të Nikës. Mund të citojmë titujt
e disa prej tyre, si: “Postieri i zemrave”, “Vjosana bija e delfinit”, “A do
kthehen pëllumbat në Gërdec?”, botime të mirëpritura nga lexuesit e vegjël të
moshës shkollore, si dhe së fundi vëllimin poetik të Ukcamës “Kulla në qerpik
të diellit”, për të cilin në një shkrim të botuar në një periodik të Kosovës,
studiuesi kosovar Dr. Faik Shkodra është shprehur se; “poeti ka derdhur një
energji prej së cilës reflektohen thellësitë e mendimeve të krijuesit dhe dendësia
e shtresave meditative.”
4.
Poezia për Petrit Nikën konsiderohet si Toka e
Premtuar për Moisiun e kohëve biblike. Ajo mbetet pasioni, ambicja dhe sfida e
tij e përhershme.
Këtë rrugëtim Nika e nisi çerek shekulli më parë,
asokohe i pavetëdijshëm dhe i rrethuar nga pafajsia fëminore, atje në
vendlindjen e tij të paharruar, buzë Drinit, pranë Alpeve shqiptare, në Dardhë
të Pukës.
Nuk ishte veçse në klasën e dytë fillore kur shkroi
poezinë e parë. Ishte pranverë, ndoshta mars apo prill, kur mësuesi i tij i
fillores i porositi nxënësit e tij të vegjël për të krijuar nga një vjershë. U
tregoi dhe modelin, duke marrë si shembull një vjershë tjetër nga libri i
leximit. “Në fakt s’ia kisha qejfin fare
t’ia hyja asaj pune, - thotë Petriti pas njëzet vjetësh nga ajo ditë, në një
intervistë, - por detyra qe detyrë dhe mësuesi im qe i rreptë dhe s’bëhej shaka
me të. Ndenja gjatë për të shkruar tre strofat e vjershës së titulluar
“Pranvera”. Ajo ishte vjersha ime e parë dhe e paharruar. Të nesërmen ia dhashë
mësuesit. S’mund t’i harroj kurrë ato momentet kur ai lexonte krijimin tim,
ndërsa unë prisja me padurim përgjigjen. Kështu P. Nika e kaloi Drinin për të
zotëruar plot energji pushtetin e fjalës, si dikur Cezari Rubikonin për të
marrë pushtetin perandorak të Romës.
Ai filloi të shkruaj pandërprerje tashmë për të fituar
vite më vonë , çmimin e parë dhe fatmirësisht të parë, në vitin 1996 nga gazeta
e përditshme “55”, në një konkurs letrar mujor me poezi të botuar në faqet e së
dielës. Në vitin 2005, Petrit Nika fitoi çmimin e tretë në një Konkurs Kombëtar
të poezisë, tashmë organizuar nga gazeta kulturologjike prestigjioze “Fjala”
përgjatë vitit 2004, përzgjedhur midis shtatëdhjetë e nëntë konkurentëve,
poetëve më të njohur të të gjitha trevave shqipfolëse të viteve nëntëdhjetë. Ja
se ç’thuhet në gazetën “Panorama” të dates 1 shkurt 2005 lidhur me talentin që
ndërkohë kishte spikatur si individualitet me një profil serioz në mediat
kombëtare. “Për poezinë ndër 79 konkurentët fituan Florian Hida që është emigrant
në Amerikë, Norel Zaimi, i cili është student i gjuhëve të huaja, Petrit Nika,
një krijues gjithnjë aktiv, i cili është mësues dhe jeton në Fier.” Ndërsa gazeta
“Korrieri” e datës 17 gusht 2004, me rastin e tre vjetorit të numrit të parë të
gazetës “Fjala”, vinte në dukje kontributin kulturologjik të Nikës midis emrave
më të njohur të letërsisë shqiptare të viteve "90, si Tufa, Leka, Çoçoli,
Bala, Hatibi, Leshanaku, Marku, Zekthi etj.
Gjithashtu gazeta vë në dukje edhe rolin avanguardist
dhe elitar të kësaj gazete në fushën e kulturologjisë, duke komentuar se
“pluralizmi, që shumëkush e ka thënë me fjalë, djemtë e “Fjalës” e kanë
realizuar me veprën e tyre në kulturë.”
Ndërkohë, veçse dy vite më vonë, Granit Zela duke
lexuar poezitë në dorëshkrim, do të jepte një tjetër gjykim për vëllimin poetik
të Nikës “Fuga Temporum”, fatkeqësisht për arsye financiare akoma të pabotuar. Në reçensën e tij
Zela thotë se ky libër “është një shenjë e lënë pa bujë, krejt
fisnikëri, prej poetit Petrit Nika, në të njëjtën kohë edhe një sfidë ndaj
Kohës. Bashkë me shenjtërinë e numrave
Petrit Nika kthehet i shenjtëruar në Itakë me Pegas, në kërkim të paqes
shpirtërore dhe kthimit të njeriut te përkorësia zanafillore. Ai jeton me artin e tij dhe për artin e tij,
ndërsa ky art flet me një gjuhë komunikuese, por njëherësh dhe abstraguese, të
fshehtë. Peng i Muzës së vet, ngado që shkon, si një arratiak i pandreçshëm ai
hedh vështrimin e përmallur nëpër botë dhe prehjen e gjen vetëm në Itakë.”
E
përkthyer ndryshe Itaka e Nikës, do të konkludoja në mbylljen e këtij shkrimi,
nuk është gjë tjetër veçëse letërsia. Kurse Pegasi që e çon pareshtur atje
është patjetër frymëzimi i tij nga poezia dhe misteri i saj. Megjithëse edhe
vetë Nika në njëfarë mënyre e shpreh diku këtë fakt. Në një intervistë, i
pyetur se përse nuk kishte zgjedhur ndonjë profesion tjetër në jetë por
letërsinë, ai përgjigjet: “Këtu ka një gjë që ndoshta ngjet si diçka e
çuditshme, mbasi kur mua më erdhi koha për të zgjedhur, pasi kisha mbaruar të
mesmen, papritur u ndjeva i pafuqishëm. Mesa
duket, - thotë ai, - gradualisht dhe si pa e kuptuar kishte qenë letërsia ajo
që më kishte zgjedhur mua si “kurbanin” e radhës. Po
ç’bëra unë? Asgjë. Unë iu përula asaj përjetësisht.”
Botuar tek: Fieri.com, gusht 2009